Kur fëmijëria rrjedh natyrshëm
Kur fëmijëria rrjedh natyrshëm
FËMIJËRIA e mirë varet shumë nga kujdesi i mirë prindëror. Por çfarë përfshin kujdesi i mirë prindëror? Ka mundësi të keni dëgjuar këshilla për këtë çështje. Kushtojuni kohë fëmijëve tuaj. Dëgjojini. Jepuni atyre një drejtim të mirë. Përpiquni të kuptoni atë që përjetojnë ata, duke marrë pjesë në gëzimet dhe në trishtimet e tyre. Jini një mik i vërtetë për ta, pa hequr dorë nga autoriteti si prind. Sigurisht, parime të tilla, që janë sugjeruar shpesh, do t’i ndihmojnë prindërit që ta kryejnë siç duhet detyrën e tyre. Por ka diçka më thelbësore dhe më të rëndësishme që duhet të zërë vendin e parë.
Miliona prindër përreth botës kanë parë se ndjekja e parimeve biblike është çelësi për të qenë një prind i mirë. Pse? Sepse Autori i mençur i Biblës, Perëndia Jehova, është ai që krijoi jetën familjare. (Zanafilla 1:27, 28; 2:18-24; Efesianëve 3:15) Pra është e natyrshme që Fjala e tij e frymëzuar të jetë vendi më i përshtatshëm për të kërkuar udhëheqje për rritjen e fëmijëve. Por, si ka mundësi që një libër kaq i vjetër sa Bibla të na udhëzojë edhe rreth prirjes që vihet re në kohët tona për t’i rritur fëmijët para kohe? Le të shqyrtojmë nga Shkrimet disa parime që mund të na ndihmojnë.
«Me hapin e fëmijëve»
Jakobi, biri i Isakut, ishte babai i më shumë se dymbëdhjetë fëmijëve. Në Bibël janë regjistruar fjalët e mençura që tha ai gjatë një udhëtimi me familjen: «Fëmijët janë të brishtë . . . Të lutem, le të kalojë zotëria im [Esau, vëllai më i madh i Jakobit] përpara shërbëtorit të tij, por unë të vazhdoj udhën sipas takatit tim . . . sipas hapit të fëmijëve.»—Zanafilla 33:13, 14, BR.
Jakobi e dinte se fëmijët nuk ishin si të rriturit. Ata ishin «të brishtë»—me trup më të vogël, kishin më pak fuqi dhe kishin më shumë nevoja se të rriturit. Në vend që t’i detyronte fëmijët të ecnin me hapin e tij, ai e ngadalësoi hapin për ta përshtatur me atë të fëmijëve. Në këtë drejtim, ai pasqyroi mençurinë që tregon Perëndia ndaj fëmijëve të tij njerëzorë. Ati ynë i njeh kufizimet tona. Ai nuk pret nga ne më shumë nga ç’është e arsyeshme.—Psalmi 103:13, 14.
Madje edhe disa kafshë që Ai ka krijuar pasqyrojnë një mençuri të tillë, sepse Perëndia i ka bërë ato «instinktivisht të mençura». (Fjalët e urta 30:24, BR) Për shembull, natyralistët kanë vëzhguar se një tufë e tërë me elefantë e përshtatin hapin me hapin e një elefanti të vogël që ndodhet mes tyre dhe ecin ngadalë, derisa i vogli të jetë në gjendje t’i ndjekë.
Disa sfera të shoqërisë sonë moderne nuk e kanë mbajtur parasysh mençurinë hyjnore. Fjalët e urta 17:17.
Por ju nuk keni pse të bëni të njëjtën gjë. Mbani parasysh që fëmija juaj është ‘i brishtë’—nuk është në gjendje të mbajë mbi supe barrën ose përgjegjësitë e të rriturit. Për shembull, nëse je një prind i vetëm që po kalon probleme të vështira personale dhe ke dëshirë të flasësh për to me fëmijën, rezistoji kësaj dëshire të fortë. Në vend që të hapesh me fëmijën, kërko një mik të rritur e të pjekur, i cili mund të të ndihmojë ta përballosh siç duhet problemin—më e mira është të kërkosh dikë që do të të ndihmojë të zbatosh këshillat e mençura të Biblës.—Po kështu, mos lejoni që ritmi i jetës së fëmijës suaj të bëhet kaq i shpejtë, kaq i ngarkuar ose me një program kaq të rreptë, saqë të mos ketë më vend për gëzimet e moshës. Vendosni një ritëm që është i përshtatshëm për fëmijën tuaj dhe jo një ritëm që imiton verbërisht ritmin që ndjek bota sot. Bibla këshillon me mençuri: «Mos e lini botën që ju rrethon t’ju modelojë sipas kallëpit të saj.»—Romakëve 12:2, Phillips.
«Për çdo gjë ka një kohë të caktuar»
Një parim tjetër biblik me mençuri thotë: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar, madje një kohë për çdo punë nën qiej.» Sigurisht ka një kohë për të punuar. Fëmijët kanë shumë punë për të bërë—këtu futen detyrat e shkollës, punët e shtëpisë dhe veprimtaritë frymore. Megjithatë, e njëjta pjesë nga Bibla thotë se ka edhe «një kohë për të qeshur» dhe «një kohë për të hedhur valle».—Predikuesi 3:1, 4.
Fëmijët kanë një nevojë të veçantë për të luajtur, për të qeshur, për të shkarkuar energjitë fëmijërore në një mënyrë disi të shkujdesur. Nëse çdo çast i jetës së tyre është i programuar për shkollën, aktivitetet jashtëshkollore dhe për përgjegjësitë e tjera serioze, atëherë nevoja e tyre për të luajtur mund të mos plotësohet. Kjo gjë mund të bëjë që ata të pezmatohen, madje edhe t’i lëshojë zemra.—Kolosianëve 3:21.
Shqyrtoni se si mund të zbatoni të njëjtin parim biblik edhe në mënyra të tjera. Për shembull, meqë ka një kohë për çdo gjë, a nuk do të thotë kjo se fëmijëria është koha për të qenë fëmijë? Ka mundësi të përgjigjeni po, por ndoshta fëmijët tuaj nuk mendojnë gjithnjë kështu. Shumë shpesh, vajzat
ose djemtë e vegjël duan të bëjnë ato gjëra që bëjnë të rriturit. Për shembull, vajzat e vogla mund të kenë dëshirë të vishen ose të rregullohen si gratë. Fillimi i parakohshëm i pubertetit mund ta shtojë presionin që ndiejnë për t’u dukur më të mëdha.Prindërit e mençur e kuptojnë rrezikun që qëndron pas kësaj prirjeje. Disa reklama dhe zbavitje në këtë botë të degjeneruar i paraqesin fëmijët si njerëz të pjekur para kohe dhe që janë të vetëdijshëm se mund të jenë tërheqës për personat e seksit tjetër. Tualeti, bizhuteritë dhe një mënyrë të veshuri provokuese po përhapen gjithnjë e më shumë te të vegjlit. Po pse t’i bëjmë fëmijët që të duken më tundues për njerëzit e degjeneruar, të cilët kërkojnë t’i shfrytëzojnë seksualisht? Duke i ndihmuar fëmijët që të vishen në përshtatje me moshën e tyre, prindërit zbatojnë një parim tjetër biblik: «Njeriu mendjemprehtë e shikon të keqen dhe fshihet, por naivët shkojnë tutje dhe ndëshkohen.»—Fjalët e urta 27:12.
Një rast tjetër: duke lejuar që sporti të bëhet gjëja më kryesore për fëmijën mund të çojë drejt një jete të paekuilibruar, ku nuk ka më një kohë të caktuar për çdo gjë. Bibla me mençuri paralajmëron: «Stërvitja e trupit është e dobishme për pak gjë; kurse devocioni hyjnor është i dobishëm për të gjitha gjërat, pasi mban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë.»—1 Timoteut 4:8.
Mos lejoni që fëmijëve tuaj t’u ngulitet pikëpamja se «të fitosh është gjithçka». Shumë prindër u heqin sporteve dhe lojërave gjithë kënaqësinë, duke i nxitur fëmijët që të jenë tepër konkurrues dhe të fitojnë me çdo kusht. Si pasojë, që të fitojnë, disa fëmijë ndihen të detyruar të mashtrojnë ose edhe për t’i dëmtuar lojtarët e tjerë. Pa dyshim, e gjithë kjo nuk ia vlen vetëm e vetëm për të fituar!
Mësojuni vetëkontrollin
Të mësojnë që ka një kohë për çdo gjë shpesh është e vështirë për fëmijët. Nuk është e lehtë për ta që të presin me durim kur dëshirojnë diçka. Si për t’i keqësuar gjërat, njerëzit që na rrethojnë duken të vendosur që t’i plotësojnë në çast dëshirat e tyre. Bota e spektaklit shpesh jep këtë mesazh: «Merre atë që dëshiron dhe madje në çast!»
Mos u dorëzoni përballë këtij ndikimi, duke i llastuar dhe duke u plotësuar çdo dëshirë. «Aftësia për të kuptuar se shpesh duhen përpjekje dhe kohë për të arritur atë që do është një element i rëndësishëm i aftësisë për të kontrolluar emocionet,—thotë libri The Child and the Machine (Fëmijët dhe pajisja).—Vetëdisiplina dhe harmonia në shoqëri janë ilaçe të fuqishme kundër dhunës në rritje që po vërehet te fëmijët si brenda, ashtu edhe jashtë shkollës.» Bibla përmban këtë parim të dobishëm: «Nëse dikush e llaston shërbëtorin që në rini, më vonë, nga fundi i jetës së tij, ai do të bëhet madje bukëshkalë.» (Fjalët e urta 29:21, BR) Megjithëse vargu drejtpërdrejt lidhet me trajtimin e shërbëtorëve në moshë të re, shumë prindër kanë parë se i njëjti parim është mjaft i dobishëm edhe për fëmijët e tyre.
Midis nevojave të fëmijëve, një vend shumë të rëndësishëm zë fitimi i asaj që Bibla e quan ‘disiplina dhe norma mendore e Jehovait’. (Efesianëve 6:4) Disiplina e dhënë me dashuri i ndihmon fëmijët të zhvillojnë cilësi të tilla, si vetëkontrolli dhe durimi. Këto cilësi do t’i ndihmojnë që të gjejnë në jetë lumturi dhe të provojnë kënaqësinë që ndjen kur arrin synimet.
Kur asgjë nuk do ta kërcënojë më fëmijërinë
Megjithatë, ju mund të pyetni: ‘Perëndia i dashur që frymëzoi këto parime të dobishme, a kishte vërtet si qëllim që bota ku jetojmë të ishte siç është sot? A kishte ndër mend ai që fëmijët të rriteshin në një botë, e cila shpesh më shumë i vë në rrezik, sesa i edukon?’ Mund t’ju ngushëllojë dijenia se Perëndia Jehova dhe Biri i tij, Krishti Jezu, kanë një dashuri të përzemërt për njerëzit, përfshirë edhe fëmijët e çdo moshe. Ata shpejt do të zhdukin nga toka të gjithë njerëzit e ligj.—Psalmi 37:10, 11.
A dëshironi të keni një përfytyrim paraprak të asaj kohe të lumtur dhe me paqe? Përpiquni të imagjinoni këtë pamje ashtu siç përshkruhet bukur në Bibël: «Ujku do të banojë bashkë me qengjin dhe leopardi do të rrijë me kecin, viçi, luani i vogël dhe bagëtia e majmur do të rrinë bashkë dhe do të udhëhiqen nga një fëmijë.» (Isaia 11:6) Në një botë, e cila pa mëshirë ua shkatërron fëmijëve kaq shpesh fëmijërinë ose mizorisht i ngut ata që të rriten para kohe, sa ngushëlluese është të dimë se Perëndia premton një të ardhme të ndritur për njerëzimin në tokë! Është e qartë se Krijuesi nuk ka si qëllim që fëmijëria të humbasë ose të mbarojë para kohe, por që të jetë veç e lumtur dhe të rrjedhë natyrshëm.
[Figura në faqen 8]
Në vend që ta ngarkoni fëmijën me probleme personale, flitni për to me një të rritur
[Figura në faqet 8, 9]
Fëmijët kanë nevojë të luajnë