Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Plehrat Shumë faleminderit për artikujt kryesorë shumë të kohës: «Plehrat: A do të na mbulojnë?» (Shtator 2002) Kur jeton në një vend shumë të industrializuar, është e lehtë të rrëmbehesh nga «mentaliteti ‘hidhe se s’prish punë’». Artikulli juaj më bëri të ndalesha e të mendoja për rreziqet që paraqet kjo. Tani e tutje do të mendohem mirë përse dua t’i hedh disa gjëra.
Xh. B., Shtetet e Bashkuara
Më pëlqyen shumë artikujt që flitnin për problemin e plehrave. Për shumë kohë kam jetuar në një kompleks të madh banesash, ku kishte edhe disa kazanë të mëdhenj plehrash. Një herë po ecja përjashta dhe pashë sipër një kazani të mbushur plot e përplot një makinë kafeje fare të re. Më përpara, dy adoleshentë thanë se kishin gjetur aty edhe një orë floriri. Mbeta i shtangur, kur mendova për gjërat që mund të gjenden në këta kazanë plehrash. Tani aty kanë vënë një tabelë ku thuhet «Ndalohet rrëmimi në kazanët e plehrave».
B. Q., Shtetet e Bashkuara
Kirurgjia plastike Ju falënderoj nga thellësia e zemrës për artikullin: «Të rinjtë pyesin . . . A duhet të bëj operacion plastik?» (Shtator 2002) Jam 14 vjeçe dhe në shkollë disa nxënës më tallin për shkak të një tipari të fytyrës. Isha e bindur se duhej ta ndryshoja këtë tipar. Ky artikull më ndihmoi të analizoja cilat ishin në të vërtetë motivet e mia dhe të kuptoja sa gabim e kisha. Ajo që ka rëndësi për Jehovain është bukuria e brendshme.
K. T., Francë
Disa muaj më parë, gjatë bisedës me një kolege, ra fjala për kirurgjinë plastike. Ajo mendonte se ky lloj operacioni nuk ishte i përshtatshëm, pasi tregonte mungesë respekti për Krijuesin. Në atë kohë s’gjeta dot ndonjë gjë specifike në botimet tona. Megjithatë i tregova parimet biblike që mund të zbatoheshin për atë rast, të cilat më vonë i gjeta në këtë artikull. Kur ia tregova artikullin, ajo u lumturua shumë.
M. R., Shtetet e Bashkuara
Boja E kisha më të lehtë të vendosja të lyeja shtëpinë pasi lexova artikullin «Të lyejmë me bojë». (Shtator 2002) Ju falënderoj për këtë artikull, sidomos sepse më ndihmoi të kurseja para.
R. M., Shtetet e Bashkuara
Tërheqja fizike Jam 21 vjeç dhe më bren gjithnjë mendimi se nuk jam tërheqës. Atë çka ndiej e përshkruan bukur Tajlëri në artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Si mund të jem më tërheqës?» (Gusht 2002) Këshillat praktike e të bazuara në Bibël që gjendeshin në artikull janë tamam ato që më duheshin. Faleminderit për këtë dhe për botime të tjera që vazhdojnë t’u japin ndihmë të rinjve që po hasin kaq shumë sfida në këtë botë të neveritshme. Ajo që më mbetet tani është t’i vë në zbatim këshillat.
P. L., Zambie
Lutja Ju falënderoj nga zemra për artikullin «Pikëpamja e Biblës: Lutjet që dëgjon Perëndia.» (8 shtator 2002, anglisht) Ditën kur e lexova këtë artikull isha shumë e dëshpëruar. Mora shumë forcë duke lexuar fjalët e Isaisë 41:10. Sa e lumtur jam që Jehovai më forcon jo vetëm mua, por edhe të tjerët, dhe që i dëgjon të gjitha lutjet e madje edhe mendimet tona! Kam 20 vjet që jetoj në një shtëpi të ndarë nga ana fetare. S’është e lehtë, sepse kam edhe më shumë se 30 vjet që vuaj nga një sëmundje kronike. Ju falënderoj shumë për këto revista të mrekullueshme. Vazhdojnë të më japin forcën e duhur për të ecur përpara.
D. Xh., Gjermani