Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Kostoja e punës pas shkolle

Në Gjermani, një numër gjithnjë e më i madh të rinjsh punojnë jo vetëm gjatë pushimeve, por edhe gjatë vitit shkollor. «Në shkallë kombëtare, të paktën një e treta e fëmijëve të moshës 13-vjeçare dhe më të mëdhenj, punojnë mesatarisht më shumë se tri orë në javë»,​—raporton revista Der Spiegel. Në shtetin gjerman Hes, 50 deri në 80 për qind e nxënësve në vitin e tretë të shkollës së mesme zënë një punë kur u del rasti. Shumë rrallë ndodh që këtyre të rinjve u duhet të punojnë që të ndihmojnë familjet për të plotësuar gjërat e nevojshme. Përkundrazi, ata duan të kenë gjëra të tilla, si celularët më të fundit, rroba të firmuara dhe makina, si edhe ndjenjën e pavarësisë që u jep puna. Por kjo ka çmimin e vet. «S’është e rrallë që nxënësit t’i zërë gjumi në klasë me kokën mbi bankë, sepse kanë punuar shumë një ditë më parë ose edhe herët në mëngjes atë ditë,​—komenton Tomas Myleri, drejtor i një shkolle.​—Ata duan të kenë luksin tani, në vend të arsimimit për të ardhmen.» Një tjetër drejtor, Knut Ditmani, shton: «Kur fëmijëve u ngulitet në mendje mentaliteti i konsumatorëve, pranojnë edhe të kenë nota më të ulëta ose edhe të përsëritin vitin, si një çmim që duhet ta paguajnë.»

Majmunët e mëdhenj në rrezik

Agjencia e lajmeve Rojter raporton: «Habitatet e majmunëve të mëdhenj nëpër xhungla do të zhduken pothuajse plotësisht brenda 30 vjetësh, nëse njerëzit nuk ndërmarrin veprime të menjëhershme që të bëjnë një ndryshim.» Në Takimin e nivelit të lartë për Tokën, të mbajtur kohët e fundit në Johanesburg të Afrikës së Jugut, zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thanë: «Në vitin 2030 do të ketë mbetur relativisht i paprekur më pak se 10 për qind i habitatit të tanishëm të majmunëve të mëdhenj të Afrikës, nëse ndërtimi i rrugëve, i kampeve për minierat dhe zhvillimet e tjera të infrastrukturës do të vazhdojnë me ritmin e tanishëm.» Ky zvogëlim që po i ndodh dalëngadalë habitatit tashmë ka shkaktuar një rënie të thellë në popullatat e majmunëve të mëdhenj. Numri i përgjithshëm aktual i shimpanzeve llogaritet të jetë afro 200.000, në krahasim me rreth 2.000.000 që ishin një shekull më parë; sa për gorillat, kanë mbetur vetëm disa mijëra gorilla fushe dhe disa qindra gorilla mali. Sipas agjencisë Rojter, «OKB-ja po punon me kërkuesit, ambientalistët, qeveritë dhe me banorët vendës për të hartuar plane rimëkëmbjeje në ato 24 vende që kanë popullata të majmunëve të mëdhenj».

Televizioni modelon pikëpamjen për historinë

«Britanikët e quajnë vdekjen e Dianës, princeshës së Uellsit, si ngjarjen më të rëndësishme në historinë e kombit për 100 vjetët e kaluar, duke e renditur para shpërthimit të Luftës II Botërore ose fitimit të së drejtës së grave për të votuar»,​—raporton The Times e Londrës. Në një anketë të bërë për stacionin televiziv History Channel, më shumë se 1.000 vetave iu kërkua që ndër 10 ngjarje, të zgjidhnin cila ishte më e rëndësishmja për ta në historinë e Britanisë gjatë 100 vjetëve të kaluar. Si më të rëndësishmen, 22 për qind votuan vdekjen e princeshës, 21 për qind fillimin e Luftës II Botërore dhe 15 për qind fitimin e së drejtës së grave për të votuar. Kur u pyetën për ngjarjet botërore më të rëndësishme, 41 për qind zgjodhën sulmet e 11 shtatorit, 19 për qind hedhjen e bombës atomike në Hiroshimë dhe 11 për qind rënien e Murit të Berlinit. The Times komenton se për shumicën e njerëzve, «historia kryesisht është ajo që kanë parë kohët e fundit në televizor».

Një lidhje ndërmjet divorcit dhe suksesit në shkollë?

Sipas së përditshmes franceze Le Monde, një studim i kohëve të fundit, i bërë nga Instituti Kombëtar i Studimeve Demografike në Francë, tregon se fëmijët që kanë prindër të divorcuar kanë më pak sukses në shkollë, sesa fëmijët prindërit e të cilëve qëndrojnë bashkë. Fëmijët, prindërit e të cilëve ndahen para se fëmijët të arrijnë moshën e rritur, e lënë shkollën mesatarisht gjashtë muaj deri në një vit më parë se ata, prindërit e të cilëve qëndrojnë të martuar, pavarësisht nga niveli i tyre shoqëror dhe kulturor. Edhe në familjet e pasura, ku pjesa më e madhe e fëmijëve arrijnë t’i kalojnë provimet përfundimtare të shkollës së mesme, ata që kanë një familje të ndarë kanë dy herë më shumë të ngjarë të mos e marrin diplomën e shkollës së mesme. Në Francë, 40 për qind e martesave përfundojnë me divorc.

Efektet e dëmshme anësore të lëndëve narkotike

Gazeta El Comercio e Limës raporton se muajt e fundit në Peru pesë njerëz vdiqën si pasojë e drejtpërdrejtë e ujit që kishin pirë nga burimet e xhunglës, të cilat ishin ndotur nga kultivimi i bimës së kokës dhe nga përpunimi i kokainës. Për prodhimin e kokainës, ndër lëndët e tjera kimike toksike përdoren edhe vajguri, acidi sulfurik dhe amoniaku. Në artikull thuhet: «Këto vdekje u shkaktuan nga pirja e ujit prej burimeve ose rrjedhave të ujit në të cilat trafikuesit e drogës hedhin mbeturinat kimike që janë shumë toksike.» Madje edhe policët e antidrogës, të cilët konfiskojnë dhe shkatërrojnë laboratorët e fshehtë të drogës, kanë pasur ndikime të dëmshme nga kontakti me mbetjet helmuese. Edhe shumë banorë të tjerë të xhunglës «po pësojnë dëme të pakthyeshme të organeve të trupit», ngaqë pinë ujin e ndotur. «Ajo që të trishton është se shumica e këtyre banorëve nuk dinë gjë për rrezikun që i rrethon shumë prej tyre,​—tha Xhonatan Xhejkobsoni nga Zyra e Çështjeve të Antidrogës në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Limë.​—Madje, me siguri ata janë njerëz që s’kanë të bëjnë fare me kultivimin e bimës së kokës ose me përpunimin e saj.»

Pijet e gazuara në tryezat meksikane

Gazeta Reforma raporton se Meksika është konsumuesi i dytë më i madh në botë i pijeve të gazuara, pas Shteteve të Bashkuara, dhe se pijet e gazuara janë ndër dhjetë produktet më të zakonshme në tryezat meksikane, pasi përdoren nga 60 për qind e familjeve. Kjo i shqetëson specialistët e shëndetësisë, të cilët do të donin që familjet t’i shpenzonin paratë për të blerë qumësht, fruta, perime dhe ushqime të tjera që janë të domosdoshme për rritjen e zhvillimin e fëmijëve. Në vend të kësaj, një sasi tepër e madhe e të ardhurave të familjes harxhohet për të blerë një produkt që «nuk siguron asnjë lëndë ushqyese për trupin, por ka një sasi të madhe karbohidratesh. Këto me kalimin e kohës ndikojnë në zhvillimin e dhjamosjes»,​—sipas artikullit në gazetën Reforma. Në artikull thuhen edhe pasoja të tjera të dëmshme që vijnë nga konsumimi i tepërt i pijeve të gazuara, sidomos i pijeve me kola, përfshirë këtu prishjen e dhëmbëve dhe osteoporozën.

Kur ilaçet e keqësojnë dhembjen e kokës

«Neurologu Majkëll Enthoni përllogarit se deri 10 për qind e atyre që vuajnë nga dhembja e kokës kanë dhembje koke që shkaktohen nga ‘abuzimi me qetësuesit’,​—thuhet në The Daily Telegraph të Sidneit, Australi.​—Në vend që të kenë dhembje koke një herë në javë, duke pasur besim të tepruar te ilaçet që shiten pa recetë, ata mund të kenë dhembje koke çdo ditë.» Profesor Enthoni, që punon për Universitetin e Uellsit të Ri Jugor, zbuloi se «pacientëve që përdorin tepër ilaçe për dhembjen e kokës u pakësohet serotonina», një substancë që kufizon zgjerimin e enëve të gjakut. «Niveli i ulët i serotoninës bën që arteriet të zgjerohen, dhe kjo sjell si pasojë dhembje koke»,​—thotë ai. Profesor Enthoni u sugjeron atyre që vuajnë nga migrena të përdorin ilaçe specifike të cilat ua ka dhënë me recetë një mjek, në vend të ilaçeve që jepen pa recetë. Ai shton: «Nëse [pacientët] marrin ilaçe [qetësuese] më shumë se tri herë në javë, edhe sikur të marrin vetëm një dozë tri herë në javë, atëherë pas pak muajsh dhembja e kokës do t’u keqësohet.»

Si të lehtësohen të përzierat e mëngjesit?

«Është përllogaritur se 70 deri në 80 për qind e grave shtatzëna vuajnë nga të përzierat e mëngjesit»,​—thuhet në gazetën Sun-Herald të Australisë. Kur ngrihen në mëngjes, gratë shtatzëna në muajt e parë kanë të përziera që shpesh shoqërohen me të vjella. Një ndër shkaqet që dyshohen për këtë gjendje është ngritja e nivelit të hormonit progesteron gjatë shtatzënisë, hormon që mund të prodhojë acide të tepërta të stomakut. Veç kësaj, «duke pasur nuhatje më të ndjeshme, gratë shtatzëna mund të jenë më të prirura që të kenë të përziera». Edhe pse nuk ka ndonjë kurë të gjithanshme për të përzierat e mëngjesit, në gazetë sugjerohej që gratë shtatzëna të shmangin ambientet e ngrohta, pasi nxehtësia mund t’i provokojë të përzierat; të dremitin herë pas here e të flenë mjaft; si edhe t’i marrin erë një limoni të prerë. «Para se të ngriheni nga shtrati provoni të hani biskota të thata të kripura ose produkte të tjera drithërash pa i shoqëruar me lëngje. Ngrihuni gjithnjë ngadalë nga shtrati,​—vazhdon gazeta.​—Hani shpesh gjatë ditës gjëra të pasura me proteina.» Gazeta thotë se «të përzierat e mëngjesit kanë edhe një anë të mirë. Sipas studimeve të fundit, nënat që kanë këto të përziera kanë më pak aborte».