Popullariteti i madh i kikirikut modest
Popullariteti i madh i kikirikut modest
A të pëlqejnë kikirikët? Nëse po, ke shumë shokë. Kikirikët i pëlqen një pjesë e madhe e familjes njerëzore. Kina dhe India, dy kombet me popullsi më të madhe në tokë, prodhojnë së bashku më shumë se 50 për qind të prodhimit të përgjithshëm botëror të kikirikëve.
Në Shtetet e Bashkuara prodhohen miliarda kilogramë kikirikë çdo vit, që përbën pothuajse 10 për qind të prodhimit të përgjithshëm në botë. Edhe në Afrikën e Jugut, në Argjentinë, në Brazil, në Malavi, në Nigeri, në Senegal dhe në Sudan prodhohet shumë kikirik. Si ndodhi që kikiriku fitoi kaq shumë popullaritet? A është ndonjëherë më e këshillueshme të mos hamë kikirikë?
Një histori e gjatë
Mendohet se kikiriku e ka pasur origjinën në Amerikën e Jugut. Një nga enët e poçarisë më të hershme që tregon se njerëzit i pëlqenin kikirikët është një vazo e epokës parakolumbiane e zbuluar në Peru. Vazoja ka formën e kikirikut dhe është zbukuruar po ashtu me vizatime në formë kikiriku. Eksploruesit spanjollë, të cilët i hasën të parët kikirikët në Amerikën e Jugut, panë se ato ishin një burim shumë i mirë ushqimi gjatë udhëtimeve të tyre. Atëherë morën disa me vete në Evropë. Evropianët e përdorën edhe në mënyra të tjera kikirikun, madje edhe në vend të kokrrave të kafesë.
Më vonë portugezët i çuan kikirikët në Afrikë. Atje kikirikët u bënë shpejt të njohur si burim i vlefshëm ushqimi që rritej edhe në tokat shumë të varfra për të mbjellë ndonjë gjë tjetër. Në të vërtetë, bimët e kikirikut e pasurojnë terrenin e varfër duke i shtuar azotin që është shumë i domosdoshëm. Me kalimin e kohës kikiriku u transferua nga Afrika në Amerikën e Veriut, gjatë kohës së tregtisë së skllevërve.
Në vitet 1530, portugezët e çuan kikirikun në Indi dhe Makao, kurse spanjollët e çuan në Filipine. Pastaj tregtarët nga këto vende i çuan kikirikët në Kinë. Banorët e atjeshëm e kuptuan se kikiriku ishte një prodhim që mund ta ndihmonte kombin të përballonte zinë e rëndë të bukës.
Në vitet 1700, botanistët i studiuan kikirikët, të cilët i quajtën bizele toke, dhe nxorën përfundimin se ishin ushqim shumë i mirë për derrat. Në fillim të viteve 1800, kikirikët kultivoheshin për qëllime tregtie në Karolinën e Jugut, Shtetet e Bashkuara. Gjatë luftës civile në Amerikë, e cila filloi në vitin 1861, kikirikët u shërbyen si ushqim ushtarëve të të dyja palëve të luftimeve.
Gjithsesi, në atë kohë shumë njerëz i shihnin kikirikët si ushqim për të varfrit. Ky opinion shpjegon pjesërisht pse bujqit amerikanë të asaj kohe nuk i kultivonin gjerësisht kikirikët si ushqim për njerëzit. Për më tepër, para se të shpikeshin pajisjet e mekanizuara rreth vitit 1900, kultivimi i kikirikëve kërkonte shumë krahë pune dhe shpenzime.
Por, në vitin 1903, amerikani Xhorxh Uashington Karver, një kimist novator në fushën e bujqësisë, kishte filluar kërkimet për të gjetur përdorime të reja të bimës së kikirikut. Me kalimin e kohës ai përpunoi dhe nxori më shumë se 300 produkte nga kikiriku. Këto produkte përfshinin: pije, produkte kozmetike, bojëra, ilaçe, sapun larës, insekticid dhe bojë për të shtypur. Gjithashtu Karveri i nxiti bujqit vendës që të mos ndiqnin më zakonin për të mbjellë vetëm pambuk, sepse kjo po e varfëronte dheun, e të mbillnin hera-herës edhe kikirikë. Në atë kohë, një parazit, noçkëgjati i pambukut, po shkretonte të mbjellat me pambuk, dhe kjo i nxiti shumë bujq që të ndiqnin këshillën e Karverit. Cili ishte përfundimi? Kikirikët patën kaq shumë sukses, saqë u bënë një nga prodhimet kryesore të kultivuara për treg në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara.
Sot në Dotan, Alabamë, ka një monument kushtuar Karverit. Kurse në qytetin Enterprais, Alabamë, i kanë ngritur një monument noçkëgjatit të pambukut, sepse ishte epidemia e këtij insekti ajo që i nxiti fermerët të kultivonin kikirikë.Kultivimi i kikirikëve
Në të vërtetë kikirikët nuk janë frytet, por farërat e bimës së kikirikut. Ndërsa rritet, bima bën lule të verdha që vetëpllenohen.
E vendosur në majë të një zgjatimi ngjashëm një kërcelli, të quajtur kunj, vezorja e pllenuar e bimës, e cila ka brenda embrionin, fillon të depërtojë në dhe. Në dhe, embrioni vendoset paralel me sipërfaqen e tokës dhe fillon të piqet në nëntokë, duke marrë formën e mirënjohur të kikirikut. Një bimë e vetme mund të japë deri në 40 kikirikë.
Bimës së kikirikut i pëlqejnë klimat e buta e me diell, me reshje mesatare shiu. Periudha nga mbjellja deri në korrje mund të shkojë nga 120 deri në 160 ditë, në varësi të varietetit të kikirikut dhe të kushteve atmosferike. Për të korrur kikirikët, kultivuesit duhet t’i shkulin me rrënjë tërësisht bimët, t’i kthejnë rrënjët lart dhe t’i lënë të thahen, që pastaj të ruhen pa u kalbur. Sot shumë kultivues përdorin pajisje moderne bujqësore që u japin mundësi t’i shkulin bimët me rrënjë, ta heqin dheun prej tyre duke i shkundur dhe t’i kthejnë bimët me rrënjë lart, e gjithë kjo me një procedurë të vetme.
Përdorimet e shumta të kikirikut
Vlerat ushqyese të kikirikëve janë mbresëlënëse. Kikirikët kanë përqindje të lartë fibrash dhe përmbajnë 13 vitamina e 26 minerale, shumë prej të cilave mungojnë në dietën ushqimore të sotme. «Po të krahasojmë të njëjtën sasi të mëlçisë së kaut dhe kikirikëve, kikirikët kanë më shumë proteina, minerale dhe vitamina»,—thuhet në The Encyclopædia Britannica. Por, kujdes, ju që e keni merak peshën! Kikirikët kanë edhe «më shumë yndyrë se ajka» dhe «më shumë kalori se sheqeri».
Kikirikët përdoren gjerësisht në kuzhinat e shumë kombeve. Shija e tyre e veçantë s’ngatërrohet lehtë. «Shija
e kikirikut është kaq e fortë dhe e veçantë, saqë të gjitha llojet e gatimeve ku janë shtuar kikirikë të grirë do të kenë shije shumë të përafërt,—komenton Anja von Bremzen, shkrimtare e librave të kuzhinës.—Kështu, pra, do të jenë të ngjashme në shije me njëra-tjetrën salca indoneziane e kikirikëve, supa e Afrikës Perëndimore, makaronat peta kineze, çomleku peruan dhe sanduiçi me gjalpë kikiriku.»Përreth botës, kikirikët pëlqehen edhe si ushqim i gatshëm. Në Indi, për shembull, kikirikët përzihen me bishtaja të tjera të thata dhe shiten nëpër rrugë për t’i ngrënë. Është interesant fakti se gjalpi i kikirikut, i cili përdoret shumë në sanduiçe në disa vende, thuhet se «është shpikur nga një mjek në Sent-Luis [SHBA] rreth vitit 1890 si ushqim i shëndetshëm për pleqtë»,—sipas botimit The Great American Peanut.
Por, përveçse shërbejnë drejtpërdrejt si ushqim, kikirikët kanë edhe shumë përdorime të tjera. Në të gjithë Azinë, kikirikët janë burim i rëndësishëm për vaj gatimi. Vaji i kikirikut mund të përdoret për të gatuar edhe ushqime në temperatura shumë të larta dhe nuk merr shijen e ushqimeve që gatuhen me të.
Në Brazil, mielli i kikirikut, nënprodukt që del gjatë prodhimit të vajit të kikirikut, përdoret si ushqim për kafshët. Gjithashtu, produktet e kikirikut përdoren në shumë sende të përdorimit të përditshëm.—Shih më sipër.
Kujdes nga alergjia ndaj kikirikut!
Kikirikët mund të ruhen për periudha të gjata pa qenë e nevojshme të vihen në frigorifer. Megjithatë duhet bërë kujdes. Kikirikët që kanë filluar të zënë myk përmbajnë aflatoksinë, një agjent të fuqishëm që shkakton kancerin. Veç kësaj, disa njerëz janë alergjikë ndaj kikirikëve. Alergjia «mund të ketë simptoma të ndryshme, nga rrufa dhe puçrrat ose njollat e kuqe në lëkurë e deri në shok anafilaktik, që është kërcënues për jetën»,—thuhet në revistën Prevention. Disa studime kanë treguar se sot po bëhet më e zakonshme që fëmijët e vegjël të jenë alergjikë ndaj kikirikëve.
Nëse të dy prindërit e fëmijës kanë astmë, rinit alergjik ose ekzemë, fëmija ka më shumë rrezik të bëhet alergjik ndaj kikirikëve, sipas asaj që raporton revista Prevention.
E njëjta gjë mund të thuhet për foshnjat, nënat e të cilave kanë qenë ose janë alergjike, dhe për foshnjat që bëhen alergjike ndaj qumështit gjatë vitit të parë të jetës. «E mira është që këto familje ta mbajnë larg gjalpin e kikirikëve të paktën derisa fëmija të bëhet tre vjeç»,—thotë dr. Hjuxh Sampson, profesor i pediatrisë në Qendrën Mjekësore të Universitetit Xhons Hopkins, në SHBA.
Pavarësisht nëse i ha shumë ose pak kikirikët, ndoshta ky shqyrtim i përdorimeve të tij të shumta të ka bërë të kesh më shumë vlerësim për këtë farë modeste, e megjithatë shumë të përhapur.
[Kutia dhe figura në faqen 24]
Nënprodukte të kikirikut mund t’i gjejmë në shumë sende të përdorimit të përditshëm
• Panele
• Lëndë djegëse e presuar si dru për zjarr
• Shtrojë për macet
• Letër
• Larës
• Melhem
• Llak për metalet
• Zbardhues
• Bojë shkrimi
• Lubrifikant rrotash
• Shkumë rroje
• Krem fytyre
• Sapun
• Linoleum
• Gomë
• Produkte kozmetike
• Bojë muresh
• Lëndë plasëse
• Shampo
• Ilaçe
[Burimi]
Burimi: The Great American Peanut
[Diagrami dhe figura në faqen 22]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Gjethe
Kunj
Sipërfaqja e tokës |
Rrënjët Kikiriku
[Burimi]
Revista The Peanut Farmer
[Figura në faqen 22]
Monument kushtuar Xhorxh Uashington Karverit
[Figura në faqen 23]
Shtetet e Bashkuara
[Figura në faqen 23]
Afrika
[Figura në faqen 23]
Azia
[Burimi]
FAO photo/R. Faidutti
[Figura në faqen 23]
Kikirikë të përgatitur në disa mënyra
[Figura në faqen 24]
Gjalpi i kikirikut pëlqehet shumë si ushqim në disa vende