Zbulohet sekreti i një veshi në miniaturë
Zbulohet sekreti i një veshi në miniaturë
«Dhjetëvjeçarin e kaluar, biologët zbuluan një mekanizëm të ri me anë të të cilit kafshët përcaktojnë nga vijnë tingujt,—thuhet në Science News.—Zbulimi u bë kur u vëzhgua se një mizë parazite i gjurmon bulkthat me anë të tingujve. E arrin këtë edhe pse koka e mizës është shumë e vogël që në të të punojë ndonjë nga mekanizmat e njohur më parë për përcaktimin e vendndodhjes me anë të tingujve.» Normalisht këta mekanizma varen nga një hapësirë e konsiderueshme që ndan dy timpanet e veshit.
Sipas një studimi të bërë kohët e fundit në Universitetin Kornell, SHBA, «mizat femra të llojit Ormia ochracea i përcaktojnë me saktësi tingujt, duke gabuar jo më shumë se dy gradë këndore, me po atë saktësi sa edhe bufi». Kjo edhe pse dy timpanet e tyre, të lidhur me njëri-tjetrin, janë larg vetëm rreth një milimetër! Saktësia akustike e mizës, saktësi që i ngjan asaj të bufit, është meritë e një aparati mahnitës dëgjimi.
Timpanet e këtij insekti janë të lidhura me njëra-tjetrën me një urë të përbërë nga një material që i lejon dy membranat të lëkunden poshtë e lart si një njësi e vetme, ngjashëm kolovajzave në një park lojërash, të bëra nga një tra me dy ndenjëse që lëvizin poshtë e lart. Kur tingulli që lëshon bulkthi mbërrin te miza, dridhjet që arrijnë te timpani më i afërt përcillen pothuajse menjëherë te timpani tjetër, duke e zbutur reagimin e këtij të fundit ndaj të njëjtave valë tingujsh. Kështu, membrana që është më afër bulkthit dridhet më fort. Kjo i jep mundësi mizës ta përcaktojë vendndodhjen dhe të shkojë drejt e te shënjestra e saj.
Për çfarë mund të përdoret ky zbulim? Kërkuesit besojnë se ai mund t’i ndihmojë të përmirësojnë ndërtimin e gjërave të tilla, si mikrofonat dhe aparatet ndihmëse të dëgjimit. Këta të fundit, për shembull, mund të ndërtohen në mënyrë që «t’i mbledhin tingujt kryesisht nga drejtimi në të cilin sheh dëgjuesi»,—thuhet në raport. Vërtet, çfarë mençurie e jashtëzakonshme shfaqet në krijimet e mrekullueshme të Jehovait!—Jobi 42:2.
[Burimet e figurave në faqen 31]
R. Hoy/Universiteti Kornell
Dy fotografitë sipër: R. Wyttenbach/ Universiteti Kornell