Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A kërkon uniteti i krishterë që të jenë të gjithë njësoj?

A kërkon uniteti i krishterë që të jenë të gjithë njësoj?

Pikëpamja e Biblës

A kërkon uniteti i krishterë që të jenë të gjithë njësoj?

FEJA sot duket se karakterizohet nga mungesa e unitetit. Madje edhe brenda së njëjtës kishë, njerëzit mund të kenë një shumëllojshmëri bindjesh, që bien ndesh me njëra-tjetrën, në çështjet doktrinale dhe të sjelljes. Një shkrimtare u shpreh në këtë mënyrë: «Është madje e vështirë të gjesh dy njerëz që besojnë te po i njëjti Perëndi. Në ditët e sotme, duket se çdo qenie njerëzore ka teologjinë e vet.»

Në kontrast të plotë me këtë, apostulli Pavël u bëri thirrje të krishterëve të shekullit të parë në Korint që ‘të flitnin të gjithë në harmoni’ dhe ‘të ishin të bashkuar siç duhet në të njëjtën mendje dhe në të njëjtën linjë mendimi’. (1 Korintasve 1:10) Disa sot e kritikojnë këshillën e Pavlit. ‘Njerëzit ndryshojnë nga njëri-tjetri,—kundërshtojnë ata,—dhe është e gabuar të ngulësh këmbë që të gjithë të krishterët të mendojnë ose të veprojnë në të njëjtën mënyrë.’ Por, a po këshillonte me të vërtetë Pavli një bindje si robot? A lë vend Bibla për liri personale?

Jo njësoj, por në unitet

Në një nga letrat e tjera të tij, Pavli i nxiti të krishterët që t’i shërbenin Perëndisë me ‘fuqinë e tyre për të arsyetuar’. (Romakëve 12:1) Sigurisht, pra, ai nuk po përpiqej t’i kthente anëtarët e kongregacionit të Korintit në individë që vepronin në mënyrë mekanike, pa u menduar. Por, pse u tha atyre që të ishin «të bashkuar siç duhet në të njëjtën mendje dhe në të njëjtën linjë mendimi»? Pavli e dha këtë këshillë, sepse kongregacioni në Korint po kalonte një problem serioz. Në të ishin krijuar grupe të veçuara, kështu që disa shihnin Apolin si udhëheqësin e tyre, kurse të tjerë parapëlqenin Pavlin ose Pjetrin, ose pranonin vetëm Krishtin. Një mungesë e tillë uniteti nuk ishte diçka e parëndësishme, pasi ajo kërcënonte paqen e kongregacionit.

Pavli dëshironte që korintasit ‘të ruanin njëjësinë e frymës në lidhjen e paqes’, pikërisht ashtu si i këshilloi më vonë të krishterët në Efes. (Efesianëve 4:3) Ai po i inkurajonte vëllezërit që ta ndiqnin në unitet Jezu Krishtin, jo të përçaheshin në grupe të veçuara ose në sekte. Në këtë mënyrë do të bashkëpunonin paqësisht për të njëjtin qëllim. (Gjoni 17:22) Prandaj, këshilla e Pavlit për korintasit shërbeu për të ndrequr mënyrën e tyre të të menduarit dhe për t’i nxitur që të ishin në unitet, jo që të ishin njësoj.—2 Korintasve 13:9, 11.

Uniteti është gjithashtu i rëndësishëm në çështjet doktrinale. Ithtarët e Jezuit e kuptojnë se në të vërtetë ka vetëm «një besim», ashtu siç ka «një Perëndi të vetëm e Atë». (Efesianëve 4:1-6) Për këtë arsye, të krishterët sigurohen që bindjet e tyre të jenë në përputhje me të vërtetën që ka zbuluar Perëndia në Fjalën e tij, rreth vetes dhe rreth qëllimeve që ka. Ata janë në unitet përsa i përket besimit se kush është Perëndia dhe çfarë kërkon ai. Jetojnë në përputhje me normat e qarta morale të përcaktuara në Fjalën e Perëndisë. (1 Korintasve 6:9-11) Në këtë mënyrë të krishterët qëndrojnë në unitet, si nga ana doktrinale, ashtu edhe morale.

Qëndrimi ndaj mospërputhjes së mendimeve

Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë që çdo të krishteri i thuhet saktësisht se si të mendojë e çfarë të bëjë në çdo rrethanë gjatë jetës. Pjesa më e madhe e çështjeve përfshijnë një zgjedhje personale. Le të shqyrtojmë një shembull. Disa të krishterë të shekullit të parë në Korint kishin dyshime nëse duhej ngrënë apo jo mishi që mund të vinte nga një tempull idhujsh. Disa kishin bindje të fortë se ngrënia e mishit do të përbënte një vepër të adhurimit të rremë, ndërsa të tjerë mendonin se nuk kishte rëndësi nga vinte mishi. Duke trajtuar këtë çështje delikate, Pavli nuk vendosi një rregull që t’u thoshte të krishterëve çfarë të bënin. Në vend të kësaj, ai pranoi se individët mund të merrnin vendime të ndryshme për këtë çështje. *1 Korintasve 8:4-13.

Sot, të krishterët mund të marrin vendime që ndryshojnë nga ato të të krishterëve të tjerë kur bëhet fjalë për punësimin, shëndetin, zbavitjen ose për disa fusha të tjera që përfshijnë zgjedhjen personale. Ky fakt mund t’i shqetësojë disa. Ata mund të pyesin veten nëse ndryshimet në pikëpamje mund të çojnë në mosmarrëveshje ose ndarje në kongregacion. Megjithatë, një rezultat i tillë nuk është i pashmangshëm. Le ta ilustrojmë: Në muzikë kompozitorët punojnë vetëm me një numër të kufizuar notash e megjithatë mundësitë për të bërë muzikë të bukur janë të pafundme. Po kështu, të krishterët bëjnë zgjedhje që janë brenda kufijve të parimeve hyjnore. Prapëseprapë, ata kanë njëfarë lirie kur marrin disa vendime personale.

Si është e mundur që të ruajmë unitetin e krishterë ndërkohë që respektojmë zgjedhjen individuale? Çelësi është dashuria. Dashuria për Perëndinë na shtyn t’i nënshtrohemi me dëshirë urdhërimeve të tij. (1 Gjonit 5:3) Dashuria për të tjerët na nxit që të respektojmë të drejtat e tyre për të marrë vendime të ndërgjegjshme në çështjet personale. (Romakëve 14:3, 4; Galatasve 5:13) Pavli la një shembull të shkëlqyer në këtë drejtim kur iu nënshtrua autoritetit të trupit udhëheqës të shekullit të parë, në një çështje doktrinale. (Mateu 24:45-47; Veprat 15:1, 2) Në të njëjtën kohë, ai inkurajoi që çdo njeri të respektonte ndërgjegjen e të bashkëkrishterëve në çështje që i takojnë vendimeve personale.—1 Korintasve 10:25-33.

Është e qartë që asnjeri nuk duhet dënuar, sepse ka marrë një vendim me ndërgjegjen e tij kur ky nuk bie ndesh me parimet biblike. (Jakovit 4:12) Nga ana tjetër, të krishterët besnikë nuk do të ngulin këmbë në të drejtat e tyre personale në kurriz të ndërgjegjes së të tjerëve ose në dëm të unitetit të kongregacionit. As nuk duhet të pretendojnë se kanë liri veprimi për të bërë diçka që Fjala e Perëndisë e dënon qartë. (Romakëve 15:1; 2 Pjetrit 2:1, 19) Dashuria për Perëndinë duhet të na shtyjë që ta vëmë ndërgjegjen tonë në harmoni me mendimet e Perëndisë. Si pasojë, kjo gjë do të na mbajë të bashkuar me bashkëbesimtarët.—Hebrenjve 5:14.

[Shënimi]

^ par. 10 Për shembull, ka mundësi që disa që kishin adhuruar idhujt përpara se të bëheshin të krishterë të mos ishin në gjendje të bënin dallimin midis ngrënies së mishit dhe përfshirjes në një vepër adhurimi. Një tjetër shqetësim me vend ishte se të krishterët më të dobët frymësisht mund të krijonin një përshtypje të gabuar dhe të pengoheshin.