Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bota mbresëlënëse e krimbave

Bota mbresëlënëse e krimbave

Bota mbresëlënëse e krimbave

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI

MBRETËRESHA KLEOPATRA e Egjiptit i shpalli ata të shenjtë. Aristoteli i quajti zorrët e tokës. Çarls Darvini mendonte se ata kishin luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e botës. Cila kafshë fitoi admirimin e këtyre njerëzve të famshëm? Një kafshë që nuk bie në sy, krimbi i tokës.

Siç do ta shihni, krimbat e meritojnë admirimin tonë. Vërtet, ata lëshojnë jargë dhe zvarriten. Por po t’i njihni pak më mirë krimbat, edhe këto veçori që nuk duken tërheqëse mund të lënë mbresa të thella. Gjithçka që duhet të bëni është të përkuleni dhe të ktheni një plis dheu ose të gërmoni pak në shtresën e formuar nga gjethet e kalbura dhe tashmë keni hyrë në botën mbresëlënëse të krimbave.

Tru i thjeshtë, dhunti befasuese

Po ta shihni më nga afër një krimb toke, do të vëreni se trupi i tij përbëhet nga segmente në formë unazash që duken si një varg me fiq të thatë e të vegjël, të ngjeshur fort me njëri-tjetrin. Çdo segment ka dy grupe muskujsh që e bëjnë të lëvizë. Njëri grup, pikërisht poshtë lëkurës, formon një unazë rreth krimbit. Poshtë kësaj shtrese muskujsh, grupi i dytë i muskujve shtrihet në gjithë gjatësinë e trupit të krimbit. Krimbi lëviz duke i zgjatur dhe duke i tkurrur këto dy grupe muskujsh që kanë funksion të kundërt. Kështu, ai i lëviz ritmikisht segmentet njërin pas tjetrit në formë vale që shkon deri në fund të trupit.

Po ta merrni në dorë një krimb toke, pa dyshim që ai do të dridhet e përdridhet. Krimbi reagon kështu, sepse trupi i tij është i mbuluar krejt me organe të ndijimit—gati 1.900 vetëm në një segment. Këto organe ose receptorë e pajisin krimbin me shqisën e të prekurit, me aftësinë për të shijuar dhe me aftësinë për të dalluar dritën.

Krimbi kapet pas dheut me ndihmën e disa zgjatimeve në formë qimesh të vogla që quhen ketë. Çdo segment i krimbit ka çifte ketësh që veprojnë pak a shumë si lopatat e një varke. Krimbi i ngul ato në dhe, e shtyn trupin përpara dhe pastaj i mbledh. Krimbi mund të «vozitë» si para ashtu edhe prapa, duke përdorur nga një çift ketësh çdo herë. Po të trembet mund të ngulë njërin skaj të trupit, ndërkohë që mbledh me të shpejtë skajin tjetër. Aftësinë atletike që shfaq ai për të mbajtur ritmin e «vozitjes me lopata» do ta kishte zili edhe një skuadër vozitësish në lojërat olimpike.

Ka disa lloje krimbash, të cilëve nëse zogjtë u çukitin segmentet e fundit ato zhvillohen përsëri. Megjithatë, kurrë nuk dalin më shumë segmente nga ç’kanë qenë. Me sa duket, çdo segment prodhon një ngarkesë të vockël elektrike dhe krimbat i ripërtërijnë sërish segmentet e humbura derisa të fitojnë sërish maksimumin e caktuar të ngarkesës elektrike.

Mijëra organe të ndijimit dhe sistemi kompleks i muskujve lidhen me nyjën trunore e cila ndodhet në atë skaj ku është edhe goja. Eksperimentet kanë treguar se përveç dhuntive fizike, krimbat kanë njëfarë aftësie për të mbajtur mend e madje mund të mësojnë edhe sesi të shmangin rrezikun.

Pse kanë kaq shumë jargë?

Sipërfaqja jargore e krimbit, e cila për shumë njerëz është tepër e neveritshme, në të vërtetë bën të mundur që krijesa e vogël të marrë frymë. Lëkura e krimbit është poroze. Prandaj enët e gjakut afër lëkurës thithin nga ajri ose nga uji oksigjenin dhe çlirojnë dyoksidin e karbonit. Por këto gaze mund të shkëmbehen vetëm nëse lëkura është e lagësht. Po t’i thahet lëkura, dalëngadalë krimbi mbytet dhe ngordh.

Nga ana tjetër, nëse krimbi nuk del dot nga tuneli i nëndheshëm kur bie shi me rrebesh, rezervat e oksigjenit në ujë do të mbarojnë shpejt. Kjo është një nga arsyet se përse pas shiut krimbat dalin në sipërfaqen e tokës. Nëse nuk dalin menjëherë nga tuneli i tyre nën tokë, ata do të ngordhin nga mungesa e ajrit.

Një planet që gëlon nga lëruesit e palodhur të tokës

Në planetin tonë ka më shumë se 1.800 lloje krimbash toke. Ata i gjen kudo në tokë, me përjashtim të zonave më të ftohta dhe atyre më të thata. Në nëntokën e savanave të Afrikës së Jugut mund të gjenden vetëm 70 krimba në çdo metër katror, kurse në nëntokën e pyjeve në Kanada mund të ketë më shumë se 700 krimba për metër katror.

Krimbat e tokës në Zelandën e Re ndahen në tri lloje bazë. Në llojin e parë futen krimbat që lëvizin shpejt dhe që shumohen shpejt, të cilët jetojnë midis mbeturinave organike që po kalbëzohen në sipërfaqen e tokës. Në llojin e dytë që është edhe më i përhapur, futen krimbat që gërmojnë tunele horizontale, në shtresat e sipërme të dheut. Krimbat e llojit të tretë gërmojnë tunele vertikale nën tokë dhe mund të kalojnë disa vjet—sa ç’është kohëzgjatja e jetës së krimbit—në një tunel. Këta janë më muskulozët e botës së krimbave. Ata kanë muskuj të fuqishëm unazorë rreth kokës që i bëjnë të aftë të shtyhen përpara dhe të çajnë rrugën nëntokësore duke gëlltitur grimca dheu. Një nga krimbat më të mëdhenj të botës gjendet në Australinë Jugore. Gjatësia e këtij krimbi gjigant mund të arrijë më shumë se një metër e gjysmë dhe ai mund të peshojë deri në pesëqind gramë.

Duke u përdredhur nëpër sipërfaqen e tokës krimbat shërbejnë si lërues të veckël tokash. Ndërsa gërmojnë rrugën duke gëlltitur grimca të vogla përmes plehut, dheut dhe bimësisë që po kalbet, ata nxjerrin një lëndë që quhet jashtëqitja e krimbit—një produkt që e prodhojnë në sasi jashtëzakonisht të mëdha. Është përllogaritur se krimbat që punojnë nën fushat e gjelbra të Anglisë prodhojnë çdo vit rreth njëzet tonelata jashtëqitje për hektar. Edhe më mbresëlënës janë krimbat që jetojnë në luginën e Nilit. Këta krimba mund të depozitojnë deri në 2.500 tonelata jashtëqitje për hektar. Ndërkohë që krimbat e shkriftojnë tokën, ajo ajroset më mirë dhe thith më shumë ujë, duke u bërë më pjellore.

Shkencëtarët kanë zbuluar se sistemi i tretjes i krimbave i shndërron lëndët ushqyese në lëndë që bimët mund t’i thithin. Kështu jashtëqitjet e krimbave janë plot me lëndë ushqyese për bimët. Përveç kësaj, shumë mikroorganizma të dëmshëm që gjenden te plehu dhe te bimët në gjendje kalbëzimi, shkatërrohen kur kalojnë në gypin tretës të krimbit. Në këtë mënyrë, ndërkohë që ushqehen, krimbat edhe e pastrojnë tokën. Janë vërtet një makineri e shkëlqyer riciklimi pasi jetojnë duke u ushqyer me lëndë të padobishme dhe prodhojnë lëndë ushqyese.

Shfrytëzojnë aftësinë e krimbave

Aftësia e jashtëzakonshme ricikluese që kanë krimbat po shfrytëzohet nga industria e përpunimit të ujërave të zeza. Një firmë në Australi shfrytëzon gjithsej 500 milionë krimba në impiante të ndryshme të përpunimit të ujërave të zeza. Krimbat vendosen në shtresa të projektuara posaçërisht për ta dhe ushqehen me pleh derrash ose me jashtëqitje njerëzish të përziera me copa letrash të hedhura, të grira hollë dhe me mbeturina të tjera organike. Këta krimba konsumojnë çdo ditë një sasi ushqimi që arrin nga 50 deri në 100 për qind të peshës së trupit të tyre dhe prodhojnë një ushqim të pasur me vlera për bimët, i cili tregtohet shumë.

Studimet kanë zbuluar se krimbat mund të përdoren edhe për diçka tjetër—si ushqim. Krimbat përmbajnë të njëjtat aminoacide të dobishme si edhe mishi i kaut. Kur thahen, pesha e tyre përbëhet 60 për qind nga proteinat, 10 për qind nga yndyrnat, si dhe nga kalciumi e fosfori. Tashmë në disa vende njerëzit i përdorin për byrek. Në vende të tjera të botës njerëzit i skuqin krimbat, madje i hanë edhe të gjallë.

Ndonëse krimbat mund të mos bëhen kurrë kafshët më të pëlqyera në botë, s’ka dyshim që bota do të ishte shumë ndryshe pa ta. Prandaj, herën tjetër që do të admironi një peizazh të qetë në fshat, mendoni një çast edhe për ushtrinë e madhe të krimbave të tokës, të cilët janë tepër të zënë duke pluguar dhe plehëruar tokën poshtë këmbëve tuaja për të ruajtur atë pamje të bukur.

[Diagrami dhe figurat në faqen 22]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Anatomia e krimbit të tokës

Epiderma

Muskul unazor

Fshikëza e urinës

Gypi tretës

Kordon nervor

Ketë

Muskul ketësh

Muskul gjatësor

[Burimet]

Lydekker

J. Soucie © BIODIDAC

[Figura në faqen 20]

Krimbat «vozitin» përmes dheut me anë të ketëve

[Figura në faqen 21]

Krimbat e lërojnë tokën, duke e bërë atë më pjellore

[Figura në faqen 21]

Krimbi gjigant i Gipslandit, një lloj i rrezikuar në Australi, mund të rritet në gjatësinë mbi 1,5 metra

[Burimi]

Me mirësjelljen e dr. A. L. Yen

[Figura në faqen 22]

Krimbat i shndërrojnë mbeturinat në ushqim të pasur me vlera për bimët