Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Diabeti​—«Vrasësi i heshtur»

Diabeti​—«Vrasësi i heshtur»

Diabeti​—«Vrasësi i heshtur»

KUR ishte 21 vjeç, Keni filloi të kishte shpesh etje, një etje të pashpjegueshme. Gjithashtu urinonte shpesh, së fundi gati çdo 20 minuta. Pas pak kohe filloi t’i ndiente të rënda gjymtyrët. Ndihej gjithnjë i lodhur dhe iu mjegullua shikimi.

E gjithë kjo gjendje u sqarua kur Kenin e zuri një virus. Pas një vizite te mjeku, u vërtetua se ai nuk kishte vetëm grip, por kishte edhe diabetes mellitus tip 1, ose shkurt diabet. Ky çrregullim kimik prish aftësinë e trupit për të përvetësuar disa lëndë ushqyese dhe kryesisht sheqerin që ndodhet në gjak, pra glukozën. Kenit iu deshën gjashtë javë në spital që t’i normalizohej niveli i sheqerit në gjak.

Kjo ndodhi më shumë se 50 vjet më parë. Gjatë këtij gjysmë shekulli që ka kaluar, metodat e mjekimit janë përmirësuar ndjeshëm. Gjithsesi Keni ende vuan nga diabeti, dhe nuk është i vetmi. Është përllogaritur se në mbarë botën këtë sëmundje e kanë më shumë se 140 milionë njerëz dhe, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri mund të dyfishohet deri në vitin 2025. Është e kuptueshme që specialistët shqetësohen për shpeshtësinë e diabetit. «Me këto numra në rritje që po shohim,—thotë dr. Robin S. Golandi, bashkëdrejtuese e një qendre mjekësore në Shtetet e Bashkuara,—ky mund të jetë fillimi i një epidemie.»

Shqyrtoni këto të dhëna të përmbledhura nga pjesë të ndryshme të botës

AUSTRALI: Sipas Institutit Ndërkombëtar të Diabetit në Australi, «diabeti paraqet një nga problemet më të vështira shëndetësore për shekullin e 21-të».

INDI: Të paktën 30 milionë banorë janë me diabet. «Rreth 15 vjet më parë, vështirë të kishim ndonjë pacient me diabet nën moshën 40-vjeçare,—thotë një mjek.—Sot, një në çdo dy pacientë me këtë sëmundje është nën moshën 40-vjeçare.»

SINGAPOR: Afro një e treta e popullsisë të moshave nga 30 deri në 69 vjeç janë me diabet. Janë diagnostikuar me këtë sëmundje edhe shumë fëmijë, disa edhe 10 vjeç.

SHTETET E BASHKUARA: Afro 16 milionë njerëz vuajnë nga diabeti dhe çdo vit diagnostikohen rreth 800.000 raste të reja. Miliona veta e kanë sëmundjen, por ende s’e dinë.

Në rastin e të sëmurëve me diabet, mjekimi bëhet më i vështirë ngaqë një njeri mund ta ketë sëmundjen nga shumë kohë para se t’i diagnostikohet. «Duke qenë se simptomat fillestare janë pak a shumë të lehta,—thuhet në revistën Asiaweek,—shpesh diabeti nuk dallohet.» Prandaj, diabetit i është vënë nofka vrasësi i heshtur.

Duke pasur parasysh sa e shpeshtë dhe sa e rëndë është kjo sëmundje, artikujt vijues do t’u përgjigjen këtyre pyetjeve:

● Nga se shkaktohet diabeti?

● Si mund të mësojnë të sëmurët me diabet që të përballojnë këtë sëmundje?

[Kutia dhe figura në faqen 4]

Përse ky emër?

Termi mjekësor për diabetin ose «diabetes mellitus» vjen nga dy fjalë, e para është një fjalë greke e do të thotë «të shkarkosh», kurse e dyta është fjalë latine e do të thotë «i ëmbël si mjaltë». Këto fjalë e përshkruajnë më së miri sëmundjen, sepse, te një i sëmurë me diabet, uji kalon nëpër trup sikur të ishte duke u shkarkuar nga goja nëpër rrugët urinare e jashtë trupit. Veç kësaj, urina ka përmbajtje sheqeri. Madje, para se të zbuloheshin metoda më të efektshme, për të provuar nëse dikush vuante nga diabeti, e hidhnin urinën e pacientit afër një foleje milingonash. Nëse kjo i tërhiqte insektet, kuptohej që urina kishte përmbajtje sheqeri.