Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ja hipopotami i fuqishëm!

Ja hipopotami i fuqishëm!

Ja hipopotami i fuqishëm!

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KENIA

PELLGU i madh brenda rezervatit të gjerë natyror Masai Mara, në Kenia, mbulohet i tëri nga rrezet e ëmbla të diellit që po perëndon. Teksa dielli zbret në horizont, në ujëra pasqyrohet një dritë e artë me reflekse të kuqërreme. Pak metra më tutje, i afrohen pellgut shtruar-shtruar disa kope me zebra e antilopa afrikane. Në çast, gjithë frikë, kafshët ngrijnë në vend, me vështrimin e ngulur te një gjë e stërmadhe, porsi popël që pluskon pranë buzës së pellgut të madh. Pasi ka dallgëzuar ujin gjithë furi, «popla» u humbet nga sytë. Zebrat dhe antilopat sapo kanë parë një kafshë uji agresive: hipopotamin.

Hipopotami jeton në pellgje të mëdha, lumenj dhe liqene të Afrikës Lindore. Vetëm elefanti ia kalon për nga madhësia. Kur është krejtësisht i rritur, hipopotami mund të arrijë një gjatësi prej më shumë se 4 metrash dhe një lartësi deri te shpatullat prej 1,5 metrash. Ai mund të peshojë rreth katër tonë. Në përgjithësi mendohet se fjala «Behemoth», që përmendet në Bibël te libri i Jobit, përdoret për hipopotamin. S’është çudi pra që këtë kafshë vigane Bibla e përshkruan se i ka kockat si «tuba bakri» dhe i krahason ato me «shufra hekuri».—Jobi 40:15-18, BR.

Meqë është lëkurëtrashë, pa qime, në dukje i plogët dhe i madh si fuçi, s’ka pikë dyshimi se hipopotami nuk do të kishte sukses në një konkurs bukurie. Këmbët i ka të shkurtra e të bëjnë të vrasësh mendjen se si arrijnë ta mbajnë këtë trup prej kolosi. Por, mos e nënvlerësoni forcën e atyre këmbëve të trasha si cungje. Në tokë hipopotami mund të vrapojë më shpejt se njeriu. Ndërsa në ujë dihet që ia kalon një varke të vogël me rrema, e madje një motoskafi.

Jeta në ujë

Hipopotamët janë kafshë që u pëlqen shoqëria. Zakonisht jetojnë në grupe me 10 deri 15 kokë e drejtohen nga një mashkull udhëheqës. Megjithatë janë parë edhe grupe më të mëdha me afro 150 kokë. Ata janë kafshë amfibe, dhe dalin nga uji kryesisht natën për t’u ushqyer me bimësinë e harlisur përgjatë brigjeve. Në përgjithësi, ata nuk enden tepër larg ujit. Por në stinën e thatë është parë se disa hipopotamë kanë ecur deri 10 kilometra për të kërkuar ushqim.

Nuk është e qartë si i përcaktojnë hipopotamët kufijtë e territorit të tyre. Disa njerëz mendojnë se zakoni i habitshëm për t’i përhapur bajgat rreth e rrotull me bisht është një mënyrë për të tërhequr vëmendjen e hipopotamëve femra ose për të trembur ndonjë rival. Kur sulmohen, ata hingëllijnë si kuaj dhe pëllasin ose vrumbullijnë gjatë përleshjes. Turfullima të mprehta dëgjohen edhe kur kafshët janë në ujë. Mashkulli udhëheqës e tregon se kush është me një pëllitje mu-mu.

Hipopotami e kalon gjithë ditën i zhytur në ujë, pjesërisht ose i tëri. Trupi i tij i madh është plotësisht i përshtatshëm për këtë. Ndonëse mund të mos jetë një notar aq i zoti sa disa kafshë të tjera amfibe, hipopotami është në gjendje të qëndrojë nën ujë deri 15 minuta. Vrimat e hundës, sytë dhe veshët e tij ndodhen në të njëjtin nivel, duke bërë të mundur që pjesa tjetër e trupit të kafshës të fshihet plotësisht nën ujë. Pikërisht këtu, pra nën ujë, hipopotami kryen shumicën e veprimtarive të tij, përfshirë edhe vardisjen ndaj seksit tjetër dhe çiftimin.

Pas afro tetë muajsh që zgjat barra, në ujërat e cekëta lind vetëm një hipopotam i vogël. Nëna i jep qumësht të voglit edhe në tokë, edhe në ujëra të cekëta deri te kyçi i këmbës. Megjithëse është i fuqishëm, hipopotami e merr seriozisht detyrën e prindit, duke e trajtuar të voglin me një butësi që të çudit. Në të vërtetë, është një dukuri tepër e veçantë të shohësh një hipopotam nënë që noton me të voglin e vet në shpinë. Sigurisht, kafsha që duket dashamirëse do të luftojë egërsisht ndaj çdo orvajtjeje për t’i hequr nga shpina të voglin e saj.

Lëkura e hipopotamit është vërtet e përshtatshme për jetën në ujë. Kur hipopotami del në tokë, ndodhin ndryshime të mëdha. Disa gjëndra që gjenden nën lëkurë nxjerrin një mukozë të hollë me ngjyrë kafe në të kuqërreme e me përmbajtje të lartë kripe. Kur i sheh së largu, pigmenti bën që kafshët të duken sikur kullojnë gjak. Gjithsesi, mukoza e mbron lëkurën si në ujë, si në stere. Në bashkësitë e lashta afrikane lëkura e hipopotamëve pritej në rripa dhe zhytej në vaj. Pastaj rripat i përdridhnin, i thanin dhe me to bënin një kamxhik të tmerrshëm që përdorej në luftërat për territor. * Një enciklopedi, Grzimek’s Animal Life Encyclopedia, vëren se pas regjjes, një proces që zgjat të paktën gjashtë vjet, lëkura e hipopotamit «është e fortë si shkëmb dhe është rreth katër centimetra e gjysmë e trashë».

Gogësima mbresëlënëse, por e frikshme

Goja është pa dyshim tipari më i spikatshëm i hipopotamit. Kur është në tokë, për të kullotur pranë ujërave, kafsha përdor buzët e saj gjysmë metri të gjera. Por goja nuk shërben vetëm si mjet për t’u ushqyer. Kur hipopotami i hap nofullat 150 gradë, kjo nuk është veç një gogësimë, por një shfaqje kërcënuese e agresivitetit. Duhet të bëjë luftëra të fuqishme me kundërshtarët për të mbrojtur territorin e vet që gjithsesi sa vjen e po zvogëlohet. Goja e hapur zbulon dy dhëmbë të poshtëm të stërmëdhenj, që janë dhëmbët e syrit. Këto armë mbrojtjeje mund të arrijnë një gjatësi prej 30 centrimetrash sipër mishit të dhëmbëve.

Goja e hipopotamit nuk është e rrezikshme vetëm për hipopotamët e tjerë, por edhe për njerëzit. Çdo përpjekje e njerëzve për të jetuar në paqe me hipopotamët ka dalë e pafrytshme. Kafsha sulmon këdo që guxon të shkojë shumë afër territorit të saj, pavarësisht nëse e provokon apo jo. Për më tepër, kur një hipopotam është i plagosur, është më tepër i acaruar, e prandaj ka më shumë të ngjarë të dëmtojë rëndë ndonjë të paftuar. Nofullat e stërmëdha të një hipopotami të inatosur kanë përmbysur edhe varka.

Në tokë hipopotami është po aq i dhunshëm sa edhe në ujë. Për shembull, është tej mase e rrezikshme t’i kesh zënë rrugën për tek uji një hipopotami që po kullot. Në të vërtetë, në disa pjesë të Afrikës, hipopotamët kanë sulmuar disa fshatarë që nuk e dinin se u kishin bllokuar kafshëve rrugën për tek uji. Kjo shtazë u shtie frikën qoftë njerëzve, qoftë kafshëve të tjera, prandaj duhet trajtuar me kujdesin e respektin më të madh.

A do të mbijetojë hipopotami?

Kur kullot në tokë, një hipopotam i vetëm është i pambrojtur nga sulmet e luanëve. Megjithëkëtë, duket se armiku më kërcënues i hipopotamëve është njeriu. «Njerëzit kanë zvogëluar shumë si numrin e hipopotamëve, ashtu edhe zonën ku ata banojnë,—thotë një enciklopedi, World Book Encyclopedia.—Gjahtarët kanë vrarë një numër jashtëzakonisht të madh hipopotamësh dhe bujqit i kanë kthyer në toka bujqësore shumë nga zonat ku dikur banonin hipopotamët.»

Po, ngaqë njeriu u ka cenuar habitatin, hipopotamët janë detyruar të tërhiqen në një zonë më të vogël. Kjo u ka penguar lëvizjen e lirë dhe zakonet e riprodhimit. Lumturisht, Krijuesi premton se nën sundimin e Mbretërisë së tij do të rivendosë ekulibrin e duhur midis njerëzve e kafshëve, kështu që «nuk do të bëhet asnjë e keqe, asnjë shkatërrim» në Parajsën tokësore të rivendosur.—Isaia 11:9.

[Shënimi]

^ par. 11 Emri i hipopotamëve në gjuhën suahili​—kiboko—​do të thotë «kamxhik».

[Burimi i figurës në faqen 25]

Elizabeth DeLaney/Index Stock Photography