Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Miti që nuk do të vdesë

Miti që nuk do të vdesë

Miti që nuk do të vdesë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FRANCË

FËMIJËT në gjithë botën e adhurojnë atë. Në një nga vitet e fundit, shërbimet postare në Francë morën afro 800.000 letra në adresë të tij, kryesisht nga fëmijë të moshave tre deri në tetë vjeç. Me mjekrën e tij të bardhë e të dendur dhe me kostumin e kuq me gëzof të bardhë anëve, personazhi babaxhan i Plakut të Krishtlindjeve (Santa Klausi) duket një nga aspektet më të pëlqyera të festimeve. A e mendoni dot që disa njerëz të djegin një kukull që paraqet atë? Kjo është pikërisht ajo që ndodhi pak më shumë se 50 vjet më parë në Dizhon të Francës. Më 23 dhjetor 1951, Plaku i Krishtlindjeve u «ekzekutua» para nja 250 fëmijëve.

Çfarë krimi kishte bërë ai? Gazeta France-Soir raportonte se ky ekzekutim «u vendos me miratimin e klerit, i cili e kishte dënuar Plakun e Krishtlindjeve si uzurpues dhe heretik» dhe e kishte akuzuar se «kishte paganizuar Krishtlindjet». Ky ishte «një gjest simbolik», sipas një deklarate. «Mashtrimet nuk mund të zgjojnë ndjenja fetare te fëmijët dhe nuk janë në asnjë mënyrë metoda mësimi.»

Disa klerikë mendonin se zakonet që kishin të bënin me Plakun e Krishtlindjeve po i largonin njerëzit nga «domethënia e mirëfilltë e krishterë» e Krishtlindjeve. Në numrin e marsit të vitit 1952 e Les Temps Modernes (Kohët moderne), etnologu Klod Levi-Shtraus e quante besimin te Plaku i Krishtlindjeve «një nga vatrat më aktive të paganizmit te njerëzimi modern» dhe thoshte se kisha ishte e justifikuar që ta dënonte publikisht këtë besim. Levi-Shtrausi komentonte edhe se origjina e Plakut të Krishtlindjeve gjendej te ‘mbreti’ i Saturnaleve. Festa e Saturnaleve kremtohej në Romën e lashtë nga data 17 deri më 24 dhjetor. Gjatë asaj jave, njerëzit i zbukuronin ndërtesat me bimë të gjelbra dhe këmbenin dhurata me njëri-tjetrin. Ashtu si Krishtlindjet, Saturnalet karakterizoheshin nga festime të tepruara.

Po tani, më shumë se 50 vjet pasi u dogj kukulla e Plakut të Krishtlindjeve, si e shohin katolikët në Francë Plakun e Krishtlindjeve? Ky pasardhës i largët i Saturnaleve të Romës është pjesë e Krishtlindjeve po aq sa edhe skena ku paraqitet Jezui në një koritë. Nganjëherë ndodh që një prift ta dënojë Santa Klausin, sepse paraqet një formë të shpirtit të tregtisë që e lë Krishtin jashtë Krishtlindjeve. Gjithsesi, në pjesën më të madhe, çfarëdo brejtjeje të ndërgjegjes për rrënjët pagane të Plakut të Krishtlindjeve është zhdukur, sepse është ndeshur me miratimin e publikut të gjerë.

[Burimi i figurës në faqen 13]

DR/© Cliché Bibliothèque nationale de France, Paris