Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Të rinjtë pyesin Faleminderit për artikullin: «Të rinjtë pyesin . . . Përse njëri nga prindërit nuk më do?» (22 shtator 2002, anglisht) Jam 16 vjeçe dhe nuk e kam takuar babanë që kur isha 4 vjeçe. Ky artikull shprehte tamam atë që ndiej. Kishte të drejtë kur thoshte se pak gjëra mund të lëndojnë më shumë se sa refuzimi i një prindi. Faleminderit për këtë ushqim frymor në kohën e duhur.

Xh. Xh., Shtetet e Bashkuara

Prindërit e mi vendosën të divorcoheshin 13 vjet pasi ishin ndarë. Nuk arrija ta kuptoja pse po vuaja kaq shumë, pasi mendoja se e kisha kapërcyer traumën prej shumë kohësh. Tani që e kuptoj arsyen e trishtimit tim të thellë mund të jem më specifike në lutjet e mia dhe ta hedh edhe këtë barrë mbi Jehovain.

M. D., Itali

Babai im u largua nga familja kur isha gjashtë vjeçe. Që atëherë kemi komunikuar shumë rrallë. Për vite kam luftuar me ndjenjat e fajit. Si pasojë, nuk e kam pasur kurrë të lehtë t’ua komunikoj ndjenjat e mia të tjerëve. Përvojat në artikullin tuaj më prekën dhe më ndihmuan që të kuptoj se nuk jam e vetme në këtë gjendje. Mos i nënvlerësoni, ju lutem, dobitë që ne lexuesit marrim nga këta artikuj dhe mirënjohjen që ndiejmë për ta!

A. H., Angli

Jam 16 vjeçe dhe babai im sapo është divorcuar me mamanë. Vëllai im më i vogël, motra më e madhe dhe unë kemi mbetur të dërrmuar nga kjo. Ky artikull ishte vërtet i mrekullueshëm. Që nga çasti kur fillova ta lexoj, shpërtheva në lot. Ai përshkruante çdo ndjenjë që kam provuar përbrenda. Fjalët ishin kaq të buta e të dashura. Sa më shumë që lexoja, aq më shumë prekesha. Shumë herë kam pyetur veten nëse e meritoja vërtet që babai im të më donte. Ja përse gjeta kaq shumë ngushëllim nga ky artikull. Është ndjenja më e bukur për mua të di që edhe nëse babai im nuk më do, Jehovai do të më dojë gjithmonë. Nuk kam pse të shqetësohem se mos Jehovai do të ndryshojë papritur e do të më kthejë shpinën.

O. M., Shtetet e Bashkuara

U rritëm në një familje me baba të alkoolizuar dhe nëna ime vuante shumë. Ne fëmijëve nuk na kushtonin shumë vëmendje. Ndihesha e pavlerë dhe madje mendoja se do të ishte më mirë të vdisja. Në lutjet që bëja, kërkoja ndihmë. Kur erdhi ky artikull, isha shumë mirënjohëse. Gjeta ngushëllim nga mendimi që edhe njerëzit që janë në këtë gjendje mund të zgjedhin të kenë një jetë të lumtur e të suksesshme, duke vënë në zbatim parimet biblike. E kuptoj se edhe unë mund të jem e lumtur.

A. I., Japoni

Vanilja Jam pak e shqetësuar nga artikulli «Vanilja: Një erëz me histori të gjatë». (22 shtator 2002, anglisht) Vite më parë lexova një artikull rreth një vaniljeje helmuese që rritej në Meksikë. Shumë njerëz e blejnë atë dhe nuk e dinë se mund të jetë helmuese.

P. D., Shtetet e Bashkuara

«Zgjohuni!» përgjigjet: Disa lloj vaniljeje të prodhuara në Meksikë, si edhe në vende të tjera, përmbajnë esencë të një lloj bathe me emrin tonka, e cila ka përqendrim të lartë të kumarinës. Kjo substancë kimike është e ndaluar nga Administrata e SHBA-së për Ushqimin dhe Ilaçet për shkak të efekteve të saj të mundshme helmuese. Meqë prania e kumarinës mund të mos arrihet të diktohet thjesht me sy ose me nuhatje, konsumatorët paralajmërohen që të blejnë vanilje vetëm nga burime të besueshme. Përveç kësaj, duke qenë se esenca e pastër e vaniljes është e shtrenjtë për shkak të kostos së prodhimit, duhen parë me kujdes rastet kur reklamohet «blerje me leverdi», që do të ishin «me çmime fantastike».