Si mund t’i ndihmojë Bibla të sëmurët me diabet?
Si mund t’i ndihmojë Bibla të sëmurët me diabet?
VETËKONTROLLI dhe një pikëpamje pozitive janë veçanërisht të domosdoshme për shëndetin dhe për mirëqenien e të sëmurëve me diabet. Por, që të zhvillojnë këto cilësi, të sëmurët kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme. Prandaj, familjarët dhe miqtë nuk duhet ta tundojnë të sëmurin me diabet që të hajë ushqime që i bëjnë keq, ndoshta duke thënë: ‘Vetëm një herë nuk të bën dëm.’ «Ime shoqe më mbështet shumë,—thotë Herri, i cili është i sëmurë me zemër dhe me diabet të tipit 2.—Ajo nuk mban vërdallë nëpër shtëpi ushqime që unë s’duhet t’i ha. Por disa të tjerët nuk e kuptojnë dhe nuk e dinë sa e vështirë bëhet nganjëherë kjo për mua.»
Nëse rri shpesh me një njeri që është sëmurë me diabet, mbaj në mendje këto dy parime të bukura që gjenden në Bibël: «Secili le të vazhdojë të kërkojë jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit» dhe «Dashuria . . . nuk kërkon interesat e veta.»—1 Korintasve 10:24; 13:4, 5.
Të gjithë ata që interesohen për shëndetin e tyre, janë apo jo me diabet, duhet të jenë të përkorë për sa i përket ushqimit. Bibla mund të ndihmojë në këtë drejtim, sepse thekson nevojën që secili prej nesh të zhvillojë vetëkontroll. A je i vendosur ta zhvillosh këtë cilësi në jetën tënde? (Galatasve 5:22, 23) Një ndihmë të mëtejshme mund ta marrësh nga shembujt biblikë, si për shembull nga apostulli i krishterë Pavël. «Ai kishte një gjemb të vazhdueshëm në mish,—thotë një i sëmurë me diabet,—e megjithatë i shërbeu Perëndisë në mënyrë të besueshme dhe të plotë. Edhe unë mund ta bëj këtë!»
Po, Pavli e pranoi atë çka nuk mund ta ndryshonte dhe pati sukses të madh si misionar. (2 Korintasve 12:7-9) Dastini, që është 18 vjeç, ka qenë i verbër që kur ka lindur dhe ka pasur diabetin që kur ka qenë 12 vjeç. Ai shkruan: «E di se asnjë njeri në botë nuk i ka të gjitha gjërat të përsosura. Mezi pres kohën kur nuk do të kem diabet, në botën e re të Perëndisë. Për mua, kjo gjendje është thjesht diçka e përkohshme. Vërtet mund të zgjatë më shumë se një grip ose një i ftohtë, por në fund do të mbarojë.»
Duke thënë këto fjalë, Dastini kishte në mendje shpresën e bazuar në Bibël për një shëndet të përsosur në një tokë parajsore nën Mbretërinë e Perëndisë. (Zbulesa 21:3, 4) Fjala e Perëndisë premton se nën këtë sundim hyjnor, ‘asnjë banor nuk do të thotë «jam sëmurë»’. (Isaia 33:24; Mateu 6:9, 10) A dëshiron të mësosh më shumë për këtë premtim të bazuar në Bibël? Kontakto me Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde ose shkruaju botuesve të kësaj reviste në adresën e përshtatshme që gjendet në faqen 5.
[Figura në faqen 12]
Vetëkontrolli dhe një pikëpamje pozitive janë të domosdoshme