Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Matematika është për çdo njeri

Matematika është për çdo njeri

Matematika është për çdo njeri

MATEMATIKA nuk është vetëm për shkencëtarët. Ajo është për të gjithë ne. Kur dilni nëpër dyqane, kur lyeni ose rregulloni shtëpinë, ose kur dëgjoni buletinin meteorologjik, po përdorni dhe po nxirrni dobi nga parimet e matematikës.

Me sa duket, shumë njerëz mendojnë se matematika është e mërzitshme dhe se nuk përdoret në jetën e përditshme. A mendoni edhe ju kështu? Le të shikojmë se sa e dobishme, e lehtë dhe tërheqëse mund të jetë matematika.

Dalim nëpër dyqane

Përfytyroni sikur keni dalë nëpër dyqane dhe rastësisht vini re se janë bërë ulje fantastike çmimesh. Çmimi i një artikulli që fillimisht kushtonte 3.500 lekë tani është ulur 25 për qind. Duket sikur mund të jetë një blerje me leverdi. Por sa është çmimi i ri? Për ta llogaritur, ju vjen në ndihmë aritmetika. *

Në fillim, nga 100 për qindëshi zbritni përqindjen e uljes së çmimit dhe do t’ju dalë 75 për qind (100 për qind – 25 për qind = 75 për qind). Pastaj, shumëzoni çmimin fillestar me rezultatin, në rastin tonë 75 për qind (0,75). Çmimi i ri do të ishte 2.625 lekë (3.500 x 0,75 = 2.625). Tani që e dini sa është çmimi përfundimtar, mund të vendosni nëse do të ishte vërtet një blerje me leverdi për ju.

Por si mund ta llogaritni çmimin nëse nuk keni me vete një makinë llogaritëse? Ndoshta mund ta llogaritni me mend. Për shembull, le ta zëmë se një artikull që fillimisht kushtonte 4.500 lekë tani është ulur 15 për qind. Ja tek keni një metodë të dobishme për t’i gjetur me mend përqindjet. Si bazë për llogaritjen përdorni 10 për qindëshin. Për të gjetur sa është 10 për qindëshi i një numri pjesëtojeni atë me 10. Kjo është pak a shumë e lehtë për t’u llogaritur me mend. Pastaj, meqë e dini se 15-a është e barabartë me 10 plus 5 dhe se 5-a është tamam gjysma e 10-s, mund ta gjeni shpejt çmimin përfundimtar duke mbledhur dhe duke zbritur. Le ta provojmë këtë që thamë.

Meqë 10 për qindëshi i 4.500-s është 450, atëherë 5 për qindëshi i 4.500-s do të jetë sa gjysma e 450-s, pra 225, dhe 15 për qind do të jetë shuma e këtyre dy shifrave, pra 675 (450 + 225 = 675). Në fund, nga 4.500 zbresim 675 dhe gjejmë që çmimi me ulje është 3.825 (4.500 – 675 = 3.825).

Megjithatë, kini kujdes të mos nxirrni përfundime të gabuara kur i bëni me mend llogaritjet. Një palë pantallona, çmimi i të cilave është ulur 40 për qind dhe pastaj përsëri është ulur 40 për qind, në të vërtetë është ulur vetëm 64 për qind, jo 80 për qind. Ulja e dytë e çmimit është llogaritur duke u nisur nga çmimi pas zbritjes së parë, jo nga çmimi fillestar. Mund të jetë ende një blerje me leverdi, por është më mirë të dini si janë tamam gjërat.

Por, ka probleme që aritmetika nuk mund t’i zgjidhë dot vetëm. Lumturisht kemi në dispozicion edhe mjete të tjera të matematikës.

Rregullojmë shtëpinë

Le ta zëmë se keni nevojë të shtroni pllakat e dyshemesë së apartamentit tuaj dhe keni një sasi të kufizuar parash. Para se të shkoni në dyqan, në fillim uleni dhe llogaritni çfarë ju duhet. Pyetja më e rëndësishme është: sa material duhet të blini? Për këtë mund t’ju vijë në ndihmë po të keni pak njohuri në gjeometri.

Zakonisht çmimi i pllakave për të shtruar dyshemenë llogaritet me metër katrorë. Një metër katror, për shembull, është një metër i gjatë dhe një metër i gjerë. Para se të vendosni sa material ju nevojitet, në fillim duhet të llogaritni sa është sipërfaqja e dyshemesë në secilën dhomë dhe në korridorin e apartamentit tuaj. Në planimetritë e shumicës së apartamenteve dhomat paraqiten në formën e katrorëve dhe të drejtkëndëshave. Kështu formula e mëposhtme do t’ju ndihmojë të gjeni sipërfaqen e dyshemesë: S = a x b (sipërfaqja S është e barabartë me gjatësinë a herë gjerësinë b). Kjo është formula gjeometrike për të njehsuar sipërfaqen e drejtkëndëshit ose të katrorit.

Për të ilustruar si përdoret kjo formulë le ta zëmë se ju do të shtroni me pllaka çdo dhomë, përveç kuzhinës dhe banjos. E matni çdo dhomë dhe bëni një planimetri si kjo që tregohet në faqen 23. Katrorët dhe drejtkëndëshat në planimetri tregojnë përmasat dhe vendndodhjen e dhomave. Duke përdorur formulën e mësipërme, përpiquni të gjeni sa metra katrorë pllaka ju duhen. Këtu janë disa sugjerime: mund të llogaritni sipërfaqen e çdo dhome më vete dhe pastaj të mblidhni rezultatet. Ose mund t’i bini më shkurt, duke llogaritur sipërfaqen e përgjithshme të dyshemesë sipas planimetrisë dhe pastaj nga kjo të zbritni sipërfaqen e kuzhinës dhe të banjës. *

Edhe fjala gjeometri vjen nga greqishtja dhe fjalë për fjalë do të thotë «të matësh tokën». Ajo përfshin studimin e sipërfaqes, largësisë, vëllimit dhe të veçorive të tjera të figurave, trupave dhe vijave. Ekzistojnë formula praktike për çdo figurë dhe trup të mundshëm me dy ose tri përmasa. Çdo ditë shkencëtarët, inxhinierët si dhe ata që merren me rregullimin e shtëpive i përdorin këto formula për të llogaritur me saktësi sa material u nevojitet. Por matematika nuk kufizohet vetëm me aritmetikën dhe gjeometrinë.

Matematikën e përdorim çdo ditë

Pjesë të tjera të matematikës janë algjebra dhe njehsimi integral dhe diferencial. Gjatë shekujve, matematika është bërë vërtet një gjuhë universale që flitet nga çdokush pavarësisht nga kultura, feja ose gjinia. Në shkencë, industri, tregti dhe në jetën e përditshme matematika ka aftësinë të zgjidhë disa nga problemet më të vështira që ndeshim. Qoftë nëse po përpiqeni të zgjidhni misteret e universit, qoftë nëse jeni duke bërë bilancin e familjes, një nga çelësat e suksesit është të dish të përdorësh gjuhën e numrave.

Pra, edhe po ta keni pasur inat matematikën në shkollë, përse të mos e shihni me një sy tjetër tani këtë lëndë? Si për çdo gjuhë tjetër, atë mund ta mësosh më mirë po ta përdorësh. Përpiquni çdo ditë të përdorni pak matematikë. Provoni të zgjidhni gjëegjëza dhe lojëra matematikore. Po t’ia dilni me sukses të zgjidhni ndonjërën mund të ndryshoni mendim për matematikën. Padyshim, kjo do ta rritë vlerësimin tuaj për mençurinë e Matematikanit të Madh, i cili i krijoi këto koncepte që ngjallin kureshtje, Krijuesit tonë, Perëndisë Jehova.

[Shënimet]

^ par. 5 Aritmetika (term që rrjedh nga një fjalë në greqisht që do të thotë «numër») thuhet se është dega më e vjetër e matematikës. Origjina e saj është mijëravjeçare dhe përdorej nga babilonasit, kinezët dhe egjiptianët e lashtë. Aritmetika na pajis me metodat bazë që mund të përdorim çdo ditë për të numëruar dhe matur objektet e botës fizike që na rrethon.

^ par. 14 Përgjigjja = 54 metra katrorë pllaka.

[Diagrami në faqen 23]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

3 m

3 m

Kuzhina

Dhoma e ngrënies

Dhoma e ndenjes

Korridori

Dhoma e gjumit

Banja

3 m

1,5 m

3 m

4,5 m

1,5 m

3 m

[Figurat në faqen 23]

Matematika mund t’ju ndihmojë të kryeni punët e përditshme