Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

A është rritur vërtet rendimenti?

«Sot, një në katër kanadezë punon më shumë se 50 orë në javë, në krahasim me raportin një në 10 veta që ishte dhjetë vjet më parë»,—thotë gazeta Vancouver Sun. Një studim në nivel federal, i cili përfshiu 31.500 kanadezë që punonin, zbuloi se «gjysma e të anketuarve punonin në shtëpi ose gjatë fundjavës dhe kështu i dhuronin punëdhënësit edhe 27 orë shtesë në muaj». Një arsye kyçe është teknologjia. «Anketa zbuloi se pothuajse e gjithë puna pa pagesë që bënin në shtëpi jashtë orarit . . . është punë ‘e bërë me kompjuter’»,—thotë gazeta. Pra, në vend që të sillte si pasojë që njerëzit të punonin katër ditë në javë dhe të kishin më shumë kohë të lirë, «teknologjia është fajtorja kryesore për shtimin e stresit, sëmundjeve, sfilitjes, mungesave të shpeshta në punë dhe pasojave të tjera në kurriz të rendimentit». Gazeta shton: «Shumica e të anketuarve janë të mendimit se teknologjia ua ka shtuar interesin për punën dhe ka rritur rendimentin e tyre në punë. Në të njëjtën kohë, pothuajse askush nuk tha se teknologjia ua ka zvogëluar ngarkesën ose stresin në punë.»

Ndotja në qytetet e mëdha

«Qyteti i Meksikos, Karakasi, Bogotá dhe Havana janë ndër qytetet më të ndotura të botës»,—thuhet në gazetën El Universal të Meksikos. Ky është përfundimi që u nxor falë një studimi të drejtuar nga Mercer Human Resource Consulting Society dhe i botuar në Londër. Studimi, i cili analizoi pasojat e ndotjes nëpër qytetet përreth botës mori parasysh faktorë të tillë, si: cilësinë e ajrit, trajtimin e mbeturinave, sigurinë, strehimin, arsimimin, transportin dhe shërbimet publike. Ndër qytetet evropiane, Zyrihu dhe Vjena ofrojnë në tërësi standardin më të lartë të jetesës. Kurse përsa u përket qyteteve më të pastra në botë, listën e kryesojnë Kalgari dhe Honoluluja. Sipas artikullit, nga të gjitha vendet e Amerikës Latine, San-Huani në Porto-Riko mbahet si qyteti më i këndshëm ku mund të jetosh.

Çmimi i prishjes së martesave

Pasi analizoi më shumë se 100 artikuj të botuar rreth studimeve të bëra për më shumë se dy dhjetëvjeçarë, Rebeka O’Nil, drejtuese e projektit Civitas Family Studies Unit, raporton se «për shumë nëna, baballarë dhe fëmijë, ‘familja pa baba’ ka sjellë varfëri, dhembje emocionale, shëndet të dobët, mundësi të shkuara dëm për të ecur përpara dhe mungesë stabiliteti». Sipas O’Nilit fëmijët me prindër të ndarë «kishin 50 për qind më shumë të ngjarë të vuanin nga probleme shëndetësore, dy herë më shumë mundësi të iknin nga shtëpia dhe kishin pesë herë më shumë të ngjarë të pësonin abuzime», raportonte The Sunday Telegraph e Londrës. Gazeta shtonte: «Gjithashtu, kishte tri herë më shumë të ngjarë që fëmijët, të cilët jetonin pa babain natyror të kishin probleme në marrëdhëniet me të tjerët si edhe vështirësi në shkollë. Në moshën e adoleshencës, ishte dy herë më e madhe mundësia që ata të pinin pije alkoolike, duhan, të merrnin drogë, . . . të kryenin krime, të kishin marrëdhënie seksuale në moshë të mitur dhe të bëheshin prindër kur ishin ende adoleshentë.» Sipas artikullit, edhe në ato raste kur çiftet e martuara ishin po kaq të varfra dhe kishin një pozitë shoqërore po kaq të pafavorshme sa edhe prindërit e vetëm, kishte më pak të ngjarë që fëmijët e tyre të kalonin probleme të tilla.

Vetëvrasja kryeson listën e vdekjeve të dhunshme

«Përreth globit, vetëvrasja është shkaktarja më e madhe e vdekjeve të dhunshme»,—thuhet në gazetën e Londrës The Independent. Artikulli, i cili bazohet në një raport të Organizatës Botërore të Shëndetësisë shton se gjatë vitit 2000, 1,6 milionë njerëz vdiqën në mënyrë të dhunshme. Atë vit, vetëvrasja mori 815.000 jetë njerëzish, ndërkohë që vrasjet morën 520.000 jetë, kurse luftërat dhe konfliktet 310.000 jetë. Në gazetë thuhej se shumica dërrmuese e vdekjeve gjatë vitit 2000 «ndodhën në vendet në zhvillim, kurse në vendet e zhvilluara ndodhën më pak se 10 për qind». Në Bjellorusi, Estoni dhe në Lituani përqindja e vetëvrasjeve ishte më shumë se katër herë më e madhe në krahasim me atë në Britani. Në Afrikë dhe Amerikën e Jugut e të Veriut, numri i vrasjeve e kalon dyfishin e numrit të vetëvrasjeve, por në Australi, Evropë dhe në Lindjen e Largët ndodh e kundërta.

Fëmijë që vuajnë nga mungesa e gjumit

Në revistën U.S.News & World Report thuhet se mungesa e gjumit po sjell pasoja shkatërrimtare për shëndetin e fëmijëve. Fëmijët që nuk flenë sa duhet kanë rezultate të dobëta në mësime dhe mund ta kenë të vështirë të zënë shokë. «Fëmijët që kanë mungesa në gjumë, shpesh përqendrohen më pak se të tjerët, janë të acaruar, si të harbuar dhe të paduruar»,—thuhet në revistë. Mjekët alarmohen kur shohin se shpesh përgjegjës për këto probleme janë pikërisht prindërit. Psikoterapistja e fëmijëve Barbara Braun-Mek Donald thotë: «Nëse e mbani zgjuar fëmijën deri në orën 11 të natës për të kaluar kohë si familje, keni nevojë ta shqyrtoni përsëri programin tuaj.» Është mirë që prindërit të vendosin një orë të caktuar për të shkuar në shtrat dhe për t’u zgjuar nga gjumi, madje edhe në fundjavë, me qëllim që të krijojnë zakone gjumi të shëndetshme. Disa sugjerime të tjera kanë të bëjnë me pasjen e një rutine të rregullt para gjumit, që mund të përfshijë bërjen e banjës, përkëdheljen e fëmijës, t’i lexosh atij diçka për fëmijë dhe të mos e lejosh të përdorë televizorin ose kompjuterin një orë para gjumit.

«Lojërat, ushqimet e çastit dhe gjaku»

Sipas gazetës IHT Asahi Shimbun, të rinjtë japonezë tashmë kanë kohë që po i frekuentojnë «dhomat e mëdha me ajër të kondicionuar, ku shfaqen filma pa para, ku ka lojëra me kompjuter, ushqime të çastit e madje edhe masazhues për këmbët. Vetëm me një kusht: duhet të derdhet gjak», sepse këto vende janë qendra të dhurimit të gjakut që drejtohen nga Shoqata e Kryqit të Kuq Japonez. «Njerëzit dhurojnë gjak në një atmosferë feste,—thuhet në gazetë.—Shumë të rinj, pasi kanë dhuruar gjak, sillen përqark nëpër këto qendra dhe mund të marrin petulla të ëmbla, lëng frutash dhe të luajnë në kompjuter. Diçka tjetër tërheqëse është edhe parashikimi i fatit pa para që bëhet disa herë në javë.» Jepen edhe mësime për makijazh, ka Shiatsu (akupresion), koncerte, masazhe dhe shitje gjërash të përdorura. Me qëllim që të ndalojë pakësimin me hapa të shpejtë të dhurimit të gjakut, Kryqi i Kuq po i transformon qendrat e tij anembanë vendit. Dikur atyre u kishte dalë nami si qendra «të zymta dhe të frikshme», por sot po bëhen «vende shumë të preferuara për adoleshentët dhe për të rinjtë rreth të 20-ave», thuhet në gazetë.

Anijet turistike dhe ndotja

«Anijet turistike luksoze që çdo vit çojnë me miliona pasagjerë në viset më të largëta dhe më të bukura të botës po rrezikojnë jetën detare për shkak të ndotjes që lënë pas»,—thuhet në gazetën The Sunday Times të Londrës. Një anije e madhe udhëtarësh që mban gati 4.000 njerëz, përfshirë pasagjerët dhe personelin, çdo ditë derdh dhjetëra mijë tonë ujë të përzier me naftë, ujëra të zeza dhe ujë të pistë që derdhet nga dushet dhe lavanderitë si edhe 70 litra lëndë kimike helmuese dhe shtatë ton plehra. Në det, sasia e mbeturinave që krijohen nga pasagjerët është shumë më e madhe sesa po t’i kalonin pushimet në tokë. Në vitin 2000, rreth 240 anije turistike çuan dhjetë milionë njerëz në zona ku ekuilibri ekologjik mund të prishet lehtë, siç janë: Gjiri i Akullnajës në Alaskë, ishujt dhe shkëmbinjtë me korale në Karaibe, bregdeti me vlera historike i Mesdheut e madje edhe në Antarktidë. Është përllogaritur se para vitit 2005 do të përdoren edhe 50 anije të tjera. Roxher Ruf, pjesëtar i Ocean Conservancy thotë: «Këto [pushime] nëpër anije turistike po përhapen gjithnjë e më tepër, por anijet janë si qytete lundruese ku nuk ka rregulla për shkarkimin e ujërave të zeza dhe plehrave.»

Po bie kërkesa për suvenire me papën

Sipas botimit polak të revistës Newsweek, për vite të tëra «të shitje artikuj fetarë [në Poloni] e kishe të sigurt fitimin». Megjithatë, kohët e fundit është vërejtur «një krizë» në shitjen e idhujve të shenjtë. Pavarësisht nga publiciteti i madh që iu bë vizitës së papës në Poloni më 2002, kërkesat për artikujt tradicionalë fetarë, siç janë zinxhirët e zbukurimit dhe pikturat, ishin të pakta. Revista thotë se vërtet «tregu ishte plot e përplot me miliona buste metali dhe allçie, qilima të vegjël, piktura dhe statujëza» që paraqitnin papën, por «blerësit janë bërë përzgjedhës». Megjithatë, ka filluar të bëhet mjaft i kërkuar një model tjetër suveniri. Është një kartë plastike që nga njëra anë ka «figura të shenjta», kurse nga ana tjetër «rruaza me ar të shkrira në plastikë». Në revistën polake të përjavshme Wprost thuhet se këto «karta rruzare» janë suveniret «më të reja dhe më të preferuara me papën».