Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse u shfaqën sërish?

Pse u shfaqën sërish?

Pse u shfaqën sërish?

RRETH 40 vjet më parë, sëmundjet e njohura, si malarja, ethet e verdha dhe denga, të cilat përhapen nga insektet, mendohej se pothuajse ishin zhdukur nga rajone të mëdha. Por pikërisht atëherë ndodhi ajo që s’pritej: sëmundjet që përhapen nga insektet filluan të shfaqeshin sërish.

Përse? Një arsye është se disa nga insektet dhe mikrobet që ato bartin u bënë rezistente ndaj insekticidi dhe ilaçeve që përdoreshin për t’i mbajtur ato nën kontroll. Këtë proces natyror përshtatjeje e ka ndihmuar jo vetëm përdorimi pa kriter i insekticideve, por edhe keqpërdorimi i ilaçeve. Libri Mosquito (Mushkonja) thotë: «Në shumë shtëpi të varfra, njerëzit i blejnë ilaçet, i pinë derisa lehtësohen shenjat e sëmundjes dhe pastaj e ruajnë pjesën tjetër që ta përdorin po të sëmuren sërish.» Me një kurë të tillë të paplotë, mikrobet më të forta mund të mbijetojnë brenda në trupin e njeriut dhe të japin një brez pasardhësish rezistentë ndaj ilaçeve.

Ndryshimi i klimës

Një faktor i rëndësishëm në rishfaqjen e sëmundjeve që përhapen nga insektet është ndryshimi—i natyrës dhe i shoqërisë. Një rast i tillë është ndryshimi global i klimës. Disa shkencëtarë parashikojnë se ngrohja e mjedisit në shkallë botërore do të bëjë që insektet, të cilat bartin sëmundje, të arrijnë edhe në ato vende ku aktualisht klima është më e freskët. Ka disa prova të cilat tregojnë se ndoshta kjo gjë po ndodh që tani. Dr. Pol R. Epstajni, që punon në Qendrën për Shëndetin dhe Mjedisin Botëror, në Shkollën Mjekësore të Harvardit, thotë: «Sot kemi të dhëna se insektet dhe sëmundjet që përhapen me anë të tyre (si malarja dhe ethet e dengës) po shfaqen edhe në zona më të larta në Afrikë, Azi dhe në Amerikën Latine.» Në Kosta-Rikë, denga është përhapur edhe përtej maleve, të cilat deri dje e kufizonin sëmundjen në bregun e Paqësorit. Por tani ajo është e pranishme në gjithë vendin.

Por ngrohja e motit mund të sjellë edhe pasoja të tjera. Në disa vende ajo i kthen lumenjtë në pellgje të cekëta, kurse në vende të tjera sjell shira dhe përmbytje që lënë prapa pellgje me ujë të ndenjur. Në të dyja rastet uji i ndenjur është një vend i përkryer për shumimin e mushkonjave. Gjithashtu, ngrohja e motit e shkurton ciklin e shumimit të mushkonjave, duke ua përshpejtuar ritmin e riprodhimit, dhe e zgjat sezonin kur ato janë me shumicë. Kur koha është e ngrohtë mushkonjat janë më aktive. Rritja e temperaturës ndikon edhe brenda barkut të mushkonjës dhe e rrit shpejtësinë e shumimit të mikrobeve që shkaktojnë sëmundje. Si pasojë rritet mundësia që edhe një pickim i vetëm të shkaktojë infeksion. Por ka edhe probleme të tjera.

Rast tipik i përhapjes së sëmundjes?

Ndryshimet në shoqërinë njerëzore mund të luajnë rol edhe në sëmundjet që përhapen nga insektet. Për të kuptuar si ndodh kjo kemi nevojë ta shqyrtojmë më nga afër rolin e insekteve. Në shumë sëmundje insekti mund të jetë vetëm një nga hallkat e zinxhirit të transmetimit të sëmundjes. Një kafshë ose shpend mund të shërbejë si bujtës për sëmundjen, duke i mbartur insektet në sipërfaqen e trupit të vet ose duke i strehuar mikroorganizmat në gjakun e vet. Nëse bujtësi arrin të mbijetojë, ai mund të bëhet edhe një rezervuar i sëmundjes.

Le të marrim rastin e sëmundjes Lyme, e cila u zbulua në vitin 1975 dhe iu vu emri sipas Lymesë, një vend në Kënektikat, SHBA, ku edhe u vërejt për herë të parë. Bakteri që shkakton sëmundjen Lyme mund të ketë hyrë në Amerikën e Veriut njëqind vjet më parë nga minjtë ose nga bagëtia që ndodhej në anijet që vinin nga Evropa. Pasi një këpushë fare e vockël e drerit, e familjes Ixodes, thith gjakun e një kafshe të infektuar, bakteri mbetet në barkun e këpushës për gjithë jetën e saj. Kur më vonë këpusha pickon një kafshë tjetër ose njeri, ajo mund ta kalojë bakterin në gjakun e viktimës.

Në verilindje të Shteteve të Bashkuara, sëmundja Lyme është endemike, pra është përhapur dhe ka mbetur atje që prej shumë kohësh. Rezervuari vendës kryesor i bakterit të sëmundjes Lyme është miu me këmbë të bardha. Minjtë shërbejnë edhe si bujtës për këpushat, sidomos kur këto janë në fazat e tyre të zhvillimit. Këpushat e rritura parapëlqejnë që të strehohen te drerët, vendi ku ato ushqehen dhe shumohen. Pasi është ngopur me gjak, këpusha e rritur femër bie në tokë ku lëshon vezët, nga të cilat shpejt dalin larvat dhe kështu cikli nis nga e para.

Ndryshim rrethanash

Patogjenët kanë bashkëjetuar me kafshët dhe insektet për shumë vite pa u shkaktuar sëmundje njerëzve. Por ndryshimi i rrethanave mund të bëjë që një sëmundje endemike të kthehet në epidemike, pra sëmundje që prek shumë njerëz në një krahinë. Çfarë ndryshimi ndodhi në rastin e sëmundjes Lyme?

Në të kaluarën, kafshët grabitqare, duke e mbajtur nën kontroll popullatën e drerëve, ndihmonin që kontakti midis këpushave të drerit dhe njeriut të ishte i kufizuar. Kur banorët e hershëm evropianë i prenë pyjet dhe i kthyen në toka bujqësore, popullata e drerëve u zvogëlua edhe më shumë dhe bashkë me të u larguan edhe grabitqarët e drerëve. Por në mesin e viteve 1800 shumë ferma u braktisën, sepse bujqit u larguan dhe ngritën ferma në perëndim. Kështu pyjet filluan të rriteshin përsëri. Drerët u kthyen, por grabitqarët e tyre natyrorë jo. Si rrjedhojë, popullata e drerëve e mori veten dhe u rrit me shpejtësi, e po kështu edhe ajo e këpushave.

Ca kohë më vonë, u shfaq bakteri i sëmundjes Lyme, i cili gjeti strehim te kafshët. Kjo ndodhi dhjetëvjeçarë para se ai të kthehej në një rrezik për njerëzit. Megjithatë, kur njerëzit filluan t’i shtrinin periferitë e qyteteve pranë pyjeve, shumë më tepër fëmijë dhe të rritur nisën të hynin në territoret me këpusha. Këpushat filluan t’u ngjiteshin njerëzve dhe si pasojë ata morën sëmundjen Lyme.

Sëmundje në një botë të paqëndrueshme

Skena e mësipërme paraqet vetëm një nga rrugët e shumta që ndjekin sëmundjet dhe vetëm një shembull se si ndikojnë veprimet e njeriut në shfaqjen e tyre. «Gati të gjitha sëmundjet e reja më rezistente janë shfaqur përsëri falë ndërhyrjes së njeriut»,—shkruan ambientalisti Juxhin Linden në librin e tij The Future in Plain Sight (E ardhmja e parë qartë). Ja disa shembuj të tjerë të ndërhyrjes së njeriut: popullariteti dhe shpejtësia e madhe e mjeteve moderne të udhëtimit mund t’i përhapë patogjenët dhe bartësit e tyre përreth globit. Dëmi i shkaktuar ndaj habitateve të krijesave të mëdha e të vogla kërcënon shumëllojshmërinë biologjike. «Ndotja ndikon te ajri e te uji, duke dobësuar sistemin imunitar të kafshëve dhe të njerëzve»,—thotë Lindeni. Ai citon pohimin e dr. Epstajnit: «Në thelb, ndërhyrja për keq e njeriut në ekologji e ka dobësuar sistemin imunitar të rruzullit, duke krijuar kushte të përshtatshme për mikrobet.»

Paqëndrueshmëria politike çon në luftëra, të cilat i dëmtojnë ekosistemet dhe shkatërrojnë infrastrukturën që siguron kujdesin shëndetësor dhe shpërndarjen e ushqimit. Përveç kësaj, një buletin i Muzeut Amerikan të Historisë së Natyrës, Biobulletin, nxjerr në pah: «Refugjatët, të ushqyer keq dhe të pafuqishëm, shpesh detyrohen të jetojnë në kampe të tejmbushura me njerëz dhe pa kushte higjienike, ku njerëzit vihen përballë një morie infeksionesh.»

Paqëndrueshmëria ekonomike i detyron njerëzit të shpërngulen, si brenda ashtu edhe jashtë kufijve të vendit, sidomos drejt zonave urbane me popullsi shumë të madhe. Biobulletin shpjegon: «Patogjenët i kanë qejf vendet e mbipopulluara.» Ndërkohë që popullsia e qyteteve rritet me shpejtësi, «shpesh masat thelbësore për shëndetin publik, si informimi elementar, të ushqyerit dhe programet e vaksinimit nuk mund të ecin me të njëjtin hap». Mbipopullimi krijon edhe një barrë shtesë për sistemin e ujit të pijshëm, të ujërave të zeza dhe të eliminimit të plehrave, duke e bërë më të vështirë që të sigurohen kushtet e duhura të higjienës publike dhe asaj personale. Ndërkohë ai krijon kushte të favorshme për insektet dhe bartësit e tjerë të sëmundjeve. Megjithatë, gjendja nuk është e pashpresë, siç do të tregojë artikulli vijues.

[Diçitura në faqen 11]

«Gati të gjitha sëmundjet e reja më rezistente janë shfaqur përsëri falë ndërhyrjes së njeriut»

[Kutia dhe figura në faqen 7]

Virusi i Nilit Perëndimor pushton SHBA-në

Virusi i Nilit Perëndimor, i cili u transmetohet njerëzve kryesisht nëpërmjet mushkonjave, u diktua për herë të parë më 1937 në Ugandë dhe më pas u vërejt edhe në Lindjen e Mesme, Azi, Oqeani dhe në Evropë. Kurse në hemisferën perëndimore virusi u diktua vetëm në vitin 1999. Megjithatë, që nga ajo kohë në Shtetet e Bashkuara janë raportuar më shumë se 3.000 raste me këtë sëmundje dhe kanë vdekur më shumë se 200 veta.

Shumica e njerëzve të infektuar nuk e kuptojnë se janë infektuar, megjithëse disa prej tyre mund të shfaqin shenja të ngjashme me gripin. Por te një përqindje e vogël shfaqen sëmundje të rënda, ku futen encefaliti dhe meningjiti i shtyllës kurrizore. Deri tani nuk ka ndonjë vaksinë parandaluese ose mjekim të posaçëm për virusin e Nilit Perëndimor. Qendra e Shteteve të Bashkuara për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve paralajmëron se virusi i Nilit Perëndimor mund të merret edhe nëpërmjet transplantimit të organeve ose transfuzionit të gjakut nga një dhurues i infektuar. «Sot për sot nuk ekziston ndonjë analizë për të kuptuar nëse gjaku i dhuruar është i infektuar me virusin e Nilit Perëndimor»,—tha agjencia e lajmeve Rojter në vitin 2002.

[Burimi]

CDC/James D. Gathany

[Kutia dhe figura në faqet 8, 9]

Si të mbroheni? Çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të bëni

Zgjohuni! foli me banorë të zonave përreth botës të prekura nga sëmundjet që përhapen nga insektet, për të marrë këshilla se si të mbrojmë shëndetin. Këto këshilla mund të jenë të dobishme edhe për zonën tuaj.

Pastërtia​—Mbrojtja kryesore

Mbajeni shtëpinë të pastër

«Mbulojini enët ku mbani ushqime. Mbajeni të mbuluar ushqimin e gatuar derisa të shërbehet. Pastrojeni menjëherë ushqimin që derdhet. Mos i lini enët pa larë gjatë natës dhe mos i lini jashtë mbeturinat ushqimore për t’i hedhur të nesërmen në mëngjes. Mbulojini ose groposini, meqenëse insektet dhe brejtësit dalin natën për të kërkuar ushqim. Gjithashtu, nëse e keni dyshemenë prej dheu, një shtresë e hollë çimentoje përsipër e lehtëson punën për ta mbajtur shtëpinë të pastër dhe pa insekte.»—Afrikë.

«Ruajini larg shtëpisë frutat ose çdo gjë që i tërheq insektet. Mbajini jashtë shtëpisë kafshë të tilla, si: dhi, derra, pula. Mbulojini gropat e banjave që janë jashtë shtëpisë. Groposini shpejt jashtëqitjet e kafshëve ose mbulojini me gëlqere për t’i mbajtur larg mizat. Edhe nëse fqinjët nuk i bëjnë këto gjëra, mund të arrini ta ndaloni deri në njëfarë mase përhapjen e insekteve brenda dhe rreth shtëpisë suaj, si edhe të lini një shembull të mirë.»—Amerika e Jugut.

[Figura]

T’i lini ushqimet ose plehrat pa mbuluar, është njësoj sikur t’i ftoni insektet që të hanë me ju

Higjiena vetjake

«Sapuni nuk kushton shtrenjtë, pra lajini shpesh duart dhe rrobat, sidomos pasi të keni prekur njerëz ose kafshë. Mos i prekni kafshët e ngordhura. Përpiquni të mos i prekni me duar buzët, hundën dhe sytë tuaj. Rrobat duhen larë rregullisht, edhe po të duken të pastra. Por duhet mbajtur parasysh që disa aroma i tërheqin insektet, prandaj shmangini sapunët dhe produktet me aromë që përdoren për higjienën vetjake.»​—Afrikë.

Masa parandaluese

Eliminojini vendet ku shumohen mushkonjat

Mbulojini fuçitë me ujë dhe govatat. Hiqini të gjitha enët e hapura që mbledhin ujë. Mos lini që uji të grumbullohet në vazot e luleve. Mushkonjat mund të shumohen në çdo vend ku uji rri më shumë se katër ditë.​—Azia Juglindore.

Shmangni ekspozimin ndaj insekteve

Shmangni vendet dhe kohën që insektet preferojnë më shumë për t’u ushqyer. Dielli perëndon shpejt në tropik, pra shumë punë të përditshme bëhen kur errësohet dhe kur shumë insekte janë më aktive. Ndenja dhe fjetja jashtë e shtojnë rrezikun kur ka rënë ndonjë sëmundje që përhapet nga insektet.—Afrikë.

[Figura]

Të flini jashtë në një vend ku ka shumë mushkonja është njësoj sikur t’i ftoni ato t’ju hanë ju

Vishni rroba që i mbulojnë pjesët e trupit sa më shumë të jetë e mundur, sidomos kur jeni në pyll. Lyejini rrobat dhe lëkurën me produkte që mbajnë larg insektet, duke ndjekur udhëzimet në etiketë. Kontrolloni fëmijët dhe veten për këpusha, pasi të keni kaluar kohë jashtë. Kujdesuni që kafshët shtëpiake të jenë të shëndetshme dhe pa parazitë.—Amerika e Veriut.

Afrojuni sa më pak kafshëve të fermave, pasi insektet mund t’i kalojnë sëmundjet nga ato te njerëzit.—Azia Qendrore.

Përdorni rrjetë kundër mushkonjave—zgjidhni ato të lyera me insekticide—nëpër shtretërit për gjithë familjarët. Vendosni te dritaret rrjetë metalike dhe mirëmbajeni atë. Izolojini të çarat në strehët e çative, nga ku mund të futen insektet. Këto masa parandaluese kushtojnë disi, por do t’ju kushtonte më shtrenjtë po ta çonit fëmijën në spital ose nëse një pjesëtar që i siguron të ardhura familjes do të sëmurej dhe nuk do të punonte dot.—Afrikë.

[Figura]

Rrjetat e mushkonjave të lyera me insekticid kushtojnë më pak sesa ilaçet dhe shpenzimet e spitalit

Mos lini të krijohen në shtëpi vende ku mund të fshihen insektet. Suvatojini muret dhe tavanin, si edhe mbyllni çdo të plasaritur e vrimë. Mbulojeni pjesën e brendshme të çative prej kashte me një copë që pengon insektet. Shmangni rrëmujën—si grumbujt me letra ose me rroba, ose pikturat e shumta në mur—vende ku fshihen insektet.—Amerika e Jugut.

Disa njerëz i shohin insektet dhe brejtësit si pjesë të shtëpisë. Ata nuk janë të tillë! Mos i lini të hyjnë. Përdorni insekticide dhe produkte për t’i mbajtur larg ata, por vetëm sipas udhëzimeve. Përdorni pajisje që i kapin mizat dhe vrasëse mizash. Përdorni fantazinë: një grua bëri një si tub prej lecke, e mbushi me rërë dhe e vuri në boshllëkun poshtë derës që insektet të mos futeshin brenda.—Afrikë.

[Figura në faqen 9]

Insektet nuk janë pjesë e shtëpisë. Përzërini!

Mjekësi parandaluese

Mos lejoni t’ju bjerë rezistenca e trupit. Prandaj, ushqehuni mirë, çlodhuni dhe bëni ushtrime. Pakësoni stresin.—Afrikë.

Udhëtarët: Njihuni që më përpara me informacionin më të fundit rreth rreziqeve të sëmundjeve që përhapen nga insektet. Këtë informacion mund ta merrni nga sektorët e shëndetit publik dhe nga sitet qeveritare në Internet. Para se të niseni për udhëtim, merrni mjekimin e duhur parandalues për zonën ku do të shkoni.

Nëse ndiheni të sëmurë

Kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore

Shumica e sëmundjeve mjekohen më lehtë kur diagnostikohen qysh në fillim.

Kini kujdes nga diagnozat e gabuara

Shkoni tek ata mjekë, të cilët kanë njohuri për sëmundjet që përhapen nga insektet dhe për sëmundjet tropikale, nëse keni qenë në vende tropikale. Tregojini mjekut të gjitha simptomat dhe se në cilat vende keni udhëtuar, madje edhe në të kaluarën. Përdorni antibiotikë vetëm po të jetë e nevojshme dhe çojeni kurën deri në fund.

[Figura]

Sëmundjet që përhapen nga insektet mund të ngjasojnë me sëmundje të tjera. Shpjegojini gjithçka mjekut

[Burimi]

Globi: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Kutia dhe figura në faqen 10]

A e përhapin insektet HIV-in?

Pas më shumë se dhjetë vjet kërkimesh dhe studimesh, entomologë dhe shkencëtarë në fushën e mjekësisë nuk kanë gjetur ndonjë dëshmi që tregon se mushkonjat ose ndonjë insekt tjetër transmetojnë HIV-in virusin e SIDA-s.

Për shembull, te mushkonja, pjesët e gojës nuk janë si shiringë që ka një vrimë të vetme, me anë të së cilës gjaku mund të injektohet përsëri. Përkundrazi, gjaku që thith mushkonja kalon në një rrugë të veçantë, kurse pështymën e sekreton nga një dalje tjetër. Përveç kësaj, siç shpjegon Tomas Damaso, specialist në fushën e kërkimeve për HIV-in në Skuadrën e Drejtimit të Çështjeve Shëndetësore të Krahinës në Mongu, Zambie, aparati tretës i mushkonjës e shpërbën gjakun, duke e shkatërruar virusin. HIV-i nuk gjendet në jashtëqitjet e insekteve. Dhe ndryshe nga parazitët e malarjes, HIV-i nuk hyn në gjëndrat e pështymës së mushkonjës.

Që të infektohet me HIV, një njeri duhet të ekspozohet ndaj një numri të madh grimcash infektuese. Në qoftë se mushkonja e ndërpret vaktin e saj dhe shkon direkt te një viktimë tjetër, çdo sasi gjaku që mund të ketë mbetur në pjesët e gojës së saj do të ishte tepër e vogël për të shkaktuar infektimin. Sipas specialistëve, edhe sikur të shtypnim mbi një plagë të hapur një mushkonjë të mbushur me gjak të infektuar me HIV, nuk do të infektoheshim me virusin e HIV-it.

[Burimi]

CDC/James D. Gathany

[Figurat në faqen 7]

Këpusha e drerit (që tregohet e zmadhuar në të djathtë) u ngjit njerëzve sëmundjen Lyme

Nga e majta në të djathtë: femra e rritur, mashkulli i rritur dhe larva e këpushës të paraqitura të gjitha me përmasat reale

[Burimi]

Të gjitha këpushat: CDC

[Figurat në faqet 10, 11]

Përmbytjet, mungesa e kushteve higjienike dhe shpërnguljet e njerëzve ndihmojnë në përhapjen e sëmundjeve që përhapen nga insektet

[Burimi]

FOTO UNACIONES (nga ushtria e SHBA-së)