Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sëmundjet që përhapen nga insektet​—Një problem në rritje

Sëmundjet që përhapen nga insektet​—Një problem në rritje

Sëmundjet që përhapen nga insektet​—Një problem në rritje

ËSHTË KOHA PËR TË FJETUR. Jemi në një shtëpi në Amerikën Latine. Me dashuri, nëna e mbulon mirë djalin e saj të vogël dhe i uron natën e mirë. Por ja, në errësirë, nga një e çarë në tavan sipër krevatit del pa zhurmë një insekt i shndritshëm, i zi, më pak se tre centimetra i gjatë, i cili quhet insekti që puth. Pa rënë në sy, ai zbret mbi fytyrën e fëmijës që po fle dhe pothuajse pa u ndier shpon me thumbin e tij lëkurën e butë të fëmijës. Ndërkohë që ia thith gjakun si i babëzitur, ai lëshon edhe jashtëqitje të mbushura me parazitë. Teksa fle, djali e kruan faqen, duke i shpërndarë jashtëqitjet e infektuara në pjesën e pickuar.

Si pasojë e këtij pickimi të vetëm, fëmija merr sëmundjen e Çagasit. Brenda një ose dy javësh, atij do t’i hipë një temperaturë e lartë dhe do t’i ënjtet trupi. Po t’ia dalë të mbijetojë, parazitët mund të strehohen në trupin e tij, duke u përhapur në zemër, në nerva dhe në indet e brendshme. Mund të kalojnë 10 deri në 20 vjet pa pasur asnjë shenjë. Por pastaj, atij mund t’i bëhen ulcera në aparatin tretës, të kalojë infeksion në tru dhe e fundit fare, mund t’i pushojë zemra dhe të vdesë.

Ky tregim imagjinar përshkruan realisht se si mund të merret sëmundja e Çagasit. Në Amerikën Latine ka miliona njerëz që rrezikojnë të marrin këtë puthje të vdekjes.

Bashkudhëtarët shumëkëmbësh të njeriut

«Shumica e sëmundjeve më të rënda që shoqërohen me temperaturë të lartë te njerëzit shkaktohen nga mikroorganizma që barten nga insektet»,—thotë Encyclopædia Britannica. Zakonisht, njerëzit fjalën «insekt» e përdorin jo vetëm për insektet e vërteta—krijesat me gjashtë këmbë të tilla, si mizat, pleshtat, mushkonjat, morrat dhe brumbujt—por edhe për krijesat me tetë këmbë të tilla, si çimkat dhe këpushat. Shkencëtarët i renditin të gjitha këto në tipin e madh të këmbënyjëtuarve—ndarja më e madhe në mbretërinë e kafshëve—ku futen të paktën një milion lloje të njohura.

Pjesa më e madhe e insekteve nuk janë të dëmshme për njeriun, dhe disa janë shumë të dobishme. Pa to, shumë nga bimët dhe pemët, nga të cilat varet ushqimi për njerëzit dhe për kafshët, nuk do të pjalmoheshin ose të lidhnin fryte. Disa insekte ndihmojnë për riciklimin e plehrave. Shumë insekte ushqehen vetëm me bimë, kurse disa hanë insekte të tjera.

Pa dyshim, ka edhe nga ato insekte që i bezdisin njerëzit dhe kafshët me pickimin e tyre të dhembshëm ose thjesht për shkak të mizërisë së tyre. Disa madje bëjnë kërdinë në të mbjella. Megjithatë, edhe më të këqija janë insektet që përhapin sëmundje dhe vdekje. Sëmundjet që përhapen nga insektet «ishin shkaktare për më shumë sëmundje dhe vdekje te njerëzit, nga shekulli i 17-të deri në shekullin e 20-të, sesa të gjitha shkaqet e tjera të mbledhura së bashku»,—thotë Duejn Gableri që punon në Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA.

Sot, afërsisht 1 në 6 veta infektohet me një sëmundje që e ka marrë nga insektet. Përveçse u shkaktojnë vuajtje njerëzve, sëmundjet që përhapen nga insektet janë një barrë e rëndë financiare, sidomos për vendet në zhvillim—pikërisht ato vende që nuk kanë mundësi t’i përballojnë këto sëmundje. Edhe shpërthimi i një epidemie të vetme mund të kushtojë shtrenjtë. Më 1994, një ngjarje e tillë në Indinë Perëndimore thuhet se u çoi dëm miliarda dollarë ekonomive vendëse dhe botërore. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), derisa probleme të tilla shëndetësore të vihen nën kontroll, vendet më të varfëra të botës nuk do të jenë në gjendje të përparojnë ekonomikisht.

Si na sëmurin insektet?

Insektet shërbejnë si transmetuese sëmundjesh, në dy mënyra kryesore. Mënyra e parë është transmetimi mekanik. Sipas Encyclopædia Britannica, ashtu si njerëzit e futin pisllëkun në shtëpi kur i kanë këpucët e ndotura, po kështu edhe «mizat e shtëpisë mund të bartin në këmbët e tyre miliona mikroorganizma që, po të arrijnë një numër mjaft të madh, mund të shkaktojnë sëmundje». Mizat për shembull, mund t’i marrin papastërtitë nga jashtëqitjet dhe t’i lënë mbi gjërat që hamë ose pimë, kur ndalojnë mbi to. Në këtë mënyrë, njerëzit marrin sëmundje ligështuese e vdekjeprurëse, siç janë tifoja, dizenteria e madje edhe kolera. Përveç këtyre, mizat ndihmojnë për përhapjen e trakomës, që është shkaktarja kryesore e verbërisë në botë. Trakoma sjell verbërinë duke dëmtuar kornenë, pjesën e tejdukshme të syrit që është para iridës. Afro 500.000.000 njerëz në mbarë botën vuajnë nga kjo e keqe.

Edhe furrtaret, të cilat shtohen aty ku ka pisllëk, dyshohet se i transmetojnë sëmundjet në mënyrë mekanike. Gjithashtu, shtimin e shpejtë të rasteve me astmë që vihet re kohët e fundit, sidomos te fëmijët, specialistët e lidhin me alergjitë e shkaktuara nga furrtaret. Për shembull, përfytyroni Ashlin, një vajzë 15-vjeçare, e cila për shumë net është munduar dhe përpëlitur për të marrë frymë për shkak të astmës. Kur mjeku bëhet gati t’i dëgjojë frymëmarrjen, në shtratin e vizitave një furrtare bie nga bluza e Ashlit dhe ikën me të shpejtë.

Sëmundje që i bartin brenda në trup

Kur insektet strehojnë në trup viruse, baktere ose parazitë, mund ta përhapin sëmundjen nëpërmjet një rruge tjetër—duke e transmetuar me anë të pickimit ose mënyrave të tjera. Vetëm një përqindje e vogël insektesh u transmetojnë sëmundje njerëzve në këtë mënyrë. Për shembull, ndonëse ka me mijëra lloje mushkonjash, vetëm mushkonjat e gjinisë Anopheles transmetojnë malarjen, e cila zë vendin e dytë nga sëmundjet ngjitëse më vdekjeprurëse në botë (pas tuberkulozit).

Megjithatë, edhe mushkonja të tjera transmetojnë një mori sëmundjesh. OBSH-ja raporton: «Nga të gjitha insektet që transmetojnë sëmundje, mushkonja është më e rrezikshmja, sepse ajo përhap malarjen, dengën dhe ethet e verdha, të cilat janë përgjegjëse për miliona vdekje dhe qindra milionë raste sëmundjesh çdo vit.» Të paktën 40 për qind e popullsisë së botës rrezikon të sëmuret me malarje dhe gati 40 për qind me dengë. Në shumë vende, njerëzit mund t’i marrin të dyja sëmundjet.

Sigurisht mushkonjat nuk janë të vetmet insekte që bartin sëmundje brenda trupit të tyre. Mizat cece u përçojnë njerëzve protozoarë që shkaktojnë sëmundjen e gjumit, e cila prek qindra mijë njerëz dhe detyron bashkësi të tëra njerëzish të braktisin fushat pjellore. Duke përçuar parazitin që shkakton verbërinë lumore, mizat e zeza u kanë grabitur shikimin rreth 400.000 afrikanëve. Flebotomët mund të bartin protozoarin që shkakton leishmaniozat, një grup sëmundjesh që sjellin gjymtime, deformime dhe shpesh vdekje. Në kohën tonë, miliona njerëz nga të gjitha moshat preken nga këto sëmundje anembanë botës. Pleshtat që ndodhen pothuajse kudo mund të strehojnë shiritin, encefalitin, tulareminë dhe madje edhe murtajën, e cila zakonisht shoqërohet me epideminë e Vdekjes së Zezë që vetëm për gjashtë vjet shfarosi ndoshta më shumë se një të tretën e popullsisë së Evropës gjatë Mesjetës.

Morrat, çimkat dhe këpushat mund të bartin forma të ndryshme tifosh, përveç sëmundjeve të tjera. Këpushat që gjenden në vendet me klimë të butë përreth botës mund të bartin sëmundjen ligështuese Lyme—sëmundje që përçohet nga insektet, e cila është më e përhapura në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë. Një studim i bërë në Suedi zbuloi se zogjtë shtegtarë mund t’i transportojnë këpushat me mijëra kilometra larg, dhe ndoshta bashkë me këpushat të përhapin në zona të reja edhe sëmundjet që bartin ato. Britannica thotë: «Këpushat u përçojnë njerëzve më shumë sëmundje se gjithë këmbënyjëtuarit e tjerë (përveç mushkonjave).» Në fakt, një këpushë e vetme mund të strehojë deri në tri lloje të ndryshme organizmash që shkaktojnë sëmundje dhe mund t’i transmetojë ata njëherësh me një pickim të vetëm!

Një «pushim» nga sëmundjet

Vetëm në vitin 1877, pra relativisht kohët e fundit, u vërtetua shkencërisht se insektet përhapin sëmundje. Që prej asaj kohe janë ndërmarrë fushata masive për të mbajtur nën kontroll përhapjen e insekteve që bartin sëmundje ose për t’i asgjësuar ato. Më 1939, armëve të luftës kundër sëmundjeve që përhapen nga insektet iu shtua edhe insekticidi DDT. Si pasojë, rreth viteve 1960, përveç Afrikës, në vendet e tjera sëmundjet që përhapeshin nga insektet nuk shiheshin më si një kërcënim kryesor për shëndetin publik. Theksi nuk vihej më mbi kontrollin e përhapjes së insekteve që transmetojnë sëmundje, por mbi kurimin me ilaçe të rasteve urgjente, dhe si pasojë interesi për studimin e insekteve dhe shkatërrimin e habitateve të tyre u venit. Gjithashtu, në atë kohë po zbuloheshin ilaçe të reja dhe dukej sikur shkenca mund të gjente një «plumb magjik» për të luftuar çdo sëmundje. Bota po gëzonte një «pushim» nga sëmundjet ngjitëse. Por shpejt pushimit do t’i vinte fundi. Artikulli vijues do të shpjegojë arsyet.

[Diçitura në faqen 3]

Sot, 1 në 6 veta është i infektuar me një sëmundje që përhapet nga insektet

[Figura në faqen 3]

Insekti që puth

[Figura në faqen 4]

Mizat e shtëpisë bartin në këmbët e tyre mikroorganizma që shkaktojnë sëmundje

[Figurat në faqen 5]

Shumë insekte i bartin sëmundjet brenda trupit të tyre

Mizat e zeza bartin verbërinë lumore

Mushkonjat bartin malarjen, dengën dhe ethet e verdha

Morrat mund të përhapin tifon

Pleshtat strehojnë encefalitin dhe sëmundje të tjera

Mizat cece transmetojnë sëmundjen e gjumit

[Burimet]

WHO/TDR/LSTM

CDC/James D. Gathany

CDC/Dr. Dennis D. Juranek

CDC/Janice Carr

WHO/TDR/Fisher

[Burimi i figurës në faqen 4]

Clemson University - USDA Cooperative Extension Slide Series, www.insectimages.org