Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’i kapërcej vështirësitë si fëmijë i adoptuar?

Si t’i kapërcej vështirësitë si fëmijë i adoptuar?

Të rinjtë pyesin . . .

Si t’i kapërcej vështirësitë si fëmijë i adoptuar?

«Nuk di asgjë, vërtet asgjë, për prindërit që më kanë lindur, dhe kjo më trishton shumë.»​—Barbara, 16 vjeçe.

«S’e di fare as ku kam lindur dhe as kush ishin prindërit e mi. Ndonjëherë natën mendoj për këto gjëra.»​—Meti, 9 vjeç.

«Kur grindem për ndonjë gjë me prindërit, mendoj se prindërit e mi ‘të vërtetë’ ndoshta do të më kuptonin më shumë. Më duket vetja shumë mosmirënjohëse që mendoj kështu dhe kurrë nuk ua kam treguar atyre këto mendime»​—Kuintana, 16 vjeçe.

S’KA DYSHIM se jeta kur je fëmijë i adoptuar mund të ketë vështirësitë e veta. Nuk janë pak të rinjtë që luftojnë me ndjenja si ato që u përshkruan më lart. Shumë pyesin veten nëse duhet të fillojnë të kërkojnë se cilët janë prindërit natyrorë ose nëse do të ishin më të lumtur po të jetonin me ta. Por vështirësitë nuk mbarojnë me kaq.

Në artikullin e kaluar të kësaj serie, folëm për disa ide negative që mund të krijojnë për veten disa nga të rinjtë e adoptuar. * Është e domosdoshme të luftosh me mendime të tilla shkurajuese, nëse do që të jesh i gëzuar në jetën si fëmijë i adoptuar. Por, cilat janë disa vështirësi të tjera që mund të lindin dhe çfarë hapash praktikë mund të bësh për t’i përballuar ato?

A janë ata prindërit e mi «të vërtetë»?

Xhejku 13-vjeçar thotë se mendonte shpeshherë për nënën që e kishte lindur. Kjo gjë i krijonte disa probleme me prindërit adoptues. Ai kujton: «Sa herë që inatosesha, thosha: ‘Ti nuk je nëna ime e vërtetë, s’ke të drejtë të më dënosh!’»

Siç e sheh, Xhejku duhej të ballafaqohej me një çështje të rëndësishme: Kush ishte nëna e tij «e vërtetë»? Nëse je i adoptuar, ndoshta edhe ti po përpiqesh të gjesh përgjigjen për të njëjtën pyetje, sidomos në qoftë se të ndodh që të pyesësh veten nëse prindërit natyrorë do të të trajtonin më mirë sesa prindërit adoptues. Por a është thjesht biologjia, domethënë procesi biologjik i lindjes, e vetmja gjë që i bën njerëzit prindër «të vërtetë»?

Nëna që e kishte adoptuar Xhejkun nuk mendonte kështu. Ai tregon: «Nëna ime thoshte, ‘Po, unë jam nëna jote e vërtetë. Edhe pse të ka lindur një nënë tjetër, tani jam unë nëna jote e vërtetë.’ » Kur dy të rritur sjellin në shtëpinë e tyre një fëmijë dhe pranojnë të marrin përgjegjësinë për t’i siguruar këtij fëmije shtëpinë dhe ushqimin, si edhe përgjegjësinë për ta rritur dhe për t’u kujdesur për nevojat e tij, ata me të drejtë bëhen prindër «të vërtetë». (1 Timoteut 5:8) Ka të ngjarë që autoritetet ligjore të vendit ku jeton t’i shohin ata si prindërit e tu të vërtetë. Por, a i sheh edhe Perëndia po kështu?

Shqyrto atë që mund të quhet rasti më i njohur i adoptimit në histori—rasti i Jezu Krishtit. Jezui nuk ishte djali natyror i Jozefit, i cili ishte zdrukthëtar, megjithatë Jozefi e adoptoi dhe e bëri djalin e tij. (Mateu 1:24, 25) Ndërsa rritej, a u rebelua Jezui kundër autoritetit të Jozefit? Përkundrazi, Jezui e kuptoi se ishte vullneti i Perëndisë që ai t’i bindej babait që e kishte adoptuar. Jezui e dinte mirë ligjin që Jehovai u kishte dhënë fëmijëve në Izrael. Çfarë thoshte ai ligj?

Ndero atin dhe nënën tënde

Shkrimet u thonë të rinjve: «Do të nderosh atin dhe nënën tënde.» (Ligji i përtërirë 5:16) Shpesh në Bibël, fjala «nder» përdoret për të treguar respektin, vlerësimin e lartë dhe interesimin për ndjenjat e të tjerëve. Ti mund të tregosh një nderim të tillë ndaj prindërve që të kanë adoptuar duke u sjellë mirë me ta, duke respektuar dinjitetin e tyre, duke e dëgjuar mendimin e tyre dhe duke qenë gati për të plotësuar çdo kërkesë të arsyeshme që të bëjnë.

Por, çfarë duhet të bësh në ato raste kur të duket se prindërit e tu adoptues nuk janë të arsyeshëm? Po, kjo do të ndodhë. Të gjithë prindërit janë të papërsosur, qofshin adoptues ose jo. Mund ta kesh të vështirë t’u bindesh kur sheh të metat e tyre. Dhe nuk është e habitshme që në këto raste të jesh i prirur të përqendrohesh në faktin që je i adoptuar, dhe të pyesësh veten nëse kjo gjë e zvogëlon disi detyrimin për t’iu bindur atyre. A është vërtet kështu?

Për ta kuptuar këtë gjë mund të të ndihmojë po të mendosh për rastin e Jezuit. Mbaj parasysh se ai ishte i përsosur. (Hebrenjve 4:15; 1 Pjetrit 2:22) Por as babai që e kishte adoptuar dhe as nëna që e kishte lindur nuk ishin të përsosur. Si pasojë, ka mundësi që Jezui në disa raste ta kuptonte se prindërit e kishin gabim. A u rebelua ai ndaj drejtimit të papërsosur të Jozefit si kreu i familjes ose ndaj drejtimit të papërsosur të Marisë si nënë? Aspak. Bibla na tregon se ndërsa rritej, Jezui «vazhdonte t’u nënshtrohej» prindërve të tij.—Luka 2:51.

Vërtet, kur ti dhe prindërit adoptues keni pikëpamje të ndryshme, ndoshta je i bindur që ata e kanë gabim. Megjithatë, duhet ta pranosh se edhe ti je i papërsosur. Pra ekziston gjithmonë mundësia që ta kesh ti gabim. Por pavarësisht se kush ka të drejtë, a nuk është më mirë të ndjekësh shembullin e Jezuit? (1 Pjetrit 2:21) Kjo do të të ndihmojë t’u bindesh prindërve. Por ka një arsye edhe më të rëndësishme pse duhet t’u bindesh atyre.

Bibla thotë: «Ju, fëmijë, jini të bindur ndaj prindërve tuaj në çdo gjë, pasi kjo është e pëlqyeshme në Zotërinë.» (Kolosianëve 3:20) Po, bindja jote e bën të lumtur Atin tënd qiellor. (Fjalët e urta 27:11) Dhe ai do që të mësosh të jesh i bindur, sepse dëshiron që edhe ti të jesh i lumtur. Fjala e tij i inkurajon të rinjtë që të binden, duke shtuar: «Që të të vejë mbarë dhe të qëndrosh gjatë mbi tokë.»—Efesianëve 6:3.

Forco lidhjen me prindërit adoptues

Të kesh një marrëdhënie të mirë me prindërit adoptues do të thotë shumë më tepër sesa thjesht t’i nderosh dhe t’u bindesh. Ti me siguri dëshiron që në shtëpi të kesh një atmosferë familjare të ngrohtë dhe të dashur. Prindërit adoptues kanë përgjegjësinë për të krijuar një atmosferë të tillë. Por edhe ti mund luash një rol të rëndësishëm. Në ç’mënyrë?

Së pari, kërko mënyra se si të lidhesh më shumë me prindërit e tu. Pyeti për veten e tyre, për jetën e tyre, për gjërat që u interesojnë. Kërkoju këshilla për ndonjë problem që të shqetëson, duke zgjedhur kohën kur janë të çlodhur dhe gati për të dëgjuar. (Fjalët e urta 20:5) Së dyti, gjej mënyra për të ndihmuar në mbarëvajtjen e shtëpisë, si për shembull duke ndihmuar në punët e shtëpisë ose për gjëra të tjera pa qenë nevoja të të thotë dikush.

Por, ç’të themi për prindërit që të kanë lindur? A është e thënë që patjetër lidhja me prindërit adoptues do të rrezikohet po të vendosësh që të kërkosh prindërit natyrorë ose nëse janë ata që kanë vendosur të të gjejnë ty? Në të kaluarën, agjencitë e adoptimit shpesh nuk pranonin të jepnin të dhëna për të ndihmuar prindërit natyrorë që të gjenin fëmijën të cilin e kishin dhënë për adoptim, ose anasjelltas. Sot procedurat e adoptimit në disa vende janë më tolerante dhe shumë fëmijë të adoptuar i kanë takuar personalisht prindërit natyrorë, të cilët ata nuk i mbanin mend fare. Sigurisht, procedurat e adoptimit mund të jenë ndryshe në vendin ku jeton ti.

Sido që të jetë, t’i gjesh apo jo prindërit natyrorë është një vendim personal dhe ndoshta jo i lehtë. Të rinjtë e adoptuar provojnë një sërë ndjenjash të ndryshme për këtë çështje. Disa digjen nga dëshira për t’i gjetur prindërit natyrorë; të tjerë janë të vendosur që të mos i gjejnë. Megjithatë, mund të jesh i sigurt se shumë të rinj të adoptuar kanë arritur të njohin prindërit natyrorë pa humbur marrëdhënien e qëndrueshme që kanë formuar me prindërit adoptues.

Kërko këshilla nga prindërit adoptues e ndoshta edhe nga miq të pjekur në kongregacionin e krishterë. (Fjalët e urta 15:22) Peshoji me kujdes mundësitë që ke dhe mos u nxito për të vepruar shpejt e shpejt. Në Fjalët e urta 14:15 thuhet se «njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij».

Nëse vendos të përpiqesh të krijosh një lidhje me prindërit natyrorë, bëj përpjekje t’i sigurosh prindërit adoptues se do të vazhdosh t’i duash dhe t’i respektosh ata. Në këtë mënyrë, ndërkohë që pak nga pak arrin t’i njohësh ata që të lindën dhe të dhanë për adoptim shumë kohë më parë, do të mbash edhe një lidhje të qëndrueshme me prindërit që të rritën dhe të edukuan.

Forco lidhjen me Atin tënd qiellor

Shumë të rinj të adoptuar vuajnë nga ndjenja e frikës se mos i braktisin. Ata kanë frikë se mos e humbin familjen që i ka adoptuar, ashtu siç humbën edhe familjen e origjinës. Kjo frikë është e kuptueshme. Megjithatë, mbaj mend këto fjalë: «Nuk ka frikë në dashuri, përkundrazi dashuria e përsosur e hedh tej frikën.» (1 Gjonit 4:18) Mos lejo të të mposhtë frika e sëmurë se mos i humb njerëzit e tu të dashur. Në vend të kësaj, forcoje dashurinë për të tjerët, duke përfshirë të gjithë ata që janë në familjen tënde. Por mbi të gjitha forco dashurinë për Atin tënd qiellor, Perëndinë Jehova. Ai është plotësisht i besueshëm dhe nuk i braktis kurrë fëmijët e tij besnikë. Ai mund të ta heqë frikën.—Filipianëve 4:6, 7.

Katrina, të cilën e kishin adoptuar kur ishte fëmijë, thotë se leximi i Biblës e ndihmoi shumë që të afrohej më shumë me Perëndinë dhe të kishte një jetë të lumtur e frytdhënëse. Ajo thotë se marrëdhënia e ngushtë me Jehovain «është shumë e rëndësishme, sepse Ati ynë qiellor e di mirë se si ndihemi». Shkrimi që i pëlqen më shumë Katrinës është Psalmi 27:10 ku thuhet: «Në rast se vetë ati im dhe vetë nëna ime do të më linin, madje vetë Jehovai do të më merrte.»—BR.

[Shënimi]

[Figura në faqen 20]

Kërko mënyra për t’u lidhur më shumë me prindërit e tu adoptues