Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A po bien vlerat?

A po bien vlerat?

A po bien vlerat?

NDËR dhuratat më të çmuara që prindërit mund t’u bëjnë fëmijëve të tyre janë dashuria e pamasë dhe një tërësi vlerash, vlera të cilat jo vetëm që ua mësojnë fëmijëve, por edhe ata vetë i ndjekin në jetën e tyre.

Pa vlerat e duhura, jeta s’është veçse një luftë e ashpër për mbijetesë. Vlerat i japin kuptim jetës. Ato përcaktojnë se cilat janë gjërat më të rëndësishme. Vendosin kufijtë e asaj që është e moralshme dhe përcaktojnë rregullat e sjelljes.

Megjithatë, shumë vlera tradicionale po ndryshojnë me shpejtësi. Për shembull, profesori Ronald Ingelhart thotë se «shoqëria po shkon drejt atyre normave lidhur me seksin, të cilat japin më shumë liri për kënaqësi seksuale egoiste dhe për zhvillimin e talenteve të individit». Në një anketë Gallup të bërë në vitin 1997, banorë nga 16 vende u pyetën nëse u dukej diçka e moralshme të lindësh fëmijë jashtë martese. Gallupi raporton: «Kjo prirje e mënyrës moderne të jetesës ishte diçka e pranueshme për 90% ose më shumë të të anketuarve në disa pjesë të Evropës Perëndimore. Ndërkohë që kjo shifër shkonte deri nën 15% në Singapor dhe në Indi.»

Disa e kanë lavdëruar këtë liri të re seksuale. Megjithatë, broshura The Rise of Government and the Decline of Morality, (Ngritja e qeverisë dhe rënia e moralit), shkruar nga Xhejms A. Dorn, i përmend «përhapjen e madhe të lindjeve jashtë martese» dhe «prishjen e familjeve» si «shenja të qarta të prishjes së moralit».

Vlera të tjera që po bien

Edhe vlera të tjera të trashëguara nga një kohë e gjatë kanë pësuar një rënie të dukshme. Anketa rreth Vlerave Botërore, e drejtuar nga profesori Ingelhart tregon se në vendet e industrializuara «respekti për autoritetin po bie».

Një vlerë tjetër tradicionale ka qenë edhe përkushtimi serioz ndaj punës. Megjithatë, dëshmitë tregojnë se edhe kjo vlerë po pëson rënie. Në Shtetet e Bashkuara, Federata Kombëtare e Biznesit të Pavarur anketoi më shumë se gjysmë milion punëdhënës. «Tridhjetë e një për qind e të anketuarve thanë se ishte e vështirë të gjeje njerëz për t’i punësuar dhe 21 për qind thanë se në përgjithësi cilësia e punës ishte e dobët.» Një punëdhënës thotë: «Po bëhet gjithnjë e më e vështirë të gjesh nga ata punëtorë që nuk vijnë në punë sa për një ditë, që janë të përpiktë dhe nuk vijnë të dehur.»

Faktorët ekonomikë mund ta nxitin këtë prirje ku vlerat kanë marrë tatëpjetën. Ndërkohë që fitimet bien vazhdimisht, punëdhënësit pushojnë nga puna punëtorë, u heqin ose u pakësojnë disa shpërblime. Revista Ethics & Behavior thotë: «Kur punëtorët përjetojnë këtë mungesë besnikërie dhe angazhimi edhe ata fillojnë të shfaqin po të njëjtin qëndrim negativ ndaj punëdhënësve të tyre. Angazhimi për të punuar me të gjitha forcat mungon, sepse dita e nesërme mund ta gjejë punëtorin të pushuar nga puna.»

Vlerat kanë rënë ndjeshëm edhe përsa i përket mirësjelljes. Një anketë e zhvilluar në Australi nxori si përfundim: «Më shumë se 87,7% e të punësuarve thanë [se] sjellja e pahijshme në vendin e punës po ndikon në gjendjen shpirtërore të personelit.» Në një anketë për profesionistët në fushën e biznesit, e cila u bë në SHBA, «tetëdhjetë për qind e të anketuarve treguan se sjellja e pahijshme në biznes ishte shtuar». Agjencia e lajmeve CNN tha: «Shërbimi i dobët ndaj blerësve është përhapur kaq shumë, saqë pothuajse gjysma e të anketuarve thanë se vitin e kaluar u kishte ndodhur të dilnin nga ndonjë dyqan pa blerë, sepse kishin mbetur të pakënaqur nga shërbimi. Gjysma thanë se shohin shpesh njerëz që flasin në celular me zë të lartë ose në një mënyrë që i bezdis të tjerët. Gjashtë në dhjetë shoferë thanë se vazhdimisht shihnin njerëz që e ngitnin makinën si të marrë ose pa kujdes.»

Sa vlerësohet jeta njerëzore?

Në disa raste njerëzit thonë se ata iu përmbahen disa «vlerave», por fjalët e tyre nuk shoqërohen gjithmonë me vepra. Për shembull, Instituti për Etikën Globale anketoi përfaqësues nga 40 vende. Dyzet për qind e radhitën «respektin për jetën» midis pesë vlerave «më të rëndësishme». *

Megjithatë, çfarë ndodh në jetën reale? Vendet e industrializuara patjetër që i kanë mjetet për të zhdukur një pjesë të madhe të vuajtjeve njerëzore. Por në vitin 1998, në një libër të shkruar nga Karol Belamija, drejtoreshë ekzekutive në Fondin e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, thuhej se të ushqyerit e keq «luan rol në vdekjen e më se gjysmës së afro 12 milionë fëmijëve nën pesë vjeç që vdesin çdo vit në vendet në zhvillim, një numër i pashoq që kur Vdekja e Zezë bëri kërdinë në Evropë në shekullin e 14-të». Lajme të tilla janë alarmuese për këdo që e çmon jetën njerëzore. «Por,—thotë Belami,—kriza mbarëbotërore e të ushqyerit të keq zor se e ka alarmuar publikun, pavarësisht nga të dhënat e shumta shkencore që po shtohen, të cilat tregojnë për rrezikun e madh të kësaj situate. Më shumë vëmendje i kushtohet ndryshimeve të tregut botëror të aksioneve sesa fuqisë së madhe shkatërruese që ka të ushqyerit e keq ose dobive po kaq të mëdha që ka të ushqyerit e shëndetshëm.»

Një pikëpamje çuditërisht e shtrembëruar për jetën duket qartë te personeli mjekësor. Jo më larg se fillimi i viteve 70, ishte pothuajse e pamundur që të mbijetonte një foshnjë e sapolindur, e cila kishte qëndruar vetëm 23 javë në barkun e nënës. Sot, pothuajse deri në 40 për qind e këtyre foshnjave të lindura para kohe arrijnë të mbijetojnë. Duke mbajtur parasysh këtë, sa ironike është që çdo vit në të gjithë botën kryhen rreth 40 deri në 60 milionë aborte! Shumica e këtyre fetuseve të abortuara janë vetëm pak javë më të vogla sesa foshnjat e lindura para kohe, për të cilat mjekët përpiqen fort që t’ia rrëmbejnë vdekjes! Sa thamë më sipër, a nuk na tregon që mbizotëron një pështjellim i madh moral?

Nevojitet një busull morale

Kur i pyetën se «Cila është gjëja më pak e rëndësishme në jetë?», shumica e të anketuarve nga organizata Gallup e radhiti «besnikërinë ndaj fesë së vet» si një ndër dy gjërat më pak të rëndësishme. Prandaj, nuk është për t’u habitur që gjithnjë e më pak njerëz po shkojnë në kishë. Profesori Ingelhart thotë se begatia në vendet perëndimore ka «krijuar një ndjenjë sigurie të paparë» dhe se «kjo gjë e ka pakësuar nevojën për ndjenjën e sigurisë që tradicionalisht ta jepte feja».

Bashkë me humbjen e besimit te feja vjen edhe humbja e besimit te Bibla. Në një anketë ndërkombëtare, të anketuarit i pyetën se te kush ose ku bazoheshin për të kuptuar nëse diçka është apo jo e drejtë nga ana morale. Shumica dërrmuese thanë se bazoheshin në përvojën personale. «Fjala e Perëndisë vinte e dyta, por konsiderohej shumë më pak e rëndësishme»,—thotë raporti në përfundim të anketës.

Nuk është për t’u çuditur që vlerat po ndryshojnë për keq. Mungesa e një busulle morale, si edhe vënia e theksit gjithnjë e më tepër te synimet materialiste dhe drejt egoizmit i ka dhënë shtysë një kulture ku mbizotërojnë lakmia dhe indiferenca ndaj ndjenjave të të tjerëve. Çfarë gjërash të rëndësishme kanë humbur si pasojë e këtyre ndryshimeve?

[Shënimi]

^ par. 12 Më shumë se 50 vjet më parë, Kombet e Bashkuara miratuan Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Neni I i Deklaratës thotë: «Të gjitha qeniet njerëzore lindin të lira e të barabarta nga pikëpamja e dinjitetit dhe e të drejtave.»

[Figurat në faqet 4, 5]

Prishja e familjes, mungesa e etikës në punë dhe sjellja e pabindur karakterizojnë rënien e vlerave në ditët tona

[Figura në faqen 6]

Çdo vit abortohen miliona foshnja që janë vetëm pak javë më të vogla sesa kjo foshnjë e lindur para kohe