Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një qeveri që do të përkrahë vlerat hyjnore

Një qeveri që do të përkrahë vlerat hyjnore

Një qeveri që do të përkrahë vlerat hyjnore

PËRFYTYRONI një botë ku ka vetëm një qeveri për njerëzit e çdo race dhe gjuhe. Përfytyroni një qeveri që shquhet se ka mbrojtur vlerat më të larta dhe sepse ka shfarosur luftën, urrejtjen, krimin, varfërinë, ndotjen, sëmundjet e madje edhe vdekjen!

‘E mrekullueshme, por e pamundur’,—mund të thoshit ju. Jo, nuk është e pamundur. Në fakt, është diçka e sigurt. Jezu Krishti e premtoi një qeveri të tillë. Ai u mësoi dishepujve të tij të luteshin për të: «Ju, pra, duhet të luteni në këtë mënyrë: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë.’»—Mateu 6:9, 10.

Ndoshta fjalët e kësaj lutjeje janë të njohura për ju, pasi miliona njerëz përreth botës e dinë atë ose kanë dëgjuar për të. Por, a keni menduar ndonjëherë me kujdes se çfarë duan të thonë në të vërtetë këto fjalë? Vëreni se Mbretëria lidhet me bërjen e vullnetit të Perëndisë në tokë. Çfarë është atëherë Mbretëria e Perëndisë? Dhe cili është vullneti i Perëndisë për tokën?

Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?

Një mënyrë se si përkufizohet fjala mbretëri është: një qeveri që ka në krye një mbret. Mbretëria e Perëndisë është mjeti me anë të cilit Perëndia Jehova ushtron sovranitetin universal. Është një qeveri mbretërore që ka në krye Birin e tij, Jezu Krishtin. Ndërsa vullneti i Perëndisë për tokën shprehet thjesht dhe qartë në Psalmin 37:10, 11: «Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më. Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.»

Prandaj nëse ndiheni të dëshpëruar dhe të pashpresë, për shkak se vlerat në këtë botë po bien, merrni zemër. Bibla premton se së shpejti kushtet dhe vlerat e kësaj bote do të pësojnë një ndryshim rrënjësor. Premtimi se Mbretëria e Perëndisë së shpejti do të sundojë mbi tokën që të respektohen vlerat e vendosura nga Perëndia është një themel i sigurt ku mund të mbështetim shpresat.

Mund të na shtohet siguria po të mësojmë që të kemi besim në premtimet e Fjalës së Perëndisë. Mendoni rreth vlerave që do të respektohen nën sundimin e kësaj Mbretërie: «Ejani dhe admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë. Ai bën që te pushojnë luftërat deri në skajet e tokës». (Psalmi 46:8, 9) Çfarë premtimi i mrekullueshëm për paqe dhe siguri!

Në një profeci për Mbretin e Mbretërisë së Perëndisë, Jezu Krishtin, Psalmi 72:12-14 thotë: «Ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë. Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve. Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.»

Vlerat që na mëson Bibla

Shqyrtoni disa nga vlerat që Bibla na nxit të ndjekim: «Lum ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore!» (Mateu 5:3) Një tjetër: «Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.»—Fjalët e urta 3:5, 6.

Gjithashtu, Bibla na mëson se të gjithë ne mbajmë përgjegjësi për vlerat që zgjedhim të ndjekim në jetë. Shqyrtoni Predikuesin 11:9: «Gëzohu, pra, o i ri, në rininë tënde, le të gëzohet zemra jote në ditët e rinisë sate; ndiq edhe rrugët e zemrës sate dhe pamjen e syve të tu, por dije që për të gjitha këto gjëra Perëndia do të të thërrasë në gjyq.» Përgjegjësia që mbajmë për veprimet tona shprehet qartë te Fjalët e urta 2:21, 22: «Njerëzit e drejtë do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty; por të pabesët do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj.»

Duke pasur këtë shpresë inkurajuese për një qeveri të drejtë sa e dobishme është të ndërtojmë një miqësi të ngushtë me Perëndinë! Shoqërimi me njerëz të tjerë, të cilët gjithashtu dëshirojnë të jenë nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë do të na ndihmojë të kemi perspektivën që të jetojmë nën sundimin e Mbretërisë së tij të lavdishme. Do të kemi edhe perspektivën të shijojmë frytet që do të japin vlerat e mrekullueshme që do të mbështetë ajo.

[Figura në faqen 10]

Të butët do të «zotërojnë tokën» dhe do të «gëzojnë një paqe të madhe».—PSALMI 37:11.