Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një ushtri në marshim

Një ushtri në marshim

Një ushtri në marshim

«Banojmë në Belize, në një fshat në ndërtim e sipër, i cili është i rrethuar nga një bimësi e dendur. Një mëngjes, rreth orës nëntë, në shtëpinë tonë u dynd një ushtri milingonash që vërshonin poshtë derës dhe nga çdo plasaritje, duke kërkuar gjahun. S’mund të bënim gjë tjetër veçse të dilnim jashtë për nja dy orë ndërsa milingonat pushtonin shtëpinë tonë. Kur u kthyem, në shtëpi nuk kishte as edhe një insekt.»

PËR SHUMË NJERËZ që jetojnë në vendet tropikale si Belizeja, kjo është një ngjarje e zakonshme dhe jo krejt e papëlqyer. Është një mënyrë për të eliminuar nga shtëpia insektet e dëmshme, si buburrecat dhe parazitët e tjerë. Gjithashtu, nuk të bën fare rrëmujë.

Është interesante se milingonat për të cilat po flasim quhen milingonat ushtare, për shkak të mënyrës së jetesës dhe të aktiviteteve të cilat ngjajnë me ato të ushtrisë. * Në vend që të ndërtojnë fole, këto ushtri shtegtuese, qindra mijë në numër, formojnë kampe të përkohshme. Grumbuj milingonash ndërthurin këmbët për të formuar një gardh mbrojtës rreth e rrotull mbretëreshës dhe të vegjëlve të saj. Nga kampi dalin skuadrat sulmuese në kolona të gjata për të kërkuar ushqim i cili përbëhet nga insekte dhe krijesa të vogla, si hardhucat. Komandantët e skuadrës sulmuese urdhërojnë të bëhen edhe manovra krahëmarrëse për të zënë në kurth prenë. Kjo dukuri ndodh kur punëtoret komandante, duke mos ndjerë fare erë gjahu përpara, ngurrojnë dhe ndalin ecjen. Milingonat në prapavijë detyrohen të shtyhen përpara dhe kështu vija e frontit zgjerohet në disa pjesë. Si pasojë, bëhen një sërë manovrash, të cilat ngjajnë me krahëmarrjen.

Milingonat ushtare kryejnë një cikël 36 ditor, duke marshuar fillimisht për afro 16 ditë dhe pastaj rrinë në një vend për 20 ditë. Në këtë kohë mbretëresha lëshon vezët. Pas kësaj, uria bën që kolonia të fillojë përsëri marshimin. Përreth kolonave që marshojnë, afro 10 metra të gjera, ndodhen merimanga, akrepa, buburreca, bretkosa dhe hardhuca që ia mbathin. Këta ndiqen nga zogjtë, të cilët gjuajnë insektet që po ikin, por jo milingonat.

Milingonat, të cilat në Bibël, te Fjalët e urta 30:24, 25 (BR) përshkruhen si «instinktivisht të mençura», janë një nga mrekullitë e krijimit.

[Shënimi]

^ par. 4 Ky artikull flet për gjininë Ecticon të Amerikës Qendrore dhe të Amerikës së Jugut.

[Figura në faqen 31]

Milingonë ushtare

[Burimi]

© Frederick D. Atwood

[Figura në faqen 31]

Formojnë një urë, duke ndërthurur këmbët e tyre

[Burimi]

© Tim Brown/www.infiniteworld.org