Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Vlera e vazove me lule

Sipas gazetës The Times të Londrës, kërkuesit thonë: «Mijëra nxënës do të merrnin nota më të mira, nëse nëpër klasat e tyre do të vendoseshin vazo me lule.» Profesor Derik Klemens-Krymi, në Universitetin e Redingut, zbuloi se në disa klasa me shumë nxënës dhe të ajrosura pak, niveli i dyoksidit të karbonit e tejkalonte me mbi 500 për qind sasinë e këshillueshme. Kjo gjë dëmton përqendrimin e fëmijëve dhe vështirëson përparimin e tyre. Pasi e quan këtë gjendje si sindroma e klasës së dëmshme, ai thotë se dendësia mesatare e nxënësve nëpër klasa është pesë herë më e madhe se ajo e punonjësve në ndërtesat e zyrave, ku «sindroma e ndërtesave të dëmshme» dihet që ndikon te punonjësit dhe te puna e tyre. Cilat bimë mund të përdoren për të pastruar ajrin? Një studim i bërë në Shtetet e Bashkuara i quajti kleomat si më të efektshmet. Edhe dracenat, urthi, fiqtë e kauçukut, spathat dhe jukat janë shumë të mira për pastrimin e ajrit. Lulet në vazo e ulin nivelin e dyoksidit të karbonit, duke e kthyer atë në oksigjen.

Brezi «i humbur»

«Përsa u përket njohurive, të rinjtë amerikanë janë për të ardhur keq»,—thotë gazeta e Nju-Jorkut Daily News. Kur përdorin hartën e botës, «11% nuk i gjejnë dot Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe kur shohin një hartë memece të SHBA-së, gjysma nuk e kanë idenë se ku ndodhet Nju-Jorku». Sa për vendndodhjen e vendeve të tjera që përmenden në lajme, vetëm 13 për qind mundën ta gjenin Irakun ose Iranin dhe vetëm 17 për qind Afganistanin. Ç’është e vërteta, vetëm 71 për qind e amerikanëve nga 18 deri në 24 vjeç mundën të gjenin me saktësi se ku ndodhet sipërfaqja më e madhe ujore në botë, Oqeani Paqësor. Shoqata National Geographic u bëri një test me 56 pyetje 3.250 të rinjve në Britani, Francë, Gjermani, Itali, Japoni, Kanada, Meksikë, Suedi dhe në Shtetet e Bashkuara. Ndonëse në asnjë nga shtetet nuk u mor «vlerësimi maksimal», për të cilën duhej t’u përgjigjeshe saktë mesatarisht 42 pyetjeve, Suedia iu afrua më shumë këtij rezultati me 40 përgjigje të sakta. Pas saj vinin Gjermania dhe Italia me 38 përgjigje. Amerikanët dolën të parafundit, mesatarisht me 23 përgjigje të sakta, para Meksikës me 21 përgjigje të sakta. «Nëse të rinjtë tanë nuk i gjejnë dot vendet në hartë dhe nuk dinë se ç’ndodh në botë, si mund t’i kuptojnë problemet mbarëbotërore që ndeshim, çështje që lidhen me kulturën, ekonominë dhe burimet natyrore?»,—pyeti Xhon Fahi, president i shoqatës National Geographic.

Pas 40 vjetëve korr atë që ke mbjellë

«Zgjedhjet që dikush ka bërë në jetë dhe mjedisi ku ka jetuar fillojnë të sjellin pasoja në moshën 40-vjeçare, kur shenjat e plakjes përshpejtohen.» Kjo ishte pika kryesore e një raporti rreth një konference për shëndetin, i botuar në The Daily Telegraph të Sidneit, Australi. Sipas Roko di Vinçencos, kryedietolog në spitalin Suinburn në Viktoria, « ‘gjenet defektoze’ ose diçka brenda trupit që nuk funksionon mirë» mund të mos kenë një ndikim kaq të madh në shëndetin e njeriut pas të 40-ve, sa ç’kanë zgjedhjet që ka bërë ai më parë. «Sot e dimë se shëndeti pas moshës 40-vjeçare është pasojë e bashkëveprimit të faktorëve të trashëgueshëm gjenetikë dhe ndikimeve të mjedisit»,—tha Di Vinçencoja. «Sipas Institutit Kombëtar për Plakjen, 80 për qind e problemeve shëndetësore te njerëzit e moshuar nuk vijnë aspak nga mosha. Ato vijnë ngaqë trupit nuk i është kushtuar kujdesi i duhur gjatë jetës dhe pasojat e kësaj fillojnë të ndihen pas moshës 40-vjeçare.»

Fëmijët bien shpejt në varësinë e nikotinës

«Fëmijët mund të bëhen të varur nga duhani brenda disa ditëve pasi e kanë filluar atë, dhe madje mund të bëhen të varur që me cigaren e parë,—nxjerr si përfundim një studim i përmendur në gazetën e Londrës The Guardian.—Ndër 332 të rinj që e kishin provuar duhanin, qoftë edhe një të thithur të vetme, 40% prej tyre shfaqnin shenja të varësisë. Ndër 237 veta që e kishin futur tymin në mushkëri, 53% treguan shenja varësie.» Gjatë këtij studimi 30-mujor, drejtuar nga dr. Xhozef di Fransa, në fakultetin e mjekësisë të Universitetit të Masaçusetsit, në Shtetet e Bashkuara, u ekzaminuan afro 700 nxënës, të cilët në fillim të studimit ishin 12 ose 13 vjeç. «Para këtij studimi, mendohej se duheshin dy vjet që fëmijët të bëheshin të varur nga duhani dhe se kjo arrihej në qoftë se do ta pinin çdo ditë, të paktën gjysmë pakete në ditë,—tha Di Fransa.—Disa prej këtyre fëmijëve u bënë të varur nga duhani brenda pak ditëve pasi kishin filluar ta pinin. . . . [Unë] kam përshtypjen se varësia nga nikotina, në shumë raste, fillon me cigaren e parë.» Di Fransa mendon se adoleshentët bien më shpejt në varësinë e duhanit, pasi truri i tyre është ende në zhvillim. «Do të doja që fëmijët ta kishin të qartë se nuk mund të eksperimentosh me duhanin. Nuk ka mundësi të pish duhan dhe të mos kesh pasoja,—tha Di Fransa.—Është e nevojshme t’i bindim fëmijët se po të pinë qoftë edhe një cigare, mund të bëhen të varur për gjithë jetën.»

Dritë e re rreth përjetimeve «jashtë-trupore»

Sipas shërbimit gjerman rreth të rejave shkencore Bild der Wissenschaft-Online, duke përdorur elektroda për të përcaktuar origjinën e krizave epileptike të një gruaje, pa dashur, neurologët zviceranë shkaktuan te pacientja të ashtuquajturat përjetime jashtë-trupore. Çdo herë që ngacmohej girusi angular, një nga rrudhat në koren e anës së djathtë të trurit, gruaja tregoi se i dukej sikur qenia e saj dilte nga trupi dhe e shihte trupin e saj nga lart. Me sa duket, kjo zonë e trurit lidh vetëdijen pamore të njeriut me informacionin e ardhur nga shqisat që perceptojnë vendndodhjen e trupit. «Ngacmimi me elektroda e ndërpreu këtë lidhje, dhe për këtë arsye pacientes iu duk sikur nuk e kishte më brenda vetes ndjesinë e perceptimit»,—thotë Bild der Wissenschaft. Përjetimet jashtë-trupore «janë përdorur vazhdimisht për të nxitur spekulimet që flasin për një shpirt të ndarë nga trupi».

Përtëritja e rruzareve

«Për 500 vjet, katolikët e devotshëm kanë thënë rruzaren, një varg përsëritjesh të lutjes ‘Ati ynë’ dhe ‘Ave Maria’, të cilat kanë si qëllim të nxitin meditimin rreth 15 ngjarjeve kyçe ose ‘mistereve’ të jetës së Jezuit dhe të nënës së tij,—thotë revista Newsweek.—[Tetorin] e kaluar, papa Gjon Pali II botoi një letër apostolike, duke shtuar me anë të saj një pjesë të katërt për rruzaret», që bazohet në shërbimin e Jezuit nga pagëzimi deri te Darka e Fundit. Revista shton: «Synimi i papës është të zgjojë sërish interesin për formën e tij ‘të preferuar’ të lutjes, popullariteti i së cilës ka rënë që nga Këshilli II i Vatikanit. Ndikimi kryesor i veprimit të papës është që gjatë këtij riti të veçantë katolik të theksohet më shumë Krishti sesa Maria, e cila është figura më e përmendur gjatë rruzareve.» Shpresohet që kjo të nxitë zakonin e meditimit midis katolikëve në një kohë «kur krishterimi po ndikohet nga traditat e meditimit që kanë fetë e Lindjes», siç vëren papa.

Kur pretendohet tepër

«Shumica e martesave në Gjermani dështojnë për shkak se pretendohet tepër»,—thotë gazeta Die Welt. Sipas profesorit Vasilios Ftenakis, i cili bën studime rreth jetës familjare, «njerëzit kërkojnë të gjejnë intimitetin dhe duan të arrijnë një lumturi maksimale në lidhjen e tyre». Ai tha se pavarësisht nga kjo, nuk është realiste të presësh që ndjenja të tilla euforie të zgjasin për dhjetëvjeçarë. Në ditët tona, theksi që vihet te lumturia individuale dhe te arritjet personale i ka bërë më pak të gatshëm bashkëshortët për t’i hapur rrugë njëri-tjetrit dhe për të bashkëpunuar që t’u bëjnë ballë vështirësive. Një specialiste tjetër në fushën e familjes tha: «Pasi kalon euforia e fillimit, njerëzit e sotëm bëjnë më pak përpjekje për të folur shtruar që t’i zgjidhin problemet dhe ta ruajnë lidhjen midis tyre.» Sot në Gjermani martesat zgjatin mesatarisht pak më shumë se 12 vjet.