Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Parku Kombëtar i Najrobit: Atje ku kafshët enden të lira

Parku Kombëtar i Najrobit: Atje ku kafshët enden të lira

Parku Kombëtar i Najrobit: Atje ku kafshët enden të lira

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KENIA

ËSHTË ora gjashtë e gjysmë e mëngjesit. Ndërsa ngrihet në lindje të horizontit, dielli të ngjan me një xhevahir të stërmadh në ngjyrë të kuqe të ndezur që ka një shkëlqim të mahnitshëm. Duke lajmëruar agimin e ditës së re, rrezet e tij depërtojnë në xhamat e dritareve të ndërtesave të larta me zyra dhe kështu krijojnë një nuancë të praruar mahnitëse. Jo shumë larg nga këto blloqe zyrash po zhvillohet një dramë reale spektakolare.

Ndërkohë që një impalë po kullot, një luan i fshehur në barin e lartë ka njëfarë kohe që i ka zënë pritë. Duke e ndjerë rrezikun kjo antilopë e vogël vrapon tutje me të shpejtë, ndërsa luani e ndjek këmba këmbës. Kështu nis një ndjekje plot vrull dhe tërbim. Po t’ia dalë me sukses, luani do të përdorë të ashtuquajturin ligj të xhunglës për ta dënuar me vdekje këtë kafshë të gjorë.

Ndjekje të tilla mbresëlënëse përsëriten çdo ditë në Parkun Kombëtar të Najrobit, i cili ndodhet në të dalë të kryeqytetit të Kenias, në Najrobi. Atje, kafshët si fqinjë më të afërt kanë njerëzit. Ja përse më 1962, jashtë një hoteli luksoz u pa të endej një luan, ndoshta ngaqë pretendonte që t’i kthenin sërish atë territor të gjerë që kishte pasur dikur. Por si ndodhi që kafshët e egra dhe banorët e qytetit të jetonin pranë njëri-tjetrin në këtë vendbanim?

Fillim i vështirë

Ndërtimi i parkut nuk ishte një punë e lehtë. Duheshin kapërcyer një sërë pengesash para se kafshët të gëzonin dobitë e një strehëze të mbrojtur mirë. Deri para fillimit të shekullit të 20-të, ato u binin lirisht kryq e tërthor hapësirave të mëdha të Afrikës Lindore. Këtu njerëzit kanë pasur gjithnjë lidhje të ngushta me kafshët e egra dhe i kullotnin kopetë shumë afër tyre. Madje kishte nga ata që i quanin disa kafshë si pjesë të bagëtisë së tyre dhe që mund t’i vritnin në kohë nevoje.

Megjithatë, gjahtarët e armatosur me pushkë, që gjuanin kafshë të mëdha, vërshuan me shumicë në Kenia. Shumë prej tyre donin të grumbullonin sa më shumë trofe që ishte e mundur. Mes tyre ishte edhe ish-presidenti i SHBA-së, Teodor Ruzvelti, i cili erdhi në Kenia në vitin 1909 për të mbledhur lloje tipike nga natyra e për t’i çuar në muze. Bashkë me 600 hamej dhe gjahtarë profesionistë, ai vrau më shumë se 500 kafshë dhe dërgoi në shtëpi lëkurët e tyre. Në po atë periudhë ishte edhe një gjahtar tjetër i mirënjohur, Eduardi, princi i Uellsit. Veprimet e tyre bënë që të përhapeshin shumë ekspeditat e gjuetisë për sport. Sigurisht, një plumb ishte më i shpejtë dhe me të mund të gjuaje në shenjë më lehtë sesa me harkun dhe shigjetën tradicionale.

Përfundimi i të famshmit Ekspres të çmendur, siç njihej atëherë hekurudha Kenia-Ugandë, u hapi mundësi njerëzve që të shpërnguleshin në zonat përreth Najrobit, duke e kufizuar më tej lëvizjen e lirë të kafshëve. Me sa dukej, kafshëve po u kanosej syrgjynosja e plotë.

Më pas, gjatë viteve 1930, u ngritën zëra në mbrojtje të kafshëve. Arçi Riçi, që në atë kohë ishte rojtar pylli dhe Mervin Kaui, llogaritar, ishin midis këtyre aktivistëve. Me anë të konferencave dhe shtypit ata i kërkuan autoriteteve të kolonisë që të ngrinin një park kombëtar. Ky do të ndihmonte që dëmi pa kriter që po u bëhej kafshëve në mos të ndalej fare, të paktën të pakësohej. Qeveria po ngurronte ta miratonte këtë ide. Ajo nuk ishte e gatshme që ta shfrytëzonte tokën vetëm për të mbrojtur florën dhe faunën, ndërkohë që ajo zonë po bëhej vendbanimi më i madh urban në Afrikën Lindore.

Përpjekjet për mbrojtjen e natyrës dështuan edhe një herë, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Trupat luftuese, gjatë stërvitjeve për betejë e dëmtuan vendin ku sot gjendet parku. Edhe kafshët u bënë viktima të luftës. Prania e vazhdueshme e ushtarëve në këtë zonë bëri që kafshëve t’u dilte frika nga njeriu, dhe kjo i shtoi gjasat që ato të ktheheshin në kafshë njeringrënëse. Për të parandaluar këtë gjë u vranë disa kafshë, duke përfshirë edhe një luaneshë të famshme me emrin Lulu dhe tufën e këndshme të luanëve me të cilën shoqërohej ajo.

Megjithatë, meqë qëndrimi i autoriteteve ndryshoi, u kapërcyen shumë pengesa dhe mbrojtësit e natyrës ia arritën qëllimit. Më në fund, pas një periudhe të gjatë e të trazuar që nga hedhja e idesë, më 16 dhjetor 1946, lindi Parku Kombëtar i Najrobit—i pari i këtij lloji në Afrikën Lindore. Kjo ndodhi kur guvernatori kolonizator i atëhershëm në Kenia, sër Filip Miçëll, firmosi shpalljen e hapjes së parkut.

Një parajsë për vizitorët

Po të krahasohet me parqe të tjera natyrore në Afrikën Lindore, Parku Kombëtar i Najrobit është disi i vogël. Sipërfaqja e tij është përafërsisht 117 kilometra katrorë dhe hyrja e tij kryesore është më pak se 10 kilometra larg qendrës së Najrobit. Gjithsesi, fama lidhet edhe me përmasat e tij të vogla. Pak vende në tokë shpalosin para vizitorit një panoramë si ajo që dhuron ky rezervat për kafshët. Aty shihet një kontrast i rrallë midis qytetit të Najrobit që po zhvillohet me shpejtësi dhe savanës afrikane.

Përmasat e vogla të parkut u krijojnë mundësi vizitorëve që në një hapësirë të vogël të shohin së bashku shumicën e kafshëve më të mëdha, përveç elefantit. Kjo veçori e bën parkun të ndryshëm nga parqet dhe rezervatet e mëdha. Aty gjenden 100 lloje gjitarësh dhe më shumë se 400 lloje zogjsh. Parku shtrihet pranë rrugës që të çon në aeroportin ndërkombëtar të Najrobit.

Në Najrobi, vizitori mund të lërë rehatinë e një hoteli modern në qytet, të ngasë makinën pranë ndërtesave madhështore me zyra dhe brenda disa minutave të mbërrijë në pllaja, shkurrishta dhe pyje shekullore. Këtu luanët dhe kafshët e tjera grabitqare mund t’i shohësh në veprim. Grabitqarë të tillë teksa ndjekin prenë dhe grataçelat vezulluese të qytetit në sfond krijojnë një pamje që s’të shlyhet lehtë nga kujtesa.

Parku gëlon nga kafshët e egra, ku futen bizonët, leopardët, gatopardët, gjirafat e zakonshme, majmunët, qindra antilopa dhe rinoqeronti i zi, i cili është një kafshë e rrallë dhe që rrezikon të zhduket. Shumica e tyre janë banorë të përhershëm. Gjatë sezonit të thatë, shkurt-mars dhe gusht-shtator, përreth pellgjeve të shumta në park mund të shohësh tufa të mëdha kafshësh shtegtare, të tilla si, antilopa afrikane (brilakuar).

Në disa pellgje, që në mënyrë të përshtatshme njihen si pellgjet e hipopotamëve, këta gjigantë në formë fuçie qëndrojnë gjithë ditën të zhytur ujë dhe dalin që andej për të kullotur natën. Rreth e qark këtyre burimeve të ujit janë ndërtuar shtigje që të prijnë drejt vendeve interesante. Aty vizitori mund të zbresë nga makina dhe të bëjë një shëtitje në këmbë. Megjithatë kujdes: shëtitje të tilla mund të jenë shumë të rrezikshme, pasi disa pellgje janë habitate të krokodilëve grabitqarë. Ata mund të jenë shtrirë sa gjatë e gjerë në breg dhe të mos vihen re nga vizitori i shkujdesur. Për të mos lejuar që të bëheni preja e tyre, do të bënit mirë të ecnit të shoqëruar nga rojat e stërvitura të parkut.

Lista e zogjve të ngjan me një listë anëtarësh të shquar të mbretërisë së shpendëve. Struci, shpendi më i madh ekzistues në botë, më shumë se dy metra i lartë, ka gjetur një shtëpi të përhershme këtu. Ajo që fluturon si shigjetë nëpër qiellin e qytetit është huta famëkeqe, e cila kryen punën e saj të pastrimit të kërmave. Ky shpend, që për syrin duket i shëmtuar, është i dobishëm për mjedisin, pasi e pastron parkun nga çdo kërmë që përndryshe do të bëhej burim mikrobesh të dëmshme për kafshët e tjera.

Me raste, mund të pikasësh zogun sekretar. Pas veshëve ai ka një tufë pendësh, të cilat i ngjajnë penave të bëra me pendë që dikur sekretarët i përdornin për të shkruajtur. Gjithmonë me ngut, ai të duket sikur nxiton nga një takim në tjetrin. Zogj të tjerë janë zogu çekan, krillat me kurorë, lejleku me bishtin si shalë për kuaj dhe çafkat e bardha.

Parku, ndonëse mund të jetë pak a shumë i vogël është një kryevepër ekologjike. Në perëndim të tij, një pyll zë pothuajse 6 për qind të vendit dhe aty bien nga 700 deri në 1.100 milimetra shi në vit. Këtu mund të shihen një mori pemësh ku futen edhe ryzoret dhe disa nga bimët e familjes qumështore. Pllaja të gjera, lugina dhe kreshta mbulojnë pjesën jugore dhe lindore, ku reshjet e shiut shkojnë nga 500 në 700 milimetra. Tërshëra e egër e kuqe, hurma e shkretëtirës, pema e llojit Acokanthera schimperi dhe disa lloje akaciesh kombinohen dhe i japin kësaj zone atmosferën e një savane të vërtetë.

Ia vlen të shihni edhe muret e pjerrëta madhështore të shkëmbinjve që zbresin rreth 100 metra poshtë në shtratin e luginës. Ato mund të jenë sfilitëse për të pasionuarit pas ngjitjes së shkëmbinjve, të paktën për ata që janë të gatshëm të provojnë të ngjiten.

Parku nën kërcënim

Shumë probleme që lidhen me mbrotjen e natyrës kanë një emërues të përbashkët, njeriun. Falë ‘përpjekjeve për zhvillim’ të njeriut, Parku Kombëtar i Najrobit së shpejti mund të përfundojë në asgjë. Qyteti i Najrobit, qendra e banimit, i cili bëri që bota ta duartrokiste parkun, vazhdon të zgjerohet, duke i shtyrë kafshët në një qoshe. Ndërkohë që më shumë njerëz shpërngulen në zonën urbane, kërkesa për tokë vazhdon të rritet dhe kafshët patjetër që nuk kundërshtojnë dot. Shkarkimet e ujërave të ndotura nga fabrikat e afërta gjithashtu përbëjnë një kërcënim për çdo gjë të gjallë në park.

Një faktor tjetër thelbësor për mbijetesën e parkut është edhe pasja e një rruge për shtegtimin e disa kafshëve. Një pjesë e madhe e parkut është rrethuar me gardh për t’i penguar kafshët që të enden nëpër qytet. Kultivimi i tokës dhe kullotja e kopeve në një zonë më të gjerë po e bllokojnë korridorin e vogël që mbetet në anën jugore të parkut. Mbyllja e plotë mund të ketë pasoja tragjike. Kafshët që dalin për të kërkuar kullota mund të mos kthehen dot më në park. Për ta shpëtuar këtë rrugë për shtegtimin e kafshëve, Shërbimi i Kenias për Kafshët e Egra, organizata kryesore në vend për mbrotjen e natyrës, ka marrë me qira një tokë pranë parkut. Pavarësisht nga problemet, Parku Kombëtar i Najrobit çdo vit vazhdon të bëjë për vete me mijëra vizitorë, të cilët soditin hiret e tij plot kontraste.

[Figura në faqen 24]

Gjirafa

[Figura në faqen 25]

Leopardi

[Figura në faqen 26]

Një tufë marabush

[Figura në faqen 26]

Krokodili

[Figura në faqen 26]

Luani

[Figura në faqen 26]

Krilla me kurorë

[Figura në faqen 26]

Rinoqeronti i zi

[Figura në faqen 26]

Struci