Të mos përdorim një të folur që lëndon
Pikëpamja e Biblës
Të mos përdorim një të folur që lëndon
«Nga e njëjta gojë dalin bekimi dhe mallkimi. Nuk është mirë, vëllezërit e mi, që këto gjëra të vazhdojnë të ndodhin kështu.»—JAKOVI 3:10.
AFTËSIA për të folur është një veçori e pashoqe që na bën të ndryshëm nga kafshët. Mjerisht, disa njerëz e përdorin keq këtë dhuratë. Fyerjet, sharjet, mallkimet, blasfemitë, shprehjet vulgare dhe fjalët e ndyra mund të lëndojnë—ndonjëherë më shumë sesa dëmtimet fizike. «Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë»,—thotë Bibla.—Fjalët e urta 12:18.
Gjithnjë e më shumë njerëz po e bëjnë zakon të shajnë e të mallkojnë. Shkollat njoftojnë se fëmijët po i përdorin më shpesh fjalët e pista. Megjithatë, disa njerëz thonë se i foluri lëndues mund të jetë i dobishëm kur përdoret për të shkarkuar emocionet që mbajmë përbrenda. Një student i shkencave politike shkroi: «I foluri i pistë mund të jetë i efektshëm, vetëm kur fjalët e zakonshme nuk arrijnë
të shprehin dot se sa të forta janë ndjenjat tona.» A duhet që të krishterët të kenë një qëndrim të tillë të shkujdesur për të folurit që lëndon? Çfarë mendon Perëndia për të?Të kemi neveri për shakatë e ndyra
I foluri i ndyrë nuk është diçka që u shfaq në kohët tona. A do të çuditeshit po të mësonit se edhe në ditët e apostujve, pothuajse 2.000 vjet më parë, njerëzit përdornin fjalë të ndyra? Për shembull, me sa duket, disa në kongregacionin e Kolosesë përdornin fjalë të ndyra kur zemëroheshin. Ndoshta e bënin këtë për t’i sulmuar ose për t’i lënduar me dashje të tjerët, mbase si shpagim. Po kështu, sot shumë njerëz e përdorin të folurit e ndyrë kur kanë shpërthime zemërimi. Prandaj, letra e Pavlit drejtuar kolosianëve është e përshtatshme edhe për ditët tona. Pavli shkroi: «Flakini vërtet prej jush të gjitha këto: furinë, zemërimin, të keqen, sharjen dhe të folurin e ndyrë nga goja juaj.» (Kolosianëve 3:8) Duket qartë se Bibla i këshillon të krishterët që të përmbahen nga shpërthimet e zemërimit dhe nga fjalët e ndyra që shpesh vijnë si pasojë e zemërimit.
Është e vërtetë se shumë njerëz nuk i përdorin fjalët e ndyra me qëllimin për të sulmuar ose për të lënduar të tjerët. Ka mundësi që në shumicën e rasteve fjalët e ndyra të përdoren pa e vrarë shumë mendjen. Kështu, shprehjet e ulëta nguliten thellë në të folurin e përditshëm. Disa, madje e kanë të vështirë të flasin pa përdorur fjalë të tilla. Shpesh, fjalët e ndyra përdoren edhe për të bërë humor. Por a duhet që ky i folur i ndyrë të shihet si një gabim më i lehtë dhe më i tolerueshëm? Le të shqyrtojmë sa vijon.
Shakatë e ndyra janë një i folur skandaloz që ka si qëllim të bëjë për të qeshur të tjerët. Sot, shumica e shakave të ndyra lidhen me seksin. Edhe shumë prej atyre që e mbajnë veten si njerëz të respektueshëm iu duket zbavitës një i folur i tillë. (Romakëve 1:28-32) Prandaj, nuk është e habitshme që shumë aktorë profesionistë të humorit futin në shakatë e tyre qoftë sjelljet seksuale të natyrshme, qoftë ato të panatyrshme. Shakatë e ndyra i dëgjon në shumë filma si edhe në programet në radio dhe në televizion.
Bibla nuk qëndron në heshtje lidhur me shakatë e ndyra. Apostulli Pavël u shkroi të krishterëve në Efes: «Kurvëria, ndyrësia e çdo lloji ose lakmia as të mos përmenden ndër ju, ashtu siç u ka hije të shenjtëve; as sjellja e turpshme, as e folura pa mend, as shaka të ndyra, të cilat nuk kanë hije.» (Efesianëve 5:3, 4) Është e qartë se shakatë e ndyra, pavarësisht se përse thuhen, janë diçka fyese në sytë e Perëndisë. Janë të pahijshme. Është një i folur që lëndon.
Fjalë të vrazhda që i shkaktojnë pakënaqësi Perëndisë
Sigurisht që në të folurin lëndues nuk futen vetëm fjalët e ndyra. Fyerjet, sarkazmat, talljet dhe kritikat e vrazhda mund të lëndojnë thellë. Është e vërtetë se të gjithë mëkatojmë kur flasim, sidomos në këtë ambient që na rrethon ku mbizotërojnë sarkazma dhe përgojimi. (Jakovi 3:2) Megjithatë, të krishterët e vërtetë kurrë nuk duhet të përvetësojnë një qëndrim të shkujdesur ndaj të folurit fyes. Bibla e tregon qartë se Perëndia Jehova nuk miraton asnjë lloj të foluri që lëndon.
Për shembull, në Bibël, në librin e dytë të Mbretërve, lexojmë për një grup djemsh që me talljet e tyre e shqetësonin profetin Elise. Tregimi thotë se ata «filluan të tallen me të, duke thënë: ‘Ngjitu, o kokë tullaci! Ngjitu, o kokë tullaci.’ » Jehovai, i cili mund të lexonte zemrat e atyre të rinjve, dhe të kuptonte qëllimin e tyre keqdashës, i konsideroi diçka të rëndë sharjet e tyre. Tregimi thotë se Perëndia i dënoi me vdekje këta 42 djem për shkak të të folurit të tyre lëndues.—2 Mbretërve 2:23, 24.
Izraelitët «u tallën me lajmëtarët e Perëndisë, përçmuan fjalët e tij dhe vunë në lojë profetët e tij, deri sa zemërimi i Zotit kundër popullit të tij arriti një pikë në të cilën nuk kishte rrugëdalje». (2 Kronikave 36:16) Ndonëse zemërimin e Perëndisë e solli në radhë të parë rruga e mosbindjes dhe e idhujtarisë që ndiqte populli i tij, vlen të thuhet se Bibla i përmend në mënyrë të veçantë keqtrajtimet gojore që u bëheshin profetëve të Perëndisë. Kjo nxjerr në pah se Perëndia e dënon haptas një sjellje të tillë.
Në përputhje me këtë, Bibla i këshillon të krishterët: «Mos e kritiko ashpër një më të 1 Timoteut 5:1) Këtë parim mund ta zbatojmë në mënyrën se si i trajtojmë të gjithë njerëzit. Bibla na inkurajon ‘të mos flasim keq për askënd, të mos kemi një qëndrim luftarak, të jemi të arsyeshëm, duke treguar tërë butësinë kundrejt të gjithë njerëzve’.—Titit 3:2.
moshuar.» (Të përmbajmë buzët tona
Ka raste kur mund të jetë e vështirë që t’i rezistojmë dëshirës së fortë për të sulmuar dikë me fjalë. Kur dikujt i kanë bërë ndonjë të keqe, ky njeri mund të ndihet i justifikuar për t’ia shpaguar ofenduesit me fjalë të ashpra, të vrazhda—duke ia thënë në sy ose prapa krahëve. Megjithatë, të krishterët nuk dorëzohen para kësaj dëshire të fortë. Fjalët e urta (Proverbat, BR) 10:19 thotë: «Në bollëkun e fjalëve nuk mungon shkelja, por kush i përmban buzët e tij vepron me maturi.»—BR.
Engjëjt e Perëndisë lënë një shembull të mirë. Ata i dinë të gjitha gjërat e gabuara që bëjnë njerëzit. Edhe pse në krahasim me njerëzit, engjëjt janë më të mëdhenj për nga forca dhe nga fuqia, ata nuk i akuzojnë njerëzit me fjalë sharëse, «nga respekti që kanë për Jehovain». (2 Pjetrit 2:11) Duke ditur se Perëndia është plotësisht në dijeni për keqbërjet e çdokujt dhe se është plotësisht i aftë për t’i ndrequr gjërat, engjëjt i përmbajnë buzët e tyre. Mikaeli, më i madhi i të gjithë engjëjve, nuk e lejoi veten që të përdorte fjalë sharëse, madje edhe kundër Djallit.—Juda 9.
Të krishterët përpiqen fort për të imituar engjëjt. Ata ndjekin këshillën e Biblës: «Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe. Kujdesuni të bëni gjëra të shkëlqyera para të gjithë njerëzve. Nëse është e mundur dhe aq sa varet prej jush, jini paqësorë me të gjithë. Mos u hakmerrni për veten, o të dashur, por lërini vend zemërimit të Perëndisë; sepse është shkruar: ‘Hakmarrja është e imja; unë do të shpaguaj,—thotë Jehovai’. »—Romakëve 12:17-19.
Është interesante, se madje edhe toni dhe volumi i zërit tonë mund të bëjë që çka themi t’i lëndojë të tjerët. Nuk është e rrallë që bashkëshortët ta lëndojnë njëri-tjetrin, duke u grindur me zë të lartë. Shumë prindër u bërtasin shpesh fëmijëve të tyre. Megjithatë, nuk ka nevojë të bërtasim kur shprehim atë që ndiejmë. Bibla na nxit: «Le të hiqet prej jush çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi, e bërtitur dhe sharje.» (Efesianëve 4:31) Gjithashtu, Bibla thotë se «skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë zemërbutë me të gjithë».—2 Timoteut 2:24.
Fjalë që shërojnë
Për shkak se i foluri i vrazhdë dhe i ndyrë është kaq i përhapur sot, të krishterët duhet të kenë një strategji për t’i rezistuar këtij ndikimi të dëmshëm. Bibla na mëson një strategji të mirë: ta duam të afërmin tonë. (Mateu 7:12; Luka 10:27) Interesimi i sinqertë dhe dashuria për të afërmin do të na motivojë që gjithmonë të themi fjalë që shërojnë. Bibla thotë: «Asnjë thënie e kalbur të mos dalë nga goja juaj, por çdo thënie që është e mirë për të ndërtuar sipas nevojës, që t’u japë atë që është e favorshme atyre që e dëgjojnë.»—Efesianëve 4:29.
Gjithashtu, ngulitja e Fjalës së Perëndisë në mendjet tona do të na ndihmojë të përpiqemi të mos përdorim një të folur që lëndon. Leximi dhe meditimi rreth Shkrimeve të Shenjta mund të na ndihmojë për të ‘flakur tej çdo fëlliqësi’. (Jakovi 1:21) Po, Fjala e Perëndisë mund ta shërojë mendjen tonë.