Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vlera të ndryshuara: A e ndieni se diçka ka humbur?

Vlera të ndryshuara: A e ndieni se diçka ka humbur?

Vlera të ndryshuara: A e ndieni se diçka ka humbur?

«CILI është problemi më shqetësues që po kalon vendi?» Kur u bë kjo pyetje, shumica e njerëzve të anketuar në Shtetet e Bashkuara e vunë prishjen e familjes dhe prishjen e moralit në krye të listës së shqetësimeve të tyre ose i radhitën ato ndër gjërat që i shqetësonin më shumë. Por nuk janë vetëm ata që ndihen kështu.

Për shembull, e përditshmja e Parisit International Herald Tribune tha: «Duket qartë që ekziston një dëshirë e zjarrtë, sidomos midis të rinjve, për të pasur njëfarë koncepti të përbashkët për të ardhmen, një tërësi vlerash të pranuara, me të cilat të përballojnë dhe të mbajnë nën kontroll forcat nxitëse të lakmisë, egoizmit ose humbjes së unitetit, të cilat me sa duket po mbizotërojnë botën. . . . Ky debat në rritje rreth nevojës për një etikë të pranuar në mbarë botën është një pohim i faktit se diçka ka humbur.»

A mendoni se qeveritë dhe udhëheqësit botërorë, duke përfshirë drejtuesit e biznesit, ndjekin ato vlera që nevojiten për të na udhëhequr drejt një të ardhmeje më të lumtur dhe më të sigurt? A e ndjeni se diçka ka humbur, të paktën në njëfarë mase, si pasojë e ndryshimit të vlerave që vëreni përreth jush?

Një çështje që përbën shqetësim të thellë mund të jetë siguria personale. A jetoni në një zonë ku mund të ndihesh i sigurt edhe po të mos e mbyllësh me çelës derën e shtëpisë? A ndiheni të qetë po të ecni natën në lagjen tuaj? Edhe pse ndoshta lumturisht jetoni në një zonë ku nuk ka luftë, trazira etnike ose përleshje vdekjeprurëse midis bandave, përsëri mund të keni frikë se mos dikush ju sulmon, ju plaçkit ndërsa ecni në rrugë, ju hyn me forcë në shtëpi ose ju vjedh diçka. Është e kuptueshme që të gjitha këto mund të shkaktojnë ankth dhe ndjenjën se diçka ka humbur.

Përveç kësaj, ndoshta e keni humbur, të paktën në njëfarë masë, atë besim që dikur kishit te të tjerët. Nga përvoja, ndoshta në punë ose në jetë, mund të keni hasur një prirje që sa vjen e theksohet: njerëzit janë gati t’ju dëmtojnë nëse kjo gjë është edhe sado pak në interesin e tyre.

Nevojitet shembulli i qeverisë

Gjatë historisë ka ekzistuar një lidhje e ngushtë dhe e njohur midis vlerave që shfaqin individët në një shoqëri dhe vlerave që manifeston qeveria e atij vendi. Kalvin Kullixh, i cili më vonë u bë president i Shteteve të Bashkuara tha: «Njerëzit flasin për të drejta natyrore, por ftoj çdokënd që të më tregojë se në ç’vend ka pasur ose është njohur ndonjëherë ndonjë e drejtë, para se të krijohej një grup ligjesh zyrtare përkatëse, me anë të të cilave ajo të shpallej dhe të mbrohej.»

Si përfundim, është qeveria—pavarësisht se si ka ardhur në pushtet—që mund të nxitë ose të pengojë të drejta civile të tilla si liria e shtypit, liria e grumbullimit, liria e fesë, liria për të shprehur bindjet në publik, për të mos u arrestuar ose cenuar në mënyrë të paligjshme dhe për të pasur një proces gjyqësor të paanshëm.

Abraham Linkolni, i cili më vonë do të bëhej president i Shteteve të Bashkuara, tha dikur: «Qëllimi legjitim i qeverisë është të kryejë për një bashkësi njerëzish çdo gjë për të cilën ata kanë nevojë, por që vetëm nuk mund ta bëjnë dot, ose nuk mund ta bëjnë aq mirë—po të bazohen vetëm te aftësitë individuale të pavarura.» Kur qeveritë përpiqen të përmbushin qëllime kaq fisnike, njerëzit janë të prirur të kenë besim tek ata që janë në pushtet.

Megjithatë sot, duket sikur cinizmi dhe dyshimi e kanë zëvendësuar një siguri dhe një besim të tillë. Një studim i kohëve të fundit në Shtetet e Bashkuara tregoi se 68 për qind e të anketuarve mendonin se nga pikëpamja etike veprimet e zyrtarëve federalë linin për të dëshiruar ose ishin të ulëta. Në shumë vende përshtypja e publikut për qeveritarët është tronditur për shkak të skandaleve, të ryshfeteve dhe të korrupsionit që kanë prekur rangjet më të larta. Është e kuptueshme që kjo ka bërë që gjithnjë e më shumë njerëz të ndiejnë se diçka ka humbur.

Shembulli i mirë i mbretit Solomon

Një shembull nga kohët e lashta ilustron se ç’ndikim të madh mund të kenë vlerat që ndjekin qeveritarët. Mbreti Solomon sundoi mbi 12 fiset e Izraelit nga viti 1037 p.e.s. deri më 998 p.e.s. Babai i tij, mbreti David, kishte qenë një nga mbretërit më të shquar të Izraelit. Bibla e përshkruan Davidin si dashurues të së vërtetës dhe të drejtësisë dhe mbi të gjitha, si një njeri që kishte besim dhe siguri të plotë te Perëndia i tij, Jehovai. Davidi i mësoi Solomonit të njëjtat vlera.

Perëndia i Plotfuqishëm iu shfaq Solomonit në ëndërr dhe i tha: «Më kërko atë që do dhe unë do të ta jap.» (2 Kronikave 1:7) Në vend që të kërkonte pasuri të mëdha, lavdi personale ose fitore politike, Solomoni zbuloi cilat vlera quante të shtrenjta, duke kërkuar një zemër të mençur, me kuptueshmëri dhe të bindur, në mënyrë që ta drejtonte mirë kombin e Izraelit.

Çfarë ndikimi pati sundimi i Solomonit te populli? Perëndia e bekoi atë me mençuri, lavdi dhe pasuri, për sa kohë që ai i qëndroi besnik vlerave frymore të kombit. Zbulimet arkeologjike dëshmojnë për begatinë e mbretërisë së Solomonit. Libri The Archaeology of the Land of Israel (Arkeologjia e truallit të Izraelit) thotë: «Pasuria që vërshonte nga të gjitha anët drejt oborrit mbretëror dhe lulëzimi i tregtisë . . . sollën një revolucion të shpejtë dhe të dukshëm në çdo aspekt të jetës ekonomike.»

Po, qeverisja e mirë e Solomonit u solli paqe, siguri dhe lumturi nënshtetasve të tij. «Juda dhe Izraeli, nga Dani deri në Beer-Sheba, jetuan të sigurtë, secili nën pjergullën dhe fikun e tij, tërë kohën që mbretëroi Salomoni.»—1 Mbretërve 4:20, 25.

Shembulli i keq i mbretit Solomon

Megjithatë është për të ardhur keq që ashtu si vlerat e shumë udhëheqësve të ditëve tona, edhe vlerat që respektonte Solomoni me kalimin e kohës ndryshuan. Tregimi biblik thotë: «Ai pati si bashkëshorte shtatëqind princesha dhe treqind konkubina; dhe bashkëshortet e tij ia çoroditën zemrën. Kështu, kur Salomoni u plak, bashkëshortet e tij ia kthyen zemrën në drejtim të perëndive të tjera; dhe zemra e tij nuk i përkiste plotësisht Zotit, Perëndisë të tij ashtu si zemra e Davidit, atit të tij.»—1 Mbretërve 11:3, 4.

Çfarë pasoje pati ndryshimi i vlerave të mbretit Solomon te populli i tij? Pavarësisht nga zotësia dhe mençuria e tij e madhe, Solomoni u bë një sundimtar shtypës në periudhën e fundit të mbretërimit së tij. Shpenzimet e mëdha të qeverisë u bënë një barrë e rëndë për ekonominë e vendit. Punëtorët u bënë të pakënaqur. Kundër mbretit dolën rivalë politikë dhe u përpoqën t’i uzurponin fronin. Kombit iu dobësua shumë ndjenja e unitetit. Sa ironik është fakti që vetë Solomoni shkroi: «Kur të drejtët shumohen, populli gëzohet, por, kur sundon i pabesi, populli rënkon.»—Fjalët e urta 29:2.

Pak pas vdekjes së Solomonit, trazirat politike dhe mosbesimi sollën si pasojë përçarjen e kombit dhe një periudhë mundimesh, mungese të unitetit dhe kushtesh gjithnjë e më të këqija. Izraelitët provonin një ndjenjë mbytëse humbjeje. Qeveria e tyre i kishte ndryshuar vlerat që respektonte më parë, duke harruar të bënte atë që ishte për të mirën e popullit. Thelbi i problemit ishte se udhëheqësit e tyre nuk e kishin përfillur Jehovain dhe ligjet e tij. Si pasojë vuajti i gjithë populli.

Mosbesimi i përhapur në ditët tona

Sot, në qarqet qeveritare, të biznesit dhe ato fetare, shumë njerëz i kanë kushtuar pak kujdes mbajtjes së normave të larta. Kjo gjë ka bërë që njerëzit në përgjithësi, në mendjet dhe në zemrat e tyre, të ndiejnë se diçka ka humbur. Gjithnjë e më shumë qeveritë dhe udhëheqësit e tjerë nuk janë në gjendje të zgjidhin problemet thelbësore të vendeve të tyre.

Për shembull, ata nuk kanë mundur t’u japin fund luftërave, të frenojnë rritjen e çmimeve për kujdesin shëndetësor ose të kenë nën kontroll pasojat e këqija të tregtisë së drogës. Gjithashtu, ka pasur një degradim të sistemit arsimor. Disa qeveri madje financojnë bixhozin e organizuar. Po kështu, shumë drejtues biznesesh dhe udhëheqës fetarë i kanë zhgënjyer tmerrësisht njerëzit për shkak të veprimeve të tyre të korruptuara dhe imorale. Nuk është për t’u habitur që është përhapur shumë mosbesimi në ndershmërinë e atyre njerëzve nga të cilët të tjerët presin të udhëhiqen.

A është e mundur që ndonjë qeveri të mbrojë e madje edhe të marrë drejtimin në përkrahjen e vlerave dhe të drejtave themelore njerëzore? Po, është e mundur. Artikulli përmbyllës do të shpjegojë si.

[Diçitura në faqen 7]

‘Me sa duket, lakmia, egoizmi dhe humbja e unitetit po mbizotërojnë të gjithë botën.’​—INTERNATIONAL HERALD TRIBUNE

[Figurat në faqen 8]

Kur mbreti Solomon u bindej ligjeve të Perëndisë, ai iu transmetoi vlera të larta nënshtetasve të tij