Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Ujqit shkojnë për peshk
Për vite të tëra mendohej se ujqit ushqeheshin vetëm me kafshë që jetojnë në tokë, si për shembull me drerë. Por, sipas Vancouver Sun të Kanadasë, ujqit që rrojnë në pyjet e shiut përgjatë bregut qendror të Kolumbisë Britanike janë parë duke ngrënë midhje e molusqe të ndryshme, madje edhe salmon, «deri në 20 të tillë në orë». Ata e përgjojnë vjedhurazi peshkun, pastaj «me një lëvizje të shpejtë e vdekjeprurëse hidhen me vendosmëri në ujë dhe sulmojnë», duke ia dalë mbanë në 40 për qind të rasteve. Megjithatë, ajo që i habit kërkuesit është se ujqit kanë zakon të hanë vetëm kokën e salmonit. Kërkuesi Kris Darimont hedh idenë se koka mund të ketë përbërësit ushqimorë të preferuar ose që trupi i salmonit mund të ketë parazitë të dëmshëm. «Këta ujq po na habitin vazhdimisht. E gjithë kjo më bën të pyes veten se sa mistere të tjera të shumta ka në pyjet e shiut»,—thotë Darimonti.
Të stërvitur për të qenë tiranë të vegjël
«Në shtëpitë tona e bëjnë ligjin fëmijët!—thuhet në të përjavshmen polake Wprost.—Kryesisht për ta ne blejmë rroba të kushtueshme, artikuj kozmetikë dhe pajisje moderne elektronike. Në familjet me të ardhura të pakta e mesatare, deri në 80 për qind e buxhetit shpenzohet për adoleshentët.» Duke komentuar për kërkimin e bërë nga Maugorzhata Rimkeviçi, e cila punon në Universitetin e Varshavës për Prindërit, artikulli tregon disa simptoma të sjelljes tiranike te fëmijët. Për shembull, në vend që t’u jenë mirënjohës prindërve, «ata kërkojnë gjithnjë e më shumë, s’janë të kënaqur me atë që marrin, janë agresivë [dhe] s’kanë fare konsideratë për të tjerët». Rimkeviçi thotë: «Po bëjmë gabime të tmerrshme në rritjen e fëmijëve, duke i lejuar edhe fëmijët e vegjël të bëjnë gjithçka që duan.» Shoqata Polake e Psikologëve e pranon këtë dhe thotë: «Kufijtë që njeh një adoleshent varen nga kufijtë që i janë vënë nga mosha një deri në katër vjeç. . . . Duke u lëshuar pe gjithë protestave dhe agresivitetit të adoleshentëve, thjesht jemi duke rritur tiranë.»
Agjenci për prishjen e martesave
Sipas një artikulli në gazetën IHT Asahi Shimbun të Tokios, disa të martuar në Japoni, të cilët s’janë të lumtur në martesën e tyre, po paguajnë disa agjenci për të prishur martesat. Nëse një burrë dëshiron të heqë qafe të shoqen, por nuk ka bazë për divorc, ai mund të paguajë një agjenci ‘për prishjen e çifteve’, e cila dërgon një burrë të pashëm që ‘rastësisht’ takon të shoqen e klientit dhe fillon një lidhje me të. S’kalon shumë dhe gruaja pranon të divorcohet nga burri i saj. Meqë e ka mbaruar punën e tij, i dashuri i punësuar zhduket nga skena. Po ashtu, kur gruaja dëshiron të heqë qafe të shoqin, agjencia dërgon një grua tërheqëse që ta joshë burrin për të pasur marrëdhënie seksuale. Sipas një gruaje 24-vjeçare, burrat të cilëve u afrohet ajo «pothuajse asnjëherë nuk thonë jo. Do të thosha se ia dal mbanë në 85 deri 90 për qind [të rasteve]». Sipas gazetës, presidenti i një agjencie i pushon nga puna punonjësit që nuk ia dalin mbanë 3 herë në 5 raste. «Duhet t’ia dalin mbanë,—tha ai.—Ky është biznes.»
Fëmijë të rrugës: Përse?
«Dhuna në shtëpi është arsyeja kryesore pse fëmijët dhe adoleshentët ikin nga shtëpia dhe jetojnë në rrugë»,—thotë gazeta braziliane O Estado de S. Paulo. Nga një anketë e kohëve të fundit, bërë me 1.000 fëmijë të rrugës, të strehuar në Fondacionin e Rio-de-Zhanejros për Fëmijë dhe Adoleshentë, u zbulua se 39 për qind e tyre ishin keqtrajtuar ose kishin parë konflikte në shtëpi. «Këta fëmijë janë në kërkim të dinjitetit dhe ecin me iluzionin se do ta gjejnë këtë dinjitet rrugëve»,—tha sociologia Leni Shmic. Nga studimi u zbulua se 34 për qind e fëmijëve jetonin në rrugë që të bënin ç’punë t’u dilte përpara ose të lypnin, 10 për qind jetonin në rrugë sepse kishin filluar të merrnin drogë dhe 14 për qind thanë se thjesht donin të jetonin në rrugë. Sipas kërkuesve, kjo arsye e fundit shpesh fsheh arsye të tjera, si abuzimin seksual në shtëpi. Sipas Shmicit, rreth 71 për qind jetonin me fëmijë të tjerë të rrugës, duke krijuar «hierarkinë e tyre familjare, duke i quajtur fëmijët e tjerë të rrugës vëllezër, xhaxhallarë, dajallarë, etër ose nëna».
Misionarët lënë Krishtin për t’u dhënë pas bamirësive
«Janë të shumtë misionarët që e lënë pas dore Jezuin.» Kështu shkruhej kohët e fundit në gazetën italiane La Stampa. Në vend që të predikojnë për Krishtin, sipas të dhënave, këta misionarë u japin përparësi programeve shoqërore të planifikuara për të lehtësuar varfërinë dhe vuajtjet. Sipas një vendndodhjeje në Internet të Vatikanit, kardinali Kreshenco Sepe, prefekt i Kongregacionit të Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve, tha për misionarët katolikë: «Tundimi i madh në dhjetëvjeçarët e fundit . . . ka qenë lënia pas dore e shpalljes hapur të Krishtit dhe e aspektit frymor të misionit ad gentes [te popujt]. Kjo ka shkaktuar që disa misionarë të mjaftohen duke bërë thjesht një lloj bamirësie e cila s’ka fare përmbajtje frymore, një lloj veprimtarie shoqërore që ndonëse është e dobishme, i mungon fryma apostolike që del kaq qartë te Veprat e apostujve.»
Edhe më shumë rreziqe nga duhani
«Gratë që pinë edhe sikur tri cigare në ditë mund ta dyfishojnë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe të vdekjes së parakohshme»,—njofton The Daily Telegraph e Londrës. Nga një studim 20-vjeçar i bërë me 12.000 gra dhe burra danezë, u zbulua për herë të parë se edhe pirja e një numri të vogël cigaresh në ditë është e rrezikshme. Edhe duhanpirësit që nuk e thithnin tymin kishin më shumë rreziqe shëndeti. Amanda Sendfordi, zëdhënëse e organizatës Action on Smoking and Health, tha se duke parë faktet që zbuloi ky studim, «duhanpirësit duhet të vënë si synim që ta lënë fare duhanin». Në një studim tjetër, të raportuar në The Times të Londrës, mjekët në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Athinës në Greqi zbuluan se ekspozimi i rregullt ndaj tymit të duhanit që e pi dikush tjetër, vetëm për 30 minuta në ditë, (që sipas përllogaritjeve është baras me pirjen e një cigareje) mund ta shtojë rrezikun e sëmundjeve të zemrës 47 për qind te burrat që s’pinë duhan dhe 56 për qind te gratë.
Plazhe vetëm për fokat e rrezikuara
Që nga viti 1996, foka murg e Mesdheut ka qenë ndër dhjetë kafshët më të rrezikuara të botës, sipas raportit të Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës dhe të Burimeve Natyrore. Rreth 400 deri në 600 nga këto foka jetojnë ende në gjendje të lirë. Numri i tyre u zvogëlua kur u bënë shënjestër e gjahtarëve dhe u vranë pa dashje nga peshkatarët. Më vonë, vuajtën edhe nga shkatërrimi i habitatit të tyre si pasojë e turizmit dhe e zhvillimit, sipas shpjegimeve të gazetës spanjolle El País. Prandaj, fokat kërkuan strehë nëpër shpella. Por dallgët e furishme gjatë stuhive i kthejnë shpellat në kurthe vdekjeprurëse për të vegjlit e fokave. Tani, qeveria e Spanjës dhe ajo e Mauritanisë po bashkëpunojnë për të krijuar një zonë të mbrojtur bregdetare afër shpellave dhe shkëmbinjve të Kabo-Blankos në Bregun Atlantik të Saharasë Perëndimore. Kjo zonë tani ka 150 foka murg, që përbën grupin më të madh të tyre. Ndërhyrjet njerëzore me sa duket do të mbahen në minimum.
Para plastike
Në tetor të vitit 2002 Meksika u bashkua me vendet që përdorin para plastike. Pak nga pak, kartëmonedhat prej letre po zëvendësohen me kartëmonedha plastike. Sipas gazetës El Universal, paratë plastike tashmë përdoren në Australi, Brazil, Rumani dhe në Zelandën e Re. Në gazetë thuhet se kinezëve u takon merita që futën përdorimin e parave prej letre, kurse australianëve merita që prodhuan polimerin me të cilin bëhen këto kartëmonedha të reja. Kartëmonedhat plastike kanë disa anë të mira. Përveçse janë më të pastra, ato «rrojnë katër herë më shumë se kartëmonedhat prej letre, janë më rezistente gjatë përdorimit të përditshëm, . . . është më e vështirë të falsifikohen dhe mund të riciklohen në fund të jetëgjatësisë së tyre».