Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si m’u plotësua etja për gjërat frymore

Si m’u plotësua etja për gjërat frymore

Si m’u plotësua etja për gjërat frymore

TREGUAR NGA LUÇIA MUSANET

E STREHUAR mes maleve në skajin veriperëndimor të Italisë, afër Alpeve Zvicerane dhe të famshmit Mon Blan të Francës, ndodhet krahina Vale d’Aosta. Aty linda unë në vitin 1941, në qytezën e vogël Shalant-Sent-Anselm.

Isha më e madhja nga pesë fëmijët, katër të tjerët ishin djem. Mamaja ishte shumë punëtore dhe katolike e flaktë. Edhe babai vinte nga një familje fetare. Dy nga motrat e tij ishin murgesha. Prindërit bënë shumë sakrifica për mua nga ana materiale, duke më dhënë mundësi që edhe të shkollohesha. Në qytezën tonë të vogël s’kishte shkolla, prandaj, kur mbusha 11 vjeç, prindërit më dërguan në një shkollë me konvikt, të drejtuar nga murgeshat.

Atje studiova latinisht dhe frëngjisht, përveç lëndëve të tjera. Pastaj, kur u bëra 15 vjeçe, fillova të mendoja seriozisht se si t’i shërbeja Perëndisë. Arrita në përfundimin se mënyra më e mirë për t’i shërbyer atij ishte të hyja në një manastir. Mirëpo prindërve nuk u pëlqeu kjo ide, sepse gjithë barra për t’u kujdesur për vëllezërit e mi do t’i binte mamasë. Ata kishin shpresuar që me shkollimin do të arrija të gjeja një punë të mirë dhe të ndihmoja ekonomikisht familjen.

Ndonëse reagimi i prindërve më trishtoi, doja të kisha një qëllim të vërtetë në jetë dhe mendoja se Perëndia duhej të zinte vendin e parë. Prandaj, në vitin 1961, hyra në një manastir katolik.

Jeta si murgeshë

Në muajt e parë studiova normat dhe rregullat e kishës, si dhe u mora me punë të ndryshme fizike përreth manastirit. Në gusht të vitit 1961 fillova periudhën si rishtare ose fillestare dhe nisa të mbaja veshjen e murgeshave. Gjithashtu propozova një emër të ri për veten, Ines, emrin e mamasë sime. Kur ky emër u pranua, nisën të më quanin motra Ines.

Ndonëse shumica e rishtareve bënin punë fizike përreth manastirit, unë kisha bërë mjaft shkollë sa për të punuar si mësuese në shkollën fillore. Dy vjet më vonë, në gusht të vitit 1963 bëra betimin dhe u bëra murgeshë në urdhrin e motrave të San Xhuzepes në Aosta, Itali. Më vonë, manastiri financoi arsimimin tim të mëtejshëm, duke më dërguar në Romë në Universitetin Maria Santisima Asunta.

Pasi u ktheva në Aosta në vitin 1967, kur kisha mbaruar studimet në Romë, fillova të jepja mësim në një shkollë të mesme. Në vitin 1976 më propozuan vendin si drejtoreshë e shkollës. Ndonëse jepja ende disa orë mësim, më caktuan në administrimin e shkollës dhe u bëra anëtare e seksionit të arsimit për krahinën Vale d’Aosta.

Në të vërtetë, dëshira ime ishte të ndihmoja të varfrit. Më copëtohej zemra për ta. Prandaj organizoja lloj-lloj programesh shoqërore, duke përfshirë një program për të ndihmuar të sëmurët në fazën e fundit, të cilët ishin pa familje. Organizova edhe një program për t’u kujdesur për fëmijët e imigrantëve. Veç kësaj, u gjeja punë e shtëpi të varfërve dhe merresha me sigurimin e ndihmës mjekësore për ata që ishin në nevojë. Përpiqesha të jetoja në harmoni me parimet fetare të kishës.

Në atë kohë e pranoja teologjinë katolike, duke përfshirë mësime të kishës, si: Trinitetin, pavdekësinë e shpirtit dhe pikëpamjet katolike për të ardhmen e përjetshme të njeriut. Në atë kohë teologjia katolike pranonte edhe pikëpamje të tilla, si pluralizmi i besimit, që do të thoshte pranimin dhe bashkëjetesën me fetë e tjera.

Gjëra që filluan të më shqetësonin

Megjithatë kishte disa veprimtari brenda Kishës Katolike që më shqetësonin. Për shembull, para pagëzimit dhe krezmimit, prindërit dhe fëmijët duhej të studionin se çfarë nënkuptonin këta hapa. Por shumica e tyre as që vinin ndonjëherë në klasat e mësimit dhe të tjerë nuk bënin përpjekje për të studiuar. Për më tepër, disa që nuk pranoheshin për pagëzim dhe krezmim në një famulli, thjesht shkonin në një famulli tjetër për t‘u pagëzuar ose krezmuar atje. Për mua kjo ishte një gjë sipërfaqësore dhe hipokrite.

Nganjëherë, pyetja veten e pastaj edhe murgeshat e tjera: «A nuk duhet të predikojmë Ungjillin, në vend që t’u kushtohemi gjithë këtyre veprimtarive të tjera?» «Ne predikojmë duke bërë vepra të mira»,​—ishte përgjigjja që merrja.

Përveç kësaj, e kisha të vështirë të besoja se duhej të shkoja te një prift për të rrëfyer mëkatet e mia. Arsyetoja që duhej të isha në gjendje të flitja vetë me Perëndinë për gjëra të tilla personale. Për më tepër, e kisha të vështirë të pranoja edhe idenë që duhej të mësoja përmendësh dhe të përsëritja lutjet. Po ashtu, s’e besoja dot që papa ishte i pagabueshëm. Me kalimin e kohës arrita në përfundimin që do të mbaja bindjet e mia për këto gjëra dhe thjesht do të vazhdoja të bëja një jetë fetare.

Dëshira për njohuri biblike

Gjithnjë kisha respekt të thellë për Biblën dhe dëshirë për ta njohur atë. Sa herë që duhej të merrja ndonjë vendim ose ndieja nevojën për mbështetjen e Perëndisë, lexoja Biblën. Ndonëse nuk e studionim kurrë Biblën në manastir, unë e lexoja vetë. Gjithnjë më bënte përshtypje përshkrimi tek Isaia 43:10-12, ku Perëndia Jehova tha «Dëshmitarët e mi jeni ju». Megjithatë, në atë kohë, nuk e kuptoja domethënien e plotë të këtyre fjalëve.

Ndërsa ndiqja universitetin në Romë në mesin e viteve 60, isha regjistruar në një kurs katërvjeçar teologjie që financohej nga Vatikani. Por Bibla nuk ishte përfshirë si libër për t’u studiuar. Pasi u ktheva në Aosta, ndoqa shumë konferenca ekumenikale, madje edhe disa të financuara nga organizata ndërfetare dhe jokatolike. Kjo ma shtoi edhe më shumë etjen për të njohur mësimet e Biblës. Kishte kaq shumë pështjellim ndër grupet që pohonin se u mësonin të tjerëve të njëjtin libër.

Mësoj më shumë për Biblën

Në vitin 1982, një Dëshmitare e Jehovait erdhi në qendrën ku bëja punë shoqërore dhe u përpoq të fillonte me mua një bisedë për Biblën. Ndonëse isha shumë e zënë me punë, më tërhoqi mendimi që të mësoja për Biblën. Prandaj i thashë: «Të lutem, kalo nga shkolla ime dhe, kur të kem ndonjë orë të lirë, mund të flasim.»

Ndonëse ajo grua erdhi vërtet të më vizitonte, në programin tim s’kishte asnjë «orë të lirë». Më pas, mamaja mori vesh se ishte me kancer, kështu që së fundi mora një leje që të shkoja t’i rrija pranë. Pasi më vdiq mamaja në prill të vitit 1983, u ktheva në punë, por në atë kohë Dëshmitarët i kishin humbur lidhjet me mua. Gjithsesi, pak kohë më pas, një Dëshmitare tjetër, rreth të 25-ave, më vizitoi që të më fliste për Biblën. Në atë kohë po lexoja vetë librin biblik të Zbulesës. Prandaj e pyeta: «Cilët janë këta 144.000 të përmendur këtu në kapitullin e 14-të të Zbulesës

Kisha mësuar se të gjithë njerëzit e mirë do të shkonin në qiell, prandaj s’e kuptoja dot pse këta 144.000 me sa duket ndaheshin nga të tjerët në qiell. Pyetja veten: ‘Cilët janë këta 144.000? Çfarë bëjnë ata?’ Këto pyetje më kalonin vazhdimisht në mendje. Dëshmitarja i vazhdoi përpjekjet për të më gjetur, por unë isha kaq shpesh në lëvizje, saqë asnjëherë nuk ia doli mbanë.

Përfundimisht, Dëshmitarja ia dha adresën time Markos, një plaku në kongregacionin e saj. Më në fund, në shkurt të vitit 1985, ai më gjeti. Folëm vetëm ca minuta, sepse isha e zënë, por lamë një takim. Më vonë, ai së bashku me të shoqen, Linën, më bëri rregullisht vizita, duke më ndihmuar të kuptoja Biblën. Brenda pak kohe arrita të kuptoja se mësime themelore katolike, si Triniteti, pavdekësia e shpirtit dhe zjarri i ferrit nuk ishin të bazuara fare në Bibël.

Shoqërohem me Dëshmitarët

Kur shkova në një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait në Sallën e tyre të Mbretërisë, e pashë qartë se gjërat aty ishin shumë ndryshe nga kisha katolike. Këndonin të gjithë, jo vetëm një kor. Pastaj merrnin pjesë të gjithë në mbledhje. Fillova të kuptoja edhe se e gjithë organizata ishte e përbërë nga «vëllezër» dhe «motra». Që të gjithë ata interesoheshin vërtet për njëri-tjetrin. Këto gjëra më bënë përshtypje.

Gjatë asaj kohe i ndiqja mbledhjet e veshur si murgeshë. Ishte e dukshme që disa u prekën kur panë një murgeshë në Sallën e Mbretërisë. Ndjeva gëzimin dhe kënaqësinë që vjen kur je e rrethuar nga dashuria e një familjeje të madhe. Gjithashtu, ndërsa studioja, fillova të kuptoja se shumë nga parimet mbi të cilat kisha themeluar jetën time nuk ishin në harmoni me Fjalën e Perëndisë. Për shembull, Bibla nuk thotë gjë që shërbëtorët e Perëndisë duhet të veshin ndonjë veshje të veçantë. Hierarkia dhe pompoziteti i kishës ishin shumë ndryshe nga ajo që mëson Bibla për pleqtë e përulur që marrin drejtimin në kongregacion.

Ndihesha sikur po qëndroja mbi një gropë më rërë thithëse, sikur nuk kisha tokë të qëndrueshme nën këmbë. Më dukej e pamundur që kisha jetuar me bindje të gabuara për 24 vjet. Megjithatë e dallova qartë tingullin e së vërtetës biblike. Më frikësonte ideja që në moshën 44-vjeçare duhej ta filloja prapë jetën nga e para. Por, si mund të vazhdoja të ecja me sy mbyllur tani që kisha parë se çfarë mëson në të vërtetë Bibla?

Vendim kyç

E dija se largimi nga manastiri do të thoshte për mua që të mos kisha asgjë nga ana ekonomike. Megjithatë sillja ndër mend fjalët e Davidit, kur tha që të drejtët ‘nuk janë braktisur kurrë dhe pasardhësve të tyre nuk u është dashur të lypin për bukë’. (Psalmi 37:25) E dija se do të humbja disi sigurinë nga ana materiale, por e vura besimin te Perëndia dhe nxora përfundimin: ‘Nga çfarë duhet të kem me të vërtetë frikë?’

Familjarët e mi menduan se isha çmendur. Ndonëse kjo më shqetësonte, solla ndër mend fjalët e Jezuit: ‘Ata që e duan babanë ose nënën më shumë se mua, nuk janë të denjë për mua.’ (Mateu 10:37) Në të njëjtën kohë, disa gjeste të thjeshta nga Dëshmitarët më dhanë zemër dhe më forcuan. Ndërsa ecja rrugës me veshjen prej murgeshe, ata bënin çmos që të vinin e të më përshëndetnin. Kjo më bënte të ndihesha edhe më afër vëllazërisë dhe pjesë e familjes së tyre.

Më në fund, shkova te kryemurgesha dhe i shpjegova pse kisha vendosur të largohesha nga manastiri. Edhe pse isha e gatshme t’i tregoja nga Bibla pse kisha marrë këtë vendim, ajo s’donte të më dëgjonte dhe më tha: «Po të dua të kuptoj ndonjë gjë në Bibël, mund të thërras një specialist të Biblës!»

Kisha katolike u trondit nga vendimi im. Më akuzuan se isha imorale dhe se kisha humbur gjykimin. Megjithatë ata që më njihnin e dinin se akuzat ishin të rreme. Njerëzit me të cilët kisha punuar reaguan në mënyra të ndryshme. Disa e panë si një veprim të guximshëm atë që po bëja. Të tjerëve u erdhi keq, pasi mendonin se po merrja rrugën e gabuar. Disa madje më mëshiruan.

Më 4 korrik 1985 lashë kishën katolike. Duke e ditur se si ishin trajtuar njerëz të tjerë që kishin vepruar kështu më parë, Dëshmitarët kishin frikë se mos më ndodhte gjë, prandaj më mbajtën të fshehur pothuajse për një muaj. Vinin më merrnin me makinë për në mbledhje dhe pastaj më shoqëronin po me makinë në vendin ku jetoja. Qëndrova larg syve të njerëzve derisa u qetësuan gjërat. Pastaj, më 1 gusht 1985 fillova të merrja pjesë në shërbim me Dëshmitarët e Jehovait.

Më vonë po atë muaj, kur ndoqa Kongresin Krahinor të Dëshmitarëve të Jehovait, mjetet e informacionit morën vesh se kisha lënë kishën dhe e botuan historinë time. Më pas, kur u pagëzova më 14 dhjetor 1985, stacioni televiziv dhe gazeta vendase menduan se kjo ishte kaq tronditëse, saqë e publikuan përsëri historinë, duke u siguruar që ta merrnin vesh të gjithë çfarë kisha bërë.

Kur u largova nga manastiri, s’kisha as edhe një gjë materialisht. S’kisha as punë, as shtëpi, as pension. Kështu që për rreth një vit, punova te një grua e paralizuar, duke u kujdesur për të. Në korrik të vitit 1986 u bëra pioniere, siç quhen Dëshmitarët e Jehovait që shërbejnë në kohë të plotë. U zhvendosa në një zonë ku kishte një kongregacion të vogël të sapoformuar. Atje jepja mësime private të gjuhës së huaj dhe mësime të tjera, duke përdorur kështu arsimimin që kisha marrë. Kjo më lejonte të kisha një program elastik.

Shërbim në një fushë të huaj

Tani që kisha mësuar të vërtetën biblike, doja t’ua tregoja sa më shumë njerëzve që mundesha. Meqë dija frëngjisht, mendoja të shkoja të shërbeja në ndonjë vend afrikan ku flitej frëngjisht. Por pastaj, në vitin 1992, Dëshmitarët e Jehovait u njohën zyrtarisht në Shqipëri, një vend fqinj. Në fund të atij viti, atje u caktua të shkonte një grup i vogël pionierësh nga Italia. Ndër ta ishin edhe Mario e Kristina Facio nga kongregacioni im. Ata më ftuan që të shkoja t’u bëja vizitë dhe të shqyrtoja një herë nëse mund të shërbeja në Shqipëri. Kështu, pasi e mendova me kujdes në lutje, në moshën 52-vjeçare, e lashë përsëri sigurinë relative që kisha fituar për t’u zhytur në një botë krejt të ndryshme.

Kjo ndodhi në mars të vitit 1993. Kur mbërrita atje, e pashë menjëherë se ndonëse në kuptimin gjeografik nuk isha larg nga vendi im, kisha ardhur në një botë tjetër. Njerëzit ecnin në këmbë për të bërë punë të ndryshme, jo me makina. Veç kësaj flitnin shqip, një gjuhë krejt e pakuptueshme për mua. Në vend në atë kohë po ndodhnin ndryshime shumë të mëdha, pasi po bëhej kalimi nga një sistem politik në një tjetër. Megjithatë, njerëzit ishin të etur për të vërtetën biblike dhe u pëlqente shumë të lexonin e të studionin. Studentët e Biblës bënin përparim të shpejtë frymor, dhe kjo ma ngrohte zemrën, duke më ndihmuar të përshtatesha me këtë mjedis të ri.

Në vitin 1993, kur mbërrita në Tiranë, që është kryeqyteti, në Shqipëri ishte vetëm një kongregacion dhe kishte pak më shumë se 100 Dëshmitarë të shpërndarë në gjithë vendin. Atë muaj, në asamblenë e parë speciale njëditore të mbajtur në Tiranë, pati 585 të pranishëm dhe u pagëzuan 42 veta. Edhe pse nuk kuptova asgjë nga ato që u thanë, ishte prekëse të dëgjoja Dëshmitarët të këndonin dhe të shihja se ishin shumë të vëmendshëm. Në prill u mbajt Përkujtimi i vdekjes së Jezu Krishtit dhe të pranishëm ishin 1.318 veta. Që nga ajo kohë e më tej, vepra e krishterë në Shqipëri lulëzoi.

Nga ballkoni i apartamentit tim në katin e katërt të një pallati në Tiranë, shikoja qytetin dhe thosha: ‘Kur do të mund t’u predikojmë të gjithë këtyre njerëzve?’ Perëndia Jehova u kujdes për këtë. Tani në Tiranë ka 23 kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait. Në gjithë vendin ka 68 kongregacione dhe 22 grupe, me 2.846 Dëshmitarë. Gjithë kjo rritje në kaq pak vite! Në vitin 2002, në Përkujtim patëm 12.795 të pranishëm.

Gjatë këtyre dhjetë vjetëve në Shqipëri, kam pasur privilegjin e madh të ndihmoj të paktën 40 veta deri në pagëzim. Disa prej tyre tani shërbejnë si pionierë dhe në fusha të tjera të shërbimit të plotkohor. Gjatë viteve, gjashtë grupe me pionierë italianë janë caktuar që të ndihmojnë në veprën në Shqipëri. Për secilin grup organizohej një kurs tremujor që të mësonin gjuhën dhe mua më ftuan të jepja mësim në katër klasat e fundit.

Fillimisht kur miqtë morën vesh se kisha vendosur të lija kishën, reagimi i tyre ishte shumë negativ. Megjithatë, pas gjithë këtyre viteve, qëndrimi i tyre është zbutur, pasi e shohin që unë jam e qetë dhe në paqe. Lumturisht, edhe familja ime, duke përfshirë një hallë 93-vjeçare që është ende murgeshë, tani më mbështet shumë më tepër.

Që kur kam njohur Jehovain, ai është kujdesur për mua në kaq shumë rrethana të ndryshme. Ai m’i drejtoi hapat për te organizata e tij. Kur mendoj për të kaluarën, më kujtohet dëshira ime e zjarrtë për të ndihmuar të varfrit, njerëzit pa përkrahje dhe nevojtarët, si edhe dëshira për t’u përfshirë plotësisht në shërbimin ndaj Perëndisë. Ja përse e falënderoj Jehovain; ai është kujdesur që të më plotësohej etja për gjërat frymore.

[Figura në faqen 21]

Një familje shqiptare me të cilën kam studiuar Biblën. Njëmbëdhjetë prej tyre janë pagëzuar

[Figura në faqen 21]

Shumica e këtyre grave, me të cilat kam studiuar Biblën në Shqipëri, tani janë në shërbim të plotkohor