A është hipnotizmi për të krishterët?
Pikëpamja e Biblës
A është hipnotizmi për të krishterët?
«Të mos gjendet midis teje ndonjë që . . . përdor yshtje.»—LIGJI I PËRTËRIRË 18:10, 11.
HIPNOTIZMI ka qenë objekt i shumë debateve dhe polemikave. * Edhe ata që janë specialistë në këtë fushë e kanë të vështirë ta shpjegojnë si dukuri. Në përgjithësi mendohet se hipnotizmi është një gjendje e ndryshuar e vetëdijes ose ndryshe përhumbje. Megjithatë, shumica e njerëzve janë më shumë të interesuar të dinë ç’mund të arrihet me anë të hipnotizmit, sesa çfarë është ai.
Vitet e fundit, në disa vende është bërë e zakonshme që specialistët e shëndetit të sugjerojnë hipnotizmin si mjekim. Për shembull, në revistën Psychology Today thuhet: «Mjekimi i sëmundjeve me anë të hipnozës mund të kurojë dhembje koke, të lehtësojë dhembjet e lindjes, të të ndihmojë që të lësh duhanin, të zëvendësojë anestezinë dhe të përmirësojë zakonet e studimit—të gjitha këto pa efekte anësore.» Nga ana tjetër, shumë veta e lidhin hipnotizmin me spiritizmin dhe me okultizmin.
Cila është pikëpamja e Biblës? Sigurisht, Bibla nuk është manual shëndetësor dhe nuk e përmend drejtpërdrejt temën e hipnotizmit. Por parimet që gjenden në Fjalën e Perëndisë mund të na ndihmojnë të përcaktojmë cila është pikëpamja e Perëndisë.
Hipnotizmi dhe okultizmi: A ka ndonjë lidhje?
A është vetëm fryt i imagjinatës së ndokujt pohimi se hipnotizmi lidhet me okultizmin? Historitë imagjinare nëpër filma e romane mund ta kenë ushqyer këtë ide, por lidhja ndërmjet hipnotizmit dhe spiritizmit ka një bazë reale. Për sa i përket hipnotizmit, një enciklopedi, Encyclopedia of Occultism and Parapsychology, shpjegon: «Historia e tij është e gërshetuar fort me okultizmin.» Përhumbjet fetare, të cilat kanë qenë pjesë e shortarive dhe magjive gjatë gjithë historisë, shihen në përgjithësi si formë e hipnozës. Gjithashtu, priftërinjtë në Egjiptin dhe në Greqinë e lashtë u shkaktonin njerëzve një lloj gjendjeje hipnotike, kur përpiqeshin të shëronin sëmundje në emër të perëndive të tyre të rreme.
Enciklopedia e cituar më sipër komenton: «Edhe sot, shumë dukuri hipnotike klasifikohen si ‘spiritiste’.» Ndonëse është e vështirë të përcaktojmë deri në çfarë mase forma të ndryshme të hipnotizmit mund të kenë të bëjnë me okultizmin, e vërteta është se Perëndia e dënon qartësisht çdo formë spiritizmi. (Ligji i përtërirë 18:9-12; Zbulesa 21:8) Prandaj, të krishterët nuk mund t’i shpërfillin aspektet e hipnotizmit që duket qartë se janë jobiblike.
Efekti në sjelljen e individit
Ç’të themi për efektin që ka hipnoza në mendjen dhe sjelljen e një individi? A ka ndonjë rrezik? Një shqetësim me vend është se në gjendje të hipnotizuar, një njeri mund të ketë fare pak kontroll mbi sjelljen e tij. Ata që bëjnë hipnotizime nëpër shfaqje e përdorin këtë aspekt, duke i shtyrë ata që dalin vullnetarë të bëjnë gjëra që nuk do t’i bënin normalisht, madje edhe të duken sikur janë të dehur.
The Encyclopedia Americana thotë për këto shfaqje publike të hipnozës: «Individi i hipnotizuar mund të jetë shumë i prekshëm edhe ndaj sugjestionimit të fshehur; ai mund të dorëzohet më lirisht ndaj nxitjeve të pavetëdijshme që normalisht janë më të fshehura, dhe, ndërkohë që është i hipnotizuar, mund të ndihet sikur gjithë kufizimet shoqërore dhe individuale ndaj sjelljes së tij janë hequr.» Collier’s Encyclopedia thotë: «Individi i hipnotizuar ka një përqendrim të plotë të aftësive të tij, dhe kjo e bën tepër të vëmendshëm ndaj sugjestionimeve të hipnotizuesit dhe shumë bashkëpunues për t’i vënë në praktikë ato sugjestionime.»
A tingëllon si diçka e padëmshme kjo? A do të ishte e këshillueshme që një i krishterë i vërtetë t’i linte të tjerët të ndikonin në mendjen e tij me anë të sugjestionimeve hipnotike? Kjo do të ishte në kundërshtim me këshillën e apostullit Pavël: «T’i paraqitni trupat tuaj si një flijim të gjallë, të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë, një shërbim të shenjtë me fuqinë tuaj për të arsyetuar. Dhe mjaft u formuat sipas këtij sistemi, por transformohuni duke përtërirë mendjen tuaj, që të provoni për veten tuaj vullnetin e mirë, të pranueshëm e të përsosur të Perëndisë.»—Romakëve 12:1, 2.
A mund ‘të mbajë ndërgjegje të mirë’ një i krishterë, nëse e lejon veten ta vënë në një gjendje ku nuk i kontrollon dot plotësisht mendimet, dëshirat ose edhe veprimet e tij? (1 Pjetrit 3:16) Bibla këshillon: «Secili nga ju të dijë ta zotërojë enën e vet në shenjtëri dhe në nder.» (1 Selanikasve 4:4) Është e qartë se hipnoza do t’ia bënte më të vështirë dikujt që të ndjekë këtë këshillë.
Shpresa për shëndet të përsosur
Duke pasur parasysh parimet biblike të sipërpërmendura, Dëshmitarët e Jehovait i shmangin metodat që përfshijnë hipnozën ose vetëhipnotizimin. Ata ia vënë veshin urdhrit te Ligji i përtërirë 18:10, 11: «Të mos gjendet midis teje ndonjë që . . . përdor yshtje.» Për ata që kanë probleme shëndetësore, ka shumë mjekime të tjera që nuk të vënë nën rreziqet e okultizmit e nuk bëjnë që mendja e një njeriu të manipulohet nga të tjerët.
Duke i shmangur plotësisht praktikat që janë në kundërshtim me parimet biblike, të krishterët mund të kenë shpresën që të jetojnë përgjithmonë në botën e re të drejtë të Perëndisë. Atëherë njerëzimi do të ketë shëndet të përsosur në trup e në mendje pa përdorimin e hipnotizmit.—Zbulesa 21:3, 4.
[Shënimi]
^ par. 4 Hipnoza është përkufizuar si gjendje e afërt me gjumin, zakonisht e shkaktuar nga një person tjetër, gjatë së cilës individit mund t’i vijnë në mend kujtime të harruara ose të ndrydhura, të ketë halucinacione dhe të ndikohet lehtë me anë të sugjestionit.