Doja t’u shërbeja dy zotërinjve
Doja t’u shërbeja dy zotërinjve
TREGUAR NGA KEN PEJNI
Linda në vitin 1938 dhe u rrita në fermën e gjyshit tim në Nju-Meksiko, SHBA. Ferma kishte afro 10.000 hektarë tokë, me rrjedha uji e stepa dhe male në sfond. Tingujt që më kujtohen nga ajo kohë janë zërat e deleve, të lopëve dhe të kuajve, si edhe tringëllima e mamuzeve të kaubojsave. Nganjëherë dëgjoja fëshfërimën e erës në bar dhe thirrjen e lartë e të mprehtë të vraponjësve bërtitës, zogj që rrinin përqark rezervuarit të ujit.
PËRVOJAT e hershme në jetë mund të të lënë një përshtypje të thellë e të gjatë. Kaloja shumë kohë me gjyshin tim. Ai tregonte shumë histori për Perëndimin, madje njihte edhe njerëz që kishin shoqëruar një bandit me moshë të re që quhej Billy the Kid. Ky ishte bërë i famshëm kur kishte filluar të vriste pa kufi, e pastaj gjithçka kishte përfunduar me vdekjen e tij në vitin 1881, në moshën 21-vjeçare.
Prindërit e mi ishin Dëshmitarë të Jehovait dhe më merrnin me vete në shërbimin e krishterë. Shkonim nëpër ferma të vetmuara dhe në shtëpi të thjeshta prej qerpiçi, lart e poshtë nëpër luginën e Hondos. Shpesh ata përdornin një gramafon me pllaka ku ishin regjistruar fjalimet e Xh. F. Radhërfordit, zëri i të cilit m’u ngulit në mendje. * I vinim këto fjalime që t’i dëgjonin lloj-lloj njerëzish: fermerë, bujq meksikanë dhe amerikanë vendës, si fiset Apashi dhe Pueblo. Më pëlqente shumë vepra rrugore me revista, sepse në fakt shumë pak njerëz i refuzonin revistat nga një djalë i vogël, edhe gjatë viteve të luftës.
Po, kisha një themel të mirë. Gjithsesi nuk ia vura veshin paralajmërimit të Jezuit: «Askush s’mund t’u shërbejë si skllav dy zotërinjve; sepse ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të ngjitet pas njërit e do të përbuzë tjetrin. Ju s’mund t’i shërbeni si skllevër Perëndisë dhe Pasurisë.» (Mateu 6:24) Do të më pëlqente të thosha që kam pasur një jetë të mrekullueshme në shërbimin e plotkohor. Por, një ndikim i hershëm, një ‘zotëri’ tjetër, më shmangu nga ky shteg, duke filluar që kur isha tre vjeç. Çfarë ndodhi?
Fluturimi u bë pasioni im
Kohë më parë, në vitin 1941, një aeroplan i vogël i tipit Piper Cub, u ul pranë hambarit tonë. Po e përdornin për të gjuajtur kojotat që po na bënin kërdinë
në dele. Që nga ai çast, në moshën trevjeçare, vendosa në mendjen time që të bëhesha pilot. Vitet e fëmijërisë kaluan shpejt dhe në moshën 17-vjeçare u largova nga shtëpia për të punuar në një aeroport në Hobs, Nju-Meksiko. Aty pastroja hangarë aeroplanësh dhe punoja me aeroplanët duke marrë si këmbim mësime fluturimi. Shërbimi i krishterë po kalonte në vend të dytë në jetën time.U martova kur isha 18 vjeç dhe me kalimin e kohës u bëra me tre fëmijë. Si ia bëja për të siguruar jetesën? Punoja si pilot me aeroplanë spërkatës pesticidesh, me aeroplanë të marrë me qira, me aeroplanë që përdoreshin për gjuetinë e kafshëve grabitqare, si edhe jepja mësime fluturimi. Pasi kaluan kështu gjashtë vjet, fillova të punoja si pilot për kompaninë e fluturimeve Texas International Airlines në Dallas, Teksas. Kjo më dha më shumë qëndrueshmëri në jetë, e madje fillova të shërbeja si plak në kongregacionin Denton. Drejtoja edhe disa studime biblike, duke përfshirë një studim me një kapiten fluturimi, gruan e tij dhe familjen e tyre, të cilët përqafuan të vërtetën biblike.
Tashmë në vitin 1973 kisha rreth tre vjet që fluturoja me aeroplanë me turbohelikë, por fillova ta humbas interesin kur dolën jashtë përdorimi avionët DC-3. Në të vërtetë, zemrën e kisha ende në Nju-Meksiko. Por, si do ta siguroja jetesën po të mos punoja më si pilot?
Arti u bë pasioni im
Që nga viti 1961, në kohën e lirë kisha filluar të bëja piktura të Perëndimit amerikan, dhe i kisha shitur me çmime të mira. Prandaj, dhashë dorëheqjen nga kompania e fluturimeve dhe u transferova përsëri në Nju-Meksiko, në tokën e magjepsjes, siç quhet. Megjithatë nuk e mbajta ekuilibrin që kisha arritur. Lashë që dashuria për artin të më përpinte të tërin. Piktura, e më vonë skulptura, si edhe fluturimet që bëja nganjëherë, më merrnin gjithë kohën. Punoja nga 12 deri në 18 orë në ditë. Kjo bëri që ta lija shumë pas dore familjen dhe Perëndinë tim. Çfarë ndodhi më tej?
Martesa ime u rrënua dhe përfundoi me divorc. Shkova në veri, në Montana, dhe gjeta strehë te pija. Mënyra jo e krishterë e jetesës më katandisi në të njëjtin shteg të pamend që mori biri plëngprishës në ilustrimin e Jezuit. (Luka 15:11-32) Pastaj, një ditë, e kuptova që s’kisha as edhe një shok të vërtetë. Kur takoja njerëz që kishin probleme, u thosha: «Gjej Dëshmitarët e Jehovait. Ata mund të të ndihmojnë me të vërtetë.» Zakonisht përgjigjja ishte: «Atëherë, pse ti vetë s’je Dëshmitar?» Duhej ta pranoja se s’mund të jesh Dëshmitar e ndërkohë të jetosh siç jetoja unë.
Përfundimisht, në vitin 1978, u ktheva në Nju-Meksiko, në kongregacionin ku Dëshmitarët më njihnin. Ishte hera e parë që shkelja në një Sallë Mbretërie pas disa vjetësh dhe gjithçka arrita të bëja ishte të qaja. Sa i mëshirshëm u tregua
Jehovai me mua! Vëllezërit në kongregacion ishin shumë të dashur dhe më ndihmuan të rikthehesha përsëri në udhët e Jehovait.Një shoqe e re dhe një fillim i ri
Në vitin 1980 u martova me Karenin, një Dëshmitare e bukur që e njihja nga disa vjet. Ajo kishte dy djem nga martesa e saj e parë, Xhezonin dhe Xhonatanin. Me dashurinë e saj të thellë për Jehovain, ajo më solli qëndrueshmëri në jetë, si edhe dy djem të tjerë të mrekullueshëm, Benin dhe Filipin. Por jeta nuk do të ishte fushë me lule. Një tragjedi na priste në të ardhmen.
Studiova për artin dhe kalova shumë orë duke mësuar anatominë e njeriut dhe të kafshëve, sidomos të kuajve, si edhe kompozimin, përmasat dhe perspektivën. Fillova të bëja skulptura me argjilë, sidomos figura të Perëndimit të Vjetër, si: kuaj, indianë të hipur mbi kuaj, kaubojsa, e madje edhe një mjek të kohëve të hershme ndërsa udhëtonte me kaloshinë. Fillova të kisha sukses. Prandaj vendosëm të hapnim një galeri. Kareni gjeti emrin Galeria Mountain Trails.
Në vitin 1987 blemë një galeri artesh në Sedona, Arizonë, dhe i vumë këtë emër. Ndërkohë që Kareni drejtonte galerinë, unë qëndroja në shtëpi duke punuar në studio dhe duke u kujdesur për djemtë. Megjithatë, djemtë u sëmurën dhe shitjet nuk po shkonin mirë. Vendosëm të ndërronim vendet, që Kareni të kujdesej për fëmijët në shtëpi. E çova argjilën në dyqan dhe fillova të bëja skulptura pikërisht aty para klientëve. Kjo solli vërtet një ndryshim të madh.
Njerëzit filluan të më pyetnin për skulpturat prej bronzi që po bëja. Ndërsa u shpjegoja punën që bëja dhe u tregoja për sendet që përdorja si bazë për projektet e mia, u jepja mësime historie për Perëndimin e Vjetër, me emra, vende dhe ngjarje që kisha mësuar nga leximet e shumta. Njerëzit tregonin vërtet interes për modelet me të cilat po punoja. Madje disa donin të paguanin një kapar për objektin e papërfunduar që kishin parë, duke e përfunduar pagesën kur modeli të derdhej në bronz. Kështu lindi shprehja «shitje para derdhjes». Suksesi qe i menjëhershëm. Biznesi u rrit kaq shumë, saqë patëm tri galeri dhe një fonderi të madhe me 32 punonjës. Por e gjithë kjo po më merrte kaq shumë energji. Së bashku me Karenin, nisëm të mendonim si të dilnim nga kjo rutinë e pambarim. U lutëm për këtë. Tani isha plak në kongregacion dhe e dija se mund të bëja më shumë për Jehovain.
I shërbej përsëri një zotërie të vetëm
Në vitin 1996, mbikëqyrësi qarkor erdhi në kongregacionin tonë dhe na pyeti nëse mund të hanim drekë bashkë. Para se të fillonim të hanim, papritur, ai na bëri një pyetje që na la gojëhapur: a mund të transferoheshim në rezervatin indian navajo për të ndihmuar në formimin e një kongregacioni të ri në Çinli? Çfarë sfide! E kishim vizituar disa herë rezervatin dhe kishim ndihmuar për të predikuar një pjesë të atij territori të largët. Kjo tani na dha një synim të ri. Ja ku ishte rasti ynë për të dalë nga rutina e pambarim dhe e pamëshirshme e materializmit që t’i kushtonim më shumë kohë Jehovait dhe popullit të tij. Po ktheheshim prapë për t’i shërbyer një zotërie të vetëm.
Një plak tjetër dhe familja e tij, Karuzetat, të cilët ishin miqtë tanë, morën ftesën që të bashkoheshin me ne në këtë përpjekje të vështirë. Të dyja familjet i shitëm shtëpitë e rehatshme që kishim dhe porositëm shtëpi të lëvizshme, për t’i vendosur brenda rezervatit. I shita galeritë e në fund edhe fonderinë. E thjeshtuam jetën dhe tani ishim të lirë të zgjeronim shërbimin tonë të krishterë.
Në tetor të vitit 1996, bëmë mbledhjen tonë të parë si kongregacioni i ri Çinli. Që nga ajo kohë, vepra e predikimit ndër popullsinë navajo është zgjeruar dhe në kongregacion kemi pionierë të shkëlqyer vendas navajo që flasin këtë gjuhë. Dalëngadalë kemi filluar të mësojmë këtë gjuhë të vështirë, që të pranohemi prej tyre, edhe pse s’jemi navajo. Me lejen e autoriteteve indiane, blemë një terren dhe ndërtuam një Sallë Mbretërie në Çinli, e cila u dedikua në qershor të këtij viti.
Na ndodh një tragjedi
Në dhjetor të vitit 1996, Kareni i çoi djemtë në Ruidozo, Nju-Meksiko, për një pushim të shkurtër. Mua m’u desh të qëndroja në Çinli. Përfytyroni tronditjen dhe hidhërimin tonë kur Beni, djali ynë 14-vjeçar, u përplas me një shkëmb të madh ndërsa po bënte ski dhe vdiq. Kjo ishte një sprovë
e tmerrshme për të gjithë ne. Shpresa biblike e ringjalljes na ka mbështetur në këtë tragjedi. Edhe mbështetja e vëllezërve të krishterë ishte një ndihmë shumë e madhe. Kur u mbajt fjalimi i funeralit në Sallën e Mbretërisë në Sedona, ku kishim jetuar për disa vjet, fqinjët panë më shumë indianë navajo sesa kishin parë gjatë gjithë jetës së tyre. Vëllezërit e motrat nga rezervati kishin bërë tërë atë rrugë, më shumë se 300 kilometra, për të na mbështetur.Është një bekim të shohim sa shumë përparim frymor ka bërë Filipi, vëllai i vogël i Benit. Ai ka synime të mira frymore dhe na sjell shumë gëzim. Drejton disa studime biblike, e madje ka studiuar edhe me një mësues. Por që të gjithë mezi presim të shohim përsëri Benin në botën e re që ka premtuar Jehovai.—Jobi 14:14, 15; Gjoni 5:28, 29; Zbulesa 21:1-4.
Jemi bekuar me një familje të dashur e që na mbështet. Xhonatani, djali im i adoptuar, i shërben Jehovait bashkë me të shoqen, Kenën, e po ashtu edhe djali im i vogël nga martesa e parë, Krisi, bashkë me të shoqen, Lorin. Nipërit tanë, Udrou dhe Xhona po mbajnë fjalime në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Babai më vdiq në vitin 1987, por mamaja, në moshën 84-vjeçare, është ende aktive në shërbim të Jehovait, si edhe vëllai im Xhoni, bashkë me të shoqen, Çerin.
E kam mësuar nga përvoja sa të vërteta janë fjalët e Jezuit: «Askush s’mund t’u shërbejë si skllav dy zotërinjve . . . S’mund t’i shërbeni si skllevër Perëndisë dhe Pasurisë.» Edhe tani arti mund të bëhet një zotëri shumë xheloz. Ja përse kam mësuar sa e rëndësishme është të jem i ekuilibruar dhe i kujdesshëm, që arti të mos bëhet prapë gjëja e parë në jetë. Është shumë më mirë të veproj siç këshillon apostulli Pavël: «Vëllezërit e mi të dashur, bëhuni të palëkundur e të patundur, duke pasur gjithnjë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë, duke e ditur se mundi juaj s’është i kotë në lidhje me Zotërinë.»—1 Korintasve 15:58.
[Shënimi]
^ par. 5 Xh. F. Radhërfordi mori drejtimin ndër Dëshmitarët e Jehovait deri kur vdiq, në vitin 1942.
[Figura në faqet 18, 19]
Aeroplani im në vitin 1996 në Çinli
[Figura në faqen 19]
Skulpturë bronzi e titulluar «S’ka kohë për t’u hallakatur»
[Figura në faqen 21]
Mbledhje për të studiuar Biblën në vendin ku tashmë është ndërtuar Salla jonë e Mbretërisë
[Figura në faqen 21]
Me time shoqe, Karenin
[Figura në faqen 21]
Predikim para një hogani tipik navajo