Këshilla për udhëtim nga një pilot me përvojë
Këshilla për udhëtim nga një pilot me përvojë
MË PËLQEN jashtë mase fluturimi. Gjithmonë më ka pëlqyer. Të jep lirinë për të udhëtuar shpejt nga një vend në tjetrin. Jo vetëm kaq, por të jep edhe mundësinë të çash përmes reve në një mot të vrenjtur dhe të fluturosh shumë lart mes rrezeve të shndritshme të diellit. Emocionet e fluturimit i kam provuar që në fluturimin tim të parë në vitin 1956, kur isha djalë i vogël. Ky pasion më çoi drejt një karriere si pilot profesionist, por përveç kësaj kalova kohë si hetues i aksidenteve ajrore.
Sa i sigurt është udhëtimi ajror? Cilat masa paraprake duhet të merrni kur ju jepet rasti të udhëtoni me avion?
Si ta bëjmë edhe më të sigurt udhëtimin
Çdo vit në mbarë botën, nga mijëra aeroporte ulen e ngrihen rregullisht gati 18.000 avionë, ndërsa transportojnë më shumë se 1,6 miliardë pasagjerë për në destinacionet e tyre. E gjithë kjo bëhet me shumë pak aksidente. Në fakt kompania Lloid e Londrës, një shoqëri e mirënjohur sigurimesh, llogarit se është 25 herë më e sigurt të udhëtosh me avion sesa me makinë. Prandaj, sipas statistikave, pjesa më e rrezikshme e udhëtimit është kur shkoni dhe kur ktheheni me makinë nga aeroporti. Sidoqoftë, disa masa paraprake të arsyeshme gjatë fluturimit mund ta bëjnë edhe më të sigurt këtë mënyrë udhëtimi që është pak a shumë e sigurt.
● Zgjidhni me kujdes linjën ajrore: Jo të gjitha linjat ajrore kanë bërë të njëjtin emër përsa i përket sigurisë. Linjat ajrore tradicionale zakonisht janë agjenci transporti të sigurta. Ato përdorin avionë modernë dhe kanë një emër të mirë përsa i përket sigurisë dhe mirëmbajtjes.
● Zgjidhni me kujdes veshjen tuaj: Ata që mbijetojnë kur rrëzohet ose përplaset avioni ndeshin rrezikun e zjarrit dhe të tymit. Prandaj, veshja e rrobave me mëngë të gjata dhe e pantallonave të gjata ose e një fundi të gjatë do ta mbrojë më mirë lëkurën nga flakët dhe nxehtësia. Veshjet me materiale natyrore të mbrojnë mirë, kurse materialet sintetike shpesh shkrihen ose mblidhen pas lëkurës nga nxehtësia. Kështu mund të shkaktojnë djegie më të rënda. Edhe veshjet prej lëkure mund të mblidhen nga nxehtësia dhe nuk janë të këshillueshme. Kur vesh disa rroba njëra mbi tjetrën mbrohesh më shumë sesa kur vesh vetëm një palë dhe ngjyrat e hapura e pasqyrojnë nxehtësinë më mirë se ngjyrat e errëta. Këpucët e sheshta, veçanërisht ato me lidhëse, ka më shumë të ngjarë të mos ju dalin nga këmba dhe t’ju mbrojnë nga prerjet dhe djegiet. Gjithashtu, çorapet e leshit janë më të mira se ato sintetike.
● Dëgjoni udhëzimet e sigurisë: Përpara ngritjes së avionit ekuipazhi do t’ju japë disa udhëzime sigurie të hollësishme. Në rast aksidenti (që do të ishte diçka e rrallë) mund t’ju duhet të dilni nga avioni duke vepruar sipas asaj që kujtoni nga udhëzimet. Prandaj dëgjojeni me kujdes informacionin. Nga një sondazh në Kanada me udhëtarët e linjave ajrore doli se në një fluturim vetëm 29 për qind e pasagjerëve i lexonin ose i shikonin kartat e sigurisë. Gjeni ca kohë që të studioni udhëzimet e sigurisë, veçanërisht ato që tregojnë se si të hapni daljet, meqenëse mund të jeni i pari që arrini atje. Mendoni si do ta gjeni daljen nëse është errësirë ose tymi ju turbullon shikimin. Një metodë e thjeshtë është të numëroni radhët e vendeve që ndodhen midis jush dhe daljeve. Kështu, edhe në errësirë do të arrini të
gjeni e të hapni daljen që përdoret në raste urgjente.● Merrni sa më pak bagazhe dore: Revista Flight International pohon: «Një rrezik i shpeshtë [për pasagjerët] janë objektet që bien gjatë fluturimit të zakonshëm nga vendi ku futen bagazhet e dorës, i cili ose nuk mbyllet mirë ose hapet nga pasagjerët gjatë udhëtimit. Ato kanë shkaktuar dëmtime të rënda në kokë, madje edhe vdekje.» Pra, mos harroni se bagazhet e rënda të dorës mund të jenë një rrezik për sigurinë. Prandaj, në një situatë për jetë a vdekje lërini TË GJITHA bagazhet! Mendoni si të shpëtoni! Bagazhet mund të zëvendësohen më vonë.
Në rast urgjence
Evakuimi më i rrezikshëm është kur ka zjarr, tym dhe gaze. Një raport rreth një aksidenti thoshte: «Kur avioni u ul, në kabinë [për shkak të tymit] nuk dukej pothuajse asgjë 30 centimetra e lart dyshemesë së kabinës. Të mbijetuarit pohuan se mezi sa gjetën forca dhe aftësinë mendore që të arrinin tek daljet.» Mbijetesa varej nga sa shpejt do të dilnin prej avionit.
Ekuipazhi është stërvitur për të ndihmuar që njerëzit të dalin shpejt dhe të padëmtuar nga avioni. Prandaj bindjuni menjëherë udhëzimeve! Megjithatë gjërat nuk shkojnë gjithmonë siç duhet. Problemet me sistemet e akustikës, dëmtimi i pjesëtarëve të ekuipazhit, rrëmuja dhe ndikimi i zhurmës, nxehtësisë e tymit mund t’i bëjnë të pasuksesshme përpjekjet më të mira të ekuipazhit. Ndoshta, në linjën ajrore me të cilën udhëtoni nuk flitet gjuha juaj amtare. Edhe kjo mund të pengojë komunikimin tuaj të mirë me ekuipazhin.
Një shqyrtim i aksidenteve tregon se vendosmëria juaj për të shpëtuar është një nga faktorët kryesorë që të mbijetoni në ndonjë rast urgjent. Duhet të keni një plan të qartë si të veproni dhe të jeni të gatshëm të mbani përgjegjësinë për mbijetesën tuaj. Në planin tuaj duhet të përfshini cilindo që udhëton bashkë me ju, sidomos fëmijët ose të moshuarit, si dhe mënyrat si të qëndroni së bashku për të ndihmuar njëri-tjetrin gjatë evakuimit. Revista Flying Safety rekomandon: «Nëse duhet të evakuoni përmes tymit, sigurohuni që ata të kapen fort pas njëri-tjetrit. Nëse kapen te rripi juaj mund t’ia dilni të qëndroni bashkë.» Thuajuni shokut ose shokëve të udhëtimit se si mendoni të veproni në ndonjë rast urgjence.
Çdo lloj udhëtimi ka rreziqet e veta, por aeroplanët modernë për pasagjerë na ndihmojnë të shmangim shumë prej tyre dhe na japin mundësinë të arrijmë në destinacionin tonë të çlodhur dhe gati për punë ose zbavitje. Përgatituni për fluturimin, por mos jini në ankth. Rehatohuni dhe shijojeni udhëtimin.—Unë bëj gjithmonë kështu.—Nga një bashkëpunëtor.
[Figura në faqen 13]
Stërvitje për evakuim në rast urgjence
[Figura në faqen 13]
Dëgjoni udhëzimet e sigurisë