Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Krimet e dhunshme: Çfarë po ndodh?

Krimet e dhunshme: Çfarë po ndodh?

Krimet e dhunshme: Çfarë po ndodh?

HERËT në mëngjes, Frenku dhe Gabriela po shëtitnin buzë detit në Oregon, SHBA, ndërkohë që soditnin lindjen e diellit. Atyre nuk u shkonte fare nëpër mend ajo që do t’u ndodhte. Pas disa minutash, që të dy dergjeshin të vdekur, të goditur me armë nga një largësi e vogël. A ishte hakmarrje? Apo xhelozi? As njëra dhe as tjetra. Vrasësi, një i panjohur, realizoi një ëndërr. Ai donte të dinte se çfarë ndien njeriu kur vret dikë.

«Të dielën më 28 prill 1996, Martin Brajënti fitoi vëmendjen e botës perëndimore, duke shijuar çastet më emocionuese të jetës së tij. Ndërkohë që qëllonte me armë çdokënd që i dilte përpara teksa endej nëpër Port Artur, në Tasmani, ai provonte një drithërimë të mrekullueshme triumfi dhe pushteti.» (A Study of Our Decline, nga Filip Atkinson) Ai u mori jetën 35 njerëzve.

Një pensionist 65-vjeçar në Kanada, po bënte me biçikletë shëtitjen e mëngjesit. Ndërkohë që i jepte biçikletës, atë e goditi nga prapa një makinë. Shoferi e braktisi, duke e marrë me mend se ai kishte vdekur. Makina e tërhoqi zvarrë biçikletën e tij nja 700 metra nëpër rrugë. Në fillim menduan se mos ishte një prej rasteve kur shoferi pasi bën aksidentin e braktis viktimën. Por hetimet e mëtejshme zbuluan se shoferi që shtypi pensionistin po bënte xhiro për qejf me një makinë të vjedhur. Me sa duket, shtypja e pensionistit ishte pjesë e «ngazëllimit».

Një lloj tjetër krimi?

Krimi ka qenë bashkëudhëtari ynë që prej shekujsh, por ato lloj krimesh që përmendëm më sipër bëjnë që njerëzit të pyesin të tronditur: «Përse? Si mundet që dikush ta çojë qoftë edhe nëpër mend një gjë të tillë?» Ndonëse krimet e zakonshme, si vjedhja ose mashtrimi, mund të mos u bëjnë përshtypje shumë njerëzve, ka një lloj të veçantë aktesh kriminale që po shtohen, të cilat tërheqin vëmendjen e mediave dhe bëjnë që njerëzit të thonë me vete: ‘Kjo është çmenduri! Çfarë po ndodh me këtë botë?’

Këto krime janë ndryshe. Shpesh ato janë tronditëse dhe kanë karakter mizor. Ashtu si në shembujt e mësipërm, zakonisht kryhen kundër njerëzve të pafajshëm, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me autorët e krimit. Përveç kësaj, shpesh duket se nuk ka ndonjë motiv të qartë për këto krime të dhunshme. Lista e akteve të pakuptimta kriminale është e pafund.

Në prill të vitit 1999, në Kolorado, SHBA, 2 nxënës, kur gjuajtën me armë në shkollë, vranë 12 nxënës të tjerë dhe një mësues para se të vritnin edhe veten. Një burrë vdiq në Kaliforni më 1982 pasi piu një ilaç që jepet pa recetë, në të cilin dikush kishte futur strikninë. Më 1993, në Butëll, Mërsisajd, në Angli, dy djem dhjetëvjeçarë me marifet nxorën nga supermarketi dyvjeçarin Xhejms Balgër kur nëna e tij ishte në një dyqan mishi. Ata e çuan te një hekurudhë dhe e qëlluan me çomange derisa e lanë të vdekur.

Disa krime mund të quhen akte terroriste, siç ishte helmimi në metronë e Tokios në vitin 1995. Japonia u trondit kur anëtarët e një kulti lëshuan gaz helmues në një nga metrotë e Tokios, ku pati 12 të vdekur dhe mijëra të dëmtuar. Të paktë janë ata që mund ta harrojnë shkatërrimin e Qendrës Tregtare Botërore në Nju-Jork dhe sulmin kundër Pentagonit, në Uashington D.C., ku humbën jetën rreth 3.000 njerëz, si edhe shpërthimet e bombave që vitin e kaluar në Bali, Indonezi, morën rreth 200 jetë njerëzish.

Është e qartë se krime të tilla të dhunshme janë përhapur gjithandej. Problemi është mbarëbotëror. Ai prek shumë kombe dhe grupe njerëzish.

Në disa raste duket sikur kriminelët gati-gati bëjnë garë, duke u përpjekur të tregojnë se kush është më i zoti të kryejë krimin më tronditës. Për më tepër, krimet e kryera nga urrejtja po përhapen gjithnjë e më shumë. Këto krime kryhen në mënyrën më mizore kundër njerëzve, «faji» i vetëm i të cilëve është se i përkasin një race, feje ose një grupi tjetër etnik. Një rast i tillë ishte ai i vrasjes së afro 800.000 njerëzve tutsi në Ruanda në vitin 1994.

E gjithë kjo bën që shumë njerëz të mendojnë: ‘Çfarë po ndodh? A ishte kështu më parë? Kush e ka fajin për këto krime të tmerrshme? Çfarë shprese ka që këto krime çnjerëzore të pakësohen ose të zhduken?’ Artikujt në vijim do t’ju japin përgjigje për këto dhe për të tjera pyetje.

[Diçitura në faqen 4]

Krimet e dhunshme shpesh kryhen kundër viktimave të rastit dhe pa ndonjë motiv të qartë