Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Sigurimi i ndihmës Nga këto fjalë dua që të dini se sa shumë e çmova artikullin «Dashuria në veprim: Një punë e vështirë për të siguruar ndihmë». (Dhjetor 2002) Kur filloi përmbytja në Hjuston, Teksas, në qershor të vitit 2002, im vëlla ishte në spital, në gjendje kome nga pamjaftueshmëria kongjestionale e zemrës. Shtëpia e tij u dëmtua pothuajse krejtësisht nga ujërat e përmbytjes. Por vëllezërit tanë të krishterë i filluan riparimet në shtëpinë e tij kur im vëlla ishte ende në komë. Ata hoqën moketet dhe tapicerinë e lagur dhe ia dezinfektuan shtëpinë. Ndihma e tyre më dha mundësi të qëndroja pranë vëllait në spital. Përfundimisht ai doli nga koma. Dashuria dhe mirënjohja që ndiej për Jehovain dhe për organizatën e tij të mrekullueshme nuk mund të shprehet dot me një shënim të shkurtër.
P. H., Shtetet e Bashkuara
Ndihem e nxitur të shpreh mirënjohjen time për privilegjin e mrekullueshëm që të jem pjesë e një vëllazërie kaq të dashur e të kujdesshme. U entuziazmova kur mësova se si vullnetarët harxhuan kohën dhe të ardhurat e tyre për të ndihmuar viktimat e përmbytjes. Ishte vërtet pasqyrim i dashurisë së krishterë.
A. M., Zelanda e Re
Liria fetare Dikush më dha një kopje të revistës Zgjohuni! të 22 qershorit 2002 (anglisht), ku gjendej artikulli «Një mbretëri tolerante në një epokë intolerance». Meqë ai e dinte se i përkas kishës unitariane, mendonte se do të më interesonte ky artikull, dhe kishte të drejtë. Kam mbaruar universitetin në Shtetet e Bashkuara dhe e kam njohur personalisht dr. Ërl Mors Uilburin (të cituar në artikull). Gjithashtu kam ndjekur shumë leksione për historinë e unitarianëve. Por as që do të merrja përsipër të përpiloja një artikull kaq të gjerësishëm sa i juaji.
M. M., Republika Çeke
Rreziku i mbytjes Në pjesën «Nga lexuesit tanë» të numrit të dhjetorit 2002, u habita kur lexova përgjigjen që i kishit dhënë lexuesit që kishte shkruar se hot-dogët përbëjnë një rrezik mbytjeje për fëmijët e vegjël. Edhe karotat janë të rrezikshme për fëmijët, pasi mund të mbyten me to.
A. R., Shtetet e Bashkuara
«Zgjohuni!» përgjigjet: E falënderojmë këtë lexuese për këto komente. Në një fletëpalosje që fliste për kujdesjen e fëmijëve thuhet: «Ndonëse ka pasur raste kur fëmijët janë mbytur nga copat e mollës, nga karotat e plota, nga biskotat dhe nga kokoshkat, katër ushqimet që kanë shkaktuar shumicën e vdekjeve janë hot-dogët, arrat ose lajthitë, karamelet e forta dhe rrushi.» Gjithsesi, punonjësit e shëndetësisë i paralajmërojnë prindërit se karotat e plota mund të paraqesin vërtet rrezik për fëmijët nën moshën një vjeç.
Shtypja e Biblës Faleminderit për artikullin «Një strehë për shtypjen e Biblës». (8 shtator 2002, anglisht) Sot ne e kemi kaq të lehtë të gjejmë një Bibël në gjuhën tonë, saqë ndoshta i harrojmë sakrificat që kanë bërë më parë njerëzit që të vinte kjo kohë. Kur lexova këtë artikull, m’u thellua çmueshmëria për Atin tonë të dashur qiellor dhe për kujdesin e tij që Bibla të jetë në dispozicion të gjithë njerëzve me zemër të ndershme.
E. S., Brazil
Depresioni i paslindjes Nuk mund të mos ju shkruaja për artikullin «Fitoj betejën me depresionin e paslindjes». (Gusht 2002) Edhe mua më dukej vetja ndryshe pasi linda një fëmijë dhe kisha të gjitha ndjenjat e përshkruara në artikullin tuaj. Kisha shumë turp të flitja për këtë me të tjerët. Kisha frikë edhe se im shoq nuk do të më kuptonte. Prandaj vuajta e vetme, duke mos e ditur kurrë se ku e kisha problemin. Sa mirënjohëse i jam Jehovait dhe ju për këtë ndihmë! Edhe pse herë pas here mund të bie në depresion, megjithatë do ta kem më të lehtë ta duroj.
F. L., Bjellorusi
[Burimi i figurës në faqen 30]
Fotografia: Houston Chronicle