Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Epidemi globale e fëmijëve të dhjamosur

«Dhjamosja ndër fëmijët po bëhet një epidemi globale dhe problemi duhet kapur që në rrënjë të tij, domethënë te ushqimet pa vlera ushqimore,​—njofton The New York Times.​—Sipas International Obesity Task Force, më tepër se 25 për qind e fëmijëve 10-vjeçarë në disa vende përreth botës janë mbi peshë ose të dhjamosur.» Në krye të listës janë Malta (33 për qind), Italia (29 për qind) dhe Shtetet e Bashkuara (27 për qind). Çereku i fëmijëve nga mosha 4 deri në 10 vjeç në Kili, Meksikë dhe Peru janë mbi peshë ose të dhjamosur. Në disa vende të Afrikës ka më tepër fëmijë mbi peshë sesa nën peshë. Pse kaq shumë fëmijë janë të dhjamosur? «Një fëmijë i zakonshëm [në SHBA] sheh 10.000 reklama ushqimesh në vit, 95 për qind prej tyre për ushqime fast-food, për pije të gazuara, për ëmbëlsira dhe për biskota: që të gjitha me përfitim të lartë ekonomik dhe vlera ushqyese të ulëta,​—përgjigjet The Washington Post.​—Fushatat e marketingut i lidhin ushqimet fast-food dhe pijet e gazuara me lodra, lojëra, sende për koleksione, filma dhe personazhe të famshme. . . . A duhet të çuditemi që tani fëmijët i marrin rreth 15 për qind të kalorive nga ushqimet fast-food, 10 për qind nga pijet e gazuara që kanë sheqer dhe hanë vetëm gjysmën e sasisë së rekomanduar të frutave dhe perimeve?»

Bletët mbajnë larg elefantët

Popullata e elefantëve në Kenia po rritet, por kjo ka shkaktuar probleme. Elefantë endacakë bastisin e shkatërrojnë pemë dhe të mbjella, si edhe shkelin për vdekje mesatarisht një njeri çdo dy javë. Megjithatë, biologu Fric Vollrat, nga Universiteti i Oksfordit, ka zbuluar diçka që mund t’i sprapsë elefantët. Ai vëren se kur elefantët trazojnë pa dashje një zgjua bletësh, «nuk është se s’duan t’ia dinë për këtë. Ata vrapojnë dhe bletët i ndjekin për kilometra të tëra». Bletët i pickojnë elefantët në zona të brishta përreth syve, pas veshëve, nën feçkë dhe në bark. Vollrati vuri zgjoje bletësh mjaltëse afrikane, me ose pa bletë brenda, në disa pemë që gjendeshin në një zonë me driza ku shkonin elefantët. New Scientist raporton se kafshët i anashkalonin të gjitha pemët me zgjoje ku kishte bletë, si edhe një të tretën e pemëve me zgjoje bosh. Por sulmonin 9 në 10 pemë prej atyre që nuk kishin zgjoje. Vollrati zbuloi edhe se elefantët shmangin tingullin e bletëve të inatosura, edhe kur ky tingull del nga altoparlantët.

Lajm i vonuar, reagim i menjëhershëm

«Koncepti i grataçelave është i panjohur për masait që jetojnë në këtë cep të Kenias [në Enosaen], ku objektet më të larta në horizontin e paanë janë pemët e akacies dhe gjirafat që ushqehen me to,​—thotë The New York Times.​—Prandaj, kur Kimeli Najoma u kthye kohët e fundit në këtë fshat të vogël, pasi kishte mbaruar studimet në Shtetet e Bashkuara, pa se masait e tjerë kishin vetëm një ide tepër të mjegullt për atë që kishte ndodhur në 11 shtator në atë vend të largët, të quajtur Nju-Jork. Disa veta në këtë fshat nomadësh që merren me rritjen e gjedhëve as që kishin dëgjuar për këtë ngjarje.» Kur Najoma, i cili kishte qenë në Manhatan më 11 shtator, u tregoi fshatarëve çfarë kishte parë me sytë e tij rreth tetë muaj më parë, këta u trishtuan jashtë mase dhe donin të bënin diçka për të ndihmuar. Për këtë arsye, ata u dhuruan viktimave të tragjedisë 14 lopë, një nga gjërat më të çmuara që mund të japë një masai. Por, për shkak të problemit të transportit, punonjësi i ambasadës amerikane që i pranoi ato, tha se «kishte mundësi që t’i shiste lopët e të blinte bizhuteri masai për t’ia dhënë Amerikës»,​—sipas asaj që thotë Times.

Vajza agresive

«Te djemtë, agresiviteti shfaqet kryesisht në formën e dhunës fizike,​—thotë gazeta Toronto Star,​—kurse te vajzat, taktikat janë shumë më psikologjike dhe emocionale.» Thuhet se kur vajzat hyjnë në moshën e adoleshencës, fillojnë të kenë më shumë frikë dhe ankth, ku përfshihet edhe ankthi se si u duken djemve. Specialistët në fushën e sjelljes mendojnë se «vajzat mund të konkurrojnë me njëra-tjetrën për ‘fuqinë që ka bukuria e tyre’, të nxitura nga imazhet erotike që paraqesin mediat». Denisa Andrea Kempbelli, ish-presidente e Komitetit Kombëtar të Veprimit për Statusin e Grave, thotë: «Shumë vajza nuk dinë si të ballafaqohen drejtpërdrejt me këto ndjenja zemërimi dhe xhelozie.» Prandaj këto ndjenja «shfaqen në mënyra të tërthorta që dëmtojnë të tjerët». Vajzat mund të vënë në shënjestër vajza të tjera, duke përdorur taktika si: periudha kur nuk u flasin fare, shikime të vrenjtura, thashetheme dhe shpifje.

Stresi në vendin e punës

«Pothuajse një në pesë kanadezë thonë se janë kaq të stresuar, saqë kanë menduar të kryejnë vetëvrasje për të gjetur çlirim»,​—njofton The Globe and Mail. Cili është burimi i këtij stresi? Në një anketë të bërë me 1.002 individë, 43 për qind cituan punën e tyre. «Sot, në vendin e punës po i çojmë njerëzit deri aty ku s’mbajnë më fizikisht dhe psikologjikisht,​—thotë Shimon Dolani, një psikolog organizativ dhe pedagog në Universitetin e Monrealit.​—Presioni për të bërë sa më shumë punë është tepër i madh, por në të njëjtën kohë, ka mjaft pasiguri. Njerëzit nuk e dinë nëse do ta kenë atë punë nesër.» Si e përballojnë kanadezët stresin? Globe thotë se ushtrimet fizike janë mënyra më e përhapur, «të ndjekura nga leximi i librave, hobi dhe sporte të ndryshme, grumbullimet shoqërore dhe zbavitja së bashku me familjen».

Fëmijët janë më të qetë kur lexojnë me prindërit

«Nëse fëmijët lexojnë rregullisht me një prind, kjo mund ta zvogëlojë në mënyrë të konsiderueshme sjelljen antishoqërore te fëmijët e rrëmujshëm që zihen, vjedhin dhe gënjejnë»,​—njofton gazeta The Times e Londrës. Instituti i Psikiatrisë bëri një studim dhjetëjavor që përfshinte më shumë se 100 fëmijë të moshës 5 dhe 6 vjeç nga pjesa qendrore e Londrës. Prindërit e këtyre fëmijëve u udhëzuan që «të fiknin celularët para se të uleshin e të lexonin bashkë me fëmijët, t’i bënin një përmbledhje tregimit para se ta lexonin dhe t’i kthenin faqet e të shihnin figurat dalëngadalë». Rezultatet «siguruan prova të qarta se veprimtaritë e thjeshta që planifikonin prindërit duke qenë të përqendruar, mund të jenë shumë të efektshme për t’ua përmirësuar sjelljen që në moshë të njomë»,​—thotë gazeta. «Në të vërtetë fëmijët duan vëmendje,​—tha drejtuesi i kërkimeve, dr. Stiven Skoti.​—Këtë mund ta marrin duke lexuar me prindërit.»

Vullnetarë të lumtur

«Njerëzit që ia kushtojnë kohën e tyre punës vullnetare thonë se janë më të lumtur se çdo grup tjetër me punën e tyre, me orët e punës, me lidhjet me të tjerët dhe me gjendjen frymore»,​—njofton The Sydney Morning Herald. Një anketë e drejtuar nga një skuadër kërkuesish në Australi zbuloi se vullnetarët ishin «shumë të kënaqur me shëndetin e tyre, me sasinë e kohës së lirë që kishin dhe si e kalonin atë»,​—thotë artikulli. Profesori Bob Kuminz nga Universiteti Dikin komentoi se forca punëtore vullnetare në Australi është mjaft e madhe: 32 për qind e australianëve bëjnë ndonjë punë vullnetare. Në Herald thuhej edhe se ata që punonin më shumë se 60 orë në javë, kryesisht gratë që kujdeseshin për të tjerët, «ishin më të kënaqur me shëndetin e tyre dhe me punën, sesa njerëzit që punonin më pak orë».

Lundrojnë në Kalimin Verilindor

The Independent e Londrës njofton se në orvatjen e katërt, një ekip eksploruesish gjermanë ia doli mbanë të lundronte me një anije me vela 18 metra të gjatë përmes Kalimit Verilindor. Kjo rrugë detare i vjen përqark bregut verior të Rusisë, që zakonisht është i mbuluar nga akulli. Në fillim e kaloi në vitin 1879 eksploruesi suedez Adolf Nordenskjold, me një anije me avull e me vela. «S’e kam parë kurrë më parë kalimin kaq të lirë nga akulli, sa këtë verë,​—tha drejtuesi i ekipit, Arved Fuksi.​—Mendojmë se kjo ndodhi për shkak të kombinimit të ngrohjes globale dhe të kushteve jonormale të erës, të cilat i mbajtën akujt notues larg bregut dhe na lejuan të kalonim.» Me ndihmën e një hidroplani shumë të lehtë dhe të fotografive të marra nga sateliti për lëvizjet e akujve notues, por pa ndihmën e akullthyeses, ata e përfunduan për 127 ditë udhëtimin prej 8.000 miljesh detare nga Hamburgu i Gjermanisë deri në Providenja të Rusisë, në Detin Bering. Në anije, burrat jetonin me racione si të astronautëve. Megjithatë, njëri prej tyre tha: «E vetmja vështirësi ishte të jetoje në një vend të vogël me 11 njerëz të tjerë për katër muaj me radhë.»