Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një zgjidhje realiste: A është e mundur?

Një zgjidhje realiste: A është e mundur?

Një zgjidhje realiste: A është e mundur?

ME SA duket, krimi është pjesë e pandashme e shoqërisë moderne. Pavarësisht nga përpjekjet qëllimmira të punonjësve socialë, organeve të ruajtjes së rendit dhe profesionistëve që merren me riedukimin e kriminelëve, bota po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme. A ka ndonjë zgjidhje?

Bibla tregon se po afrohet një ndryshim i madh. Atë nuk do ta sjellin përpjekjet e qeverive njerëzore. Pavarësisht se sa fisnike janë synimet e sundimtarëve njerëzorë, të gjithë ata janë të kufizuar në atë që mund të bëjnë. Thjesht, ata nuk kanë as fuqinë dhe as aftësinë që t’i shkulin nga rrënjët shkaqet e krimit ose të vendosin një sistem që të jetë gjithnjë i sigurt.

Ndryshimi për të cilin flet Bibla do të vijë nga Perëndia. Si Bërësi i universit, ai ka fuqinë dhe të drejtën ligjore të bëjë atë që njerëzit nuk e bëjnë dot. Bibla e përshkruan atë si ‘Ai që i katandis zyrtarët e lartë në hiç, që i ka bërë gjykatësit e tokës si diçka joreale . . . , ai që është edhe energjik në fuqi’. (Isaia 40:23-26, BR) Çfarë ndryshimesh premton Perëndia dhe si na japin ato një shpresë reale për një botë më të mirë?

Psalmi 37:10 na tregon për premtimin e Perëndisë: «Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe [i pabesi] nuk do të jetë më.» Perëndia ka si qëllim t’i shfarosë ata të ligj që janë të pakorrigjueshëm dhe nuk kanë ndër mend të ndryshojnë. Megjithatë ai nuk do t’i shkatërrojë të gjithë njerëzit. Atyre që janë të gatshëm të bëhen të butë, të përulur dhe paqësorë psalmisti u premton: «Ki shpresë të patundur tek Zoti dhe ndiq rrugën tij dhe ai do të të lartojë me qëllim që ti të trashëgosh tokën; kur të pabesët të jenë të shfarosur, ti do ta shikosh.» Pasi të ligjtë të kenë marrë fund, ata që do të mbijetojnë do të gëzojnë «një paqe të madhe»​—një botë të lirë nga çfarëdolloj krimi.​—Psalmi 37:11, 34.

Duhet të ndryshojë mendja dhe zemra

Për të zgjidhur një herë e mirë problemin e krimeve, nuk mjafton vetëm shkatërrimi i të ligjve dhe shpëtimi i njerëzve të mirë. Kërkohet më shumë. Shpesh krimet ndodhin kur zemrat dhe mendjet e njerëzve nuk janë mësuar siç duhet. Por, pikërisht këtu do të duket epërsia e qeverisë së Perëndisë në krahasim me qeveritë njerëzore. Do të sigurohen arsimim dhe udhëzime praktike për të mësuar njerëzit me qëllim që ata ta duan drejtësinë. Isaia 54:13 thotë: «Tërë bijtë e tu do të mësohen nga Zoti dhe e madhe ka për të qenë paqja e bijve të tu.»

Rezultatet do të jetë vërtet të shkëlqyeshme! Bibla flet me një gjuhë të gjallë për ndryshimet që do të bëjnë njerëzit, të cilët dikur kanë pasur cilësi si të kafshëve. Ajo thotë: «Ujku do të banojë bashkë me qengjin dhe leopardi do të rrijë me kecin, viçi, luani i vogël dhe bagëtia e majmur do të rrinë bashkë.» Pse? «Sepse vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin.» (Isaia 11:6, 9) Megjithatë ju dhe familja juaj nuk keni nevojë të prisni të ardhmen për të përjetuar ndryshime të tilla. Përse themi kështu?

Mund të nxirrni dobi që tani

Ka njerëz, të cilët po bëjnë që tani ndryshimet e nevojshme për t’u përgatitur për një botë pa krime. Ata tashmë po veshin një personalitet të ri, atë lloj personaliteti që Perëndia dëshiron ta kenë njerëzit që do të jetojnë në botën e tij të re. (2 Pjetrit 3:13) Ata e bëjnë këtë duke zbatuar në jetën e tyre parimet biblike. Vëreni përshkrimin interesant që bën Bibla: «Të rinoheni në forcën që vë në veprim mendjen tuaj e të vishni personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë.»​—Efesianëve 4:23, 24.

Kolosianëve 3:12-14 përshkruan më gjerësisht cilësitë e mira që shumë njerëz me zemër të ndershme po i kultivojnë që tani. Aty thuhet: «Si të zgjedhur të Perëndisë, të shenjtë e të dashur, vishuni me përzemërsinë e butë të dhembshurisë, mirëdashjes, përulësisë së mendjes, butësisë dhe shpirtgjerësisë. Vazhdoni të duroni njëri-tjetrin dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu sikurse Jehovai ju fali bujarisht, edhe ju bëni po ashtu. Por, përveç të gjitha këtyre gjërave, vishuni me dashurinë, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi.»

A do të dëshironit t’ju ndihmonin për të veshur personalitetin e ri të krishterë? Që sot, miliona njerëz anembanë botës po e veshin një personalitet të tillë me ndihmën e Dëshmitarëve të Jehovait. Në mbledhjet që mbahen rregullisht në Sallat e Mbretërisë dhe në kongreset e mëdha edhe njerëz që dikur ishin kriminelë të dhunshëm kanë mësuar si të veshin këtë personalitet paqësor. * Nëse dëshironi të nxirrni dobi nga një program kaq i shkëlqyer i arsimimit biblik, mos ngurroni të viheni në kontakt me botuesit e kësaj reviste. Ata do të jenë të kënaqur t’ju ndihmojnë të jeni midis atyre njerëzve, të cilët po përgatiten që tani për të jetuar në botën e re pa krime që do të sjellë Perëndia.

[Shënimi]

^ par. 12 Shihni disa shembuj në revistën Zgjohuni!, maj 2001, faqet 8-10.

[Figurat në faqen 10]

Miliona njerëz po arsimohen për të jetuar në një botë pa krime