Turi i Francës: 100-vjetori i provës më të madhe të çiklizmit
Turi i Francës: 100-vjetori i provës më të madhe të çiklizmit
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FRANCË
ISHTE nëntori i vitit 1902. Henri Degranzhi, drejtor i së përditshmes sportive L’Auto, po kërkonte një ide për të fituar mbi gazetën rivale Le Vélo. «Po sikur të organizojmë një garë çiklizmi përreth Francës?»—propozoi Zheo Lëfevrë, gazetar i ri i stafit të gazetës L’Auto. Në fillim kjo ide dukej e paarritshme, por s’kaloi shumë dhe u vu në jetë. Më 1 korrik 1903, pikërisht në orën 3.16 pasdite, 60 çiklistë profesionistë dhe amatorë u nisën nga Parisi për një udhëtim trejavor prej 2.428 kilometrash, në itinerarin e Turit të parë të Francës. *
«Skllevër të rrugës»
Gara pati sukses të menjëhershëm në publik. Në gjithë Francën, turma të mëdha njerëzish dilnin për të parë e për të brohoritur «skllevërit e rrugës», siç i quajti ata Alber Londrë, një reporter francez. Gjatë viteve të para të Turit, mund të themi pa e tepruar se kushtet e garës ishin primitive: pajisje të thjeshta, rrugë plot gropa, etapa që s’mbaronin kurrë dhe nisje gjatë natës.
Pjesëmarrësit në garë nuk lejoheshin të merrnin ndihmë teknike, përveçse në pikat e kontrollit. Prandaj çiklistët të cilëve u prishej biçikleta 20-kilogramëshe duhej ta riparonin vetë. Për shembull, në vitin 1913 dhe në vitin 1919, çiklistit të pafat Euzhen Kristof iu thye dy
herë piruni i përparmë i biçikletës dhe iu desh ta riparonte në një kovaçhanë fshati.Metoda të reja dhe ndjekja nga media
Që ta mbanin gjallë interesin për garën, organizatorët e saj duhej të përdornin metoda të reja çdo vit. Ndër ndryshimet e bëra ishin: etapa më të shumta e më të shkurtra, devijime të shkurtra nëpër vendet fqinje, ekipe kombëtare ose të sponsorizuara nga firma të ndryshme, gara shpejtësie individuale dhe ekipore, si edhe finishi në Champs-Élysées, në Paris. Një çast historik ishte ai i vitit 1919, kur çdo ditë çiklistit që kishte kohën e përgjithshme më të mirë të përgjithshme iu dha si çmim një fanellë e veçantë me të njëjtën ngjyrë si faqet e verdha të gazetës L’Auto. Kjo ishte shumë e dëshiruara maillot jaune ose fanella e verdhë. Në vitin 1931, për të financuar këtë garë, Degranzhi krijoi karvanin publicitar, i cili u paraprin çiklistëve me një orë dhe u jep gjallëri spektatorëve gjatë rrugës.
Shitjet e gazetës L’Auto, tani e quajtur L’Équipe, u shtuan shumë. Në vitin 1903, të 130.000 kopjet e botimit special të saj, që doli nga shtypi shtatë minuta pas mbërritjes së Moris Garës, fituesit të Turit të parë të Francës, u zhdukën menjëherë nga tezgat e gazetashitësve. Sot, me pamje të filmuara e të transmetuara në më shumë se 150 vende, Turi i Francës është ngjarja e tretë sportive më e ndjekur nga media, pas Lojërave Olimpike dhe Kampionatit Botëror të Futbollit. Sa për të ilustruar pasionin për këtë garë: në vitin 1987 parlamentarët spanjollë e ndërprenë debatin e tyre për të ndjekur fitoren e bashkëkombësit të tyre, Pedro Delgados, në 21 kthesat e forta të etapës malore të mundimshme në Alp d’Ye.
Sulmojnë malet
Në fillim, Turi zhvillohej kryesisht në terren të sheshtë. Pastaj, në qershor të vitit 1910, Alfons Stena, një gazetar i gazetës L’Auto, i dërgoi Degranzhit telegram nga Pirenejtë ku thoshte se shtigjet malore ishin tërësisht të kalueshme. Raporti që dha Stena nuk ishte tamam i saktë. Ai vetë kishte humbur rrugën dhe e kishte kaluar gjithë natën nëpër dëborë, në lartësinë 2.200 metra! Megjithatë, muajin pasues çiklistët më të fortë e pranuan këtë sfidë. Francezi Gustav Garigu, edhe pse nuk arriti i pari, u ngjit nëpër shtegun Turmale në Pirenej pa e vënë fare këmbën përtokë. Që nga ajo kohë, itinerarit të Turit i janë shtuar edhe shtigje të tjera malore në Alpe dhe në Pirenej.
Kur zbresin të tatëpjetën, çiklistët arrijnë shpejtësi marramendëse deri në 100 kilometra në orë dhe rëniet janë të zakonshme. Në vitin 1951, holandezi Vim Van Est, i cili mbante veshur fanellën e verdhë, ra në një luginë të thellë 50 metra dhe e nxorën prej andej me një litar të sajuar me kamerdaret e brendshme të gomave
të biçikletave. Të tjerë kanë pasur përfundim më tragjik. Në vitin 1935, spanjolli Fransisko Sepeda vdiq pasi ra në shtegun Galibje, në Alpe. Në vitin 1995, italiani Fabio Kazarteli vdiq pasi u rrëzua nëpër një të tatëpjetë me pjerrësi 17 për qind në Porte d’Aspe, në Pirenej.Duele nëpër male
Në vitin 1964, dy francezë, Zhak Ankëtij dhe Reimo Pulidor, u futën në një garë mbresëlënëse përbri njëri-tjetrit nëpër shpatet e Pyi-dë-Domës, në malet Overnj. Pulidori, i cili shpesh kishte qenë i dyti në këtë garë, e fitoi duelin, por e humbi fanellën e verdhë vetëm për disa sekonda.
Në vitin 1971, belgu Edi Merks dhe spanjolli Luis Okanja po haheshin për të dalë në krye. Më 12 korrik, Okanja ra në të tatëpjetën e shtegut Ment në Pirenej. I plagosur, spanjolli nuk e vazhdoi dot garën. Për nder të kundërshtarit të tij, Merksi kërkoi të mos e vishte fanellën e verdhë për t’u nisur ditën vijuese.
Gjatë etapave malore të garës ka pasur edhe raste të tjera ku sportistët kanë treguar fisnikëri. Për shembull, gjatë ngjitjes së Izoarit në Alpe, në vitin 1949, rivalët e mëdhenj italianë Xhino Bartali dhe Fausto Kopi, e lanë mënjanë përkohësisht rivalitetin për të ndihmuar njëri-tjetrin.
Sport me ekipe
Avancimet individuale me distanca të mëdha nga të tjerët janë mbresëlënëse. Një i tillë ishte në vitin 1951 avancimi i jashtëzakonshëm prej 140 kilometrash i zviceranit Hygo Koblet, në etapën Briv-Azho. Por, në shumicën e rasteve, fitorja është rezultat i një pune si ekip. Zakonisht ka 20 ekipe profesioniste me nga nëntë çiklistë secili. Anëtarët e ekipit e vënë veten tërësisht në dispozicion të udhëheqësit të grupit, gjithnjë gati për ta mbështetur nëse humbet forcat, i prishet biçikleta ose bie.
Shembulli i çiklistit 20-vjeçar, francezit Rëne Vieto, në vitin 1934 e ilustron më së miri këtë frymë skuadre. Edhe pse ai kishte shumë mundësi ta fitonte etapën, nuk u mendua dy herë, por u ngjit përsëri me biçikletë nëpër shtegun që sapo kishte zbritur, për t’ia dhënë biçikletën Antuan Manjit, udhëheqësit të ekipit, të cilit i ishte prishur biçikleta e tij.
Më të famshmit
Të fitosh Turin më shumë se një herë është fitore e madhe. Deri më sot ka pasur katër çiklistë që kanë fituar nga pesë herë: Zhak Ankëtij (Francë, 1957, 1961-1964), Edi Merks (Belgjikë, 1969-1972, 1974), Bernar Hino (Francë, 1978-1979, 1981-1982, 1985) dhe Migel Induran (Spanjë, 1991-1995). Por, kushedi sa herë do të kishte fituar belgu Filip Tys (fitues në vitet 1913, 1914, 1920) në rast se lufta e parë botërore, nga e cila nuk u kthyen më disa ish-kampionë, nuk do ta kishte ndërprerë garën?
Për shumë veta, çiklisti më i madh i të gjitha kohëve ka qenë Edi Merksi, me nofkën Kanibali. Me një rekord prej 34 fitoresh nëpër etapa, ai shkëlqente në çdo fushë: në gara shpejtësie, në sprinte, në zbritje dhe në etapa malore e fushore. «Ai na lë vetëm mbeturinat»,—ankoheshin kundërshtarët e tij, të mbetur pas. Të tjerë quajnë Fausto Kopin, dy herë kampion, si çiklistin më profesional e me stilin më elegant të të gjitha kohëve.
Fitore me çdo kusht
Mashtrimi gjatë Turit ka qenë gjithnjë një tundim. Në turin e vitit 1904, katër çiklistët e parë u skualifikuan, ndër të tjera sepse kishin marrë rrugë më të shkurtra që s’ishin autorizuar ose kishin udhëtuar me makinë.
Nga gjithë format e mashtrimit, dopingu (abuzimi me drogat) mbetet ende plaga e çiklizmit. Në vitet e hershme, disave në grupin e konkurruesve iu dhanë përzierje të pazakonta lëngjesh, dhe në vitin 1920, gazeta L’Auto botoi një artikull ku denonconte dopingun nën mbikëqyrjen mjekësore. Në vitin 1924 vëllezërit Pelisje pranuan se «po konkurronin me forcën e dinamitit», domethënë nën ndikimin e substancave të rrezikshme. Gjatë dhjetëvjeçarëve, disa aksidente të dyshimta mendohet se ishin pasojë e drogës, si për shembull vdekja tragjike e çiklistit britanik Tom Simson ndërsa ngjiste Mon Ventu në vitin 1967.
Në vitin 1998, në faqet e para të gazetave doli rasti i një dopingu masiv nën mbikëqyrjen mjekësore. Në makinën e masazhatorit të një ekipi u gjetën rreth 400 doza me droga që shtojnë aftësitë fizike, përfshirë edhe eritropojetinën. Një ekip u skualifikua dhe një i dytë u tërhoq nga gara. Skandali i vitit të kaluar njollosi emrin e mirë të finalistit të vendit të tretë. Sipas drejtorit të Turit të Francës, Zhan-Mari Lëblasë, i cili shkroi parathënien e veprës përkujtuese 100 ans de Tour de France (100 vjet Tur i Francës), botuar nga L’Équipe, «dopingu, zgjerimi i tepruar i itinerarit të garës dhe paratë» kërcënojnë vazhdimësinë e Turit.
Pavarësisht nga problemet, çiklistët nuk e kanë humbur aspak pasionin dhe hovin për garën. Lans Armstrongu nga Teksasi, katër herë fitues dhe kandidati i padiskutueshëm për të fituar garën njëqindvjeçare në vitin 2003, e cila kryesisht do të ndjekë itinerarin e vitit 1903, tha se Turi «ka një emër, një histori dhe një stil që s’mund të barazohet me asnjë garë tjetër. Çfarëdo që të ndodhë, ajo nuk do të jetë kurrë thjesht një garë si gjithë të tjerat». Ëndrra e çdo çiklisti profesionist është të fitojë Turin e Francës.
[Shënimi]
^ par. 3 Sot, normalisht Turi mbulon një distancë prej rreth 3.600 kilometrash, në etapa që zgjatin 20 ditë secila.
[Diagrami dhe harta në faqen 23]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Itinerari i garës njëqindvjeçare 5-27 korrik 2003
–– Gara shpejtësie
—— Transport ndërmjet etapave
• Pika e nisjes
○ Pikë ndalimi
• PARIS
-- ——
○ Sedan
-- ——
○ Sent-Dizie
-- ——
○• Never
--
○• Lion
--
○ L’Alp d’Ye
--
○ Marsejë
——
• Narbone
--
○• Tuluzë
-- ——
○ Kap’ Dekuvert
-- ——
○ Bajon
-- ——
○• Bordo
-- ——
○ Nantë
——
• Vil d’Avrej
--
○ PARIS
[Burimi]
Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.
[Figurat në faqen 22]
1927 Punonjës fabrike që ndërpresin punën për të parë garën
1903 Moris Garë, fituesi i parë i Turit të Francës
[Burimi]
100 ans de Tour de France, L’Équipe, 2002 © L’Équipe/Presse Sports
[Figura në faqen 23]
1910 Oktav Lapiz, me kamerdare të brendshme rezervë rreth qafës, duke shtyrë biçikletën në Pirenej
[Burimi]
100 ans de Tour de France, L’Équipe, 2002 © L’Équipe/Presse Sports
[Figurat në faqen 24]
1951 Italiani Fausto Kopi, dy herë kampion
1964 Ankëtij dhe Pulidor në një duel emocionues
[Burimi]
100 ans de Tour de France, L’Équipe, 2002 © L’Équipe/Presse Sports
[Figurat në faqet 24, 25]
1991-1995 Migel Indurani (Spanjë) me fanellë të verdhë fitoi pesë herë Turin e Francës
1999 Lans Armstrongu në një garë shpejtësie
[Burimi]
100 ans de Tour de France, L’Équipe, 2002 © L’Équipe/Presse Sports