Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Mos harro çadrën!»

«Mos harro çadrën!»

«Mos harro çadrën!»

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRITANI

NORMALISHT në Britani, çdo ditë shumë njerëz marrin me vete çadër. S’mund të jesh i sigurt se nuk do të bjerë shi. «Mos harro çadrën!»​—i themi njëri-tjetrit duke dalë nga shtëpia. Pastaj, pa e pasur mendjen, mund ta harrojmë në autobus, në tren ose në ndonjë dyqan. Vërtet, normalisht ne e nënvlerësojmë këtë mbrojtëse portative, sepse mund të blejmë një tjetër po na humbi. Por çadra nuk është parë gjithnjë me këtë sy, si e parëndësishme.

Histori e shquar

Duket se çadrat e para s’kishin të bënin fare me shiun. Ato ishin simbole të rangut e të nderit, pasi vetëm njerëzit e rëndësishëm mund t’i përdornin. Skulptura dhe piktura mijëravjeçare nga Asiria, Egjipti, Persia dhe India tregojnë shërbëtorë që mbajnë çadra dielli për t’i mbrojtur sundimtarët nga rrezet e tij. Në Asiri, vetëm mbreti mund të kishte çadër.

Gjatë historisë, çadra vazhdoi të paraqiste pushtetin, sidomos në Azi. Pozita shoqërore e një sundimtari rritej në përputhje me numrin e çadrave që kishte, siç e tregon fakti që një mbret burmez quhej Zotëria i njëzetekatër çadrave. Nganjëherë, numri i shtresave të pëlhurës së çadrave ishte i rëndësishëm. Çadra e perandorit në Kinë kishte katër shtresa, kurse çadra e mbretit në Siam kishte shtatë ose nëntë. Edhe sot çadra është ende simbol i autoritetit në disa vende orientale dhe afrikane.

Çadra fetare

Aty nga fillimi i historisë së saj, çadra u bë simbol fetar. Egjiptianët e lashtë mendonin se perëndesha Nut e mbronte të gjithë tokën me trupin e saj, si një çadër. Prandaj, njerëzit ecnin duke mbajtur «çatitë» e tyre portative për të pasur mbrojtjen e saj. Në Indi dhe në Kinë, njerëzit besonin se çadra e hapur paraqiste kupën qiellore. Budistët e hershëm e përdornin çadrën si simbol të Budës dhe në kubetë e monumenteve të tyre shpesh shihen çadra. Çadrat janë edhe pjesë e hinduizmit.

Çadrat u përhapën në Greqi rreth vitit 500 p.e.s. I përdornin për të mbrojtur shëmbëlltyrat e perëndive dhe të perëndeshave gjatë festave fetare. Gratë athinase kishin shërbëtorë që u mbanin çadra dielli për t’i mbrojtur, por shumë pak burra i përdornin çadrat. Që nga Greqia, ky zakon u përhap në Romë.

Kisha Katolike e Romës e përfshiu çadrën në veshjet ceremoniale të klerikëve. Papa filloi të shfaqej në publik nën një çadër prej mëndafshi me shirita të kuq e të verdhë, kurse kardinalët dhe peshkopët kishin çadra vjollcë ose jeshile. Edhe sot e kësaj dite, bazilikat kanë një fron për papën dhe sipër fronit një ombrellone ose çadër me ngjyrat papnore. Kardinali që shërben si kreu i kishës në periudhën kur vdes një papë dhe para se të zgjidhet tjetri, mban një ombrellone si simbol personal gjatë asaj periudhe.

Nga mbrojtëse kundër diellit në mbrojtëse kundër shiut

Sot ne e dimë që ka çadra shiu dhe çadra dielli që na mbrojnë nga rrezet e tij, por në fillim çadrat përdoreshin vetëm për t’u mbrojtur nga dielli. Ishin kinezët ose ndoshta gratë në Romën e lashtë që filluan t’i vajosnin dhe t’i lyenin me dyll mbrojtëset e tyre prej letre, për t’u mbrojtur nga shiu. Megjithatë, ideja e një mjeti mbrojtës nga dielli ose nga shiu u zhduk nga Evropa deri në shekullin e 16-të, kur italianët e më vonë francezët e zbuluan përsëri përdorimin e çadrës.

Aty nga shekulli i 18-të gratë në Britani filluan të mbanin çadra, ndonëse burrat ende nuk donin t’i mbanin, pasi i shihnin si xhingla për femrat. Përjashtim bënin pronarët e kafeneve, të cilët e kuptuan se ishte e volitshme të kishin një çadër aty afër për t’i mbrojtur klientët nga të papriturat e motit, ndërsa dilnin nga karrocat. Edhe klerikët i shihnin si të dobishme për t’i përdorur në varrezën e kishës, kur duhej të mbanin fjalime funerali nën shiun me gjyma.

Ai që ndryshoi historinë e çadrës në Angli ishte udhëtari dhe filantropi Xhonas Hanuej. Thuhet se ai ishte burri i parë që pati guximin të mbante një çadër në publik në Londër. Meqë në udhëtimet që kishte bërë përtej detit kishte parë se burrat mbanin çadra, ai ishte i vendosur t’u bënte ballë qesëndisjeve të inatosura të karrocierëve. Këta kalonin me dashje afër vijave të ujit duke e spërkatur me ujë tërë baltë. Hanueji dhe çadra e tij u shfaqën rregullisht së bashku për rreth 30 vjet. Në kohën kur ai vdiq, në vitin 1786, si gratë, ashtu edhe burrat mbanin pa problem çadra.

Në ato ditë, të përdorje një çadër shiu ishte sfidë e vërtetë. Këto çadra ishin të mëdha, të rënda e mezi përdoreshin. Pëlhurat e tyre të vajosura prej mëndafshi ose prej kanavaceje, si edhe telat e shkopi prej kallami ose prej kockave të balenave e bënin të vështirë për t’i hapur ato kur ishin të lagura. Përveç kësaj, uji depërtonte në to. Megjithatë, popullariteti i tyre u rrit pasi ishte më lirë të blije një çadër sesa të merrje një karrocë kur binte shi. Çadrabërësit dhe dyqanet e çadrave u shumuan, e po ashtu shpikësit e kthyen vëmendjen e tyre nga to, për t’i përmirësuar modelet. Nga mesi i shekullit të 19-të, Samuel Foksi shpiku e prodhoi modelin Paragon i cili kishte një skelet të lehtë, por të fortë prej çeliku. Pëlhurat e vjetra kaba u zëvendësuan me materiale më të lehta prej mëndafshi, pambuku dhe liri të zhytur në dyll. Ja ku u shfaq çadra moderne.

Artikull mode

Tani çadra e diellit u bë shumë e përhapur si artikull elegant mode për zonjat e dhëna pas modës në Angli. Duke pasqyruar modat që ndryshonin vazhdimisht, çadrat e tyre elegante të diellit bëheshin gjithnjë e më të mëdha dhe mbuloheshin me të gjitha llojet e mëndafsheve e të atllaseve me ngjyra të ndezura. Shpesh ishin të kombinuara me veshjet e tyre dhe të zbukuruara me dantella, thekë, fjongo, gërshetime e madje edhe me pupla. Edhe për mjaft kohë në shekullin e 20-të, asnjë zonjë e respektuar që dëshironte të ruante lëkurën e saj delikate nga dielli nuk dilte në publik pa çadër dielli.

Në vitet 20 hyri në modë lëkura e nxirë nga dielli, kështu që çadra e diellit pothuajse u zhduk nga qarkullimi. Tani erdhi epoka e zotërisë së qytetit me uniformën e tij të zakonshme kur përfshihej kapela cilindrike dhe një çadër e zezë e mbledhur, e cila i shërbente edhe si bastun elegant kur ecte.

Pas Luftës II Botërore, teknologjitë e reja sollën në treg modele më të mira çadrash, si për shembull modelin që mblidhet si teleskop, si edhe me mbulesa najloni, poliesteri e plastike, ku nuk depërton uji. Kanë mbetur vetëm pak dyqane që bëjnë ende çadra elegante të punuara me dorë e të kushtueshme. Por, sot në fabrika prodhohen në seri çadra me kosto të ulët e me të gjitha ngjyrat e përmasat. Ato fillojnë me çadrat gjigante të golfit e të plazhit, e deri te modeli që mund të mblidhet e të bëhet 15 centimetra, për t’u futur fare mirë në çantë.

Ndonëse një herë e një kohë shihej si luks dhe si simbol i pozitës, tani çadra mund të blihet kollaj dhe është pothuajse gjithnjë ndër të parat në listën e sendeve të humbura. Ajo është një pajisje shumë e dobishme kudo në botë për të përballuar ndryshimet e motit. Madje në disa vende është rikthyer prapë moda për t’i mbajtur si çadra dielli, siç ishin në fillim fare, duke pasur parasysh shtimin e paralajmërimeve rreth rreziqeve të qëndrimit në diell. Prandaj, ndoshta kur të dilni nga shtëpia sot, edhe ju do të dëgjoni fjalët: «Mos harro çadrën!»

[Kutia dhe figura në faqen 20]

Si të blini një çadër e të kujdeseni për të

Duhet të zgjidhni midis anës praktike dhe fortësisë. Lloji që kushton më pak, i cili mblidhet e mund të futet me lehtësi në një xhep të madh, vërtet që mund të ketë më pak tela, por është më pak i fortë për të përballuar erën e vrullshme. Nga ana tjetër, çadra tradicionale e gjatë si bastun mund të kushtojë më shumë, por zakonisht i qëndron motit dhe rron më tepër. Vërtet, një çadër e mirë mund të rrojë për shumë vjet. Cilindo lloj të zgjidhni, mbroje çadrën nga myku dhe nga ndryshku, duke e lënë hapur derisa të thahet plotësisht para se ta mbështjellësh prapë. Nëse e vini në këllëfin e saj, do ta mbani të pastër dhe pa pluhur.

[Figurat në faqen 19]

Shërbëtor që i bën hije një mbreti asirian

Një grua me çadër në Greqinë e lashtë

[Burimi]

Vizatimet: The Complete Encyclopedia of Illustration/J. G. Heck

[Figura në faqen 20]

Çadër dielli, rreth vitit 1900

[Burimi]

Culver Pictures