Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Kërkimet për qelizat burimore Nuk bëj shpesh komente për artikujt tuaj, pasi jam mësuar me cilësinë gjithnjë të shkëlqyer të revistës Zgjohuni! Megjithatë, ndihem i shtyrë t’ju shkruaj për të thënë që seria e artikujve «Qelizat burimore: A ka shkuar shkenca tepër larg?» (Dhjetor 2002) është shembulli më i mirë se si të shkruhet në mënyrë të shkëlqyer rreth temave të vështira për t’u kuptuar. Në media është folur kaq shumë për kërkimet rreth qelizave burimore, saqë ka qenë e vështirë t’i lidhje bashkë të gjitha faktet. Artikujt tuaj i shpjegonin gjërat me qartësi, ndërkohë që ishin të përqendruar në çështjet morale, etike dhe shoqërore.
K. M., Shtetet e Bashkuara
Presioni i bashkëmoshatarëve Faleminderit shumë për artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Presioni i bashkëmoshatarëve: A është vërtet kaq i fuqishëm?» (Dhjetor 2002) Nuk e kisha menduar asnjëherë se ndikohesha nga presioni i bashkëmoshatarëve. Por, në zonën ku jetoj, shumë po martohen në moshë të re. Më parë, gjithnjë kisha menduar të qëndroja beqare për njëfarë kohe dhe të zhvilloja personalitetin tim si grua frymore. Por kishte njerëz që vazhdimisht vinin e më pyetnin: «Kur do të martohesh?» (Jam vetëm 16 vjeçe.) Fillova të mendoja se ndoshta ishte gabim që isha beqare! Ky artikull më ndihmoi të kuptoj sa i fuqishëm është në të vërtetë presioni i bashkëmoshatarëve.
E. A., Shtetet e Bashkuara
Ndihmë pas përmbytjes Ju falënderoj shumë për artikullin «Dashuria në veprim—Një punë e vështirë për të siguruar ndihmë». (Dhjetor 2002) U habita kur mora vesh sa i madh kishte qenë dëmi nga përmbytja në Hjuston, Teksas. S’dija gjë për kushtet e rënda që po hasnin vëllezërit e mi dhe motrat e mia të krishtere atje. Puna e organizuar mirë për të siguruar ndihmë më dha një pamje paraprake se si toka do të kthehet në një gjendje të bukur pas Harmagedonit.
M. I., Japoni
Kodi gjenetik Do të doja të drejtoja vëmendjen te mënyra se si përdoret në botimin tuaj termi «kodi gjenetik». Për shembull, në artikullin «Si erdhi në ekzistencë universi dhe jeta?» (Qershor 2002), flitni për «përcaktimin që i bëhet sot renditjes së informacionit në kodin gjenetik». Si biolog do të doja të theksoja se ky përdorim i këtij termi është i pasaktë.
A. R., Rusi
«Zgjohuni!» përgjigjet: Në kuptimin e ngushtë të fjalës, lexuesi ynë ka të drejtë. Shkencëtarët nuk e përdorin termin «kodi gjenetik» për të përshkruar vetë gjenet. Në vend të kësaj, kodi i referohet mekanizmit ose grupit të rregullave që i lejojnë qelizës të «lexojë» ose të deshifrojë gjenet dhe të prodhojë proteinat. Megjithatë, «Zgjohuni!» i drejtohet publikut të gjerë, jo shkencëtarëve. Në përdorimin e përgjithshëm, termi «kodi gjenetik» shpesh ka një zbatim më të gjerë dhe joteknik.
Ujërat e pista Si kryemekanik i një sistemi të trajtimit të ujërave të pista, u kënaqa jashtë mase kur lexova artikullin «Ku shkon uji?» (Tetor 2002) Trajtimi i ujërave të pista shpëton miliona e miliona njerëz nga infeksionet prej mikrobeve patogjene. Në të kaluarën, tifoja, kolera dhe sëmundje të tjera të përcjella me anë të ujit ishin shumë të përhapura në botë. Interesant është fakti se sistemi modern i trajtimit të ujërave të pista është një proces natyror, në të cilin shpesh përdoren pak ose asnjë substancë kimike shtesë. Në sistemin ku punoj unë përdoret drita ultravjollcë për të dezinfektuar ujërat e zeza që trajtohen. Faleminderit që treguat për këtë proces jetëshpëtues të trajtimit të ujërave të pista.
E. P., Shtetet e Bashkuara
Qelibari Më pëlqeu vërtet artikulli «Burgosur në një pikë loti të artë». (22 shtator 2002, anglisht) Duhet ta pranoj se më parë nuk i kisha kushtuar vëmendje qelibarit si gur. Por, që kur lexova këtë artikull, sa herë kaloj para ndonjë dyqani me bizhuteri, nuk rri dot pa i parë nga afër hollësitë e kësaj mrekullie, që më parë më dukej diçka e rëndomtë e pa ndonjë hijeshi.
F. L., Francë