Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Gjymtojnë peshkaqenët
Në mbarë botën, peshkatarët që peshkojnë për tregti po u bien kryq e tërthor oqeaneve për të gjetur peshkaqenë, të cilëve u heqin pendët dhe i hedhin prapë në det të ngordhur. «Ky lloj gjymtimi i tmerrshëm nxitet thjesht nga kërkesat për supë të kushtueshme [me pendë peshkaqeni]»,—njofton Science News. Në gusht të vitit 2002, Roja Bregdetare e SHBA-së konfiskoi një anije havajane afër bregut të Meksikës, pasi zbuloi se ishte mbushur me 32 tonë pendë peshkaqeni. Në anije s’kishte asnjë pjesë tjetër nga peshkaqenët. «Kjo ngarkesë groteske nënkupton se janë masakruar të paktën 30.000 peshkaqenë dhe janë çuar dëm 580.000 kilogramë peshk,—thotë revista.—Sipas përllogaritjeve, përreth globit, flotat e peshkimit tani vrasin 100 milionë peshkaqenë në vit.» Ndonëse në tregun e lirë pendët e peshkaqenit kushtojnë deri në 200 dollarë për afro gjysmë kilogrami, ekziston një kërkesë gjithnjë në rritje që mezi plotësohet.
Si të përdoret koha
Nga një studim i fundit, doli përfundimi se «njerëzit që ankohen se s’kanë kohë mashtrojnë veten»,—thuhet te The Australian. Gazeta citon një studim të drejtuar nga Universiteti i Uellsit të Ri Jugor dhe nga Universiteti Kombëtar Australian, dhe thotë: «Shumë prej nesh kalojmë më tepër kohë në punë dhe duke bërë punë shtëpie sesa është vërtet e nevojshme.» Kërkuesit llogaritën sasinë e kohës që i duhej për të siguruar gjërat e domosdoshme të jetës një çifti të martuar që punon e që s’ka fëmijë. Pastaj e krahasuan kohën që kishin llogaritur me sasinë e kohës që në të vërtetë kalohet për këto veprimtari. Nga studimi u zbulua se çiftet pa fëmijë e që punonin, «kalonin gjithsej 79 orë në javë në punë, 37 orë për punët e shtëpisë dhe 138 orë për kujdesin vetjak, por në të vërtetë u nevojitej të punonin 20 orë në javë [10 orë secili], të bënin punë shtëpie për 18 orë dhe të kalonin 116 orë për kujdesin vetjak [duke përfshirë ngrënien dhe fjetjen]»,—thuhet në gazetë. Nëse një çift dëshiron të thjeshtojë jetën, mund të fitojë deri në 100 orë të tjera të lira në javë. Në studim, sipas The Australian, thuhet se çiftet që punojnë e që janë pa fëmijë «pretendojnë se janë ndër njerëzit që e kanë më të ngjeshur kohën, por, në të vërtetë janë më pak nevojtarë për kohë se çdo grup tjetër, pasi prindërit e kanë shumë më tepër të ngjeshur kohën e tyre».
Shtohen rastet me diabet në Indi
Organizata Botërore e Shëndetësisë përllogarit se më shumë se 170 milionë njerëz në mbarë botën janë me diabet. India është vendi që ka numrin më të madh të të sëmurëve, 32 milionë, dhe kjo shifër pritet t’i kalojë 57 milionët deri në vitin 2005, sipas gazetës Deccan Herald. Në një kongres ndërkombëtar për diabetin në Azi, të mbajtur në Sri-Lankë, specialistët thanë se ndryshimi i dietës dhe i stilit të jetesës janë arsyet kryesore për këtë rritje të shpejtë, së bashku me stresin, faktorët gjenetikë, peshën e ulët në lindje dhe të ushqyerit e tepërt të të sapolindurve. Në Indi, kostoja e kurimit të diabetit është ndër më të ulëtat në botë. Gjithsesi, ndërlikimet shëndetësore të lidhura me diabetin dhe vdekshmëria mbeten të larta, pjesërisht edhe sepse njerëzit nuk janë të vetëdijshëm për sëmundjen, edhe sepse sëmundja diagnostikohet me vonesë. Një studim i bërë në qytetet kryesore indiane nxori si përfundim se 12 për qind e popullsisë së të rriturve vuan nga diabeti, kurse 14 për qind nuk arrijnë ta përvetësojnë siç duhet glukozën dhe kjo gjë shpesh është pararendësja e diabetit.
Reporterët e luftës të traumatizuar
«Një numër mjaft i madh [reporterësh të luftës] kanë mbetur thellësisht të traumatizuar nga ajo që kanë parë vetë me sy e që kanë provuar»,—thotë The New York Times. Gazeta po komentonte për «një studim të bërë te [140] reporterë të dërguar në vende të huaja nga gjashtë kompani kryesore lajmesh, të cilët rregullisht raportonin lajme për luftëra dhe konflikte të tjera të armatosura». Artikulli shpjegon se «reporterët e luftës kishin përqindje mjaft më të larta të depresionit të rëndë dhe të çrregullimit të stresit pas-traumatik, sesa [një grup tjetër me 107] reporterë që nuk raportonin për luftën». Ndër simptomat «ishin kujtime të dhembshme që shfaqen për një çast, makthe të përsëritura, gjendje e acaruar, vështirësi për t’u përqendruar dhe shtim i tepruar i vigjilencës». Veç kësaj, «reporterët shfaqnin një seri vështirësish shoqërore, . . . duke përfshirë paaftësinë për t’u përshtatur me shoqërinë civile, ngurrimin për të ndenjur me miqtë, probleme në marrëdhëniet me njerëzit e tjerë dhe përdorimin e alkoolit si qetësues». Mesatarisht burrat dhe gratë te të cilët u bë studimi «kishin kaluar 15 vjet në zona konfliktesh, duke përfshirë Bosnjën, Ruandën, Çeçeninë, Somalinë dhe Afganistanin».
Plakja e evropianëve
«Evropa plakë është një emër që i përshtatet gjithnjë e më shumë asaj»,—njofton gazeta spanjolle El País. Pothuajse në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, të paktën 20 për qind e popullsisë është mbi moshën 60-vjeçare. Demografët parashikojnë se deri në vitin 2050, 4 në çdo 10 banorë në disa vende si Austria, Italia dhe Spanja do të jenë mbi 60 vjeç. Sipas komenteve të Asamblesë së Dytë Botërore për Plakjen, të mbajtur në Madrid, Spanjë, kjo plakje gjithnjë e më e madhe e popullsisë do të kërkojë përshtatje shoqërore dhe ekonomike. Do të jetë më e vështirë të financohen pensionet dhe sigurimet shëndetësore. Për shembull, punëdhënësve ndoshta do t’u duhet të punësojnë punonjës të moshuar, të organizojnë programe pune elastike ose me turne të shkurtra dhe të ofrojnë plane për daljen në pension sipas rrethanave. Për më tepër, «meqë do të ketë gjithnjë e më pak të rinj, kompanive që dëshirojnë të jenë të suksesshme do t’u duhet t’ua ofrojnë shërbimet dhe produktet e tyre më të moshuarve»,—vërejti Hoze-Maria Riera, një biznesmen spanjoll.
Nevojitet më shumë se kurrë edukata seksuale
Der Spiegel njofton se sipas shifrave zyrtare në Gjermani, midis viteve 1996 dhe 2001, abortet u rritën rreth 60 për qind ndër vajzat 15 deri në 17 vjeçe dhe 90 për qind ndër vajzat që janë edhe më të vogla. Norbert Kluge, që punon në Universitetin Koblenz-Landau, thotë se fëmijët po e arrijnë pjekurinë seksuale në moshë gjithnjë e më të re, por ‘nuk janë të edukuar siç duhet për çështjet seksuale, e sidomos jo aq shpejt sa duhet’. Kluge thotë që fëmijët duhet të informohen mirë për këto fakte të jetës para se të arrijnë moshën dhjetëvjeçare, por shumë prindër e shmangin këtë përgjegjësi. Sipas Berliner Morgenpost, drejtori i Këshillit Federal të Prindërve në Bon i këshillon prindërit që, kur t’i edukojnë fëmijët e tyre për çështjet seksuale, të zgjaten më shumë jo në proceset biologjike, por në temat emocionale, si për shembull «dashuria dhe marrëdhëniet me të tjerët».
Posta elektronike dhe aftësitë shoqërore
Gazeta Globe and Mail e Kanadasë thotë se sipas dy kërkuesve, punonjësit e kanë njësoj të flasin me një koleg që punon në të njëjtin kat nëpërmjet postës elektronike, siç mund të bëjnë me kolegët që janë mijëra kilometra larg. Duke folur për efektin që mund të ketë në marrëdhëniet shoqërore posta elektronike, Dejvid Kristali, profesor i gjuhësisë në Universitetin e Uellsit, thotë: «Reagimi i njëkohshëm është aspekt themelor i bisedës», kurse posta elektronike nuk e bën të mundur këtë, sepse kalon njëfarë kohe nga marrja e një mesazhi deri në përgjigje. Për më tepër, një që shkruan me postë elektronike mund ta monopolizojë bisedën pa e ndërprerë kush. «Aftësia për të folur me radhë në një bisedë,—thotë Globe,—është një aftësi shoqërore e domosdoshme.»
Dy palë nerva?
Njerëzit janë të pajisur me një sistem të veçantë nervor për të ndier dashurinë dhe butësinë, sipas revistës shkencore gjermane Bild der Wissenschaft. Shkencëtarët suedezë zbuluan se një grua që kishte humbur receptorët kryesorë të të prekurit, ndiente ende një ndjesi të këndshme kur e preknin me një penel të butë piktori. Ata zbuluan se kjo ndjenjë kënaqësie lindte nga një rrjet i dytë nervash në lëkurë, rrjet që përbëhej nga fije nervore me përcjellshmëri të ngadaltë, të quajtura fijet nervore C të të prekurit. Ky rrjet reagon vetëm ndaj prekjes së butë dhe aktivizon ato zona të trurit që kanë të bëjnë me ndjenjat. Duke komentuar përse njerëzit mund të kenë dy palë nerva, International Herald Tribune thotë: «Fijet nervore me përcjellshmëri të ngadaltë funksionojnë që në orët e para të jetës, ndoshta edhe kur foshnja është në bark, kurse fijet me përcjellshmëri të shpejtë zhvillohen dalëngadalë pas lindjes. Të porsalindurit mund të jenë në gjendje të ndiejnë dashurinë në prekjen e prindit para se të ndiejnë vetë prekjen.»