Pjalmi: Kërcënim apo mrekulli?
Pjalmi: Kërcënim apo mrekulli?
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI
Aaapshu! Ky tingull, bashkë me sy që lotojnë e që të kruhen dhe hundë të mbufatura që kullojnë, lajmëron ardhjen e pranverës për miliona njerëz. Zakonisht alergjia e tyre vjen si pasojë e ajrit të mbushur me pjalm. BMJ-ja (më parë British Medical Journal) përllogarit se 1 në 6 njerëz në botën e industrializuar vuan prej alergjive sezonale nga pjalmi. Këto shifra nuk na habitin, po të mendojmë çfarë sasie marramendëse pjalmi lëshojnë në ajër bimët.
Shkencëtarët llogaritin se pyjet e bredhit që zënë vetëm një të tretën e Suedisë, në jug, çlirojnë rreth 75.000 tonë pjalm çdo vit. Po ashtu, një bimë e vetme ambrozie, e cila është ‘rrënimi’ i banorëve të Amerikës Veriore që vuajnë nga alergjia, mund të prodhojë një milion kokrriza pjalmi në ditë. I transportuar nga flladi i erës, pjalmi i ambrozies është gjetur deri në 3 kilometra mbi sipërfaqen e tokës dhe deri në 600 kilometra në det të hapur.
Por, pse pjalmi shkakton reagim alergjik te disa njerëz? Para se të shqyrtojmë këtë pyetje, le të shqyrtojmë më nga afër pjalmin dhe të shohim projektin mahnitës që gjendet në këto kokrriza mikroskopike.
Kokrriza të vockla që mbartin jetë
Sipas The Encyclopædia Britannica, pjalmi «te bimët me farë formohet në pjalmorin ose aparatin mashkullor dhe transportohet me mënyra të ndryshme (era, uji, insektet, etj.) te pistili ose ndryshe aparati femëror, ku ndodh pllenimi».
Në bimët me lule, kokrrizat e pjalmit përbëhen nga tri pjesë të veçanta: një bërthamë me spermatozoidë dhe dy shtresa që përbëjnë murin ose guaskën e kokrrizës. Shtresa e jashtme e fortë është shumë rezistente ndaj shpërbërjes dhe është në gjendje t’u bëjë ballë acideve të forta, alkaleve e madje edhe nxehtësisë së madhe. Megjithatë, në përgjithësi pjalmi është i aftë të mbijë vetëm për disa ditë ose javë. Kurse shtresa e jashtme e fortë mund të rrojë për mijëra vjet pa u kalbur. Prandaj, kokrrizat e pjalmit mund të gjenden me shumicë në dheun e tokës. Madje shkencëtarët kanë mësuar shumë për historinë botanike të tokës duke studiuar pjalmin që gjendej në mostra dheu të marra në thellësi të ndryshme.
Kjo histori botanike mund të jetë edhe shumë e saktë, falë dizenjove të veçanta që gjenden në shtresën e jashtme të
kokrrizave të pjalmit. Në varësi të llojit të pjalmit, kjo shtresë mund të jetë e lëmuar, me rrudha, me motive, apo edhe e mbuluar me gjemba e gunga. «Pra, për sa i përket identifikimit, pjalmi i çdo lloji është po aq i besueshëm sa edhe shenjat e gishtërinjve të njeriut»,—thotë Von M. Brajanti, Jr., profesor antropolog.Si pjalmohen bimët?
Pasi kokrriza e pjalmit bie në kontakt me krezën, që është një pjesë e pistilit në bimët femërore, një reaksion kimik e bën kokrrizën e pjalmit të fryhet dhe të formojë një gyp që arrin deri te vezëza. Spermatozoidët që nga brenda kokrrizës së pjalmit udhëtojnë më pas përmes këtij gypi deri te vezëza, duke formuar një farë të pllenuar. Kur kjo farë ka arritur pjekurinë, thjesht duhet vendosur në mjedisin e duhur që të mbijë.
Disa bimë me farë rriten ose si bimë mashkullore, ose si bimë femërore. Megjithatë, shumica e bimëve me farë prodhojnë edhe pjalm, edhe vezëza. Disa bimë vetëpjalmohen, të tjerat pjalmohen me anë të kryqëzimit, duke e transferuar pjalmin te bimë të tjera të të njëjtit lloj ose të një lloji shumë të afërt me të. Bimët me pjalmim të kryqëzuar «shpesh e shmangin vetëpjalmimin, duke e çliruar pjalmin e tyre ose më përpara ose më mbrapa se krezat në të njëjtën bimë të jenë në gjendje ta presin atë»,—thotë Britannica. Të tjera kanë mjetet e duhura kimike për të dalluar ndryshimin ndërmjet pjalmit të tyre dhe pjalmit të një bime tjetër të të njëjtit lloj. Kur e kuptojnë që është pjalmi i tyre, ato nuk e lënë të zhvillohet atë, shpesh duke bllokuar rritjen e gypit pjalmor.
Në zonat ku ka shumëllojshmëri bimësh, ajri mund të jetë vërtet një koktej me pjalme të ndryshme. Si e dallojnë bimët pjalmin që u duhet? Disa prej tyre përdorin parime të ndërlikuara të aerodinamikës. Të shqyrtojmë, për shembull, pishat.
Korrin erën
Boçet mashkullore rriten në vile dhe, kur janë të pjekura, çlirojnë në ajër sasi shumë të mëdha pjalmi. Shkencëtarët kanë zbuluar se boçet femërore, në bashkëpunim me halat e pishës që i rrethojnë, e drejtojnë rrjedhën e ajrit në një mënyrë të tillë që pjalmi që ndodhet në ajër rrotullohet dhe bie drejt sipërfaqeve riprodhuese të boçeve. Te boçet femërore këto sipërfaqe bëhen të dukshme kur luspat e tyre hapen paksa, duke u ndarë nga njëra-tjetra.
Kërkuesi Karl J. Niklas bëri eksperimente të shumta rreth projektit mahnitës aeronautik të boçeve të pishës.
Ai shkroi në revistën Scientific American: «Studimet tona zbulojnë se forma e veçantë e boçes që prodhon secili lloj bime sjell si pasojë modifikime idiosinkratike [të veçanta] të modeleve të rrymës së ajrit . . . Në mënyrë të ngjashme, secili lloj pjalmi ka përmasa, formë dhe dendësi të veçantë, dhe kjo e bën pjalmin të ndërveprojë me ajrin në një mënyrë të pashoqe.» Sa të efektshme janë këto metoda? Niklasi thotë: «Shumica e boçeve që studiuam filtronin pjalmin ‘e tyre’ nga ajri, por jo atë të llojeve të tjera.»Sigurisht, jo të gjitha bimët pjalmohen duke shfrytëzuar erën, dhe kjo është shumë ngushëlluese për ata që vuajnë nga alergjitë. Shumë nga bimët përdorin kafshët.
Të joshur nga nektari
Bimët që pjalmohen nga zogjtë, nga gjitarët e vegjël dhe nga insektet zakonisht përdorin gjëra si gremça, gjemba a thekë ngjitës për ta ngjitur pjalmin në trupin e pjalmuesit që po kërkon ushqim. Për shembull, një greth plot qime mund të transportojë deri në 15.000 kokrriza pjalmi vetëm në një rrugë që bën.
Bletët, në të vërtetë, janë pjalmueset kryesore të bimëve me lule. Nga ana e tyre, bimët i shpërblejnë bletët duke u dhënë nektar të ëmbël dhe pjalm për të ngrënë. Ky i fundit u siguron atyre proteina, vitamina, minerale dhe yndyrna. Duke bashkëpunuar në mënyrë të jashtëzakonshme, bletët mund të shkojnë te më shumë se 100 lule në një udhëtim të vetëm, por mbledhin pjalm, nektar ose të dyja këto vetëm nga një lloj luleje, derisa të kenë mbledhur mjaft ose derisa të mbarojnë rezervat. Kjo sjellje e veçantë instinktive ndihmon për të siguruar pjalmim të efektshëm.
Mashtrohen nga lulet
Në vend që t’u ofrojnë gjëra të ëmbla, disa bimë përdorin mashtrime të ndërlikuara për t’i shtyrë insektet që t’i pjalmojnë. Të marrim, për shembull, orkidenë çekiç që rritet në Australinë Perëndimore. Lulja e kësaj orkideje ka një petal të ulët si buzë që edhe njerëzve u ngjan pothuajse tamam si një lloj grerëze femër, e shëndoshë e pa krahë. Madje lulja nxjerr edhe një imitues kimik të substancës tërheqëse seksuale të grerëzës së vërtetë femër. Të vendosura në fund të një theku pak më sipër këtij karremi tërheqës ndodhen qese ngjitëse të mbushura me pjalm.
Grerëza mashkull, e gënjyer nga aroma e substancës imituese kimike e kap ‘femrën’, pra karremin, dhe përpiqet të fluturojë duke e marrë «atë» me vete. Megjithatë, ndërsa niset, hovi e shtyn atë dhe partneren e supozuar tamam mbi qeset ngjitëse të pjalmit. Kur e kupton gabimin, ai e lëshon ‘karremin’—petal i cili në mënyrë të volitshme është ngjitur pas lules me një nyje që shërben si menteshë e që e lejon të kthehet prapë në vend—dhe ikën fluturimthi, vetëm për t’u mashtruar prapë nga një tjetër orkide çekiç. * Gjithsesi, kësaj radhe ai e pjalmon këtë orkide me pjalmin që mori nga takimi i mëparshëm.
Mirëpo, nëse janë në gjendje aktive grerëzat e vërteta femra, grerëzat meshkuj pa dyshim do të zgjedhin ato, jo mashtrueset. Prandaj, në mënyrë të volitshme, orkideja çel lule disa javë para se grerëzat femra të dalin nga pupat që gjenden nën sipërfaqen e tokës. Kjo i jep lules një përparësi të përkohshme.
Pse shkaktohen alergjitë?
Pse disa njerëz kanë alergji nga pjalmi? Kur kokrrizat e vockla të pjalmit futen në hundë, ato ngecin aty në një shtresë mukoze ngjitëse. Prej aty kalojnë në grykë, ku kapërcehen ose nxirren me anë të kollës, normalisht pa efekte të dëmshme. Mirëpo, disa herë pjalmi ngacmon sistemin imunitar.
Problemi qëndron te proteinat e pjalmit. Për ndonjë arsye, sistemi imunitar i dikujt që vuan nga alergjia i sheh si kërcënim proteinat e disa lloj pjalmeve. Trupi reagon duke shkaktuar një reaksion zinxhir që i bën mastocitet, të cilat gjenden në indet e trupit, të çlirojnë histaminë në sasi shumë të mëdha. Histamina i bën enët e gjakut të zgjerohen e të bëhen më të përshkueshme, kështu që prej tyre dalin lëngje që janë plot me qeliza imunitare. Në rrethana normale, këto qeliza imunitare shkojnë te vendi i dëmtuar ose te infeksioni dhe ndihmojnë për të hequr nga trupi pushtuesit e dëmshëm. Mirëpo, tek ata që vuajnë nga alergjia, pjalmi shkakton një alarm të rremë, i cili sjell si pasojë hundë që kullojnë e të mbufatura, fryrje dhe sy që lotojnë.
Kërkuesit janë të mendimit se njerëzit e trashëgojnë nga prindërit e tyre prirjen për të qenë alergjikë, ndonëse prirja mund të mos jetë e lidhur me një faktor specifik që shkakton alergji. Edhe ndotja mund të jetë një faktor që shkakton ndjeshmëri. «Në Japoni u zbulua një lidhje e drejtpërdrejtë ndërmjet ndjeshmërisë ndaj pjalmit dhe afërsisë me zonat ku kishte nivele të larta grimcash të tymit të motorëve dizel në ajër,—tha BMJ-ja.—Studimet e bëra te kafshët tregojnë se këto grimca e shtojnë ndjeshmërinë te njerëzit me alergji.»
Lumturisht shumë njerëz alergjikë mund të gjejnë lehtësim për simptomat e tyre me ilaçe antihistaminike. * Siç e tregon vetë emri, këto ilaçe kundërveprojnë ndaj veprimit të histaminës. Megjithatë, pavarësisht nga efektet ngacmuese të pjalmit, nuk mund të mos na lërë mbresa të thella mençuria që bëhet e qartë si në projektin, ashtu edhe në shpërndarjen e këtyre grimcave mikroskopike që mbartin jetë. Pa to, planeti Tokë do të ishte vërtet një vend i shkretë.
[Shënimet]
^ par. 23 Lulja quhet orkideja çekiç, sepse karremi (buzëla) lëkundet lart e poshtë i varur në një nyjë që funksionon si menteshë, e cila e lejon të lëvizë tamam si një çekiç.
^ par. 29 Në të kaluarën, barnat antihistaminike zakonisht shkaktonin përgjumje dhe tharje të gojës. Formula të reja të krijuara tani i kanë pakësuar këto efekte anësore.
[Diagrami në faqet 24, 25]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Pistil
Vezëza
Vezore
Gyp pjalmor
Krezë
Kokrrizë pjalmi
Thek
Pjalmor
Petal
[Burimi]
NED SEIDLER/NGS Image Collection
[Figurat në faqen 25]
Pamje në mikroskop të disa lloje pjalmesh
[Burimi]
Kokrriza pjalmi: © PSU Entomology/PHOTO RESEARCHERS, INC.
[Figurat në faqen 26]
Një pjesë e orkidesë çekiç i ngjan grerëzës femër
[Burimi]
Pamje të orkidesë çekiç: © BERT & BABS WELLS/OSF
[Burimi i figurës në faqen 24]
Kokrriza pjalmi: © PSU Entomology/PHOTO RESEARCHERS, INC.
[Burimi i figurës në faqen 26]
Kokrriza pjalmi: © PSU Entomology/PHOTO RESEARCHERS, INC.