Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pornografia: Pikëpamje të kundërta

Pornografia: Pikëpamje të kundërta

Pornografia: Pikëpamje të kundërta

«Ajo krijon dëshira të forta që nuk duhen pasur, ndez pasione që nuk duhen plotësuar kurrë.»​—Toni Parsons, gazetar.

XHONI nuk e kishte pasur kurrë ndër mend të binte në varësinë e ‘seksit në Internet’. * Ashtu si shumë njerëz të tjerë, të cilët rastësisht gjenden përballë pornografisë dhe chat-rooms për seksin, një ditë teksa po përdorte Internetin, ai ndeshi rastësisht një faqe që ofronte të tilla chat-rooms. Shpejt, kiberseksi e përpiu të tërin. «Prisja që ime shoqe të nisej për në punë,​—kujton ai,​—pastaj brofja nga krevati dhe kaloja orë të tëra para kompjuterit.» Nuk shkulej që aty për një kohë të gjatë, madje as për të ngrënë e as për të pirë. «Nuk ndieja fare uri»,​—thotë ai. Filloi ta gënjente gruan e të mos i tregonte për gjërat që bënte fshehtas. Kjo gjendje i ndikoi në përqendrimin në punë dhe sa vinte e bëhej më dyshues ndaj të tjerëve. Filloi të kishte probleme në martesë dhe kur më në fund e rregulloi të takohej me një nga partneret e tij të kiberseksit, gruaja e mori vesh. Sot Xhoni po kurohet për të dalë nga varësia e pornografisë.

Aktivistët që luftojnë kundër pornografisë i përmendin përvojat si kjo për të treguar pasojat degraduese të pornografisë. Ata thonë se ajo shkatërron marrëdhëniet midis njerëzve, poshtëron gratë, abuzon me fëmijët dhe sjell si pasojë një pikëpamje të degjeneruar dhe të dëmshme për seksin. Nga ana tjetër, përkrahësit e pornografisë e mbrojnë atë si një shprehje të lirë ndjenjash dhe i shohin kundërshtarët e saj si njerëz që skandalizohen lehtë. «Njerëzit nuk duhet të kenë turp për tendencën ose dëshirat e tyre seksuale,​—shkruan një prej tyre.​—Pornografia mund të përdoret për të nisur dhe për të nxitur biseda të lirshme për seksin.» Madje disa njerëz sugjerojnë se përhapja e shpejtë e pornografisë është shenja dalluese e një shoqërie të hapur dhe të shëndetshme. «Një shoqëri, e cila është aq e pjekur sa të pranojë shfaqjen e hapur të skenave seksuale ndërmjet njerëzve të rritur që vendosin vetë, ka shumë të ngjarë të jetë një shoqëri ku pranohen pa problem tendencat e ndryshme seksuale si edhe barazia e gruas»,​—thotë shkrimtari Brajan Mekneri.

A e bën të pranueshme pornografinë ekzistenca e pikëpamjeve të ndryshme në shoqëri? Përse pornografia është kaq e përhapur? A është vërtet e rrezikshme ajo? Artikujt vijues do t’u përgjigjen këtyre pyetjeve.

[Shënimi]

^ par. 3 Emrat janë ndryshuar.