Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse është përhapur kaq shumë pornografia?

Pse është përhapur kaq shumë pornografia?

Pse është përhapur kaq shumë pornografia?

MATERIALET epshndjellëse që kanë si synim të ndezin ndjenja seksuale kanë ekzistuar mijëra vjet më parë. Por për shumë kohë ishte e vështirë të prodhoheshin materiale të tilla pornografike dhe prandaj ato mund t’i kishin kryesisht të pasurit dhe klasat sunduese. Megjithatë shtypja në seri, shpikja e fotografisë dhe e filmit ndryshoi gjithçka. Tani materialet pornografike mund t’i gjenin e t’i blinin edhe ata që nuk ishin të pasur.

Dalja e videove bëri që më shumë njerëz të shikonin materiale pornografike. Ndryshe nga bobinat e kinemasë dhe fotografitë e vjetra, videokasetat ishin më të lehta për t’u ruajtur, për t’u kopjuar dhe për t’u shpërndarë. Gjithashtu ato mund të shiheshin edhe në shtëpi, larg nga sytë e të tjerëve. Kohët e fundit, përhapja e shpejtë e sistemit televiziv kabllor dhe e Internetit e ka bërë edhe më të lehtë sigurimin e materialeve pornografike. Konsumatori, i cili ka frikë se mos e sheh fqinji në sektorin ‘për të rritur’ në një dyqan videokasetash, tani mund «të rrijë në shtëpi dhe të sigurojë materiale pornografike thjesht duke shtypur një buton në televizorin e tij të lidhur me sistemin kabllor ose me satelitin»,​—thotë Denis Mekalpini, një analist i medias. Sipas Mekalpinit, lehtësia me të cilën hyhet në këto lloj programesh ka ndihmuar që pornografia «të pranohet shumë më tepër».

Pornografia bëhet normale

Shumë janë mëdyshas në lidhje me pornografinë, pasi sot ajo pranohet në përgjithësi si diçka normale. «Tashmë ndikimi i saj në kulturën tonë është shumë më i madh sesa ai i operës, baletit, teatrit, muzikës dhe i arteve të bukura të marra së bashku»,​—thotë shkrimtarja Xhermen Grir. Qëndrimet e sotme për pornografinë pasqyrohen në veshjet moderne ‘stil prostitute’ që përdorin shumë njerëz të famshëm, në videoklipet që përfshijnë gjithnjë e më tepër skena seksuale dhe në reklamat në media që po adoptojnë konceptin e «estetikës pornografike». Mekalpini nxjerr si përfundim: «Shoqëria po pranon pa asnjë kundërshtim gjithçka që i serviret. . . . Një gjë e tillë po ndihmon për të krijuar idenë se e gjithë kjo është e mirë.» Shkrimtarja Andrea Duorkin thotë me keqardhje se si pasojë e kësaj, «duket sikur njerëzit nuk provojnë kurrfarë tronditjeje. Me sa duket, nuk duan t’ia dinë».

Arsyetimi ku bazohet pornografia

Duke qenë në një mendim me komentin e shkrimtares Duorkin, Roxher Jangu, agjent i FBI-së i dalë në pension, thekson se shumë njerëz «thjesht nuk i shohin të gjitha aspektet e sjelljes së turpshme dhe problemet që shkakton ajo». Disa janë ndikuar nga ata që e përkrahin pornografinë, duke pretenduar se nuk ka asnjë provë që vërteton se skenat pornografike ndikojnë për keq te njerëzit. «Në fund të fundit, pornografia është fantazi,​—thotë shkrimtari F. M. Kristensen,​—një fakt që me sa duket kundërshtarët e saj e kanë të vështirë ta mbajnë parasysh.» Por nëse fantazia nuk ushtron asnjë ndikim, atëherë ku mbështetet industria e reklamave? Pse shoqëritë do të derdhnin me miliona dollarë për publicitet, videokaseta dhe reklama të shtypura, në qoftë se këto nuk do të kishin një ndikim të thellë te njerëzit?

Fakti është që si të gjitha reklamat e suksesshme, qëllimi kryesor i pornografisë është të nxitë te njerëzit dëshira të forta që nuk i kanë pasur më parë. «E thënë shkoqur, pornografia ka si qëllim fitimin material,​—shkruajnë kërkuesit Stiven Hill dhe Nina Silver.​—Dhe në këtë treg të shfrenuar çdo gjë konsiderohet si diçka për t’u shfrytëzuar dhe për t’u shitur, sidomos trupat e grave dhe marrëdhëniet seksuale midis njerëzve.» Griri e krahason pornografinë me ushqimin fast-food, i cili të bën kaq shumë për vete saqë e kërkon gjithnjë. Por ai s’ka fare vlera ushqyese, i janë shtuar përbërës që i japin shije si edhe lëndë kimike. «Pamjet me seks që të ofron në çast media,​—thotë ajo,​—flasin për seks të shtirur . . . Reklamat për ushqime shesin ushqim pa vlera dhe reklamat për seksin shesin pamje seksuale pa asnjë vlerë.»

Disa mjekë thonë se pornografia mund të krijojë një varësi nga e cila është shumë më e vështirë të dalësh sesa nga varësia e drogës. Kura për ata që janë nën varësinë e drogës zakonisht fillon me çtoksikimin, në mënyrë që trupi të pastrohet nga substancat narkotike. Por varësia nga pornografia, siç shpjegon dr. Meri-En Lejdeni që punon në Universitetin e Pensilvanisë, «krijon përfytyrime që nguliten përgjithmonë në mendjen e njeriut dhe bëhen pjesë përbërëse e trurit». Ja përse individëve mund t’iu rikthehen të gjalla në mendje pamjet pornografike që kanë parë vite të shkuara. Ajo nxjerr si përfundim: «Kjo është e para substancë që krijon një varësi nga e cila nuk ka shpresë të çtoksikohesh.» Por, a do të thotë kjo se është e pamundur të çlirohesh nga ndikimi i pornografisë? Dhe cilat dëme sjell konkretisht pornografia?

[Kutia në faqen 5]

Të dhëna për pornografinë në Internet

▪ Rreth 75 për qind e materialeve pornografike në Internet vijnë nga Shtetet e Bashkuara. Afro 15 për qind vijnë nga Evropa.

▪ Është llogaritur me përafërsi se rreth 70 milionë njerëz në javë hyjnë në faqet pornografike në Internet. Afro 20 milionë nga këta përdorues gjenden në Kanada dhe në Shtetet e Bashkuara.

▪ Nga një studim u zbulua se kohët e fundit, gjatë një periudhe njëmujore, ndër vendet e Evropës Gjermania kishte numrin më të madh të shikuesve të pornografisë në Internet. Pas saj vinin Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Spanja.

▪ Në Gjermani, shikuesit e pornografisë në Internet kalojnë mesatarisht 70 minuta çdo muaj duke parë faqet pornografike.

▪ Nga shikuesit evropianë të pornografisë në Internet, ata që janë mbi 50 vjeç e kalojnë shumicën e kohës duke parë faqet ‘për të rritur’.

▪ Sipas një burimi, 70 për qind e shikuesve të pornografisë në Internet i shohin materiale të tilla gjatë ditës.

▪ Sipas llogaritjeve që kanë bërë disa, afro 100.000 site në Internet kanë materiale pornografike me fëmijë.

▪ Rreth 80 për qind e materialeve pornografike me fëmijë, të cilat janë në shitje në Internet, vijnë nga Japonia.

[Figurat në faqen 4]

Sot materialet pornografike mund të gjenden më lehtë