Pse kërkoj të jem i përsosur?
Të rinjtë pyesin . . .
Pse kërkoj të jem i përsosur?
«Meqë babai ishte mësues, të gjithë pritnin që të merrja vetëm dhjeta. Ndonjëherë qaja derisa më zinte gjumi.»—Lea. *
«Kam maninë e përsosmërisë. Duhet medoemos të jem më i miri kur bëj diçka ose ta bëj krejt ndryshe nga të tjerët, nëse jo s’ka fare kuptim t’i futem asaj gjëje.»—Kalebi.
A MENDON se duhet të jesh gjithnjë i përsosur? A të bren gjithnjë mendimi se sado që përpiqesh, asnjëherë nuk je në lartësinë e duhur? A e ke të vështirë të pranosh qoftë edhe vërejtjen më të vogël? Kur diçka nuk shkon siç duhet, a ia hedh fajin vetes, duke e akuzuar veten se je budalla, se je më poshtë se të tjerët ose nuk vlen për asgjë? Nëse do që diçka të bëhet siç duhet, a mendon se duhet ta bësh patjetër vetë ? A të ndodh që të kesh kaq shumë frikë se mos nuk ia del të bësh diçka, saqë i zvarrit gjërat ose nuk i futesh fare asnjë pune?
Po në marrëdhëniet e tua me të tjerët? A e ndien veten pa shokë, sepse asnjëri nga ata që të rrethojnë nuk është aq i mirë sa duhet? A je i fiksuar te të metat dhe dobësitë e të tjerëve? Në rast se përgjigjja për ndonjërën nga këto pyetje është po, atëherë ka mundësi që vuan nga ajo që quhet mania për përsosmëri. E po të jetë kështu, nuk je aspak i vetmi. Kjo gjë është e zakonshme te të rinjtë, sidomos tek ata që janë të talentuar ose të suksesshëm. *
Nga se vjen mania për përsosmëri? Studiuesit kanë vetëm teori. Libri Perfectionism—What’s Bad About Being Too Good? (Mania për përsosmëri: Ç’të keqe ka të jesh tepër i mirë?) thotë: «Mania për përsosmëri nuk është sëmundje; nuk të ngjitet. Mania për përsosmëri nuk është e trashëgueshme; nuk e kishe kur linde. Atëherë, si nisi te ti kjo mani për përsosmëri? Disa specialistë mendojnë se kjo mani zhvillohet gjatë fëmijërisë. Presioni që vjen nga familja, nga vetja, nga shoqëria nga mediat, si dhe modelet jorealiste që duam të ndjekim ndërthuren dhe ushtrojnë një ndikim të fuqishëm. Ky ndikim bën që jeta e disa njerëzve të mbushet plot shqetësime, ndjenja faji dhe përpjekje sfilitëse.»
Cilido qoftë shkaku, mania për të qenë gjithnjë i përsosur mund të ta prishë jetën. Le ta shohim më nga afër se çfarë është mania për përsosmëri dhe pse mund të të dëmtojë.
Çfarë është mania për përsosmëri?
Mania për përsosmëri nënkupton më shumë sesa thjesht të përpiqesh fort për të shkëlqyer në ndonjë fushë ose për të ndier kënaqësi kur e kryen mirë një punë. Në fund të fundit edhe Bibla, Fjalët e urta 22:29, BR, e lavdëron atë që është ‘i zoti në punën e tij’. Gjithashtu në Bibël përmenden në mënyrë pozitive disa njerëz që ishin mjaft të zotë në mjeshtëri të ndryshme. (1 Samuelit 16:18; 1 Mbretërve 7:13, 14) Pra është gjë e mirë që të përpiqemi për të shkëlqyer në ndonjë fushë dhe që të vëmë synime të larta por edhe realiste. Në këtë mënyrë njeriu mund «të gëzohet në mundin e tij».—Predikuesi 2:24.
teMirëpo ai që kërkon përsosmëri lë t’i ikë një kënaqësi e tillë. Pikëpamja e tij për arritjet nuk është aspak e shëndoshë. Sipas disa specialistëve, mania për përsosmëri përfshin «synime të paarritshme (pra përsosmërinë) dhe një mungesë të vazhdueshme kënaqësie, pavarësisht nga arritjet». Si pasojë, kjo mani është «një burim i vazhdueshëm stresi që shpesh e bën individin të mendojë se ai ose ajo është një dështak». Kështu një burim e përkufizon maninë për përsosmëri si «bindja e paarsyeshme se ti dhe (ose) gjërat që të rrethojnë duhet të jenë të përsosura». Është «një qëndrim që njeriu e shfaq në gjithçka: çdo gjë që përpiqet të bëjë në jetë duhet të dalë e përsosur deri në imtësi, pa shtrembërime, pa të meta ose gabime, pa çrregullsi».
Por, a nuk tha Jezui: «Ju, pra, duhet të jeni të përsosur, sikurse është i përsosur Ati juaj qiellor.» (Mateu 5:48) Po, por Jezui nuk po thoshte se njeriu mund të jetë i përsosur në kuptimin absolut. Në të vërtetë Bibla thotë se «të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë». (Romakëve 3:23) Pra, çfarë donte të thoshte Jezui? Në Bibël fjala «i përsosur» ka kuptimin e të qenët i plotë. (Mateu 19:21) Kur Jezui tha se ne duhet të jemi të përsosur, ai po fliste për cilësinë e dashurisë dhe po i nxiste dishepujt e tij të ishin më të plotë në dashuri. Në ç’mënyrë? Duke pasur dashuri madje edhe për armiqtë e tyre. Shkrimtari biblik Luka i ka dokumentuar kështu fjalët e Jezuit: «Vazhdoni të bëheni të mëshirshëm, ashtu si Ati juaj është i mëshirshëm.»—Luka 6:36.
Mirëpo ata që kërkojnë përsosmëri mundohen shumë me bindjen e gabuar se të jesh i përsosur në kuptimin absolut është diçka e mundur. Prandaj ata mund të presin tepër nga njerëzit e tjerë. Sipas librit Never Good Enough—Freeing Yourself From the Chains of Perfectionism (Asnjëherë në lartësinë e duhur: Çlirohu nga vargonjtë e manisë për përsosmëri) ata që kërkojnë përsosmëri janë «njerëz që acarohen me mënyrën se si të tjerët e kryejnë punën e tyre . . . Sipas mendimit të tyre, njerëzit përreth as nuk bëhen fare merak ta kryejnë një punë siç duhet dhe as nuk provojnë kënaqësi nga puna e tyre».
Për shembull, Karli ka rezultate të mira në mësime dhe është regjistruar në një program për studentët e talentuar. Megjithatë gjërat nuk kanë shkuar po kaq mirë edhe në marrëdhëniet me të tjerët. Meqë dëshiron që gjithçka të jetë e përsosur, ajo ka humbur shumicën e miqve të saj. «Mendoj se ata kishin shumë të meta»,—thotë ajo.
Të tjerë mund të kërkojnë përsosmëri jo nga të tjerët, por nga vetja. Libri Asnjëherë në lartësinë e duhur shpjegon se njerëz të tillë mendojnë se «ata ose veprimet e tyre nuk janë në lartësinë e duhur . . . , dhe [ata] i shqetëson sidomos ajo që mendojnë të tjerët për ta».
E keqja e manisë për përsosmëri
Pra, në vend që të jetë e shëndetshme dhe dobiprurëse, këmbëngulja për përsosmëri shpesh është e rrezikshme dhe e dëmshme. Dhe në vend që të të nxitë të shkëlqesh në ndonjë fushë, një pikëpamje e tillë Proverbat] 19:20, BR) Por në vend se ta mirëpriste kritikën ndërtuese, Danieli u ndie si një dështak. «Doja të zhdukesha»,—kujton ai. Për javë të tëra kaloi netë pa gjumë.
shpesh sjell dështimin. Një i krishterë me emrin Daniel kujton se kur i caktuan të mbante një pjesë në shkollë në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait, ai punoi gjatë dhe u përpoq me të gjitha forcat. Shumë njerëz në auditor e lavdëruan për punën e mirë. Pastaj Danieli mori edhe disa sugjerime të dobishme të thëna me takt nga instruktori. Bibla na inkurajon ‘të dëgjojmë këshillën dhe të pranojmë disiplinën’. (Fjalët e urta [Pra siç e shohim, mania për përsosmëri e pengon procesin e të mësuarit. Në një artikull që doli në një faqe interneti për të rinjtë, një vajzë e quajtur Rejçëll shkruan: «Kur fillova shkollën e mesme isha e vendosur të dilja mirë në mësime. Gjithnjë merrja dhjeta dhe nuk shikoja ndonjë arsye që gjërat të ndryshonin.» Por shpejt Rejçëlli pa se kishte vështirësi në algjebër dhe merrte «vetëm» nëntë plus. «Për gjithë të tjerët kjo notë ishte e mirë,—kujton Rejçëlli,—por për mua . . . ishte turp. Fillova të kisha frikë dhe të shqetësohesha . . . Kisha frikë t’i kërkoja ndihmë mësueses, pasi mendoja se po të pranoja që kisha nevojë për ndihmë në detyrat e shtëpisë do të ishte sikur të pranoja se nuk i kuptoja. . . . Ndonjëherë gati-gati e bindja veten se do ishte më mirë të vdisja, sesa të isha një dështake.»
Nga frika se mos nuk ia dalin me sukses, disa të rinj arrijnë deri aty sa mendojnë të vrasin veten. Lumturisht shumica e të rinjve nuk e çojnë nëpër mend të bëjnë diçka kaq ekstreme. Por siç thotë një specialiste në fushën e shëndetit mendor, Silvia Rimi, ata mund të përpiqen të shmangin dështimin duke mos marrë fare përsipër të kryejnë detyrat e tyre. Sipas Rimit, disa nga ata që kërkojnë përsosmëri «nuk i dorëzojnë detyrat që u janë dhënë, nuk ndiejnë kënaqësi për punën që bëjnë, harrojnë të bëjnë detyrat e shtëpisë, nxjerrin justifikime».
Nga ana tjetër, ka të rinj të tjerë që mund të shkojnë në ekstrem për të qenë të sigurt se do t’ia dalin me sukses. «Rrija zgjuar deri natën vonë për t’i bërë pa asnjë gabim detyrat e shkollës»,—pranon Danieli. E keqja është se veprime të tilla ekstreme zakonisht japin efektin e kundërt. Një student i përgjumur ka më shumë të ngjarë të ketë rezultate të dobëta.
Prandaj nuk është çudi që maninë për përsosmëri e kanë lidhur me zemërimin kronik, vlerësimin e paktë për veten, ndjenjën e fajit, pesimizmin, çrregullimet në të ngrënë dhe depresionin. Megjithatë, ç’ka është më e rëndë, kjo mani mund të të dëmtojë frymësisht. Për shembull, Bibla i urdhëron të krishterët të flasin me të tjerët për besimin e tyre. (Romakëve 10:10; Hebrenjve 10:24, 25) Megjithatë një e re me emrin Vivjan ngurronte të komentonte në mbledhjet e krishtere, sepse kishte frikë se mos nuk shprehej siç duhej. Një e re me emrin Lea shprehu të njëjtën frikë. Ajo tha: «Po të them ndonjë gjë të gabuar, të tjerët do të mendojnë keq për mua. Prandaj e mbaj për vete atë që mendoj.»
Është e qartë pra se mania për të qenë i përsosur është e dëmshme dhe jo e shëndetshme. Dhe në qoftë se ke ndonjë nga tiparet që përshkruam në këtë artikull, ndoshta do të kuptosh se ke nevojë të ndryshosh disi mënyrën e të menduarit. Në një artikull të ardhshëm do të shqyrtohet se si mund ta bësh këtë.
[Shënimet]
^ par. 3 Disa emra janë ndryshuar.
^ par. 6 Sipas një studimi, 87,5 për qind e të rinjve të talentuar në një shkollë kishin prirjen për të kërkuar përsosmëri.
[Figura në faqen 12]
Frika se mos nuk ia dalin me sukses i pengon disa të rinj që t’i çojnë deri në fund detyrat e tyre
[Figura në faqen 13]
Mania për përsosmëri mund të çojë në depresion dhe në një vlerësim të paktë për veten