Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sauna: Më përpara dhe tani

Sauna: Më përpara dhe tani

Sauna: Më përpara dhe tani

PËR shekuj me radhë, në disa kultura njerëzit kanë përdorur sauna. Disa nga llojet e shumta të saunave janë inipi i indianëve të Amerikës së Veriut, bania e rusëve, hamami i turqve dhe mushiburo i japonezëve.

Një lloj tjetër ishin edhe banjat e Romës së lashtë, ku përfshihej një dhomë ku bëhej banjë e nxehtë dhe një dhomë me avull. Ndër banjat romake më të bukura e më luksoze që janë nxjerrë nga gërmimet janë banjat e Karakallës. Këto zinin një sipërfaqe toke prej 11 hektarësh dhe kishin një kapacitet për 1.600 veta.

Ju ftojmë të shqyrtoni dy lloje saunash që përdoren ende sot. Njëra është temeskali i Meksikës. Tjetra është sauna finlandeze dhe, pasi të lexoni për të, me siguri do të doni ta provoni.

Temeskali

Temeskali i Meksikës në epokën para spanjollëve, përdorej nga actekët, zapotekët, mistekët dhe majat për qëllime terapeutike dhe pastrimi, si për shembull ritet e arritjes së pjekurisë, të lindjes së fëmijëve, të varrimit të një të afërmi dhe ceremoni të tjera fisnore. Temeskal vjen nga fjala origjinale në gjuhën nahuatl temazcalli, që do të thotë «banjë popullore». Temeskali ishte një ndërtesë prej qerpiçi me formë drejtkëndëshe ose të rrumbullakët e me një çati të harkuar. Në këtë ndërtesë nxeheshin shkëmbinj vullkanikë dhe krijohej avull duke hedhur mbi shkëmbinj çajra bimorë, si çaj rozmarine dhe eukalipti. Personin që po lahej e goditnin butë me bimë rituale ose mjekësore dhe ceremonia përfundonte me spërkatjen me ujë të ftohtë.

Murgjit spanjollë luftuan kundër këtij zakoni gjatë periudhës së mëkëmbësit të mbretit, sepse e shihnin të papërshtatshme larjen ku përziheshin të dyja sekset. Gjithsesi, temeskali mbijetoi dhe përdoret ende në disa pjesë të Meksikës, kryesisht për t’u larë, për lehtësim nga sëmundjet ose për të marrë veten pas lindjes së fëmijës. Megjithatë, po shtohet shumë interesi për të rigjallëruar aspektet tradicionale fetare të temeskalit si pjesë e trashëgimisë së vendit.

Sauna finlandeze

Ndoshta sauna më e njohur është ajo finlandeze. Në të vërtetë vetë fjala «sauna» është një fjalë finlandeze. Kjo lloj banje ka ekzistuar për rreth 2.000 vjet. Më të vjetrat ishin gropa në tokë të mbuluara në mënyrë primitive e me një gropë për zjarr në qendër ose në cep. Më pas, në fillim të shekullit të 12-të të e.s. dolën sauna të veçuara, si tip kabine.

Sot në Finlandë, në përgjithësi shtëpitë kanë sauna, me mure të veshura me dru dhe me ngrohje elektrike ose me sobë druri. Në zonat fshatare dhe në saunat tip kabine është ende shumë e përdorur ngrohja me dru. Sobat, qoftë elektrike, qoftë me dru, mbulohen sipër me një shtrat gurësh. Ata që lahen e rritin lagështinë duke hedhur në gurët e nxehtë ujë me garuzhdë. Një dallim i rëndësishëm midis saunës finlandeze dhe banjave romake ose turke është se shumica e saunave vishen dhe mobilohen me dru. Duke qenë se druri nuk e përcjell shumë nxehtësinë, mund të arrihen temperatura të larta pa rrezikuar që ata që lahen të digjen nga stolat, mbajtëset ose muret.

Sauna është një pjesë kaq e ngulitur e kulturës finlandeze, saqë sipas përllogaritjeve ka një saunë për çdo 3 finlandezë. Shumica e finlandezëve bëjnë saunë rreth një herë në javë. Ndërsa janë me pushime në verë, shpesh buzë një liqeni, shumë veta bëjnë saunë thuajse çdo ditë. Zakonisht ata që lahen bëjnë njëra pas tjetrës një saunë të nxehtë e pastaj not në ujërat e ftohta të liqenit. Për ata që e pëlqejnë gjatë gjithë vitit këtë rit të saunës me të nxehtë e të ftohtë, ka shumë sauna të vendosura pranë lumenjve ose liqeneve të ngrirë, ku mbahet zakonisht një gropë në akull për të bërë zhytje të shpejta.

Dobitë shëndetësore të saunës

Që prej shumë kohësh finlandezët kanë qenë përkrahës të saunës për dobitë e saj shëndetësore. Një proverb finlandez thotë: «Sauna është farmacia e të varfrit.» Në të vërtetë, përveçse ishte dhomë për t’u larë, deri në shekullin e 19-të sauna shërbente edhe si njëfarësoj spitali dhe materniteti.

Një saunë tipike zgjat rreth 10 deri në 15 minuta çdo sesion, në temperatura 80 deri në 100 gradë Celsius. Shumë vetave u pëlqen të bëjnë disa sesione, duke u çlodhur ose duke bërë një dush në mes të sesioneve. Nxehtësia shkakton që të rritet qarkullimi i gjakut, të hapen poret dhe të dalin mbeturinat si, acidi laktik, duke sjellë si pasojë një efekt pastrues e duke larguar helmet. Sauna përdoret shpesh për të lehtësuar dhembjet pas ushtrimeve fizike dhe për lehtësim nga alergjitë, ftohjet dhe dhembjet e artritit. Ndonëse ka pikëpamje të ndryshme për këto dobi shëndetësore, ata që janë të dhënë pas saunës thonë se ajo të krijon vërtet një ndjenjë mirëqenieje, një ndjesi lehtësimi dhe pastrimi. Disave u pëlqen të bëjnë saunë në fund të ditës, për shkak të efektit të saj çlodhës dhe qetësues. Të tjerëve u duket rigjallërues kombinimi i të ftohtit me të nxehtin, prandaj u pëlqen të bëjnë saunë gjatë ditës. *

Saunat po bëhen gjithnjë e më të pëlqyera në gjithë botën, sidomos në hotele dhe ndërtesa sportive. Kujdes: mjerisht, në disa vende termi «saunë» përdoret për të përcaktuar disa vende prostitucioni. Prandaj, sigurohuni që sauna ku po shkoni është vërtet saunë, e përdorur për qëllime të hijshme.

Në disa vende saunat nuk përdoren siç duhet. Për shembull, po qe se mbi sobë nuk ka një sasi të përshtatshme gurësh dhe mbi të hidhet ujë, kjo mund të sjellë si pasojë një ngritje të shpejtë avulli që mund të jetë i bezdisshëm. Gjithashtu uji mund të depërtojë në zjarr ose në kabllot elektrike dhe me kalimin e kohës ta dëmtojë sobën. Prandaj, gjithnjë sigurohuni nëse ndiqen udhëzimet e prodhuesve të saunës dhe nëse sauna mbahet e pastër dhe e ajrosur siç duhet. Po të keni mundësi të shkoni në një saunë që i plotëson këto kërkesa, ndoshta mund të dëshironi ta provoni këtë banjë sa të lashtë, aq edhe moderne.

[Shënimi]

^ par. 14 Në qoftë se jeni të moshuar ose gra shtatzëna, apo keni probleme të zemrës, flitni me një mjek para se të bëni saunë.

[Kutia dhe figurat në faqen 23]

Këshilla për të bërë saunë

● Mos pini alkool e mos hani rëndë para saunës.

● Fillojeni duke bërë një dush.

● Uluni mbi një peshqir.

● Mos harroni se sa më i ulët të jetë stoli, aq më e ftohtë është temperatura.

● Rregullojeni lagështinë duke hedhur sasi të vogla uji në gurët që janë mbi sobë.

● Mos hyni në gara në të cilat ata që lahen sfidojnë njëri-tjetrin se kush duron më shumë temperatura jashtë mase të larta ose sesione tepër të gjata të rrezikshme.

● Mbaroni me një dush të ftohtë.

[Figura në faqen 21]

Banjat e Karakallës në Romë

[Burimi]

Me mirësjellje nga James Grout/ Soprintendenza Archeologica di Roma

[Figura në faqen 21]

Një saunë «temeskal»