Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sevilja​—Një portë drejt Amerikës

Sevilja​—Një portë drejt Amerikës

Sevilja​—Një portë drejt Amerikës

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË

NË VITIN 1493, një flotë me të paktën 17 anije ishte gati për t’u nisur nga qyteti spanjoll i Kadiksit. Kristofor Kolombi po fillonte udhëtimin e tij të dytë për të zbuluar vende të reja. Me të shkuan 1.500 marinarë, njerëz në kërkim të aventurave si dhe priftërinj e kolonizatorë. Qëllimi kryesor i ekspeditës ishte kolonizimi i Amerikës.

Pas këtij udhëtimi historik, një qytet tjetër spanjoll, Sevilja, u bë një portë drejt Botës së Re. S’kaloi shumë kohë dhe mbreti i dha Seviljes monopolin mbi tregtinë me kolonitë. Galerat spanjolle niseshin nga Sevilja dhe ktheheshin të ngarkuara me kallëpe argjendi të nxjerra në minierat e Bolivisë, Meksikës dhe të Perusë. Brenda pak dhjetëvjeçarëve, Sevilja u bë një nga qytetet më të mëdha dhe më të begata të Evropës. Gjurmët e asaj epoke të vjetër duken ende sot në dhomat e ndërtesave të lashta të Seviljes.

Për të organizuar tregtinë me Amerikën, tregti që po zgjerohej me shpejtësi, mbreti spanjoll, Filipi II, ngriti një ndërtesë mbresëlënëse pranë lumit Guadalkivir. Aty tregtarët e pasur mund të zhvillonin veprimtarinë e tyre. (Kryepeshkopi ishte ankuar, sepse më parë ata kishin përdorur katedralen për këtë qëllim.) Dy shekuj më vonë, po kjo ndërtesë u kthye në Archivo General de Indias, Arkivi i Përgjithshëm i Indive, dhe sot ajo mban pothuajse të gjitha dokumentet që flasin për kolonizimin spanjoll të Botës së Re. *

Gjahtarët e thesareve, të cilët kërkojnë galera të mbytura, e vizitojnë edhe sot këtë arkiv të Seviljes, për të studiuar dokumentet që flasin për lundrimet e hershme. Kurse historianët mund të jenë më të interesuar për t’u hedhur një sy disa prej letrave origjinale të Kristofor Kolombit.

Një erëtregues dhe një kopsht me portokalle

Megjithatë Sevilja kishte kaluar një epokë tjetër të artë shumë kohë para zbulimit të Amerikës, dhe disa nga ndërtesat e saj të mrekullueshme datojnë që prej asaj periudhe të hershme. Për shekuj me radhë, arabo-berberët, shumica e të cilëve erdhën nga Maroku, sunduan mbi territore të gjera spanjolle. Gjatë shekullit të 12-të, dinastia e Almohadit e bëri Seviljen kryeqytetin e saj. Gjatë kësaj periudhe u ndërtua një xhami, minarja e së cilës ende sheh qytetin e ditëve të sotme.

Kur arabo-berberët u dëbuan nga Sevilja, qytetarët e prishën xhaminë e qytetit që të hapnin vend për katedralen e Seviljes, katedralen e tretë për nga madhësia në Evropë (fotografia nr. 1). Por meqë minarja e hijshme ishte tepër e bukur për t’u çuar dëm, ajo u bë kambanorja e katedrales që u ndërtua anash saj. Përmasat e harmonishme të kambanores, arkitektura e ndërlikuar me tulla dhe dritaret e zbukuruara krijojnë një kontrast të këndshëm me katedralen e madhe.

Rreth 500 vjet më parë, dëmi i shkaktuar nga një tërmet çoi në restaurimin e pjesës së sipërme të kambanores dhe, që nga ai restaurim, një erëtregues bronzi zuri vendin e kubesë së mëparshme. Erëtreguesi i dha minares emrin e tij në spanjisht La Hiralda (fotografia nr. 2) dhe kambanorja është bërë pika më e njohur e referimit për Seviljen. Gjithashtu La Hiralda u ofron vizitorëve energjikë, që janë të gatshëm të ngjiten deri në majë, një panoramë të mrekullueshme të qytetit.

Poshtë kambanores së katedrales shtrihet një oborr i vogël i bërë nga arabo-berberët, Patio da los Naranjos. Ai ishte pjesë e xhamisë së dikurshme. Ky oborr i zbukuruar me radhë pemësh portokalli ka shërbyer si model për shumë oborre të ngjashme andaluziane. * Dhe meqë shumë rrugë dhe sheshe në Sevilje janë gjithashtu të zbukuruara me radhë pemësh portokalli, aroma e luleve të portokallit mbush gjithë qytetin në pranverë. Pemishtet me portokalle, të cilat në Spanjë i sollën fillimisht arabo-berberët, rrethojnë ende qytetin dhe frutat e tyre çmohen pasi me to bëhet marmelatë.

Lumi Guadalkivir, i cili rrjedh përmes qytetit, ka qenë gjithnjë një burim kryesor të ardhurash për tregtarët e Seviljes. Ai e bëri këtë qytet portin kryesor spanjoll drejt Botës së Re dhe anijet ende e përdorin limanin në brendësi të tij. Afër qendrës së qytetit, anash brigjeve të lumit ka kopshte. Gjithashtu, nga njëra anë e lumit ndodhet një përkujtues tjetër i së kaluarës arabo-berbere të Seviljes, La Torre del Oro, Kulla e Arit.​—Fotografia nr. 3.

Origjina e emrit të kullës vjen nga koha kur ishte e veshur nga jashtë me pllaka ngjyrë ari. Por funksioni kryesor i saj ishte mbrojtja dhe jo zbukurimi. Kohë më parë, një zinxhir i trashë shtrihej nga Kulla e Arit te një kullë e ngjashme me të në anën tjetër të lumit, duke u krijuar mundësi mbrojtësve të kontrollonin gjithë trafikun e lumit. Ishte e përshtatshme që pikërisht këtu, anijet që vinin nga Amerika të shkarkonin arin dhe argjendin. Sot vendin e galerave e kanë zënë varkat e turistëve, të cilat i lënë pasagjerët pranë Kullës së Arit.

Kopshtet, oborret dhe pllakat

Arabo-berberët ndërtuan pallate e xhami dhe mbollën kopshte për të hijeshuar pallatet e tyre. Kështu Sevilja krenohet me Reales Alkasares, Pallatin Mbretëror (fotografia nr. 4), i cili është një nga komplekset më të bukura me pallate e kopshte në Spanjë. Pallati daton në shekullin e 12-të, ndonëse iu bënë mjaft ndryshime në shekullin e 14-të. Megjithatë stili arabo-berber është ruajtur dhe vizitorëve u lë gjithnjë mbresa zbukurimi i këndshëm i dhomave dhe i oborreve. Ato stolisen me harqe të hijshme, pllaka me ngjyra dhe me punime të ndërlikuara në allçi.

Rreth e qark pallatit është një kopsht i këndshëm i zbukuruar plot me shatërvanë dhe palma. Sundimtari arabo-berber ndërtoi edhe një ujësjellës 16 kilometra të gjatë që të sigurohej se kopshti i tij do të ujitej siç duhej. Kaq e madhe është hijeshia e pallatit dhe e kopshteve të tij, saqë familja mbretërore spanjolle e ka përdorur si një nga rezidencat e saj zyrtare gjatë 700 vjetëve të kaluar.

Ashtu si pemët me portokalle bëjnë hije dhe lëshojnë aromë në rrugët e Seviljes, po kështu edhe pllakat me ngjyra i bëjnë të veçanta shtëpitë e qytetit. Ishin përsëri arabo-berberët ata që sollën këtë stil në Spanjë. Ata e kishin zakon të vinin rreth e përqark në muret e dhomave të brendshme pllaka të zbukuruara me figura gjeometrike. Pllakat e sotme dekorative të çdo lloji stolisin nga jashtë shtëpitë, dyqanet dhe vilat hijerënda.

Pllakat nuk janë e vetmja veçori plot ngjyra e rrugëve të ngushta të Seviljes së vjetër. Muret e lyera me gëlqere çelen nga ballkonet e vogla dhe nga vazot plot barbaroza ose trëndafila në parvazet e dritareve. Dhe falë klimës së butë, lulet çelin pothuajse gjatë gjithë vitit, duke i dhuruar qytetit një atmosferë të veçantë gazmore.

Aktivitete ndërkombëtare në Sevilje

Gjatë shekullit të kaluar, aktivitetet ndërkombëtare i kanë forcuar lidhjet e Seviljes me Amerikën. Është plot hir Plaza-de-Espanja, Sheshi i Spanjës (fotografia nr. 5), i cili u ndërtua më 1929 me rastin e Panairit Ndërkombëtar të Vendeve Spanjishtfolëse. Ende sot ky shesh bën për vete shumë turistë. Në njërën anë të sheshit muret e një ndërtese të madhe gjysmërrethore paraqesin punime artistike me pllaka që janë tipike të çdo province të Spanjës.

Më 1992, pesë shekuj pasi Kolombi u nis për herë të parë drejt Amerikës, Sevilja mirëpriti Panairin Botëror të Tregtisë të njohur si Ekspo ‘92. Në harmoni me temën e tij «Epoka e zbulimeve», aty ishte paraqitur një kopje me përmasat reale të anijes së Kolombit (fotografia nr. 6), që printe gjatë ekspeditës së tij. Përmasat e saj të vogla u sollën ndër mend vizitorëve natyrën e rrezikshme të këtyre lundrimeve heroike. Një objekt tjetër historik i Ekspo-s, ku tani gjendet një muze me vepra arti, është manastiri i restauruar La Kartuja (fotografia nr. 7). Aty Kolombi bëri përgatitjet për një nga lundrimet e tij nëpër oqean dhe aty u varros fillimisht.

Stadiumi i ri Olimpik i Seviljes do të jetë vendi ku do të zhvillohet një mbledhje tjetër e rëndësishme e vitit 2003, një nga kongreset ndërkombëtare të Dëshmitarëve të Jehovait. Ky rast do t’u japë mundësi delegatëve nga Evropa dhe nga Amerika ta njohin më mirë Seviljen​—një portë drejt Amerikës.

[Shënimet]

^ par. 5 Arkivi përmban 86 milion dorëshkrime dhe 8.000 harta e skica.

^ par. 11 Andaluzia është rajoni më jugor i Spanjës, rajoni ku bie më shumë në sy ndikimi i arabo-berberëve që zgjati afro tetë shekuj.

[Burimi i figurës në faqen 15]

Godo-Foto

[Burimi i figurës në faqen 16]

Godo-Foto

[Burimi i figurës në faqen 17]

Godo-Foto