Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’po ndodh me motin?

Ç’po ndodh me motin?

Ç’po ndodh me motin?

«Përmbytjet katastrofike dhe stuhitë e forta që kemi sot do të bëhen më të shpeshta.»​—TOMAS LOSTER, SPECIALIST PËR VLERËSIMIN E DËMEVE TË SHKAKTUARA NGA MOTI.

A KA vërtet diçka që nuk shkon me motin? Shumë veta kanë frikë se po. Meteorologu dr. Peter Verner, që punon në Institutin e Potsdamit për Kërkimet mbi Ndikimin e Klimës, thotë: «Kur vërejmë motin në shkallë botërore​—sasinë maksimale të reshjeve, numrin maksimal të përmbytjeve, të thatësirave dhe të stuhive​—dhe shohim ecurinë e tij, mund të themi me saktësi se këto maksimume janë katërfishuar gjatë 50 vjetëve të kaluar.»

Shumë njerëz mendojnë se dukuritë e pazakonta të motit flasin për një ngrohje globale që vjen si pasojë e shtimit të madh të të ashtuquajturit efekti serrë. Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit në Shtetet e Bashkuara shpjegon: «Efekti serrë është ngritja e temperaturës së Tokës për shkak të disa gazeve në atmosferë (si për shembull avujt e ujit, dyoksidi i karbonit, gazi nitror dhe metani) të cilët e ruajnë energjinë që vjen nga dielli. Pa këto gaze, nxehtësia do të kthehej përsëri në hapësirë dhe temperatura mesatare e Tokës do të ishte rreth 33°C më e ulët.»

Megjithatë shumë veta thonë se njeriu pa dashje e ka dëmtuar këtë proces natyror. Një artikull në Earth Observatory, i cili është një botim në Internet i Administratës Kombëtare të SHBA-së për Aeronautikën dhe Hapësirën, thotë: «Për dhjetëvjeçarë me radhë, fabrikat dhe makinat që kanë bërë njerëzit kanë lëshuar në atmosferë me miliarda tonë gaze që shkaktojnë efektin serrë . . . Shumë shkencëtarë kanë frikë se mos rritja e përqendrimit të gazeve që shkakton efektin serrë nuk e lë rrezatimin e tepërt termik të largohet nga Toka. Në thelb, këto gaze po e ruajnë nxehtësinë e tepërt të atmosferës së Tokës, ashtu si xhami i përparmë i makinës ruan energjinë diellore që hyn në makinë.»

Skeptikët theksojnë se njeriu ka shkaktuar vetëm një përqindje të vogël të gazeve të efektit serrë. Megjithatë Komiteti Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), një grup kërkuesish i sponsorizuar si nga Organizata Botërore Meteorologjike, ashtu edhe nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, njofton: «Ka prova të reja dhe më të forta që tregojnë se shumica e ngrohjes që është vënë re gjatë 50 vjetëve të kaluar ka ardhur si pasojë e veprimtarive të njeriut.»

Klimatologu Piter Tans që punon në Administratën Oqeanike dhe Atmosferike Kombëtare të SHBA-së thotë: «Nëse do më duhej të bëja një llogaritje, do të thoja se 60 për qind është faji ynë . . . 40 për qind që mbetet është për shkaqe natyrore.»

Pasojat e mundshme të ngrohjes globale

Pra, cilat kanë qenë pasojat e dukshme të shtimit të gazeve të efektit serrë nga ana e njeriut? Sot shumica e shkencëtarëve janë të mendimit se temperatura në tokë është rritur me të vërtetë. Por, sa ka qenë rritja e temperaturës? Raporti i IPCC-së për vitin 2001 thotë: «Temperaturat në sipërfaqen e globit janë rritur me 0,4 deri në 0,8°C që nga fundi i shekullit të 19-të.» Shumë kërkues mendojnë se kjo rritje e vogël e temperaturës mund të jetë shkaku i ndryshimeve të papritura të motit.

Kuptohet, sistemi i motit në tokë është jashtëzakonisht kompleks dhe shkencëtarët nuk mund të thonë me siguri se cilat janë pasojat e ngrohjes globale, nëse ka të tilla. Megjithatë, shumë mendojnë se si pasojë e ngrohjes globale është rritur sasia e shirave në Hemisferën Veriore, janë shtuar thatësirat në Azi dhe në Afrikë dhe dukuria El Ninjo ka ndodhur më shpesh në oqeanin Paqësor.

Nevojitet një zgjidhje botërore

Meqë shumë veta mendojnë se këtë gjendje të vështirë e ka shkaktuar njeriu, a nuk mund ta zgjidhë ai këtë problem? Tashmë mjaft vende kanë nxjerrë ligje për të pakësuar ndotjen që krijojnë makinat dhe fabrikat. Megjithatë, ndonëse janë për t’u lavdëruar, këto përpjekje kanë sjellë pak ose aspak rezultate. Ndotja është një problem botëror, pra edhe zgjidhja duhet të jetë botërore. Më 1992, në Rio-De-Zhanejro u mblodh Samiti për Tokën. Dhjetë vjet më vonë, në Johanesburg, të Afrikës së Jugut, u mbajt Samiti Botëror për Shfrytëzimin e Burimeve Natyrore pa Shkatërruar Ekuilibrin Ekologjik. Rreth 40.000 delegatë, duke përfshirë afro 100 udhëheqës shtetesh, morën pjesë në këtë mbledhje që u zhvillua në vitin 2002.

Këto konferenca kanë ndihmuar mjaft që shkencëtarët të bien në një mendje. Gazeta gjermane Der Tagesspiegel shpjegon: «Ndërkohë që shumica e shkencëtarëve në atë kohë [më 1992] kishin dyshime për efektin serrë, sot pothuajse s’ka asnjë dyshim rreth tij.» Ndonëse kjo është e vërtetë, ministri i mjedisit në Gjermani, Jyrgen Tritini, na kujton se zgjidhja e vërtetë e problemit nuk është gjetur ende. «Prandaj Samiti i Johanesburgut nuk duhet të jetë vetëm një samit fjalësh,​—theksoi ai,​—por edhe një samit i veprimit.»

A mund të ndalet dëmtimi i mjedisit?

Ngrohja globale është vetëm një nga problemet e shumta të mjedisit që po has njerëzimi. Është e lehtë të flitet për marrjen e masave të efektshme, por është shumë më e vështirë që fjalët të bëhen realitet. «Tani që më në fund e kemi kuptuar dëmin e tmerrshëm që i kemi sjellë mjedisit,​—shkruan etologia angleze Xhejn Gudal,​—po i vëmë në punë të gjitha aftësitë tona për të gjetur zgjidhjet teknologjike.» Por ajo paralajmëron: «Nuk mjafton vetëm teknologjia. Duhet të vëmë në punë edhe zemrën.»

Le t’i kthehemi sërish problemit të ngrohjes globale. Masat kundër ndotjes janë të kushtueshme; shpesh kombet më të varfra nuk mund t’i përballojnë shpenzimet. Kështu disa specialistë kanë frikë se kufizimet lidhur me energjinë do të bëjnë që firmat industriale të zhvendosen në vende më të varfra ku mund të nxjerrin më shumë fitime. Si pasojë edhe udhëheqësit me qëllimet më të mira janë në dilemë. Në qoftë se mbrojnë interesat ekonomike të kombeve të tyre, do të vuajë mjedisi. Në rast se nxitin mbrojtjen e mjedisit, vënë në rrezik ekonominë.

Prandaj Severn Kulis-Suzuki, anëtar i grupit këshillues të Samitit Botëror, thotë se ky ndryshim do të vijë nëpërmjet veprimeve individuale: «Ndryshimi i vërtetë i mjedisit varet nga ne. Nuk mund t’i mbajmë sytë nga udhëheqësit. Duhet të përqendrohemi në përgjegjësitë tona dhe çfarë mund të bëjmë që të vijë ky ndryshim.»

Është e arsyeshme të presësh që njerëzit të sillen me respekt ndaj mjedisit. Por nuk është kaq e lehtë që t’i nxitësh njerëzit të bëjnë ndryshimet e nevojshme në mënyrën e tyre të jetesës. Le ta ilustrojmë: shumica e njerëzve pajtohen me mendimin se automobilat ndikojnë në ngrohjen globale. Prandaj dikush mund të dëshirojë ta përdorë më pak ose të mos ketë fare makinë. Por ndoshta kjo gjë nuk është kaq e lehtë. Siç nxori në pah kohët e fundit edhe Volfang Zaksi, i cili punon në Institutin e Klimës, Mjedisit dhe Energjisë në Vupertal, «të gjitha vendet që luajnë rol në jetën e përditshme (vendi i punës, kopshtet, shkollat ose qendrat tregtare) ndodhen kaq larg, saqë nuk mund të shkosh dot pa makinë. . . . Nuk është puna dua apo s’dua unë të kem makinë. Shumica e njerëzve thjesht nuk kanë mundësi tjetër».

Disa shkencëtarë, siç është profesori Robert Dikinson në Institutin e Shkollës Teknologjike për Shkencat që lidhen me Tokën dhe Atmosferën, në Xhorxhia, kanë frikë se tashmë është tepër vonë për ta shpëtuar tokën nga pasojat e ngrohjes globale. Dikinsoni mendon se edhe sikur që sot e tutje të mos kishte më ndotje, pasojat e abuzimeve me atmosferën në të kaluarën do të zgjatnin të paktën edhe 100 vjet të tjera.

Meqë as qeveritë dhe as individët nuk mund t’i zgjidhin problemet e mjedisit, atëherë, kush mund t’i zgjidhë? Që nga lashtësia, njerëzit kanë shpresuar se ndihma për të kontrolluar dukuritë e motit do t’u vinte nga qielli. Sado naive mund të duken këto përpjekje, ato zbulojnë një të vërtetë thelbësore: njerëzimi ka nevojë për ndihmën hyjnore që të zgjidhë këto probleme.

[Diçitura në faqen 7]

«Ka prova të reja dhe më të forta që tregojnë se shumica e ngrohjes që është vënë re gjatë 50 vjetëve të kaluar ka ardhur si pasojë e veprimtarive të njeriut»

[Kutia në faqen 6]

«A është e dëmshme për shëndetin ngrohja globale?»

Një artikull në Scientific American ngriti këtë çështje që të fuste në mendime. Ai parashikonte se ngrohja globale «do të rritë numrin dhe përhapjen e shumë çrregullimeve të rënda shëndetësore». Për shembull, për disa vende «është llogaritur se numri i vdekjeve që lidhen me vapën e madhe do të dyfishohet deri në vitin 2020».

Më pak i dukshëm është roli që mund të luajë ngrohja globale te sëmundjet ngjitëse. «Parashikohet se problemet shëndetësore që vijnë nga mushkonjat do të shtohen gjithnjë e më tepër.» Kjo vjen ngaqë mushkonjat «shumohen më shpejt dhe pickojnë më shumë kur ajri ngrohet. . . . Ndërkohë që në zona të tëra temperatura rritet, mushkonjat mund të përhapen edhe në territore ku nuk ishin më parë, duke përhapur kështu edhe sëmundje».

Së fundi kemi edhe pasojat e përmbytjeve dhe të thatësirave. Në të dyja rastet, mund të vijë si pasojë ndotja e burimeve të furnizimit me ujë. Pra shihet qartë se rreziku i ngrohjes globale duhet marrë seriozisht.

[Figura në faqen 7]

Efekti serrë bën që nxehtësia të mbetet në atmosferë në vend që të shkojë në hapësirë

[Burimi]

Fotografi nga NASA

[Figurat në faqen 7]

Njerëzit kanë lëshuar me miliarda tonë elementë ndotës në ajër, duke e përshpejtuar efektin serrë