Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Diçka që asnjë stuhi nuk e zhduku dot

Diçka që asnjë stuhi nuk e zhduku dot

Diçka që asnjë stuhi nuk e zhduku dot

NGA SHKRIMTARËT E ZGJOHUNI! NË GJERMANI, AUSTRI, MEKSIKË DHE KORE

GJATË vitit 2002 katastrofat e motit goditën shumë vende. Evropa vuajti pasojat e një sërë përmbytjesh shkatërrimtare. Katastrofa pati edhe në pjesë të tjera të globit. Kështu, Meksikën e goditi një uragan shkretues, kurse Korenë një tajfun. Ndonëse këto ngjarje ishin tragjike, ato shërbyen për ta forcuar edhe më shumë dashurinë që lidh të krishterët e vërtetë.

Pas përmbytjeve të vitit 2002 në Evropë, ish-kancelarin e Gjermanisë Perëndimore, Helmut Shmitin, e pyetën se çfarë ndihme u nevojitej viktimave. Ai u përgjigj: «Njerëzit kanë nevojë për ushqim dhe për strehë, kanë nevojë të kenë ca para në xhep dhe kanë nevojë për ndihmë shpirtërore.» Dëshmitarët e Jehovait luajtën një rol të rëndësishëm në dhënien e ndihmës fizike dhe frymore për viktimat e stuhive. Lexoni për ndihmën që dhanë ata në Gjermani, Austri, Meksikë dhe në Kore.

Të gatshëm për të ndihmuar në Gjermani

Kur u mor vesh se vendin po e kërcënonte katastrofa e përmbytjes, shumë Dëshmitarë të Jehovait në Gjermani i bashkuan përpjekjet e tyre me masën, për të mënjanuar rrezikun e ujërave të përmbytjes. Kethlina, një 19-vjeçare që jeton në Drezden thotë: «Nuk mund të ulesha e të rrija duarkryq. Kur dëgjova se disa njerëz rrezikonin të humbnin gjithçka, ndjeva se duhet të shkoja dhe t’i ndihmoja.»

Dëshmitarët në Gjermani filluan të organizoheshin për të dhënë menjëherë një ndihmë të efektshme. Si të krishterë, ata ndien një detyrim të veçantë për të ndihmuar motrat dhe vëllezërit e tyre frymorë. Por ata treguan dashuri edhe për fqinjët e tyre. (Marku 12:31) Kështu, më shumë se 2.000 vullnetarë u ndanë në skuadra me nga 8 deri në 12 veta. Secilës skuadër iu caktua një punë e veçantë në zonën e prekur nga katastrofa. Në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait, në Zelters, Gjermani, u vunë në dispozicion 13 linja telefonike për t’iu përgjigjur mijëra telefonatave nga njerëz që pyetnin për katastrofën dhe donin të jepnin ndihmë.

Roni dhe Dina janë Dëshmitarë të Jehovait që shërbejnë në kohë të plotë. Ata e shfrytëzojnë kohën për të ndihmuar miqtë dhe fqinjët që të mësojnë të vërtetat e Biblës. Kur dëgjuan se po afrohej një përmbytje, në fillim ata shkuan në qendrën e qytetit të Drezdenit për të ndihmuar në përpjekjet e mëdha që po bëheshin për të shpëtuar ndërtesat me vlera historike. Pas përmbytjes, Roni dhe Dina u bashkuan me Dëshmitarë të tjerë për të pastruar Sallën e Mbretërisë në Frajtal, e cila ishte mbushur me ujë të pistë. Pastaj grupi filloi të ndihmonte edhe fqinjët. Pronari i një restoranti përballë sallës, psherëtiu i lehtësuar kur Dëshmitarët ia pastruan qilarin dhe katin përdhes nga mbeturinat dhe nga balta.

Zigfridi dhe Hanelora jetojnë në Kolmnic, një fshat rreth 40 kilometra në jugperëndim të Drezdenit. Përroi që rrjedh përmes fshatit u mbush me ujë dhe u kthye në një lumë të rrëmbyeshëm që përmbyti shtëpinë dhe kopshtin e tyre. Sapo u ul niveli i ujit, fqinjët mbetën të mahnitur kur panë rreth 30 Dëshmitarë, që nuk ishin nga ajo zonë, të cilët erdhën për të ndihmuar Zigfridin dhe Hanelorën për të pastruar shtëpinë. Pastaj, grupi filloi të pastronte kopshtet e fqinjëve. Disa fshatarë i pyetën se çfarë i shtyu ata që të udhëtonin 100 kilometra për të ndihmuar njerëz që as i kishin parë ndonjëherë. Kështu Dëshmitarët mundën t’u jepnin inkurajim frymor viktimave në Kolmnic.

Edhe periferitë e qytetit të Vitenbergut vuajtën nga përmbytja. Disa ditë para përmbytjes, një çift Dëshmitarësh, Franku dhe Elfrida kishin punuar përkrah fqinjëve të tyre, duke mbushur dhe duke vënë pirg thasë me rërë për të përforcuar anët e lumit. Sapo u tërhoqën ujërat, Franku dhe Elfrida shkuan të takonin viktimat, duke u dhënë atyre ushqim dhe ngushëllim. Franku kujton: «Një zonje i dukej e pabesueshme që ne, disa të panjohur, i çuam asaj për të ngrënë pa i kërkuar para. Na tha se asnjeri nga kisha e saj nuk kishte shkuar ta shihte, kurse organizata që i kishte sjellë për të ngrënë, çdo herë i kishte kërkuar edhe pagesën. Njerëzit u mahnitën kur panë që Dëshmitarët e Jehovait mbanin në duar një gjellë të ngrohtë në vend të literaturës biblike.»

Austri: I përgjigjen menjëherë katastrofës

Ujërat e përmbytjes bënë kërdinë edhe në Austrinë fqinje. Tri komitete u ngritën për të drejtuar përpjekjet për dhënien e ndihmës. Iu dha përparësi riparimit të tri Sallave të Mbretërisë që ishin dëmtuar rëndë. Gjithashtu mes Dëshmitarëve, gati 100 familje kishin pësuar dëme dhe 50 shtëpi ishin përmbytur. Disa njerëz kishin humbur gjithçka përveç rrobave të trupit. Zyra e degës në Austri i njoftoi për situatën kongregacionet në atë zonë dhe u krijua një fond për dhënien e ndihmës. Deri në shtator kontributet kishin arritur më shumë se 34.000 dollarë.

Një nënë shkroi: «Djali im tetëvjeçar është shumë kursimtar dhe kishte mbledhur gati 14 dollarë. Megjithatë, kur dëgjoi se disa nga vëllezërit tanë kishin humbur çdo gjë, ishte gati t’i jepte të gjitha kursimet si kontribut për fondin e ndihmës.»

Nën drejtimin e Komiteteve Rajonale të Ndërtimit (RBC), të cilat zakonisht mbikëqyrin ndërtimin e Sallave të Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait, u organizuan skuadra për të ndihmuar në riparimin e shtëpive që ishin dëmtuar nga përmbytjet. «Gazetat duhet të tregojnë për atë që po bëni këtu»,​—tha me zë të lartë një vëzhguese. Madje disa ndryshuan mendim për Dëshmitarët e Jehovait. «Deri më sot,​—tha një nënë Dëshmitare,​—fëmijët e mi që nuk janë Dëshmitarë më kthenin krahët kur përpiqesha t’u flisja për besimin tim. Por tani është hera e parë që po më dëgjojnë.»

U bënë përpjekje për të ndihmuar edhe shumë njerëz që nuk ishin Dëshmitarë. Për shembull, një grua u prek shumë kur një Dëshmitar erdhi në shtëpinë e saj në orën 7.30 të mëngjesit dhe e pyeti nëse kishte nevojë për ndihmë. Gruaja duhej të dilte nga shtëpia, pasi tashmë uji kishte filluar t’i hynte në shtëpi. Megjithatë, kur u kthye, gjeti në portën e oborrit një shënim që ia kishin lënë Dëshmitarët. Aty thuhej: «Po të keni nevojë për ndihmë, na lajmëroni menjëherë.» Dëshmitarët e ndihmuan të pastronte shtëpinë dhe oborrin nga balta dhe nga mbeturinat.

Një skuadër me 100 Dëshmitarë shkoi në komunën e Aut për të ndihmuar Dëshmitarët vendës dhe fqinjët e tyre. Drejtuesit e skuadrës shkuan nga shtëpia në shtëpi dhe i pyetën banorët nëse kishin nevojë për ndihmë. Njerëzit habiteshin kur shihnin se Dëshmitarët kishin me vete mjete për të hequr ujin dhe për të pastruar, të tilla si pompa, fshesa dhe lopata. Ajo punë që të zotërve të shtëpive mund t’u ishte dashur një javë për ta mbaruar, përfundoi brenda disa orësh. Njerëzit shikonin me sy të përlotur.

Rreth 400 Dëshmitarë vendës morën pjesë në përpjekjet për dhënien e ndihmës, shpesh duke punuar natë e ditë. Për ata që shikonin ishte një dëshmi e jashtëzakonshme e forcës së krishterimit të vërtetë.

Izidori godet Meksikën

Izidori filloi si një stuhi tropikale në veri të Venezuelës. Më 22 shtator 2002, Izidori goditi gadishullin meksikan të Jukatanit. Ishte një uragan i shkallës së tretë. Për shkak të erës që arriti shpejtësinë 190 kilometra në orë dhe shirave të rrëmbyeshme, ai shkaktoi dëme ndër më të mëdhatë në historinë e shteteve meksikane të Jukatanit dhe të Kampeçes, si edhe mjaft dëme në shtetin e Kuintana-Rosë. Vetëm në Jukatan, u dëmtuan rëndë rreth 95.000 shtëpi dhe 500.000 njerëz vuajtën pasojat.

Kaq i madh ishte roli që luajtën Dëshmitarët e Jehovait në dhënien e ndihmës në Jukatan, saqë një kryeartikull në një gazetë të Meksikës Veriore tha: «Dëshmitarët e Jehovait erdhën për të shpëtuar njerëzit.» Para se të niste stuhia, u formua një komitet për dhënien e ndihmës. U morën masa urgjente për të strehuar qindra Dëshmitarë vendës. Kongregacionet fqinje mblodhën fonde për situatën urgjente. Atyre që mbijetuan nga stuhia, përfshirë edhe shumë njerëzve që nuk ishin Dëshmitarë, iu shpërndanë veshje, ilaçe dhe më shumë se 22 tonë ushqime. Disa pleq të kongregacioneve të zonës u caktuan të vizitonin dhe të inkurajonin viktimat e Izidorit.

Pasi goditi stuhia, u formuan komitete të zonës për dhënien e ndihmës, në mënyrë që të ndihmonin për gjetjen e Dëshmitarëve të zhdukur. Disa kishin mbetur të izoluar në shkurrishta dhe në vende të tjera për gati tri ditë pa bukë ose pa ujë. Në disa zona, niveli i ujit ishte ngritur kaq shumë, saqë kishte mbuluar edhe shtyllat elektrike. Prandaj u morën motobarka për të kërkuar viktimat, për t’u çuar ushqim dhe për t’i transportuar në zona më të sigurta.

Autoritetet vendëse u dhanë me qira barka dhe pajisje të tjera Dëshmitarëve që dolën vullnetarë për të ndihmuar në ato zona ku vetëm pak njerëz guxuan të shkonin. Në fillim, një zyrtar i ushtrisë nuk donte që t’i linin Dëshmitarët të bënin një kërkim kaq të rrezikshëm. Megjithatë, kur pa guximin e tyre, ai tha: «Jam i bindur që po të ishte nevoja, ju do të futeshit atje edhe me helikopterë për të shpëtuar njerëzit tuaj. Automjetet tona janë në dizpozicion për t’i çuar njerëzit tuaj kudo që të dëshironi.»

Pronari i një dyqani ishte kureshtar përse disa Dëshmitarë po blinin kaq shumë shishe me ujë. Ata i shpjeguan se ishin për vëllezërit e tyre frymorë dhe për të tjerët që kishin nevojë. Ky burrë vendosi që t’ua jepte pa para të gjitha shishet që kishte. Ditën tjetër u dhuroi atyre edhe shishe të tjera me ujë, një sasi të konsiderueshme. Në një dyqan tjetër, një blerës i pyeti Dëshmitarët përse po blinin kaq shumë ushqime. Kur dëgjoi se ishin për viktimat e përmbytjes, u dha një kontribut në të holla që të blinin edhe më shumë.

Ndonëse afro 3.500 familje Dëshmitarësh pësuan dëme materiale si pasojë e Izidorit, doli se asnjë Dëshmitar i Jehovait nuk ishte zhdukur ose nuk kishte vdekur. Megjithatë, meqë 331 shtëpi Dëshmitarësh ishin dëmtuar ose shkatërruar, nevojitej një program rindërtimi. Dëshmitarë që kishin përvojë në ndërtim shkuan në çdo shtëpi dhe Sallë Mbretërie për të bërë një vlerësim të dëmit. Deri tani janë riparuar rreth 258 shtëpi dhe janë ndërtuar 172. Gjithashtu, janë në rindërtim e sipër edhe 19 Sallat e Mbretërisë që ishin dëmtuar.

Një plak kongregacioni në shtetin e Jukatanit tha i prekur: «Në botimet tona kam lexuar për ndihmën e dhënë në vende të tjera. Megjithatë është diçka tjetër ta provosh vetë këtë gjë. Besimi im dhe i shumë vëllezërve të tjerë u forcua kur pamë se sa shpejt dhe me sa merak na erdhën në ndihmë organizata e Jehovait dhe vëllezërit tanë të dashur.»

Një grua tha: «Do të më kishte pëlqyer që kisha ku shkoj të më kishte ndihmuar siç bëtë ju Dëshmitarët.» Dhe një grua tjetër, të cilën e shpëtuan Dëshmitarët, tha: «Falë Dëshmitarëve të Jehovait, jemi ende gjallë. Ata na treguan dashurinë e tyre, duke vënë jetën në rrezik për të na shpëtuar kur shtëpinë tonë e mbuloi uji.»

Një tajfun godet Korenë

Më 31 gusht dhe më 1 shtator 2002 tajfuni Rusa shkaktoi dëme në një pjesë të madhe të Koresë. Song Pil Çoja, një plak kongregacioni, tha: «Dukej sikur ishe në dush. Shiu vazhdonte pa pushim.» Në më pak se 24 orë ranë më shumë se 870 milimetra shi, sasia më e madhe e reshjeve, e regjistruar brenda një dite në këtë vend.

Sipas gazetës The Korea Herald në gjithë vendin u përmbytën 28.100 shtëpi dhe 85.000 hektarë tokë bujqësore. Afro 70.000 veta u detyruan të linin shtëpitë e tyre. Tajfuni vrau 301.000 krerë bagëti, mbyti 126 anije dhe rrëzoi qindra shtylla elektrike. U raportuan më shumë se 180 veta që kishin vdekur ose ishin zhdukur. Midis tyre ishin edhe dy Dëshmitarë të Jehovait.

Ashtu si në Evropë dhe në Meksikë, edhe këtu Dëshmitarët e Jehovait erdhën shpejt në ndihmë. Vërshuan ndihma nga Dëshmitarët anembanë vendit. Këtu futeshin rroba, batanije dhe gjëra të tjera të nevojshme. Megjithatë, disa pjesëtarë të kongregacionit jetonin në vende që kishin mbetur të izoluara. Rrugët dhe urat ishin shkatërruar. Nuk kishte as korrent dhe as telefon. Prandaj skuadrat u organizuan të shkonin në këmbë dhe të jepnin ndihmën që nevojitej. Song Pil Çoja, që punoi në një nga skuadrat për dhënien e ndihmës, e përshkruan kështu njërën nga zonat ku dhanë ndihmë: «Ishin shkatërruar shtatë ura dhe pjesë të mëdha rruge. Kur më në fund arritëm në qytet, kudo kishte shtëpi të dëmtuara dhe të shkatërruara. Vinte një erë shumë e keqe dhe kudo shihje kafshë të ngordhura. Por sa shumë u gëzuam kur u takuam me gjashtë motrat dhe vëllezërit tanë të krishterë! Ata kishin humbur çdo gjë nga ana materiale, por ishin të gjithë shëndoshë e mirë.»

Në të vërtetë kjo katastrofë i gjeti të përgatitur Dëshmitarët e Jehovait. Meqë përmbytjet nuk janë diçka e pazakontë gjatë stinës së shirave musonike, RBC-ja në zonën e Seulit, tashmë kishte filluar të organizohej për të dhënë ndihmë në rast të ndonjë katastrofe. Duke filluar më 1997, ai kishte sponsorizuar çdo vit sesione stërvitjeje, në mënyrë që vullnetarët të ishin gati për të vepruar nëse krijohej ndonjë situatë e ngutshme.

Më 2 shtator vullnetarët e RBC-së arritën në qytetin lindor bregdetar të Kangnungut dhe formuan qendra në Sallën e Asambleve të Dëshmitarëve të Jehovait për atë zonë. Cila ishte gjëja kryesore? T’u jepnin ujë të pastër të mbijetuarve. Kur ndodhin përmbytje të mëdha, zakonisht dëmtohen linjat e furnizimit me ujë; uji që vjen nga përmbytja është shumë i ndotur. RBC-ja mori masa që kamionë të mëdhenj me cisterna uji të dërgoheshin në zonat e dëmtuara.

Pasi ujërat e përmbytjes tërhiqen, çdo gjë është e mbuluar me një baltë të trashë që mban erë të keqe. Megjithatë është krijuar një metodë pastrimi e efektshme. Meqë gati të gjitha shtëpitë në atë zonë janë me çimento, ato mund të pastrohen duke u hequr dhomave letrat e mureve dhe linoleumin e duke i larë me ujë me presion.

Përmbytjet i nxjerrin jashtë përdorimit shumicën e pajisjeve elektrike. Megjithatë, nëse brenda pak ditësh, pajisje të tilla siç janë frigoriferët dhe kaldajat zbërthehen nga elektricistë të zotë, e pastaj pastrohen mirë, thahen dhe montohen përsëri, në shumicën e rasteve ato do të vazhdojnë të funksionojnë. RBC-ja është e aftë të bëjë një punë të tillë. Kaldajat, që nuk ka nevojë të zëvendësohen, përdoren për të tharë shtëpitë. Ky proces përfundon për dy-tri javë.

Edhe rrobat dhe batanijet duhen larë mirë brenda pak ditësh që të mos dalin jashtë përdorimit. Vullnetarë nga një kongregacion i Dëshmitarëve të Jehovait në atë zonë ndihmuan për të mbledhur gjërat e vëllezërve të tyre të krishterë, që ishin të ndotura me baltë. Ishte shumë e vështirë të hiqje llumin që kishte mbuluar rrobat, dhe kjo punë duhej bërë me dorë në një përrua me ujë tmerrësisht të ftohtë. Pasi reporteri i një gazete mori vesh për këtë vepër të dashurisë, në gazetën vendëse doli një fotografi e madhe e Dëshmitarëve teksa punonin.

Përmbytjet shkatërrimtare në Evropë, Amerikën e Veriut dhe në Azi zhdukën shtëpi, prona dhe morën shumë jetë njerëzish të pafajshëm. Ndonëse tragjike, ngjarje të tilla janë të zakonshme gjatë këtyre ‘ditëve të fundit’ të këtij sistemi, të cilat karakterizohen nga «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1) Katastrofa të tilla mund të shërbejnë edhe si dëshmi të gjalla që na kujtojnë këtë fakt: të krishterët e vërtetë kanë dashuri për njëri-tjetrin dhe për të tjerët. Kjo dashuri që nuk e njeh egoizmin është diçka që asnjë stuhi nuk e zhduk dot.

[Figura në faqen 10]

GJERMANI​—Një shtëpi e shkatërruar nga stuhia

[Figurat në faqen 11]

GJERMANI​—Mbi 2.000 vullnetarë erdhën shpejt në ndihmë

[Figurat në faqen 12]

AUSTRI​—Riparojnë Sallën e Mbretërisë në Otenshajm

[Figurat në faqen 12]

Majtas: Një skuadër vullnetarësh kthehet nga Au, ku kanë ndihmuar Dëshmitarët vendës dhe fqinjët e tyre

[Figurat në faqen 13]

MEKSIKË​—Djathtas: Një komitet për dhënien e ndihmës siguron ujë të pijshëm për të mbijetuarit nga stuhia;

Poshtë: Ndërtojnë një shtëpi të re

[Figurat në faqen 15]

KORE​—Nga e majta në të djathtë: pjesë qyteti e përmbytur; pastrim me ujë me presion; duke larë rroba në një përrua aty afër