Moti: A ka diçka që nuk shkon?
Moti: A ka diçka që nuk shkon?
«KUR dy anglezë takohen, gjëja e parë për të cilën flasin është moti.» Këtë batutë e tha shkrimtari i famshëm Samuel Xhonson. Por vitet e fundit, moti nuk ka qenë më vetëm një argument për të nisur bisedën. Ai është bërë një çështje mjaft shqetësuese për njerëzit në mbarë botën. Pse? Sepse moti, i cili gjithsesi ka pasur gjithnjë të papritura, me sa duket po bëhet gjithnjë e më i paparashikueshëm.
Për shembull, gjatë verës së vitit 2002, Evropën e goditën stuhi shirash jashtëzakonisht të rrëmbyeshëm. Si pasojë, vërshuan ato që me të drejtë u përshkruan si «përmbytjet më të mëdha të Evropës Qendrore gjatë më shumë se një shekulli». Vini re njoftimet e mëposhtme të lajmeve:
AUSTRI: «Provincat e Salcburgut, Karinthias dhe Tirolit u goditën veçanërisht keq nga stuhi të forta me shira. Shumë rrugë i mbuloi llumi. Pirgjet me baltë dhe mbeturina arrinin deri në 15 metra lartësi. Në stacionin Sydbanhof të Vjenës, një shtrëngatë shkaktoi një aksident me tren ku u plagosën disa njerëz.»
REPUBLIKA E ÇEKISË: «Ishte diçka e frikshme për Pragën. Por në provinca kjo tragjedi pati pasoja shumë më të rënda. Rreth 200.000 njerëz janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre. Janë përmbytur qytete të tëra.»
FRANCË: «Njëzet e tre të vdekur, 9 të zhdukur dhe mijëra njerëz të dëmtuar rëndë . . . Tre veta vdiqën të goditur nga rrufeja gjatë stuhive ditën e hënë. . . . Një zjarrfikës vdiq pasi shpëtoi një çift në rrezik; ata i kishte marrë uji me vete, ndërkohë që gjendeshin në makinën e tyre.»
GJERMANI: «Kurrë më parë në historinë e Republikës Federale, fshatrat dhe qytetet nuk janë boshatisur kaq shumë, sa tani gjatë kësaj ‘përmbytjeje të shekullit’. Dhjetëra mijë banorë kanë braktisur qytetin e tyre. Shumica e kanë bërë këtë si masë sigurie. Disa veta për pak sa nuk u mbytën, por u shpëtuan me barkë ose helikopter.»
RUMANI: «Që nga mesi i korrikut, afro dymbëdhjetë veta kanë humbur jetën për shkak të stuhive.»
RUSI: «Të paktën 58 veta vdiqën në brigjet e Detit të Zi . . . Rreth 30 makina dhe autobusë kanë mbetur në fund të detit. Ngaqë u dha paralajmërimi për mbërritjen e një stuhie të re, kërkimi për ta u bë i pamundur.»
Jo vetëm në Evropë
Në gusht të vitit 2002, e përditshmja gjermane Süddeutsche Zeitung lajmëroi: «Periudha me shira të rrëmbyeshëm dhe stuhi kanë bërë kërdinë në Azi, Evropë dhe në Amerikën e Jugut. Të mërkurën vdiqën të paktën 50 veta nga një shkarje toke në Nepal. Një tajfun vrau tetë veta në Kinën Jugore dhe solli shira të rrëmbyeshëm në Kinën Qendrore. Përmbytjet në Kinë bënë që niveli i ujit në lumin Mekong të arrinte pikën maksimale për këta 30 vjet, duke përmbytur më shumë se 100 shtëpi në verilindje të Tajlandës. . . . Në Argjentinë të paktën pesë veta u mbytën si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm. . . . Në Kinë kanë vdekur mbi njëmijë veta nga stuhitë gjatë verës.»
Ndërkohë që uji po bënte kërdinë në shumë pjesë të botës, Shtetet e Bashkuara po kalonin një thatësirë të madhe. Lajmet thoshin: «Në mbarë vendin njerëzit janë të shqetësuar për puset që janë tharë ose që kanë një nivel uji shumë të ulët. Gjithashtu janë të shqetësuar, sepse të dhënat tregojnë se në një pjesë të madhe të vendit prurjet e përrenjve janë të vogla. Veç kësaj, numri i zjarreve e ka kaluar dyfishin e asaj që pritej normalisht sipas stinës. Duke marrë parasysh shkatërrimin e të mbjellave dhe të kullotave, pakësimin e burimeve të ujit të pijshëm, zjarret dhe stuhitë e pluhurit, specialistët parashikojnë që pasojat e dëmshme ekonomike të thatësirës së vitit 2002 do të arrijnë në miliarda dollarë.»
Që nga vitet 60-të, në disa pjesë të Afrikës Veriore ka pasur thatësira shkatërrimtare. Sipas raporteve «sasia e reshjeve të shiut ka qenë njëzet deri në dyzet e nëntë për qind më e ulët sesa në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, duke sjellë si pasojë një zi buke shumë të përhapur dhe vdekje».
Dukuria e motit El Ninjo, e cila krijohet nga ngrohja e ujit në Paqësorin Lindor, shkakton periodikisht përmbytje dhe çrregullime të tjera të motit në Amerikën e Veriut dhe të Jugut. * Agjencia e lajmeve CNN njofton se në periudhën 1983-1984, El Ninjo ishte «përgjegjës për më shumë se 1.000 vdekje, shkaktoi gati në çdo kontinent katastrofa që lidheshin me motin dhe një dëm prej 10 miliardë dollarësh në materiale dhe në bagëti». Kjo dukuri ka ndodhur rregullisht (pothuajse çdo katër vjet) që kur u zbulua për herë të parë në shekullin e 19-të. Por disa specialistë mendojnë se «El Ninjo po ndodh më dendur» dhe se «do të shfaqet edhe më shpesh» në të ardhmen.
Një artikull i botuar nga Administrata Kombëtare e SHBA-së për Aeronautikën dhe Hapësirën thotë këto fjalë qetësuese: «Shumica e kushteve ‘të çuditshme’ të motit që kemi pasur—si vjeshtë me një nxehtësi të pazakontë ose dimër jashtë mase të lagësht—kanë ardhur si pasojë e ndryshimeve normale të motit në rajone të ndryshme.» Megjithatë, ka shenja që tregojnë se ndoshta ekziston një problem i rëndë. Organizata e ambientalistëve Greenpeace parashikon: «Dukuritë e rrezikshme të motit, ku futen uraganet edhe më të forta dhe shirat e rrëmbyeshëm, do të vazhdojnë të shkaktojnë mjaft dëme në krejt planetin. Thatësira dhe përmbytje të tjera më të mëdha do t’ia ndryshojnë vërtet fytyrën Tokës, duke sjellë si pasojë që tokat përgjatë bregdetit të mbulohen një herë e mirë nga uji dhe pyjet të shkatërrohen.» A kanë ndonjë bazë këto pohime? Nëse po, cili është shkaku i këtyre «dukurive të rrezikshme të motit»?
[Shënimi]
^ par. 14 Shih artikullin «Çfarë është El Ninjo?» në Zgjohuni!, prill 2000.
[Figurat në faqet 2, 3]
Përmbytje në Gjermani (sipër) dhe në Republikën e Çekisë (majtas)