Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Fluturim i sigurt? Jam 10 vjeçe dhe jetoj në Kaliforni, SHBA. Shumë faleminderit për revistën Zgjohuni! me temën «A janë ende të sigurta fluturimet?» (8 dhjetor 2002, anglisht) Dyzeteshtatë veta nga shkolla ime do të bëjnë një udhëtim nga San-Diego në Sakramento. Kisha frikë se mos aeroplani binte ose e merrnin peng. Por ky artikull më qetësoi dhe informacioni për metodat e reja të sigurimit më bënë të ndihesha më e sigurt. Do të përpiqem t’ua jap këtë numër të gjithë shokëve dhe shoqeve të klasës që kanë frikë ose ndihen të pasigurt për fluturimet.

V. M., Shtetet e Bashkuara

Mision vdekjeprurës Më preku përvoja e Toshiaki Niuas, e treguar në artikullin «Nga një mision vdekjeprurës në një vepër paqësore». (8 dhjetor 2002, anglisht) Unë linda në Filipine disa vjet pas Luftës II Botërore. Shumë nga historitë që më tregonte familja për luftën flitnin për mizorinë e ushtarëve. Kur isha fëmijë, pyesja: «Si arrinin ta bënin këtë?» Përvoja e vëlla Niuas më ndihmoi të kuptoja më mirë përgjigjen e kësaj pyetjeje. Ju falënderoj që botoni artikuj si ky. Një transformim kaq i madh i jetës është provë e mëtejshme e fuqisë së mrekullueshme të Jehovait.

A. K., Shtetet e Bashkuara

Qelizat burimore Kam 20 vjet që lexoj revistën Zgjohuni! dhe falë artikujve të saj kam marrë njohuri të përgjithshme për shumë tema. Kur njerëzit nisën të flitnin për klonimin dhe për qelizat burimore, nuk arrija ta kuptoja se si disa inde mund të riprodhoheshin jashtë trupit të njeriut. Falë serisë «Qelizat burimore: A ka shkuar shkenca tepër larg?» (Dhjetor 2002), tani e kuptoj se si është e mundur kjo dhe pse kjo çështje sjell kaq shumë debate.

F. M., Itali

Ndërsa lexoja këta artikuj, u ndjeva e frikësuar nga metodat që po përdorin njerëzit për të kuruar sëmundje të rënda. Ju falënderoj shumë që keni bërë përpjekje për të nxjerrë këta artikuj dhe për të na përcjellë fakte rreth këtyre gjërave. Tani e pres edhe me më shumë padurim ditën kur Perëndia do t’i shërojë të gjitha sëmundjet.

T. F., Filipine

Dashuria në veprim Artikulli «Dashuria në veprim​—Një punë e vështirë për të siguruar ndihmë» (Dhjetor 2002) më bëri vërtet shumë përshtypje. Ajo që arritën të bënin vullnetarët në Hjuston ato muaj, është një provë e fuqishme se dashuria e vërtetë po vepron mes popullit të Perëndisë dhe se Krijuesi ynë po i bekon shumë përpjekjet e shërbëtorëve të tij.

C. T., Gjermani

Kur po lexoja këtë artikull, nuk arrita t’i mbaja lotët. Kur lumi Elbë doli nga shtrati, 44 vetave nga kongregacioni ynë iu desh të evakuoheshin. Mua dhe tim shoq na strehoi me përzemërsi në shtëpi një familje në kongregacionin tonë, kurse dy djemtë tanë të rritur i strehoi një familje tjetër. Që kur ndodhi kjo katastrofë, të gjithë në kongregacion janë afruar më shumë me njëri-tjetrin. Si familje, e kuptojmë vërtet vlerën e sigurimit të ndihmës gjatë katastrofave si ajo e Hjustonit.

S. R., Gjermani

Zjarri E lexova me interes artikullin «Dy fytyrat e zjarrit». (22 shtator 2002, anglisht) Megjithatë, kam vërejtje për diçiturën që gjendej bashkë me figurën në faqen 25, ku thuhej: «Një dre i shtangur i shpëton zjarrit që u përhap në luginën e lumit Bitërut në Montana». Unë kam një pamje të zmadhuar të së njëjtës figurë dhe dreri s’duket i shtangur. Zjarrfikësit që hidhen me parashutë në vendin e zjarrit shpesh shohin drerë përgjatë kufirit të zjarrit, dhe këto kafshë janë aty duke lëpirë mineralet ose duke u rrotulluar në hirin e zjarrit. Edhe kur ka zjarre të mëdha, ata dinë çfarë të bëjnë. Duket se nuk u bën përshtypje zjarri.

B. D., Shtetet e Bashkuara

«Zgjohuni!» përgjigjet: E vlerësojmë komentin. Sigurisht, askush nuk mund ta thotë me siguri se çfarë ndiejnë kafshët në rrethana të tilla, nëse ndiejnë ndonjë gjë.