Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Ekuilibri mahnitës i zogjve

Zogjtë kanë në veshin e brendshëm një organ ekuilibri që bashkërendon lëvizjet e tyre në fluturim. Por ekzistenca e këtij organi nuk shpjegon aftësinë e tyre për të qëndruar drejt e për të ecur, «sepse trupi i tyre, ndryshe nga ai i njerëzve, orientohet horizontalisht dhe bishtin nuk e kanë një kundërpeshë të përshtatshme»,​—thotë gazeta Leipziger Volkszeitung e Gjermanisë. «Pasi bëri katër vjet kërkime, fiziologu i kafshëve Reinold Neker ia doli mbanë të gjente një organ të dytë ekuilibri te pëllumbat»,​—shpjegon gazeta. Nekeri zbuloi në zonën e legenit të zogjve qeliza nervore dhe zgavra që përmbanin lëngje, të cilat me sa duket kontrollojnë ekuilibrin e zogjve. «Kur nuk kishte më lëngje në këto zgavra,​—thotë raporti,​—pëllumbat nuk arrinin dot më të rrinin në këmbë ose të ecnin, pasi u mbuloheshin sytë. Binin nga purteka ku po rrinin ose rrëzoheshin anash. Megjithatë, ishin ende në gjendje të fluturonin.»

Kontribute me karta krediti

«Gjithnjë e më shumë kisha kanadeze» po përdorin «metoda moderne bankare, duke i përfshirë kartat bankare dhe kartat e kreditit si mënyra të kollajshme në të cilat ata që shkojnë në kishë mund të hedhin para kur bëhet mbledhja e parave»,​—thotë gazeta Vancouver Sun. Nëpër sallat e kishave janë vendosur makina debiti bashkë me «zarfe kontributesh ku jepet mundësia për të tërhequr para nga llogaria bankare me anë të automatit dhe për pagesa me karta krediti». Individët thjesht kalojnë kartën e kreditit në makinë, shtypin me taste sasinë që duan të dhurojnë dhe pastaj e vënë një kopje të dëftesës në pjatën e mbledhjes së parave. Siç tha një pastor: «Shoqëria po shkon drejt një prirjeje për të mos pasur para në duar. E pse të mos e bëjë edhe kisha këtë?» Një ruajtës i thesarit të kishës tha me shaka: «Me kartën tënde të kreditit fiton pikë plus për udhëtimet ajrore, si edhe shkon në parajsë për kontributet që ke bërë. Mendojeni vetëm si një dyfishim të pikëve të fituara.»

Mbrojeni zërin

«Çrregullimet e zërit janë një problem i zakonshëm, por i nënvlerësuar»,​—thuhet në gazetën Natal Witness të Afrikës së Jugut. Sipas Juli Barkmajerit, ndihmës-profesoreshë në shkencat e të folurit dhe të dëgjuarit, këto çrregullime shpesh vijnë si pasojë e nyjëzave ose e pezmatimeve që zhvillohen në kordat e zërit kur ai përdoret keq. Një manual mjekësor i përhapur thotë se ndër këto përdorime të këqija përfshihen të bërtasësh, të flasësh me një ton të ulët jo të natyrshëm ose të thithësh ngacmues si tymi i duhanit a tymi industrial. «Kur vibrojnë tepër, [kordat e zërit] mund të përplasen me njëra-tjetrën, duke shkaktuar vende të buta e të ënjtura që me kalimin e kohës bëhen nyjëza si kallo»,​—njofton Natal Witness. Kjo mund të sjellë si pasojë një zë të ngjirur e të çjerrë. «Në qoftë se ke një ndryshim të dukshëm në zë, i cili vazhdon për dy a më shumë javë, duhet të vizitohesh te një mjek,​—këshillohet në artikull.​—Për të mbrojtur zërin, . . . mos bërtit e mos fol me zë shumë të lartë, mos u kollit e mos e qëro zërin shpesh, pi shumë ujë, ul sasinë e kafesë, mos pi duhan dhe, para se të flasësh, merr frymë thellë. . . . Së fundi, jepi mundësi zërit për t’u çlodhur.»

Jo më «një fëmijë i panjohur»

The Times e Londrës thotë se 90 vjet pas mbytjes së Titanikut në prill të vitit 1912, është identifikuar një viktimë e vogël e kësaj katastrofe. Trupi i tij, i gjetur së bashku me 43 viktima të tjera të paidentifikuara që pluskonin në ujë, u varros në Skocinë e Re, Kanada. Mbi varrin e tij shkruhet: «Një fëmijë i panjohur». Një skuadër prej 50 shkencëtarësh, historianësh, gjenealogjistësh dhe dentistësh përdorën metodën e krahasimit të ADN-së për të identifikuar fëmijën si Eino Panula, një djalë finlandez 13-muajsh, i cili vdiq bashkë me nënën dhe katër vëllezër. Familja donte të niste një jetë të re në Amerikë, ku babai i Einos, i cili kishte shkuar atje më parë, po i priste më kot. Kur asnjëri nuk e kërkoi ose e identifikoi fëmijën e vdekur, ekuipazhi i anijes kanadeze të shpëtimit e «adoptoi» atë, duke i paguar varrimin dhe duke u kujdesur për varrin. Edhe viktima të tjera të paemra të Titanikut mund të identifikohen duke krahasuar ADN-në. Për të ndihmuar në hetim, «një i afërm nga ana e mamasë [së njërit prej viktimave] dha një kampion gjaku pikërisht pas 100-vjetorit të lindjes së viktimës»,​—thuhet në The Times.

Simulator i Tokës

Më 11 mars 2002, inxhinierët japonezë vunë në punë superkompjuterin më të fuqishëm që është ndërtuar ndonjëherë. Synimi i tyre ishte «të krijonin një binjak të planetit tonë»,​—thuhet në revistën Time. I quajtur Simulatori i Tokës, kompjuteri ka përmasa sa katër fusha tenisi dhe kushton rreth 350 milionë dollarë. Kryen më shumë se 35 trilionë llogaritje në sekondë, pesë herë më shpejt se rivali i tij më i afërt, një kompjuter ushtarak amerikan që mund të kryejë deri në 7,2 trilionë llogaritje në sekondë. «Duke futur në Simulatorin e Tokës të dhënat reale klimaterike nga satelitët dhe nga bovat nëpër oqeane,​—thotë Time,​—kërkuesit mund të krijojnë në kompjuter një model të të gjithë planetit, pastaj ta çojnë përpara në kohë për të parë se çfarë do të ndodhë me mjedisin tonë. Tashmë shkencëtarët kanë përfunduar një parashikim të temperaturave globale të oqeaneve për 50 vitet e ardhshme.»

Vlera e leximit

«Pasioni i fëmijëve për të lexuar në kohën e lirë ndikon më shumë në suksesin e tyre në arsimim, sesa pasuria dhe gjendja shoqërore e familjes»,​—thotë The Independent e Londrës. Nga një studim ndërkombëtar i zakoneve të të lexuarit te fëmijët 15-vjeçarë, u zbulua se «pasioni për të lexuar» dhe «leximi i shpeshtë» sillte shumë më tepër dobi sesa të kishin prindër të arsimuar e me punë të mirë. Nga studimi u zbulua se «15-vjeçarët nga shtresat më të privuara të shoqërisë, të cilët ishin shumë të apasionuar pas leximit, kishin pikë më të larta në provimet e leximit (mesatarisht 540), sesa fëmijët e atyre me profesione e me shtresë shoqërore më të lartë, të cilët nuk ishin të interesuar për leximin (491)»,​—thoshte gazeta. Nga një anketë e bërë me më shumë se 1.000 adoleshentë u zbulua se «vajzat janë shumë më të prirura sesa djemtë për të lexuar diçka për kënaqësi». Shtatëdhjetepesë për qind e vajzave, në krahasim me 55 për qind e djemve, thanë se kishin lexuar një libër muajin e mëparshëm.

Një parazit që «bën si i vdekur»

Sipas së përditshmes braziliane Folha de S. Paulo, kërkuesit brazilianë kanë zbuluar një kurth dinak të përdorur nga parazitët që mund të infektojnë sistemin imunitar të njeriut dhe të shkaktojnë leishmaniozat. Parazitët shfrytëzojnë një proces normal të trupit, ku qelizat që nuk nevojiten më ose që bëhen të dëmshme vetëshkatërrohen (apoptoza) dhe gëlltiten nga disa qeliza pastruese që quhen makrofagë. Parazitët imitojnë sinjalet molekulare që prodhojnë qelizat në fazat e para të apoptozës, duke i mashtruar makrofagët, të cilët i gëlltitin ata. Pasi janë futur brenda makrofagëve, parazitët shumohen me shpejtësi dhe pastaj infektojnë qeliza të tjera. Simptomat përfshijnë dhembje, ënjtje të shpretkës e të mëlçisë dhe në disa raste vdekjen. Sipas Folha de S. Paulo, kërkuesit shpresojnë që zbulimi i kësaj strategjie që përdor paraziti të çojë në mjekime të reja të leishmaniozës.

Mbrojtje nga mushkonjat

Mushkonjat, të cilat numërojnë më shumë se 2.500 lloje, janë të pranishme në të gjithë planetin»,​—thotë revista México Desconocido. Ndonëse edhe meshkujt, edhe femrat ushqehen me nektar, vetëm mushkonjat femra pickojnë. Si pasojë, ato u përçojnë njerëzve malarien, dengën dhe virusin e Nilit Perëndimor. Si mund të mbroheni nga mushkonjat? Në revistë sugjerohet si vijon: (1) Mos dilni jashtë në muzg dhe natën, pasi atëherë mushkonjat janë më aktive. (2) Përdorni rrjeta mushkonjash për krevatin, duke pëlqyer më shumë ato që janë lyer me ilaç kundër mushkonjave. (3) Vishni rroba të lirshme me mëngë të gjata dhe pantallona, e po të jetë e nevojshme, një kapelë me rrjetë për të mbuluar krejt kokën. (4) Lyeni pjesët e ekspozuara të lëkurës me ilaç kundër mushkonjave. (5) Merrni 300 miligramë vitaminë B1 çdo ditë. Kjo e bën djersën e disa njerëzve të padurueshme për mushkonjat. (6) Në zonat moçalore, lyejeni lëkurën me baltë, për ta mbrojtur aty për aty. Nëse ju pickojnë mushkonjat, mos e kruani vendin sepse po t’ju dalë gjak, pastaj mund të infektohet. Në vend të kësaj, lyejeni me një preparat kalamine.