Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ondoli​—Një sistem unik ngrohjeje për shtëpitë

Ondoli​—Një sistem unik ngrohjeje për shtëpitë

Ondoli​—Një sistem unik ngrohjeje për shtëpitë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË REPUBLIKËN E KORESË

DUKE u dridhur nga të ftohtët e dimrit të Koresë hyjmë brenda pasi e zonja e shtëpisë na ka ftuar me një buzëqeshje. Ajri i ngrohtë e i këndshëm i shtëpisë na i ngroh trupat e ftohtë, edhe pse nuk na zë syri ndonjë ngrohës ose kalorifer. Heqim këpucët në korridor, i vëmë këmbët në dysheme dhe ndiejmë që është e ngrohtë. Pasi ulemi përdhe dhe i vëmë duart e ftohta mbi dysheme ndiejmë që duart e bëra kallkan fillojnë të ngrohen.

Në Kore pothuajse çdo shtëpi ka këtë lloj ngrohjeje të dyshemesë. Quhet ondol. Si funksionon ky sistem unik ngrohjeje? Çfarë ndikimi ka pasur në mënyrën e jetesës së koreanëve? Para se t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, le të shqyrtojmë origjinën e ondolit tradicional.

Origjina e ngrohjes së dyshemesë

Origjinën ngrohja e dyshemesë e ka që para se të vinte në tokë Jezu Krishti. Sipas gjetjeve arkeologjike dhe dokumentimeve historike, romakët e lashtë mund të kenë qenë të parët që kanë përdorur sistemin e ngrohjes së dyshemesë. * Aty nga shekulli i katërt ose i pestë i erës sonë, sistemi i ngrohjes së dyshemesë ishte përhapur në gjithë gadishullin e Koresë, dhe me kalimin e kohës u quajt ondol. Ky sistem e merr emrin nga shkronjat kineze që kanë kuptimin «zgavra të ngrohta». Libri historik kinez Books of Old Tang e përmend ondolin dhe thotë: «Në dimër, banorët [e Koresë] ngroheshin duke bërë zgavra të gjata dhe duke kaluar nxehtësinë e zjarrit nëpër to.»

Si funksiononte ondoli tradicional?

Sipas traditës, burimi i ngrohjes për ondolin ishte një vatër zjarri. Kjo mund të gjendej në kuzhinë ose në murin e jashtëm të dhomës së ndenjes. Kuzhina me dy ose tri vatra zjarri rrethohej zakonisht nga një numër përkatës dhomash të ngrohura me ondol. Në një kuzhinë të vjetër koreane do të gjeje në vatrën e zjarrit një ose dy kazanë të mëdhenj hekuri. Pra, zjarri që përdorej për të gatuar oriz ose supë përdorej edhe për të ngrohur dhomën që ishte ngjitur me kuzhinën. Gjeniale, apo jo?!

Në përgjithësi, kuzhina ndërtohej rreth një metër më ulët se dhoma që ngrohej. Ky ndryshim në lartësinë e dyshemesë e bënte të lehtë që tymi dhe ajri i nxehtë të kalonin nën dyshemenë e dhomës që ishte më lart si nivel. Tym që kalon nën dysheme? Po, ky është sekreti i ondolit.

Poshtë dyshemesë së dhomës kishte kanale shkarkuese​—kalime horizontale për ngrohtësinë dhe për tymin​—që lidhnin vatrën e zjarrit me oxhakun. Ajri i ngrohtë që nga zjarri kalonte nëpër këto kanale shkarkuese dhe ngrohte dyshemenë prej guri e balte. Kjo s’ishte kaq e lehtë sa duket. Duheshin plotësuar dy kërkesa që binin ndesh me njëra-tjetrën. Së pari, që zjarri të mos shuhej, tymi duhej të kalonte shpejt nëpër kanalet shkarkuese dhe të dilte nga oxhaku pa u penguar. Kanale shkarkuese të drejta e të shkurtra ishin më të mirat për këtë qëllim. Mirëpo, që nxehtësia e zjarrit të ngrohte dyshemenë, ajri i ngrohtë dhe tymi duhej të qëndronin në kanalet shkarkuese sa më gjatë që të ishte e mundur. Për të arritur këtë, kanalet shkarkuese ndërtoheshin që të shtriheshin nëpër gjithë dyshemenë, duke e penguar kështu ajrin e nxehtë që të dilte nga oxhaku tepër shpejt. Kur arrihej një mesatare e kënaqshme ndërmjet shpejtësisë dhe ngadalësisë, dhoma mund të qëndronte e ngrohtë gjithë natën, edhe pse zjarri mund të ndizej vetëm për nja dy orë.

Thuhet se ka ekzistuar një herë një dhomë ondol, një dhomë qindravjeçare, e cila kishte rendiment të jashtëzakonshëm termik. Për shkak të strukturës së kanaleve shkarkuese të dhomës, dyshemeja qëndronte e ngrohtë për 45 ditë vetëm me një ngrohje të vetme. Thuhej që ngrohtësia mund të ndihej për 100 ditë. Mjerisht ajo dhomë u shkatërrua gjatë luftës koreane në fillim të viteve 50. Në vitin 1982, inxhinierët e rindërtuan strukturën dhe turistët mund të shkojnë të shohin dhomën e saj ondol. Rendimenti aktual termik nuk është po aq i lartë sa ai i dhomës origjinale. Megjithatë, pas një ngrohjeje, dyshemeja qëndron e ngrohtë për dhjetë ditë në pranverë e në vjeshtë dhe për tri ditë në dimër, edhe kur temperatura është më e ulët se -10 gradë Celsius.

Një sekret tjetër i sistemit të ngrohjes ondol ka të bëjë me projektin e vetë dyshemesë. Para se të shtrohej dyshemeja, bëheshin kanale shkarkuese për ajrin e ngrohtë. Pastaj këto kanale mbuloheshin me gurë të sheshtë e të hollë, rreth 5 deri në 7 centimetra të trashë. Duke qenë se dyshemeja afër vatrës së zjarrit normalisht është më e ngrohtë, për të penguar humbjen e nxehtësisë aty përdoreshin gurë më të trashë. Pastaj, sipër gurëve shtrohej dhé i verdhë dhe pas kësaj dyshemeja nivelohej. Së fundi, në dysheme presoheshin shtresa me letër vaji.

Në një dhomë me sistem ngrohjeje tradicional ondol, dyshemeja në anën e kundërt të dhomës normalisht ishte më e ftohtë. Kështu që më të mëdhenjtë, si për shembull gjyshërit ose prindërit, e po ashtu edhe miqtë, i ftonin të uleshin në zonën më të ngrohtë. Kjo ishte shprehje respekti.

Dhomat tradicionale ondol që gjendeshin në pjesën veriore të gadishullit të Koresë ndryshonin disi nga ato të pjesës jugore. Në veri, dhoma e ngrohur me ondol dhe kuzhina nuk ishin të ndara me mur. Nxehtësia që vinte nga vatra e zjarrit dhe nga dyshemeja ondol e mbanin dhomën të ngrohtë. Në jug, kuzhina ndahej me mur nga dhoma e ndenjes, kështu që tymi nuk i bezdiste njerëzit që rrinin aty.

Në përgjithësi koreanët përdornin dru për të mbajtur zjarrin në vatër. Kështu, para se të vinin në punë ondolin, ata vendosnin dru të thata pranë vatrës. Pastaj përdornin copa letre dhe kashtë për të ndezur zjarrin. Edhe qymyri përdorej për këtë punë. Gjithsesi, në shekullin e 20-të koreanët filluan të përdornin briketa qymyri. Kuptohet, është thelbësore që dhoma ondol të mbahet mirë. Po të krijohen të çara nëpër një kanal shkarkues, në dhomën e ndenjes mund të hyjë nga dyshemeja monoksidi i karbonit, i cili mund të shkaktojë vdekjen në disa raste.

Ondoli i kohëve të sotme

Sot rrallëherë shihet nëpër shtëpitë koreane sistemi tradicional ondol. Në vend të tij, shtëpitë e sotme, duke përfshirë edhe apartamente shumëkatëshe ondol, përdorin një version të përditësuar të ondolit: ngrohjen e dyshemesë me radiator me ujë. Ky përdor ujin e nxehtë e jo ajrin e nxehtë për të ngrohur dyshemenë. Mirëpo është interesant fakti që nuk ishin koreanët të parët që e zhvilluan këtë sistem.

Në fillim të viteve 1900, kur Frenk Llojd Rajti, arkitekt i famshëm amerikan, po ndërtonte një hotel në Japoni, e ftuan në shtëpinë e një fisniku japonez. Atje, Rajti vizitoi një dhomë që ishte ndryshe nga dhomat tipike japoneze. Dyshemeja ishte e mbuluar me letër vaji dhe ishte e ngrohtë. Ishte një dhomë koreane ondol. Ai fisnik japonez e kishte provuar ondolin në Kore dhe i kishte lënë mbresa të thella. Kështu, pasi ishte kthyer në Japoni, kishte ndërtuar në shtëpinë e tij një dhomë ondol. «Rehatia e papërshkrueshme e ngrohjes që vinte nga poshtë» i bëri shumë përshtypje Rajtit. Aty për aty ai vendosi që ondoli ishte sistemi ideal i ngrohjes dhe filloi ta fuste këtë në ndërtesat që projektonte. Rajti shpiku ngrohjen me radiator me ujë, duke përdorur ujë të nxehtë që qarkullonte nëpër tubacione në vend të ajrit të nxehtë nëpër kanale shkarkuese.

Sistemi i ngrohjes së dyshemesë me radiator me ujë përshtatej më së miri me mënyrën e jetesës së koreanëve në atë kohë. Pasi u fut atje, sistemi i thjeshtuar u përhap shumë. Sot pothuajse të gjitha shtëpitë koreane e përdorin atë.

Ondoli dhe mënyra e jetesës

Ondoli ka pasur shumë ndikim në mënyrën e jetesës së koreanëve. Pikësëpari, duke qenë se dyshemeja është shumë më e ngrohtë se ajri në shtëpi, njerëzit normalisht ulen në dyshemenë e ngrohtë, jo në karriget e ftohta. Pra, koreanët ulen, hanë, rrinë dhe flenë përdhe. Për ta mbajtur edhe më të ngrohtë dyshemenë, nganjëherë e mbulojnë atë me një jorgan të trashë të quajtur ibul. Kur familjarët vijnë nga jashtë, i shtrijnë këmbët e ftohta nën jorgan për t’u kënaqur së bashku me ngrohtësinë e rehatshme, një përvojë kjo me të vërtetë bashkuese.

Dora-dorës që mënyra e jetës së koreanëve bëhet gjithnjë e më e ngjashme me Perëndimin, të rinjtë shpesh pëlqejnë më shumë të ulen në karrige, të hanë në tryezë dhe të flenë në krevate. Gjithsesi, shumica e koreanëve vazhdojnë të pëlqejnë rehatinë e dyshemesë ondol, duke përdorur sistemin e ngrohjes së dyshemesë me ujë të nxehtë. Po të shkoni për vizitë në Kore, pa dyshim do t’ju pëlqejë ky sistem unik ngrohjeje për shtëpitë, pra ondoli.

[Shënimi]

^ par. 6 Sistemi qendror i ngrohjes që zhvilluan romakët quhej hipokaust. Përbëhej nga një furrë e nëndheshme dhe kanale shkarkuese me tullat e zgavërta që e shpërndanin ngrohtësinë.

[Diagrami dhe figurat në faqen 23]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Pamje nga lart e një strukture të kanaleve shkarkuese

1 Vatra e zjarrit

2 Kanalet shkarkuese horizontale

3 Oxhaku

→ → 2 → →

→ → 2 → →

→ → 2 → →

● 1 → → 2 → → ● 3

→ → 2 → →

→ → 2 → →

→ → 2 → →

[Figurat]

Vatra e zjarrit përdorej edhe për të gatuar, edhe për të ngrohur dhomën ngjitur me të

Që «ondoli» të funksiononte mirë, duhej një sistem i mirë oxhaku dhe kanalesh shkarkuese

[Burimi]

Vendi: Korean Folk Village

[Figura në faqet 24, 25]

Në një dhomë «ondol», zona më e ngrohtë lihet për më të mëdhenjtë

[Burimi]

Vendi: Korean Folk Village