Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të dobishëm për popullsinë

Të dobishëm për popullsinë

Të dobishëm për popullsinë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË

PËR shekuj me radhë qytetet spanjolle kanë lënë mënjanë troje për të ndërtuar vende adhurimi. Autoritetet e qyteteve mendonin se besimi fetar do të ishte i dobishëm për popullsinë e tyre. Meqë katolicizmi ishte feja zyrtare, tradita ishte që një pronë e bashkisë i dhurohej pothuajse gjithnjë vetëm kishës katolike. Por, kohët kanë ndryshuar.

Në vitin 1980, një ligj spanjoll që garantonte lirinë fetare thoshte se «asnjë besim nuk do të jetë feja zyrtare e shtetit». Kjo i ka shtyrë disa autoritete të qyteteve që të njohin publikisht veprën e kryer nga Dëshmitarët e Jehovait. Në shenjë të kësaj njohjeje, ata kanë dhuruar troje për të ndërtuar Salla Mbretërie.

Administrata të qyteteve të ndryshme kanë shprehur idenë se këto dhurata janë të merituara, për shkak të «natyrës arsimuese të veprës [së Dëshmitarëve]», si edhe «të dobive publike e shoqërore të kësaj vepre». Të tjerë kanë përmendur «praninë domethënëse të Dëshmitarëve të Jehovait në qytet» dhe «natyrën jofitimprurëse të veprës së tyre».

Shumë nga Sallat e Mbretërisë janë ndërtuar brenda 48 orëve, duke përdorur një metodë speciale ndërtimi dhe skuadra ndërtimi me vullnetarë Dëshmitarë. Kryetari i bashkisë së qytetit La Linea, në jugperëndim të Spanjës, komentoi: «Më ka bërë shumë përshtypje vetëmohimi i vullnetarëve dhe mendoj se e meritojnë mbështetjen tonë. Në botën e sotme të përçarë kemi nevojë për më tepër nga kjo frymë.» Sallën e re të Mbretërisë ai e quajti «monument kushtuar frymës së bashkëpunimit».

Edhe fqinjët e kanë vënë re këtë frymë bashkëpunimi. Gjatë ndërtimit të një Salle Mbretërie dyshe në Vitoria, në veri të Spanjës, Mariana, e cila jeton aty afër, tha: «Sikur të gjithë të shfaqnin këtë lloj dashurie, nuk do t’i kishim problemet e sotme.» Pasi pa se si po ndërtohej godina, një arkitekt në atë qytet tha: «Do të doja të isha Dëshmitar i Jehovait për të ndier gëzimin që ndieni ju.»

Në qytetin e Saragozës, në verilindje të Spanjës, zyrtarët u dhanë Dëshmitarëve një truall falas prej 600 metrash katrorë. Një gazetë vendëse e përshkruante kantierin e ndërtimit si «një fole milingonash e Dëshmitarëve të Jehovait, ku qindra milingona të vogla punojnë së bashku». Fqinjët u dhanë punëtorëve një mirëseardhje të ngrohtë. Njëra prej tyre tha: «Priftërinjtë më bëjnë ta humbas besimin, kurse ju ma riktheni atë.»

Dëshmitarët janë mirënjohës si për ndihmën e fqinjëve, ashtu edhe të autoriteteve vendëse, për ndërtimin e vendeve të adhurimit. Ata janë të vendosur t’i përdorin Sallat e Mbretërisë për veprën më të mirë arsimuese që mund të kenë njerëzit: për predikimin dhe mësimin e Fjalës së Perëndisë.

[Figura në faqen 31]

La Linea, Kadiks, Spanjë